Së shpejti hapet ekspozita ‘Loja’ nga artisti Nusret Salihamixhiqi

26 Prill, 2022 - 8:55 pm

Galeria e Ministrisë së Kulturës së shpejti mirëpret hapjen e ekspozitës “Loja” të artistit Nusret Salihamixhiqi, e kuruar nga Jakup Ferri, përcjell KultPlus.

Ekspozita hapet me datën 5 maj 2022 duke filluar nga ora 19:00.

Element i rëndësishëm i artit të Nusret Salimaxhiqit (1931 – 2011) është edhe ngjyra me të gjitha nuancat e saj spektrale. Autori shfrytëzon maksimalisht krejt spektrin kolorit për të njëmendësuar botën e vet kreative, në të cilën koha dhe hapësira shkrihen në një, njësoj siç shkrihen forma me përmbajtjen në muzikë. Duke u zhytur i tëri në magjinë e ngjyrave, ndonjëherë harron se megjithatë ato duhet të racionalizohen sipas parimit piktural. Në të vërtetë, piktori i racionalizon ngjyrat, i harmonizon ato sipas parimit të shpirtit të vet estetik, dhe jo në bazë të rregullave mekanike, që mund të shpijnë në manierizëm, madje edhe ilustrim“, shkëputur nga shkrimi i Mustafa Ferizit për katalogun e ekspozitës së Salihamixhiqit në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Jakup Ferri (1981, Prishtinë, Kosovë, jeton në Prishtinë dhe Hagë) është artist bashkëkohor dhe profesor në Akademinë e Arteve të Prishtinës. Ka studiuar në Akademinë e Arteve të Prishtinës dhe në Rijksakademie në Amsterdam.

Në vitin 2003 ai mori dy çmime prestigjioze në Prishtinë: Çmimin Muslim Mulliqi dhe Çmimin Artistët e së nesërmes. Në vitin 2008 ai mori çmimin Buning Brongers në Amsterdam. Ai ka qenë artist-në-rezidencë në vende të shumta, duke përfshirë ISCP Nju Jork, Kultur Kontakt Austria. Përveç koleksioneve private, vepra e tij është gjithashtu pjesë e koleksionit të Muzeut Ludwig – Muzeu i Artit Bashkëkohor, Budapest. Këtë vit, Ferri prezanton Pavilionin e Republikës së Kosovës në edicionin e 59-të të Bienalës së Venedikut.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 26 korrik 2022. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme