“Rrugë në Venecia” skica e vitit 1992 nga piktori Vangjush Mio, në fondin e GKA

15 Qershor, 2021 - 6:19 pm

“Rrugë në Venecia” është një punë e piktorit Vangjush Mio, që i takon vitit 1922. Vepra është pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve. GKA ka publikuar në faqen e saj një foto të veprës, që është punuar laps në letër.

Vangjush Mio gjatë gjithë jetës mori pjesë në shumë ekspozita në mbarë vendin, madje në vitin 1942 edhe në Bari të Italisë. Ekspozita e fundit e organizuar prej tij, ishte një retrospektivë e punimeve e cila u zhvillua në nëntor të vitit 1957 në Tiranë. Pak ditë më vonë, më 30 dhjetor 1957, Mio vdiq në Tiranë.

Vangjush Mio (3 mars 1891 -30 dhjetor 1957) “Piktor i Popullit”, ishte një piktor impresionist shqiptar. Mio lindi më 3 mars 1891 në Korçë. Në vitin 1908 për shkaqe ekonomike ai u detyrua që bashkë me vëllanë të largohet për në Bukuresht. Ishte anëtar aktiv i kolonisë së artistëve shqiptarë në kryeqytetin e Rumanisë dhe në vitin 1915 filloi studimet për Arte të Bukura në Universiteti Kombëtar të Arteve në Bukuresht.

Në vitin 1919 mbaron studimet me sukses dhe në të njëjtin vit hap ekspozitën e parë personale në Bukuresht. Në vitin 1920, ai u kthye për disa muaj në vendlindjen e tij ku ekspozoi edhe punimet e tij. Kjo ishte ekspozita e parë artistike për publikun në gjithë Shqipërinë. Në shtator të po të njëjtit vit ai u largua për në Romë.

Si admirues i madh i impresionizmit italian të shekullit XIX dhe fillim shekullit XX, ai u regjistrua në Akademinë mbretërore të Shën Llukës (San Luca). Sidoqoftë, problemet ekonomike e shtrënguan atë të ndërpresë studimet dhe të rikthehet në Korçë. Falë një burse shtetërore, ai mundi të rivazhdojë studimet në Romë të cilat i përfundoi më 1924. Temat e tij të parapëlqyera i merrte nga Korça, Pogradeci dhe rrethinat, por ai përjetësoi në punimet e tij edhe qytete të tjera si Tirana, Elbasani, Himara, Berati dhe Gjirokastra. Përveç peizazheve, Mio ishte brilant edhe në pikturimin e portreteve./ KultPlus.com

Të ngjajshme