Shpaloset ekspozita ‘Paralel’ e Eliza Hoxhës, një rrugëtim personal i të ’90-tave dhe një reflektim e interpretim i pasojave të luftës

23 Dhjetor, 2021 - 4:45 pm

Mbijetesa, rezistenca, qëndresa e përpjekja për liri e një jetë më të mirë të shqiptarëve përgjatë viteve të 90-ta, u shpalos mbrëmë nëpërmjet ekspozitës personale të artistes Eliza Hoxha, të titulluar ‘Paralel’ e që në vete ngërtheu fotografi të mbushura me ndjenjën e pakënaqësisë që artistja i ka spikatur pikërisht me syrin e saj e që asokohe regjistroheshin në javoren politike “Zëri”, shkruan KultPlus.

Rrugëtimi personal i artistes u dallua qysh nga fotografia e parë e deri tek ajo e fundit. Ishin ngjarjet si: Protesta e grave “Shkurorëzim Paqësorë” më 25 mars 1998, Protesta e grave me bukë për Drenicën më 16 mars 19, Protesta e grave me fleta të bardha para Zyrës Informative Amerikane në Dragodan (Arbëri) më 8 mars 1998, Protesta e grave me qirinj më 1998, Protesta në Prishtinë gjatë viteve të 90-ta, fytyra të shumta të luftëtarëve të UCK-së dhe emrat e viktimave nga lufta e fundit në Kosovë, ato të cilat përshkonin muret e bardha të Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Fillimisht, në mungesë të dritave, përgjatë errësirës absolute, të pranishmit fillonin të hynin brenda Galerisë, teksa ata me dritat e telefonave të tyre shikonin qetësisht e admironin pamjet diversive që me madhësinë e veçantinë e tyre dukeshin se po mbillnin rrënjë brenda shpirtit të pranishëm.

Ndërkohë, veçantia e instalacionit të titulluar “Hapësirë e lirë” është simulim i Pavijonit të Kosovës në Venecia në Bienalen e Arkitekturës më 2018, me ç’rast një tepih i shtrirë solli petkun e dyfishtë të qytetit ku me pika të zeza u shënjuan institucionet arsimore publike dhe me pika të kuqe nëpër periferi u shënjuan shkollat shtëpi të sistemit paralel të edukimit. E ky tepih i cili është thurur në vek e është punë dore nga gratë e fshatit Gjonaj në Kosovë, u kurua nga artistja Hoxha e cila portretizoi ‘Prishtinën paralele’ një shtresim i ri fizik, funksional e emocional i prodhuar nga shqiptarët në Prishtinën e viteve të 90-ta. Shumë nga shqiptarët dhanë shtëpitë e tyre për t’i akomoduar mbi 400,000 nxënës dhe student për 10 vite në sistemin paralel të edukimit. Shtëpia u bë shkollë, galeri, spital, zyre, dyqan e çka do tjetër në të njëjtën kohë.

E njëra nga ato është edhe Shkolla – shtëpi e Herticëve.

Tutje, numri i madh i të pranishmëve pothuajse zinte çdo hapësirë brenda Galerisë, e kjo e bënte këtë ngjarje edhe më të përafërt me publikun i cili me padurim shikonte e lexonte nga afër edhe detajet më të vogla të plasaritura në mure.

Krejt në fund, hapja zyrtare që supozohej të ndodhte në fillim u zhvillua në fund, ku artistja Eliza Hoxha, përfaqësuesja nga Ministria e Kulturës, Klodeta Krasniqi dhe profesori Shkelzen Maliqi, u ftuan për një fjalë rasti.

“Është një kënaqësi që të jem këtu e që të kemi afër një artiste si Eliza në pjesën e programit të Galerisë për këtë vit. Një artiste e cila ndër vite ka kontribuar në përmirësimin e kualitetit të kulturës tonë. Duke e pasur parasysh temën të cilën e trajton e që konsideroj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të na rikthej në ato momente që shumë shpesh po i harrojmë e që duhemi patjetër ti shfrytëzojmë në mënyrë që mos ta lejojmë edhe pjesën tjetër të botës, ta harrojë historinë e Kosovës”, thotë Krasniqi.

Ndërsa, profesori Shkelzen Maliqi vlerësoi lartë talentet e Elizës e që të njëjtat vinë të gërshetuara në këto vepra.

“Ky terri që na priti këtu, më kujtoi ato plakat tona në shekullin e kaluar që folshin për luftërat e dikurshme. Kjo ekspozitë, sidomos fokusi i saj është tek protestat e grave gjatë viteve 90-ta, si një rikthim i dinjitetit. Unë dua të citoj diçka, se zhvillimi i teknologjisë një ditë do ta shlirojë aq shumë njeriun sa që do të ketë mundësi që të zhvilloj dhjetë apo pesëmbëdhjetë talente të veta. Eliza talentet e saj i ka gërshetuar paralelisht në veprat e saj”, thotë Mulliqi.

Po ashtu, artistja Eliza Hoxha foli rreth idesë së ekspozitës që u bazua tërësisht në përvojat personale të saj.

“Faleminderit për durimin në terr së bashku, për të bërë dritë më pas. Faleminderit që keni ardhur për të ndarë këtë mbrëmje me mu së bashku e për të ndarë kujtime të shumta së bashku që i kemi kaluar e i kemi përjetuar vitet e 90-ta, përpjekjen për të drejtat tona elementare për edukim si e para, për të ekzistuar, për të qenë e të themi se jemi këtu dhe më pas luftën, depërtimin, lirinë, çlirimin, pavarësinë. Mendoj se jemi një gjeneratë me shumë sfida por në të njëjtën kohë edhe e bekuar sepse kemi përjetuar gjëra të jashtëzakonshme”, thotë Hoxha.

Sipas saj, ekspozita është njëfarë mbërthimi në aspketin personal, përvojave personale.

“Atë kohë, mendoj se mund të bëja diçka me aparat në dorë. Dikush me pushkë e dikush me procese të caktuara. Shumica e filmave kanë mbetur në javoren politike ‘Zëri’, por një pjesë e viteve të fundit kanë mbetur në shpi, e kur kemi qenë refugjatë kemi shkuar në Maqedoni për ti marrë ato negativa me vete. E çka është më e rëndësishmja, se unë këtyre filmave nuk iu kam kthyer 15 vjet pas luftës sepse sikur çdo i ri, kam pasur qejf të shoh përpara e të shfrytëzoj lirinë për ti realizuar ëndrrat. Por, ka ardhur një moment reflektimi për arsyes se plagët nuk janë mbyllur”, përfundon Hoxha.

Për Hoxhën, kjo ekspozitë i dedikohet babait të saj, për dy arsye. Njëra, ka qenë se ai është munduar gjithmonë ta ndreq vendin ku ai jeton me aq sa ka pasur mundësi. Ndërsa e dyta, është se ai ka pasur një natyrë shumë të njëjtë me të por aq edhe kundërshtuese.

Me hapjen e kësaj ekspozite, Galeria Kombëtare e Kosovës përmbyll me sukses planprogramin e vitit 2021.

Ndërkaq, ekspozita qëndron e hapur nga e marta deri tek e premtja (10:00-18:00), kurse të shtunën e dielën nga ora 10:00 deri 17:00. / KultPlus.com

Të ngjajshme