“Shkrepëtima” e Petrit Halilajt edhe në Torino

5 Shtator, 2018 - 11:32 am

Performanca unike e artistit kosovar, e cila për herë të parë u prezantua në Runik në muajin korrik, vazhdon rrugëtimin si ekspozitë në Torino të Italisë.

“Shkrepëtima” do të shpaloset në “Fondazione Merz”, prej datës 29 të muajit tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 3 shkurt të vitit të ardhshëm, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pas Runikut, performanca e Halilajt, për një muaj, prej 20 korrikut deri më 19 gusht, qe prezantuar edhe në Bernë të Zvicrës në “Zentrum Paul Klee”. Petrit Halilaj është fitues i edicionit të dytë të “Mario Merz Prize”, çmim bienal ndërkombëtar i themeluar nga fondacioni me të njëjtin emër që ka për qëllim nxjerrjen në pah të artistëve të jashtëzakonshëm.

Sipas njoftimit të revistës online newyorkeze,“BlouinArtInfo”, pjesë e kësaj ekspozite do të jetë edhe një seri veprash të realizuara më parë, ku artisti eksploron të kaluarën e vendlindjes së tij, Runikut.

“Pasi që ka përjetuar luftën dhe shpërnguljen bashkë me familjen e tij gjatë fëmijërisë së tij në Kosovë, praktika e Petrit Halilajt zakonisht përfshin një narrativë personale optimiste, poetike dhe disi me humor”, ka shkruar “BlouinArtInfo”. Aty po ashtu thuhet se me “Shkrepëtimë”, Halilaj eksploron identitetin kombëtar, adreson kufijtë gjeografikë dhe vë në pikëpyetje formën e historisë kolektive nëpërmjet videove, vizatimeve dhe skulpturave të tij./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme