“Shkrepëtima” nga Petrit Halilaj vazhdon rrugëtimin në Zvicër

17 Korrik, 2018 - 6:40 pm

Të enjten në Bernë të Zvicrës në Zentrum Paul Klee, artisti Petrit Halilaj do të hap ekspozitë e tij “Shkrepëtima”.

Gjithashtu para hapjes së ekspozitës artisti së bashku me kuratorin Leonardo Bigazzi do të flasin për ekspozitën por edhe për projektin me të njëjtin emër i cili u shfaq në Runik, shkruan KultPlus.

Ekspozita e Petrit Halilajt në Zentrum Paul Klee është pjesë e një serie projektesh në Nju Jork, Runik (Kosovë), Bernë dhe Turin, në të cilat artisti eksploron historinë, identitetin dhe mjedisin e vendlindjes së tij. Halilaj është laureat i Çmimit Mario Merz 2018.

Ekspozita sillet rreth fshatit Runik, vendlindjes së artistit.

Petrit Halilaj në këtë projekt shfaqë faktin se fshati Runik, i rindërtuar pas luftës, është vendosur në qendër të një prej vendbanimeve më të mëdha neolitike në Evropën Juglindore, ku edhe sot, fshatarët gjejnë artefakte neolitike.
Puna aktuale e artistit sillet rreth pyetjes se çfarë roli kulturor dhe social kanë këto artefakte në komunitetin e Runikit, ose çfarë roli mund të luajnë ato në të ardhmen.

Në mungesë të infrastrukturës kulturore, njohuria për të kaluarën e largët mbetet e zbehtë. Kështu artefaktet e gjetura nga e kaluara stimulojnë imagjinatën popullore dhe spekulimet rreth origjinës janë të shumta.

Me anë të tregimit të historisë së këtyre objekteve, video instalacioni i artistit, “Çatitë ishin aq afër sa edhe një mac e përgjumur mund të kalonte Runikun pa prekur në tokë (2017)”, ofron një portret të Runikut bashkëkohorë dhe të Kosovës si një komb i ri ende i pasigurt për historinë dhe identitetin e saj.

Paralelisht me ekspozitën Halilaj prezantoi edhe ngjarjen e madhe kulturore “Shkreptima” në ish-shtëpinë e kulturës në Runik duke shpresuar që ajo do të nxisë zhvillimin kulturorë në komunitet.

Në anën tjetër si pjesë e ekspozitës në Zentrum Paul Klee, Halilaj do të paraqesë vizatime, studime konceptuale dhe skulptura që ai ka prodhuar në kuadër të përgatitjeve për këtë ngjarje.

Këtu, objektet nga e kaluara neolitike janë rikthyer në mënyrë poetike duke u transferuar në zogj migrues dhe specie të tjera që udhëtojnë, eksplorojnë dhe vendosen përkohësisht në vende të ndryshme – qoftë në Runik, Neë York, Bernë ose Turin.

Si pjesë e hapjes së ekspozitës, artisti dhe kuratori Leonardo Bigazzi do të japin një prezantim mbi hulumtimet dhe aktivitetet që kanë bërë në Runik./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme