7 Korrik, 2025 - 9:10 pm
Ata ndihmuan që Vinsent van Gog të bëhej një nga piktorët më të famshëm dhe më me ndikim në historinë e artit. Por pse ishte ai i fiksuar pas lulediellit dhe shumë artistë të tjerë para dhe pas tij?
Kur mendojmë për Vinsent van Gogut, shumicës i vjen menjëherë në mendje imazhi ikonë i luleve të tij të diellit. Është një lloj identiteti vizual që artisti e kishte për qëllim. “Luledielli është e imja,” kishte shkruar ai dikur, duke treguar dëshirën e tij për t’u identifikuar publikisht me këtë bimë të lartë, me pamje sfiduese dhe kurorë petalesh të flakta. Luledielli kishte për të një domethënie të thellë. Por çfarë përfaqësonte në të vërtetë për të?
Përveç “Natës me Yje”, “Lulediellit” e Galerisë Kombëtare në Londër është ndoshta vepra e tij më e njohur. Por artisti pikturoi edhe 10 tablo të tjera që kishin në qendër këto lule. Ai i krijoi në tri shpërthime të shkurtra frymëzimi: së pari, një seri me katër tablo në Paris në vitin 1887; më pas, katër tablo të tjera pas zhvendosjes në qytetin jugor të Arlit në vitin 1888, të gjitha brenda më pak se një jave; dhe në fazën e tretë, në fillim të vitit 1889, ai kopjoi tre nga kompozimet e vitit të mëparshëm. Versionet më të famshme nga viti 1888 u krijuan me një vetëbesim dhe gëzim sensual, “me oreksin e një marsejezi që ha bouillabaisse,” siç shkroi ai vetë. Megjithatë, në letrat e tij, Van Gog kurrë nuk shpjegon qartë çfarë simbolizonin për të lulediellit.
ImageNga njëra anë, ato duket se ishin një mënyrë për të eksperimentuar me kombinime ngjyrash, veçanërisht nuanca të ndryshme të së verdhës. Por gjithashtu, ai synonte t’i përdorte për të zbukuruar shtëpinë ku do të jetonte bashkë me artistin Pol Gogen. Ky i fundit e admironte punën e mëparshme të Van Gog me lulediellit, ndaj ndoshta ato mishëronin shpresat e tij për solidaritet dhe miqësi, dëshira që përfundimisht do të shuheshin, ashtu si edhe etja e tij për njohje artistike gjatë jetës. Gogen e la Van Gog pas vetëm dy muajsh, dhe Vinsent do të vdiste në moshën 37-vjeçare pa shitur shumë nga veprat e tij.
Megjithatë, lulediellit e Van Gogut fituan status kulti në fillim të shekullit XX, fillimisht në mesin e avangardës artistike europiane. Në vitin 1920, shkrimtarja Katherine Mansfield shkroi se “lulet e verdha, plot me diell, në një vazo” e frymëzuan për t’u zgjuar krijimtarisht. Në vitin 1923, kritiku Roger Fry i përshkroi “Lulediellit” si “një nga sukseset më triumfale të vitit”, duke theksuar “shpërthimin suprem të energjisë, gjallërisë dhe forcës së sulmit” të Van Gogut. Më pas ato fituan njohje masive, duke ndihmuar që Van Gogun të bëhej një nga piktorët më të famshëm në historinë e artit.
ImageNdikimi i Van Gog në shekullin XXI është tema e ekspozitës më të fundit në Royal Academy, “Kiefer / Van Gog”, që eksploron ndikimin e tij te një nga artistët më të mëdhenj bashkëkohorë: Anselm Kiefer. Lulediellit luajnë një rol kyç. Në qendër të ekspozitës është “Danaë”, një skulpturë e re nga Kiefer që përshkruan një luledielli që del nga një grumbull librash. Diku tjetër ka një gravurë në dru që paraqet një lulediell që rritet nga trupi i një njeriu të shtrirë. Ato theksojnë interesin e qëndrueshëm të Kiefer për këtë motiv, dhe na japin mundësinë të kuptojmë simbolikën misterioze të lulediellit si në artin e tij, ashtu edhe në atë të Van Gogut.
“Për Van Gogun, luledielli mishëron idenë e tij për Jugun,” thotë kuratori i ekspozitës, Julien Domercq, për BBC, duke iu referuar zhvendosjes së tij nga Parisi në Provence. Por Van Gog kishte punuar më parë si tregtar arti dhe ishte shumë i ditur për historinë e artit. Kjo njohuri kulturore reflektohet në mënyrën se si i përshkroi lulet. “Ai i paraqet ato në traditën e madhe holandeze: lulet që vyshken dhe vdesin… ato që ende shikojnë nga qielli dhe ato që dalëngadalë veniten, bëhen kafe, pra, është një meditim mbi kalimin e kohës.”
“Besoj se edhe te Kiefer ndjek një linjë të ngjashme,” shton Domercq. “Ideja e ciklit të jetës, e një luleje tepër jetësore, jugore, që shikon nga qielli.”
Simbolika e lulediellit në histori
Çdo simbolikë artistike mund të shpjegohet përmes evolucionit të ideve dhe asociacioneve. Kuptimi i lulediellit e ka prejardhjen nga e kaluara dhe ka gjeneruar diskutime të gjera, si në shkencë ashtu edhe në shkencat humane. Van Gogu nuk ishte as i pari dhe as i vetmi që u fiksua pas tyre. Ata kanë ndezur imagjinatën e pafund artistëve dhe shkrimtarëve ndër shekuj, përfshirë Sir Anthony van Dyck, Maria van Oosterwyck, William Blake, Oscar Wilde, Dorothea Tanning, Pol Nash dhe Allen Ginsberg.
Ndryshe nga shumë simbole të tjera në historinë e artit, luledielli është relativisht i ri. Është bimë autoktone e Amerikave dhe u prezantua në “Botën e Vjetër” pas eksplorimeve të Kolombit dhe kolonizimit europian në shekullin XVI. Kur u kultivua me sukses në Europë, fakti që lulediellit e rinj kthejnë fytyrën nga dielli (fenomen i njohur si heliotropizëm) u bë veçoria e tyre më tërheqëse dhe përcaktuese për simbolikën e tyre.
Në vitin 1568, botanisti Giacomo Antonio Cortuso e lidhi lulediellin me një personazh mitologjik të lashtë të quajtur Clytie. Thuhej se Clytie ishte dashuruar me Apollonin, perëndinë e diellit, dhe ishte fiksuar pas lëvizjes së tij nëpër qiell, derisa këmbët iu rrënjosën në tokë dhe u shndërrua në një lule heliotrope.
Luledielli u lidh shumë shpejt drejtpërdrejt me Clytie-n në art, duke u kthyer në një ikonë të dashurisë së përkushtuar. Këtë mund ta shohim në piktura si Flowers in an Ornamental Vase (1670–75) nga Maria van Oosterwyck, ku një karafil dhe një luledielli shikohen me adhurim mbi një skulpturë që i ngjan një Venusi që lahet, por që kujton fort figurën e Clytie-së së palëvizshme. Në Young Woman Holding a Sunflower (1670) të Bartholomeus Van der Helst, lulja e madhe simbolizon pothuajse me siguri martesën e gruas, duke treguar se si luledielli ishte shndërruar në simbol të dashurisë romantike dhe lidhjes.
Por tema e përkushtimit lidhej gjithashtu me fenë në art. Në Rest on the Flight into Egypt (1632) të Anthony van Dyck, Virgjëresha Mari ka një luledielli mbi kokë për të simbolizuar rolin e saj si ndërmjetëse mes tokësores dhe hyjnores. Lulja, kështu, nisi të nënkuptonte besnikëri fetare.
Në vitin 1654, poeti dhe dramaturgu holandez Joost van den Vondel sugjeroi se luledielli mund të ishte një simbol i vetë artit. Ashtu si një luledielli i ri ndjek drejtimin e diellit, ai shkroi: “kështu edhe arti i pikturës, nga prirja e lindur dhe i nxitur nga një zjarr i shenjtë, ndjek bukurinë e natyrës.” Ky mund të jetë çelësi i një tjetër pikture të Anthony van Dyck, Self-Portrait with a Sunflower (1633), ku artisti tregon me gisht drejt vetes dhe një luledielli, sikur të krahasojë veten me këtë bimë heliotropike që i kushton vëmendje të natyrshme dritës.
Por historianët e artit kanë argumentuar se në të vërtetë kjo pikturë aludon për besnikërinë e artistit ndaj mbretit Charles I të Anglisë, të cilit Van Dyck i shërbente si “Piktor Kryesor”. Kjo simbolikë politike e lulediellit reverberon edhe në artin bashkëkohor. Në Sunflower Seeds të Ai Weiwei, realizuar në vitin 2010, 100 milionë fara porcelani të pikturuara me dorë u frymëzuan nga kujtimet e artistit për posterat e Mao Ce Dunit, ku ky i fundit paraqitej si një diell mbi fusha luledielli të përkushtuar, për të përfaqësuar fuqinë e tij absolute mbi popullin kinez.
Si i pasqyrojnë lulediellit shqetësimet njerëzore
Kuptimi i qëndrueshëm në të gjithë simbolikën e larmishme të lulediellit është besnikëria. Është e mundur që Van Gogu të ketë qenë i vetëdijshëm për disa nga këto koncepte. Kur i shkroi motrës së tij se pikturat e tij ishin “gati një britmë dhimbjeje ndërsa simbolizonin mirënjohje te luledielli rustik”, ndoshta po mendonte për mirënjohjen e tij të thjeshtë, si vetë luledielli, ndaj artistëve të tjerë si Gogeni. Por ai gjithashtu mund të ketë pasur në mendje besimin e tij fetar të mëparshëm, dashurinë romantike, ose edhe detyrimin e tij ndaj vetë artit të pikturës.
Se si Van Gog ndikoi Anselm Kieferin, dhe nëse të dy përputhen në mendimin e tyre mbi lulediellit, është një çështje tjetër intriguese. Kiefer ka thënë më parë: “Luledielli është i lidhur me yjet, sepse ai lëviz kokën drejt diellit. Dhe natën, mbyllet. Në çastin që shpërthen, ai është i verdhë dhe fantastik: ky është momenti i fillimit të rënies. Kështu që, luledielli është simbol i gjendjes sonë të qenies.”
ImageNë grafikën e tij me dru Hortus Conclusus (2007–14), lulediellit e Kieferit evokojnë dekompozimin në mënyrë më të theksuar se ata të Van Gogut, por gjithashtu japin një ndjenjë rigjenerimi. Ata janë të nxirë dhe të tharë. Por shpesh paraqiten gjithashtu me fara që bien në tokë, premtimi i një jete të re që do të vijë.
Kiefer ka përmendur si frymëzim një tjetër figurë të shekullit të 17-të, mjekun, filozofin okult dhe kozmologun Robert Fludd. Një nga besimet e Fludd ishte korrespondenca mes bimëve të gjalla të Tokës dhe yjeve, dhe një lidhje mistike mes formave më të ulëta të jetës dhe një të vërtete hyjnore të vetme. Në imazhet e tij të lulediellit, Kiefer zakonisht i vendos ato në kornizë me qiellin, për të na kujtuar lidhjen heliotropike të lulediellit me diellin. Kur paraqiten duke dalë nga trupat njerëzorë, është sikur të simbolizojnë besimin e Fludd-it për lidhjen e shpirtrave tanë me parajsën.
Kjo përforcon idenë se simbolika e lulediellit është ende në borxh me besimet e Rilindjes së vonë. Lulediellit e Van Gogut gjithashtu reflektojnë aspekte të këtyre asociacioneve historike dhe aludojnë për dëshirën e tij për një dashuri më të thellë, qoftë për natyrën, artin, fenë, apo dëshirën për një vëllazëri krijuese me Gogenit.
Por në duart e tij dhe të Kieferit, Helianthus annuus shprehin gjithashtu shqetësime universale, dëshirën tonë për të reflektuar mbi përkohshmërinë e jetës dhe për të kërkuar parime më të larta e më të përjetshme. Luledielli simbolizon një besnikëri ndaj koncepteve që ekzistojnë përtej kuptimit tonë, duke na nxitur të mendojmë përtej realitetit të përditshëm dhe të shtrihemi drejt ngrohtësisë, dritës dhe dashurisë së qiellit. Është diçka për të reflektuar ndërsa vera përvëlon, dhe lulediellit e vërteta shfaqen sërish, për fat të keq veç për pak kohë, në ekstazën e jetës./KultPlus.com