Rudina Xhaferi: Unë krijoj prej kaosit që më jep Prishtina

5 Shkurt, 2019 - 6:20 pm

Gili Hoxhaj

Tash e një javë, ekspozita “Perceptimet: Burrneshat” e ka bërë Galerinë Kombëtare të Kosovës një vendtakim për artistet e njohura kosovare, të cilat po ftohen të ndajnë kohën e tyre në kafe e bisedë me qytetarët, duke rrëfyer kësisoj tregimet e tyre artistike dhe rrugën e tyre, që nuk duket të jetë gjithmonë e lehtë.

Mbi të gjitha, ato po shërbejnë si një burim inspirimi.

Në këtë rrjedhë depërtoi sot rrëfimi i Rudina Xhaferit. Ajo e mbajti publikun krejt sy e vesh në rrugëtimin e saj që në secilën pikë dëshmonte për besnikërinë e saj ndaj individualitetit e origjinalitetit të saj krijues. S’kishte qenë e lehtë ta mbante gjallë, e të mos lejonte shtypjen e tij. Këtë besnikëri e ka ruajtur për më shumë se dy dekada, që kur ka nisur të hedhë hapat e saj të parë në fushën e artit. Gjithçka kishte nisur me thonjtë, mediumi prej nga Rudina e kishte mbeshtetur një pjesë të madhe të rrugëtimit të saj.  Faktin që nuk ishte dorëzuar në ketë medium, ia dedikon edhe prindërve që kishin investuar fort në individualizmin e saj. Ndryshe nga familja, që është foleja e saj e harmonisë e cila ka ushqyer veçantinë e saj, në shkollë ajo kishte hetuar tendencën për mos ta zhveshur individualitetin e saj, madje nëse kjo ndodhte, Rudina frikësohej se edhe mund të shërbente për ta shtypur atë nga mësimdhënësit e asaj kohe.  

Rudina gjatë bisedës së sotme theksoi se nuk ka lejuar që të bëjë kompromise me artin e saj në këmbim të anës materiale. Krijimin më së shumti e sheh si ushqim shpirtëror për vete. Bindshëm thotë se arti ditor e përmbush atë shpirtërisht dhe ka ndikuar në ruajtjen e origjinalitetin e saj. Kështu thotë se ka ruajtur rehatinë brenda vetes, duke i ikur shpesh ndikimeve të shoqërisë. Xhaferi, përkundër trendeve veten e mban larg teknologjisë, shpesh përdor lapsin, kompasin, vizoren për t’i dhënë formë inspirimit të saj. Thotë se qëndron e distancuar nga pjesa teknike e veprës dhe tërë përqëndrimin e ka fokusuar tek pjesa kreative.

Tregimin ajo e lidhi me një pikë tejet të rëndësishme të formimit të saj artistik. Fëmijëria e saj është zhvilluar në një mjedis ku ka pasur shumë harmoni dhe atmosferë brenda familjes, ku çdo veprim ka rrjedhur në përkushtim në detaje, ndryshe nga ky ambient, shkolla i kishte ngjarë në një vend ku mësimdhënësit kanë qenë të prirur t’ua diktojnë rrugën nxënësve, pa tentuar ta nxjerrin në pah individualizmin nga secili. Ajo thotë se pavarësisht që e ka kundërshtuar qasjen e mësimdhënësve dhe profesorëve, kjo i ka shërbyer për artin e saj. Mrrolat e profesorëve të saj kishin zënë faqet e fundit të fletores së saj. Në vete, këtë skicim e kishte cilësuar më të suksesshëm se sa ta dëgjojë një profesor i cili nuk ka ardhur me dashuri në shkollë.

“Në shkollë mësuesit, profesorët, disi kanë kërkuar që ne të jemi të gjithë njëjtë, të gjithë me shkëlqy në secilën lëndë, thjeshtë kanë dashur të na fusin në një shabllon, me apo pa vetëdije. Prindërit e mi kanë punu me secilin prej neve dhe i kanë vërejtur ato shkëndizat çka neve na pëlqen dhe çka neve na intereson dhe secilin janë munduar ta orientojnë në gjërat që na pëlqejnë. Brenda vetes gjithnjë e kam ndjerë një dozë të veçantisë”, u shpreh Xhaferi.

Ekspozita e parë si brucoshe në Galerinë “Dodona” dhe thonjtë si mediumi më i rëndësishëm në krijimtarinë e saj

Rudina shtoi se asnjëherë nuk i ishte kundërvyer sistemit arsimor. Dozën e veçantisë e kishte ruajtur duke qëndruar më e tërhequr, duke u munduar të qëndrojë e pavërejtur nga ata por në të njëjtën kohë duke pasur kujdes nga mundësia e shkatërrimit të individualitetit të saj.  Thonjtë kishin qenë mediumi i parë ku ajo fillon ta përplasë artin e saj, goxha të zhgënjyer e kishte lënë njërin nga profesorët që kishte dashur t’ia humbasë një vit shkollor veç për shkak të dukjes së thonjve të saj. Megjithatë Rudina i kishte rezistuar këtij presioni. Sot thotë se thoni mbetet mediumi më i rëndësishëm i punës së saj, dhe gjithë metodën e punës që e ka punuar në thonj e ka bartur edhe në mediume tjera. Xhaferi thotë se kjo krijimtari do të shuhej po qe se do t’i bindej profesorit që i kishte kërkuar prerjen e thonjve, andaj përkrahja e prindërve dhe besimi i tyre tek fëmijët është shumë i rëndësishëm.

“Në shkollën e mesme, ajo shkëndijë ka filluar të dalë sadopak në sipërfaqe, fillimisht në shkollën e mesme në vitin e dytë-tretë, fillova me eksperimentu me veshje dhe doja t’i shihja reagimet e njerëzve se si atyre iu duket një veshje e jashtëzakonshme brenda qytetit tonë por që njëkohësisht, me çdo potezë që e kam bërë, jam ndier shumë mirë brenda vetes. Ajo që më ka bërë të ndihem shumë mirë janë edhe shkallavitjet e para që fillova t’i bëj në thonjtë e mi, që ka qenë një art ditor i i mi dhe që mua më ndihmuar të shprehem artistikisht, në atë kohë pa vetëdije por më vonë e kam parë që ka qenë një domosdoshmëri”, tregoi tutje artistja vizuale Rudina Xhaferi.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, Xhaferi vendos të regjistrohet në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve/Dega Dizajn Grafik. Gjatë vitit të parë të studimeve, një shok i motrës, Skënder Boshtrakaj (ish-drejtor i Muzeut të Kosovës) me një grup studentësh e shohin veçantinë e saj artistike në thonj. Boshtrakaj pas një bisede me Rudinën, i jep një ide që asaj do t’i shërbente më pas për ta përmbledhur në ekspozitë, që do të zgjonte goxha interesim nga komuniteti dhe mediat.

“Skënderi e shihte se si unë i pikturoja thonjtë, dhe pas dy orësh në ta pikturoja ndonjë imazh tjetër. Më pyeti se çfarë ndodhë me këto ide. I thashë se kam aq shumë ide, sa qeë sa herë i kam llaqet përpara unë krijoj në mënyrë të vazhdueshme. Ai ma dha një ide shumë të mirë në mënyrë që punimet e mia të zgjasnin më shumë, që të pikturoja në thonj artificial”, tregoi Xhaferi e cila pas kësaj bisede kishte vazhduar punën e vazhdueshme për gjashtë muaj dhe në fund kishte pikturuar 60 vepra të thonjve me dashninë më të madhe dhe me shumë netë të gjata pa gjumë. Ky vrull i saj është shfaqur në vitet e 90-a dhe ajo e kishte ndjerë dëshirën që t’i ekspozonte diku. Qëllimi i saj ishte që punimet t’i prezantojë në Galerinë “Dodona”, si galeria e vetme profesionale që funksiononte në atë kohë. Këtu i kishte shërbyer fort këmbëngulja e saj, edhe pse disa nga profesorët e saj e kishin kundërshtuar këtë ide. Ajo si brucoshe arriti t’i ekspozonte punimet e saj në këtë galeri për një javë, ndërsa thekson se për të vetëm hapja e ekspozitës kishte rëndësinë e veçantë.

“E pamundura ishte se në atë kohë ekspozonin vetëm profesorët tanë. Unë isha brucoshe kështuqë të tjerët thonin se ishte e pamundur, por insistimi im ishte që nëse unë e hapi ekspozitën në Galerinë “Dodona”, e gjithë karriera ka me m’ecë  mirë. Përmes prindërve arrita ta ftoj në shtëpi drejtoreshën Alisa Maliqi së bashku me axhën Shkëlzen Maliqi të cilët u mrekulluan me punimet e mia dhe vendosën me ma mundësu hapjen e ekspozitës, jo për një muaj por për një javë”, tha ajo.

Rudina gjatë kohës së luftës ishte shpërngulur në Tetovë kurse me vete kishte marrë veç albumin e fotografive dhe një qese me llaqe dhe thonj artificial.

“Në cfarëdo gjendje shpirtërore që isha, ishte i  vetmi thoni që më ndihmonte më e shpreh veten”, tregon ajo.

Prishtina si burim inspirimi

Rudina Xhaferi thotë se inspirimin më të madh e gjen në Prishtinë. Këtë më së miri e kishte kuptuar gjatë kohës sa kishte qenë pjesë e Kultur Kontakt në Vjenë të Austrisë. Aty kishte pasur komoditetin që vetëm të krijojë, përgjatë tre muajve të rezidencës.

“Gjithë këtë inspirim ma jep qyteti ma kaotik që najherë më ka ra me vizitu, e që është kryeqyteti, Prishtina. Pse e përmenda këtë është sepse më ka ra me udhëtu në vende të ndryshme dhe në vitin 2008 isha pjesë e Artistët në Rezidencë 2008, Kultur Kontakt, Vjenë, Austri. Kaloi muaji i tretë dhe besomni që kam arritur vetëm tri javë para ekspozitës që të krijoj diçka të re e që për mua ka qenë shumë sfiduese dhe e lodhshme. Aty e kam kuptuar se metropolet nuk më bëjnë mirë që të krijoj. Unë krijoj vetëm përmes kaosit që ma jep Prishtina si vend”, tregoi Xhaferi.

“Përpos familjes, pjesa më e bukur që po më ndodhë në Prishtinë jane studentët e mi’’

Rudina Xhaferi e cila është paraqitur në shtatë ekspozita personale e 20 kolektive, ka punuar edhe si ligjëruese në Shkollën e Modës Design Factory, po ashtu dhe si ligjëruese, bashkëpuntore e jashtme në Fakultetin e Arteve, pranë Universitetit të Prishtinës. Ajo me publikun i ndau edhe disa fjalë për këtë pjesë të jetës së saj.

Xhaferi tha se përveçse ligjëron me shumë dashuri, mundohet të krijojë shumë afërsi me studentët. Përpos familjes, ajo thotë se studentët përbëjnë pjesën më të bukur që asaj po i ndodhë vitet e fundit në Prishtinë.

“Për mua ligjërimi është dhunti, e ke ose nuk e ke, e para. E dyta, ti mund të jesh profesionist por nëse qasja jote ndaj studentëve nuk është e afërt, për mua është baraz me zero. Unë komunikoj lirshëm me studentët e mi sepse nesër ata do të jenë kolegët e mi dhe unë i adhuroj studentët e mi”, theksoi Xhaferi.

Në vitin 2001, Xhaferi prezantoi ekspozitën e parë me performancë. Performanca nënkuptonte qëndrim pa lëvizur në performancë për 15 minuta. Sikleti që ia kishte dhënë realizimi i performancës, kishte bërë që Rudina të dorëzohej shumë shpejtë. Këtë ia kishte kumtuar mamasë së saj, e cila kishte larguar pak syzet nga sytë dhe i ishte drejtuar se askush nuk mund ta përfaqësojë idenë e saj më mirë se vetë ajo që e kishte kristalizuar këtë performancë.

“Fokusin nuk e kam pasur tek vetja por si po më sheh publiku dhe trupi fillojke të më dridhej. Mamaja më tha, “Shko në shtëpi dhe fokusohu tek vetja dhe shkëlqe siç din ti”. Ashtu siç tha nana, me u fokusu tek vetja është gjëja më e mirë që mund t’ia bësh vetes”, tregoi Rudina.

Rudina Xhaferi punon në  Radio Televizionin e Kosovës – RTK, prej vitit 2003, mbikëqyrëse e sektorit të skenografisë. Ajo punon në mediume të ndryshme: Pikturim në Thonj, Fotografi, Video, Performancë, Skenografi (TV e Teatër), Kostumografi (Teatër) dhe së fundmi është orientuar në Fashion Design.  Ajo ishte bashkëkuratore në Ekspozitën “Artistët e rinj 2017”. Nëntor 2004: Çmimi i parë, Ekspozita “Salloni i Nëntorit”, Galeria e Arteve të Kosovës, Prishtinë Kosovë, Korrik-Shtator 2018: Pjesëmarrëse në FashionFilm FestivalChicago2018.

Ekspozita “Perceptime: Burrneshat” si dhe diskutimet që po zhvillohen janë rezultat i bashkëpunimit në mes të British Council dhe Galerisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme