“Rwandan Daughters” me imazhet që bashkojnë pasojat e gjenocidit

8 Prill, 2019 - 3:30 pm

Janë mbushur 25 vjet që nga fillimi i gjenocidit në Ruandë. Në vetëm 100 ditë, prej 7 prillit deri më 15 korrik 1994, shtatë në dhjetë Tutsis që jetonin në Ruanda u vranë nga fqinjët e tyre Hutu. Së paku një milion banorë u vranë, përfshirë 10 mijë të komunitetit Batwa pygmies.

Ajo që është më pak e njohur për këta muaj të tmerrshëm është se 250 mijë gra u përdhunuan. Shumë prej tyre ishin infektuar me HIV dhe më pas vdiqën si pasojë e sëmundjeve që lidhen me këtë virus. Kombet e Bashkuara kanë thënë se rreth dymijë gra mbetën shtatzënë (numri i saktë mund të jetë shumë më i lartë), shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Një çerekshekull më vonë, teksa shumë prej fëmijëve të mbijetuar të grave shtatzëna janë më të vjetër se që ishin nënat e tyre në atë kohë, vazhdon ankthi, tensioni e stigmatizimi shoqëror.

Fotografi gjerman Olaf Heine, bashkë me organizatën humanitare “Ora Kinderhilfe”, kaluan tre vjet punë në projektin “Rwandan Daughters” (Vajzat e Ruandës), që portretizon 80 viktima të përdhunuara dhe fëmijët e tyre. Në këtë libër, jetët e dy gjeneratave të lidhura me dhunë dhe traumë janë hulumtuar me qartësi dhe drejtësi.

Heine shpesh fotografon nënat dhe fëmijët bashkë në lokacionet ose rreth atyre ku kanë ndodhur përdhunimet, nëpër ferma, buzë rrugëve ose në kisha. Në fotografi dallohet diçka e veçantë në lidhjet e tyre. Disa mbajnë duart bashkë ose përqafohen dhe ndihen të lehtësuar në praninë e njëri-tjetrit. Të tjerët, sikur nënat dhe të bijat në fotografinë e shkrepur jashtë kryeqytetit Kigali, ruajnë një distancë, njëra ia kthen shpinën tjetrës sikur po i ndanë një barrierë e pakapërcyeshme.

“Të gjithë këta fëmijë në Ruandë kanë një të përbashkët: Ata kurrë nuk ishin të dashur, rrallë ishin të pranueshëm, shpesh vetëm pranoheshin pa dëshirë, e nganjëherë duheshin, në një shoqëri patriarkale që i sheh jo si viktima, por si fëmijë të vrasësve”, thotë Heine.

Pas gjenocidit, shumë nga gratë e abuzuara s’ishin në gjendje të gjenin partnerë dhe jetonin në situata të rrezikshme, të margjinalizuara nga shoqëria e me pengesa që t’i pranonin fëmijët e tyre. Kujdesi terapeutik i ofruar nga organizata si “Solace Ministres”, që ka përkrahur “Rwandan Daughters”, ka ndihmuar një numër të nënave dhe fëmijëve që të ecin përpara, por, siç sugjerojnë dëshmitë e Heines, disa nga plagët e marra 25 vjet më parë, nuk mund të shërohen kurrë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme