Shpaloset ekspozita ‘GRANDART 1970-2000’, mbijetesa e veprave artistike e 27 artistëve që shënojnë gjeneratën e parë të artit në Kosovë

15 Korrik, 2021 - 2:43 pm

Era Berisha

Pikturat, grafikat, skulpturat, tapiceritë dhe artizanatet e vendosura në muret shumëngjyrëshe po frymonin nën gjendjen kaotike të ngjyrave intensive e të vrullshme të cilat po përplasnin vëmendjen e të pranishmëve sa në një kënd e në këndin tjetër për të zbuluar fshehtësinë shpirtërore e unike të enigmave që ishin strukur thellë në misterin e koleksionit që është zhvendosur nga hoteli Grand në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Kosovës me kurator Zeni Ballazhi për të sjell ekspozitën e titulluar ‘GRANDART 1970-2000’, shkruan KultPlus.

Fillimisht, në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës për të treguar për rrjedhën artistike të ekspozitës dhe vlerat e këtij aseti kombëtar, foli kuratori Zeni Ballazhi, i cili falënderoi drejtorin e Galerisë Kombëtare, të pranishmit nga kompania hotelerike Grand, gazetaren Jeta Xharrën për dokumentimin e rrugëtimit të veprave deri këtu, Komunën e Prishtinës, kolegët dhe profesorët prezent si dhe artistët pjesëmarrës në ekspozitë.

“Ekspozita titullohet ‘Grand Art 1970-2000’, dhe janë prezantuar gjithsej 27 artistë me rreth 50 vepra të paraqitura të mediumeve të ndryshme duke u nisur nga piktura, grafika, skulptura, tapiceritë, artizanatet dhe mozaiku. Grand Art me artistë të mëdhenj të artit pamor të Kosovës ku prezantohen gjenerata e parë e artit të Kosovës deri tek ditët e sotme. Fokusi është vitet e 70-ta pikërisht tek gjenerata e parë e artit pamor të Kosovës që nis edhe këtu historia e artit pamor të Kosovës”, thotë Ballazhi.

Sipas tij, numri 50 lidhet edhe me 50 vjetorin e krijimtarisë të këtyre veprave.

“Fati i madh që Galerisë Kombëtare të Kosovës apo në koleksionet e Galerisë i bashkëngjitet një koleksion tjetër që është një pasuri e trashëgimisë së arteve. Ne do të prezantojmë këtu një art të madh dhe art të gjeneratës së parë. Ndërsa, mos të harrojmë që kemi mozaikun e doajenit tonë, piktorit Muslim Mulliqi që ndodhet në objektin Grand që mund të vizitohet çdo ditë”, përfundon Ballazhi.

Ndërsa, për të treguar për dokumentarin ndaj rrugëtimit të kësaj ekspozite, foli gazetarja Jeta Xharra.

“Rrëfimi i Grandit fillon në vitin 1978 por rrëfimi fillon në vitin 2017 kur Vesa Sahatçiu, historiane e artit ka treguar se dikush dëshiron ta privatizojë. Pjesa më e dhimbshme e gjithë kësaj historie është se nga viti 2014 Ministria e Kulturës ka evidentuar cilat janë punimet që ekzistojnë dhe në fund punëtorëve të Grandit iu është drejtuar me fjalët: ‘’E tash ruajeni’’. Këtu ka diçka tjetër që nuk është e ditur’’, thotë Xharra.

Sipas saj, në fakt kanë ekzistuar gjithsej 364 punime ndërsa sot janë vetëm 125. 239 punime mungojnë.

Tutje, drejtori i Grand Hotelit, Isa Rexha dhe në emër të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, përfaqësuesja e tyre, të cilët janë shprehur se ndjehen mjaft të lumtur e krenarë që janë pjesë e kësaj ceremonie.

Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit me padurim po hynin brenda një nga një. Pikturat e llojllojshme e të madhësive nga më të ndryshmet, grafikat, skulpturat, artizanatet dhe tapiceritë kishin zënë vend në një hapësirë që i ngjasonte një gjysmëhëne, po njëlloj sikur ajo që i shoqëroi të pranishmit teksa ata pritnin jashtë për të hyrë.

Audienca fillimisht pati rastin të zgjedh në cilën anë dëshironin të nisnin këtë eksperiencë për shkak se të dy anët e Galerisë Kombëtare të Kosovës posedonin këto vepra artistike. Skulptura e artistit Radoslav Musa Miketić, ishte ajo që vërehej direkt përballë hyrjes në ekspozitë e që në mesin e bardhësisë, ngjyra e kaftë e saj po dominonte atë hapësirë të dedikuar për të e që pothuajse po portretizonte një njeri të cilin e kishte kapluar ari tërësisht. Kurse, për ata që kishin zgjedhur anën tjetër, pikturat dhe grafikat e shumta të vendosura njëra pas tjetrës në një vijë horizontale e që në vete ngërthenin një gjendje fort të ngatërruar e cila shprehej përmes një ngjyrave të errëta që po përçonin emocione dhe ndjenja të panjohura dhe po zgjonin kureshtjen e shumtë për ta parë nga afër e për të deshifruar kuptimin e tyre të veçantë.

Ndërkohë, piktura që ndodhej në mesin e katit të poshtëm për arsye të madhësisë së madhe të saj, si ajo e artistit Nazmi Sadiku, ishte piktura që posedonte një hipnotizim më vete, një pikturë që qetësisht e papritmas kaplonte syrin e çdo kujt me madhështinë e ngjyrave të ndezura e të hapura të cilat përhapnin një magnet në horizont e po rrethonin ëmbëlsisht të pranishmit me strukturën e gjallë të ngjyrave vibrante të cilat ishin të përziera sipas dëshirës së caktuar e që para publikut kjo strukturë erdhi në një formë aq egocentrike sa që nuk të lejonte ti largosh sytë për asnjë çast nga pamja mahnitëse.

Ndërsa, piktura e artistit Nikos Kanelos, një pikturë që po ashtu përmbante ngjyra të ndezura, dha një iluzion se artisti kishe shkrirë një perëndim të diellit në një formë të artit. E ky perëndim i gërshetuar me goditjet e furçës së piktorit solli para publikut vija të ashpra që në mëdyshje rrjedhnin në njëra tjetrën.

Tutje, në katin e sipërm të Galerisë Kombëtare, skulptura e ndriçuar nga një dritë e ngrohtë, priti publikun dhe njëkohësisht i sulmoi ata me një ndjenjë e emocion që vështirë se përshkruhet dot. Skulptura që po shfaqte dy persona të ulur në një stol, e që dukeshin se po komunikonin me njëri-tjetrin dhe hija e tyre prapa në murin e kaltër mbyllët, erdhi në një formë që kërkonte vëmendjen e gjithsecilit për të admiruar një komunikim që shpesh herë qeniet njerëzore e marrin për të mirëqenë ditë pas dite.

Pastaj, dy tapiceritë e vendosura përballë njëra-tjetrës e të cilat erdhën në forma krejtësisht ndryshe, kishin kapluar pothuajse dy mure të mëdha e prezenca e tyre verbuese solli një dilemë se cila tapiceri të admirohet më parë. Por, përveç këtyre punimeve artistike të përmendura, pikturat, grafikat dhe artizanatet e shumta të tjera të artistëve u shfaqën në një mënyrë tejet të veçantë e shumica prej tyre posedonte një kuptim e emocion në vete që përcillej tek publiku dhe depërtonte tek shpirti i tyre.

Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë ishin: Agim Çavdarbasha, Agim Salihu, Bahri Dranҫolli, Božidar B. Prodanović, Budim Berisha, Faik Krasniqi, Fatmir Krypa, Fatmir Zajmi, Gjelosh Gjokaj, Hamdi Terziqi, Hysni Krasniqi, Matej Rodiqi, Mehmet Behluli, Mikel Gjokaj, Muslim Mulliqi, Nazmi Sadiku, Nikos Kanellos, Radoslav Musa Miketić, Rexhep Ferri, Rrustem Bujupi, Shyqri Nimani, Simon Shiroka, Skender Idrizi, Stevan Čukić, Tomislav Trifić, Xhevdet Xhafa dhe Zoran Jovanović.

Me datë 24 dhjetor 2020, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nxjerrë vendimin nr. 07/52 për shpronësimin e veprave artistike të cilat gjendeshin në hapësirat e NeëCo Grand Hotel sh.p.k. dhe me datë 21 janar 2021 është bërë pranim-dorëzimi i veprave artistike nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, përkatësisht tek Galeria Kombëtare e Kosovës.

Ekspozita do të jetë e hapur deri me datë: 28.08.2021/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme