Rrugët e vogla të Prishtinës, sjellin koleksionin “ready to wear” të Venera Mustafës (FOTO)

27 Nëntor, 2017 - 1:27 pm

Fotografitë: Majlinda Hoxha

Këtë fundjav dizenjatorja e njohur kosovare Venera Mustafa, ka bërë një prezantim privat duke shpalosur kështu koleksionin e saj ‘ready to wear’ vjeshtë/dimër 17-18, shkruan KultPlus.

Ky koleksion është frymëzuar nga rrugët e vogla të Prishtinës, lagjet e zejtarët, bizneset e vogla familjare dhe estetika e tyre. Këto rrugë që dikur ishin sinonim i qytetit sot janë rrugë anësore dhe tepër pak të frekuentuara. Por pikërisht këto rrugë kanë ofruar tablotë në të cilat është realizuar foto-sesioni me i ri i Venera Mustafës, e cila këtë herë për fotografitë e kampanjës ka bashkëpunuar me fotografin e njohur turk Gokay Çatak.

Në dukje të parë, koleksioni të jep ndjesinë e veshjeve të përditshme, pasqyron idenë e së kaluarës së qytetit dhe potencialin e tij estetik. Veshjet vijnë në kolorit, teksturë dhe tone që provojnë ta demonstrojnë këtë potencial.

Veçantia e materialit janë intervenimet ‘pintucks’ dhe qëndisjet industriale, si pjesë themelore e materialeve të përdorura. Si gjithnjë, edhe në këtë koleksion, Venera Mustafa ofron linja te pastërta, intervenime minimale, dhe silueta gati skulpturale.

Koleksioni është prezantuar para publikut në një ngjarje private në studion veneramustafa në Rrugën B në Prishtinë dhe del në shtije nga sot, e hënë 27 nëntor./ KultPlus.com

Të ngjajshme