Sislej Xhafa: Veprat e mia nuk më takojnë mua, mbaj distancë prej tyre

6 Korrik, 2018 - 9:07 pm

Alberina Haxhijaj

Sislej Xhafa përmbylli projektin e tij “Të dua pa e ditur” duke shpalosur detaje të këtij projekti, projekteve të mëparshme por edhe detaje të projekteve që tashmë janë në realizim e sipër, shkruan KultPlus.

Sislej Xhafa gjatë tërë ditës dje ka prezantuar në lokacione të ndryshme projektin e tij të titulluar “Të dua pa e ditur” e që përbëhej nga “Bazeni më dymbëdhjetë kitrra”, “Bilbili” dhe “Lepuri i bardhë”, projekt i cili u përmbyll sot me pjesën “Lepuri i Zi”, në Kino Armata.

“Lepuri i zi” ishte në fakt një bashkëbisedim në mes të kuratorit Jerome Sans dhe artistit, por edhe të pranishmeve, rreth gjithë krijimtarisë së artisti duke u fokusuar te projekti “Të dua pa e ditur”.

Artistit ka filluar projektin e tij të quajtur “Të dua pa e ditur” në Pejë, prandaj fillimisht bisedoi për vendlindjen e tij dhe për veprën “Lost and Found”.

“Pikërisht këtë veprën e kam vendosur në atë lokacion pasi që njerëzit duhet që të ecin dhe të ngjitën nëpër Shtegun e Shëndetit dhe pas një ecje të gjatë e të bukur në mes të asgjëje gjejnë veprën ‘E humbur dhe e gjetur’”, theksoi artisti.

Gjatë ecjes mund ta humbësh vetën apo ta gjesh dhe siç thotë edhe artisti në këtë rast natyra dhe vepra së bashku bëjnë një kombinim të përkryer.

Por, Peja dhe pikërisht vendi afër Bazenit krijon edhe një lidhshmëri me fëmijërinë e artistit i cili pikërisht aty kujton momente nga fëmijëria e tij duke u larë në ujin e Lumëbardhit.

“Vepra që kam zgjedhur “Lost and found” është një pjesë kyqe pasi që thekson kompleksitetin, sidomos tragjedinë në të kaluarën dhe tranzicionin e tashëm, si dhe mundësin për tu rishëruar dhe ecur përpara edhe pas humbjeve që kemi pasur gjatë luftës. Njerëzit nga Kosova duhet që të shohin paqe”, thekson artisti i cili shpreh se veprën e ka vendosur në mes të natyrës pasi që pikërisht natyra i jep asaj edhe dimension të ri.

Mirëpo përderisa vepra “Lost and Found” është mishëruar me natyrën në Pejë dhe me pamjen e maleve të Rugovës, në Prishtinë artisti ka bërë të kundërtën. Ai ka sjellë natyrën në qytet, saktësisht në Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke thyer murin dhe duke ju ofruar të pranishmëve që të shohin disa lopë brenda një hambari.

“Kur kam filluar që të punoj për herë të parë për këtë projekt ka ndodhur para se të flas me Artën (drejtoreshën e galerisë së Kosovës), për një ekspozitë në Zvicër ku zgjedhën disa projekte dhe unë fillova që të mendoj se çfarë të dërgojë. Pas vitit 1999 ka pasur katastrofa njerëzore por edhe në agro-kulturë, pasi që ne jemi edhe një shoqëri që në thelb ka agro-kulturën. Sidoqoftë, projekti im konsistonte në atë që pasi Zvicra dhe Gjermania e ndihmuan Kosovën aq shumë në agro-kulturë të dërgoj disa lopë nga Kosova në Zvicër për të vizituar të afërmit e tyre”, u shpreh ai.

Tutje ai theksoi se një ndër sfidat më të mëdha ishte dërgimi i lopëve nga Kosova në Zvicër e që kërkonte procedura të shumta dhe kontrolle.

“Pas disa kohëve kuptuam se projekti për shkak të vështirësive në realizim, pasi që unë këmbëngulja që lopët të ishin nga Kosova, nuk funksionoi. Meqenëse lopët vinin nga Kosova dhe kishin mbetur në Kosovë ishte shumë e rëndësishme që ta bëjë këtë pjesë dhe t’ia paraqisja audiencës në Kosovë”, shprehet artisti.

Duke biseduar për këtë projekt ai vazhdon tutje: “Kjo pjesë është për ata që nuk janë nëpër institucione por për të tjerët, për një fëmijë i cili mbase do e shoh veprën përmes televizorit dhe do i thotë babit të tij “unë i kam parë lopët”, dhe nëse e kam arritur këtë kjo më bënë të lumtur”.

E për faktin se puna e tij në një mënyrë apo tjetrën ngjallë pyetje për vendlindjen e artistit apo lidhet me të, sikur një lloj melodie që e përcjellë pas, artisti thotë: “Nuk kam si t’i shmangëm”.

Sislej Xhafa i cili jeton në New York, u shpreh se këtë e bënë për shkak të ndërtesave të larta dhe pamjes që ka qielli atje ku çdo gjë është e madhe dhe të bënë të ndihesh i vogël, lehtë për tu fshehur dhe për të humbur.

Pikërisht këtë, të fshihet, e kërkon edhe artisti i cili zgjohet shumë herët për të krijuar projekte të reja, të cilat i krijon në zyrën e tij, e që është brenda dollapit të rrobave.

Një studio e cila është shumë intime për të e që nuk e kanë parë as kuratorët të cilët për vite kanë punuar më artistin. Kështu përgjatë viteve studio e artistit është shndërruar çdo hotel, çdo stacion treni apo çdo vend tjetër, në të cilin ai ka ftuar njerëz të ndryshëm për të diskutuar për punë.

“Unë dëshiroj të bëjë të kundërtën, nuk kam asgjë kundër artistëve të cilët janë të dhënë pas shkëlqimit apo dritave por unë bëjë të kundërtën. Mendoj që është shumë më mirë që të investoj në veten time, të jem i padukshëm dhe kur të kem diçka, ta vë atë në pah dhe të kthehem përsëri në strehën time”, u shpreh ai.

Për veten e tij ai shprehet se është artist i cili i takon “Renesancës së shëmtisë”. Gjithë kjo pasi që bota po kalon nëpër momente të cilat janë të shëmtuara, e ndaj të cilave artisti nuk mund të jetë indiferent pasi që sipas tij të jesh indiferent dhe të veprosh si hipokrit ndaj asaj që ndodh nuk është zgjedhje. Prandaj ai është çdo herë duke sfiduar veten dhe duke vënë në pyetje realitetin.

“Gjithmonë përpiqem ta sfidoj vetën time dhe kur mendoj për veprat e mia asnjëherë nuk jam i lumtur dhe më pëlqen të distancohem nga ato. Veprat e mia më nuk me takojnë mua por i takojnë publikut dhe dëshirojë që të mbajë distancë prej tyre”, shprehet ai.

Sislej Xhafa po ashtu theksoi se për të ka rëndësi shumë hapësira dhe shfrytëzimi i hapësirës, diçka që mundohet ta bëjë çdo herë. Por kur vjen puna te politika, “Unë nuk jam politikan”, thekson artisti i cili beson se politika është arti i të folurit dhe arti është një politikë e eksperiencave.

E tillë, ndoshta mund të konsiderohet edhe vepra “Again and Again” të cilën artisti tregon që filloi ta mendoj gjatë kohës sa ishte në Kosovë, vite më parë.

“Vepra flet për fuqinë ndërsa muzika është melankolike dhe është e kundërt me pamjen çka sjellë bilancin e përkryer. Jam shumë i lumtur që më është mundësuar të prezantohet në Kuvend dhe është një veprim shumë i guximshëm nga qeveria pasi që është një pjesë shumë e fuqishme në të cilën besoj”, u shpreh ai.

Artisti diskutoi edhe për veprat e tij të tjerat të cilat në një mënyrë apo tjetrën sikur kanë mbishkrimin “Made in Kosovo”, prapa tyre. Duke përfshirë edhe veprën e tij të ardhshme “Ooo booo booo doli peshku”.

Në të artisti ka përfshirë edhe një incizim të realizuar pikërisht në Kino Armata, nga një grup studentesh. Incizim në të cilin dëgjohen duartrokitjet e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme