Rrugëtimi e kontributi historik i Ibrahim Rugovës erdhi i përmbledhur në ekspozitën e hapur në Muzeun e Kosovës (FOTO)

24 Maj, 2018 - 3:17 pm

Gili Hoxhaj

Ibrahim Rugova, Presidenti Historik i Kosovës ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e identitetin e këtij shtetit. Të gjitha këto gjurmë erdhën të përmbledhura në një ekspozitë të vetme e tejet të pasur që është titulluar “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, shkruan KultPlus.

Bashkautorët e kësaj ekspozite Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, përmes saj sollën para publikut rreth 500 fotografi, të cilat paraqitnin imazhin e Rugovës mes buzëqeshjes e situatave serioze e poashtu edhe mes takimeve me përfaqësuesit më të njohur ndërkombëtar. Një pjesë e fotografive e tregonin Presidentin pranë njerëzve të tij të afërt, mes fushatave, pranë popullit e në përqafim të fëmijëve.

Kjo ekspozitë numëronte mbi 70 eksponate të ndryshme të Presidentit Rugova, të cilat përmbanin motive nga familja, krijimtaria letrare, politika, diplomacia dhe shtetësia. Mes dokumentesh, kishte dhe gazeta të cilat pasqyronin kontributin historik të Rugovës.

Dinamika e jetës e kontributi i pazëvendësueshëm i Rugovës, erdhi sot në Muzeun e Kosovës, i cili hapi dyert për një numër të madh vizitorësh, një pjesë e madhe e të cilëve i takonin Lidhjes Demokratike të Kosovës. Çmimet e ndryshme, mirënjohjet e Presidentit Historik, busti i tij, plisi që e kishte vënë në kokë e deri tek kostumi personal me të cilin Rugova prezantohej gjatë vizitave me personalitete vendore e të huaj.


Në njërën dhomë të ekspozitës ishte vendosur zyra e Presidentit Historik, e krejt në fund të ekspozites qëndronin pamjet e ceremonisë mortore, aty ishte i palosur edhe flamuri dardan me të cilin edhe iu dha lamtumira e fundit Rugovës. Në gjithë këto gjëra binte fort në sy Vula e Presidentit Historik, që aq sa është e gdhendur në memorien e të gjithëve e vendosur në çdo hapësirë dukej sikur e bënte më të dukshme frymën Rugoviane.


Pas hapjes së ekspozitës, Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, ishin udhërrëfyesit e Presidentit Thaçi, e familjes Rugova. Fana Rugova mes emocionesh shprehte falënderimin ndaj Krasniqit e Rracit për këtë përmbledhje të ekspozitës.

Para se të hapej ekspozita, Presidenti Thaçi kishte pritur Familjen Rugova, të cilëve u kishte dhuruan medaljen presidenciale të 10 vjetorit të Pavarësisë për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova. Thaçi tha se ndihet i nderuar që sot erdhi në hapjen e kësaj ekspozite, në shënimin e kësaj dite simbolike që njihet si Dita e Presidentit.

“Jam i nderuar që sot jam në mesin tuaj me hapjen e kësaj ekspozite me rastin e shënimit të kësaj dite simbolike, dita e Presidentit. Para se të vij këtu kisha nderin dhe kënaqësinë të ndaj çmimin për Presidentin Historik, Çmimin për Liri dhe Pavarësi, që ndahet për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, pra çmimin e meritave”, u shpreh fillimisht Thaçi.

Ai tutje u shpreh se kushdo që e viziton këtë ekspozitë do të ketë mundësi të bëj një kthim në kohë në vitet e rënda e tragjike të këtij vendi, e të cilat pashmangshëm lidhen me emrin e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova.

“Lëvizja për Pavarësi e Kosovë si në dimension politik edhe në atë ushtarak i bënin bashkë politikanët, intelektualët, ushtarakët, gra dhe burra, pleq dhe të rinj me një qëllim të vetëm. Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm gjeneratë pas gjenerate se kjo u fituar me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe, ku rol të pazëvendësueshëm ka Presidenti Ibrahim Rugova”, u shpreh tutje Thaçi, duke shtuar se UÇK ishte lëvizja më e suksesshme politike dhe ushtarake në historinë botërore, e që kombinimi i këtyre dy komponentëve rezultoi me unitetin qytetar e përkrahje masive të ndërkombëtarëve për Pavarësinë e Kosovës.

Njeri komunikativ, të dialogut, të negociatave, njeri të durimit e pajtimit, si njeri të vizionit, e cilësoi sot Thaçi, Ibrahim Rugovën.

Pas tij fjalën e mori ish- Kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi i cili tha se këto fotografi flasin më shumë se çdo fjalë që mund ta thotë ai. Më pas ai theksoi kombinimin e tre faktove meritor për shtetin e Kosovës.

“Kjo rezistencë paqësore që është bërë për dhjetë vite e që e ka udhëhequr Ibrahim Rugova e ne kemi qenë vetëm “hyzmeqarë”, nuk po e them me një modesti të rrejshme por ashtu qëndron puna. Kjo rezistencë e ka përgatit “shtratin” për Pavarësinë e Kosovës, po ashtu patëm edhe komponente e rezistencë të shqiptarëve dhe e treta është se duke e pasur sponsorin e fortë, SHBA-në arritëm që shteti i Serbisë të largohet nga këtu”, u shpreh Bukoshi.

Në mesin e shumë politikanëve, e vizitorëve që po e ndiqnin nga afër ekspozitën ishte dhe historiani Gani Mehemetaj, i cili tha se kjo ekspozitë paraqet një organizim shumë të mirë dhe mënyra e organizimit të fotografive është mjaft reprezentative.

“Kjo është një biografi jo vetëm e Presidentit Rugova por e ngjarjeve dhe viteve të 90’ta që prezanton zhvillimet politike të asaj kohe. Unë i pash me shumë interesim dhe pjesa e dyzetë viteve është prezantuar këtu. Ibrahim Rugova është personaliteti më i madh që e kemi pasur ndonjëherë dhe mënyra se si është prezantuar është reprezentative dhe e paraqitur mirë”, u shpreh Mehmetaj për KultPlus.

Kjo ekspozitë do të qëndroi e hapur deri në muajin shtator, duke i dhënë mundësinë edhe qytetarëve të diasporës që të vijnë dhe ta shohin atë nga afër në Muzeun e Kosovës./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme