Rrugëtim në universin e krijmtarisë 60-vjeçare, rikthehet Perikli Çuli me ekspozitë në Muzeun Historik

4 Shtator, 2019 - 3:11 pm

Përgjatë dy javësh do të mund të shijoni universin e krijimtarisë së një prej skulptorëve më të njohur shqiptarë, Perikli Çuli, Laureat i Çmimit të Republikës në Muzeun Historik Kombëtar përmes ekspozitës “Universi”.

Në këtë ekspozitë e cila u çel dje, vjen rrugëtimi 60 vjeçar i krijimtarisë plot emocion dhe pasion të këtij artisti unik, një univers i tërë për të zbuluar dhe rrugëtuar. Profesor Çuli, paraqet një sintezë shumë interesante të shprehjes së tij artistike.

Punimet në mermer tregojnë në mënyrë bindëse se me çfarë përkushtimi e dashurie i ka impenjuar autori bindjet e tij estetike, për të dhënë emocione nëpërmjet kërkimeve skulpturore, që paraqesin interes të veçantë drejt një arti ku zotërohet fantazia, plastika, konsekuenca drejt formimit që është pjesë përbërëse e “unit artistik” të këtij individualiteti.

Gjatë fjalës së hapjes në këtë ekspozitë, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili tha se “Profesor Perikliu është një nga figurat më të shquara të skulpturës shqiptare dhe si një dashamirës i artit nuk mund të lë pa e përmendur këtë mjeshtër të artit shqiptar dhe skulpturat e tij, të cilat kanë mbushur sheshe të tëra përgjatë territorit tonë”.

Ky event artistik vjen si bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Perikli Çuli është një nga artistët më të rëndësishëm shqiptarë. Ka realizuar vepra madhore, të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, mes tyre: “Ylli i lirisë”, kushtuar Brigadës së Parë Sulmuese, beton, 950-950 cm etj. /atsh. KultPlus.com

Të ngjajshme