Shqiptari Gjon Mili fotografon aktoren italiane Sophia Loren (FOTO)

28 Nëntor, 2017 - 9:50 pm

Në vitin 1965, aktorja e madhe Sophia Loren do të takohej me fotografin shqiptar Gjon Mili dhe ajo çka do të pasonte ishte një shoqëri plot shkrepje aparati fotografik.

Gjon Mili kësisoj e fotografoi aktoren italiane në disa raste, gjatë xhirimeve të filmave por edhe në pamje ekstravagante të një prej aktoreve më të talentuara e të bukura në historinë e filmit.

Gjon Mili, fotografi i njohur shqiptar nga Korça, mes tjerash e fotografoi Loren edhe për TIME Magazine por edhe për LIFE Magazine, shkruan KultPlus.

Loren u fotografua nga shqiptari edhe gjatë filmit “Lady D”, bashkë me aktorin David Niven.
Gjon Mili lindi në qytetin e Korçës në vitin 1904. Mësimet e para i mori në Rumani dhe kur ishte 19 vjeç u nis drejt Amerikës. U diplomua në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetit si inxhinier ndriçimi, por gjatë kësaj kohe ai u mor edhe me artin fotografik.

Më 1937 mori titullin “Profesor”. Ka lëvruar me sukses shumë zhanre të fotografisë, si portretin, peizazhin, reklamën, foton dokumentare, politike, atë të arteve etj. Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur me 1934, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë me 140 foto, më 1980 në Nju-Jork me rastin e 75-vjetorit të lindjes.

Gjon Mili vdiq në vitin 1984, në moshën 79-vjeçare. / KultPlus.com

Të ngjajshme