Skender Boshnjaku befason me një ekspozitë të kolazheve autoriale

3 Korrik, 2018 - 5:30 pm

Shkëlzen Maliqi

Skender Boshnjaku, neuropsikiatër i njohur, profesor në UP, themelues i Klinikës së neuropsikiatrisë, gjithnjë ka qenë i apasionuar me artin dhe këtë nuk e ka fshehur, përkundrazi gjatë katër dekadave të kaluara ka botuar rregullisht kritika dhe vështrime mbi artin, ku një pjesë e madhe e tyre është përmbledhur në tre libra autorial. Po kështu, prej kohësh Boshnjaku është edhe koleksionues dhe interpretues i grafitëve muralë nga Kosova, përcjellë KultPlus.

Boshnjaku tani befason me një ekspozitë të kolazheve autoriale që pasionit të tij për artin ia shton edhe një dimension përforcues, duke dëshmuar se lidhjet me artin i ka më substanciale. Ekspozita në fjalë është një përzgjedhje e pjesës së vogël të një opusi me rreth tre mijë kolazhe që Boshnjaku i ka bërë nga vitet ’80 të shekullit të kaluar e deri më sot. Kolazhet janë kryesisht të formatit 40:60, kurse vëllimi i tyre, koha dhe puna që ua ka kushtuar të lë thjesht pa fjalë, sidomos kur të kihen parasysh angazhimet tjera të mëdha që ai i ka pasur në profesionin e tij primar të neuropsikiatrit.

Një gjë tjetër që zgjon kureshtjen është fakti se gjatë gjithë asaj kohe që është krijuar ky numër i madh i kolazheve, për ato nuk ka ditur askush. Autori i mbante në fshehtësi edhe pse kishte kontakte të vazhdueshme me qarqet artistike.

Po kështu, informatë e dorës së parë është se këto kolazhe janë krijuar me një procedim specifik të riciklimit. Boshnjaku i ka bërë ato nga pjesët e materialeve të hedhura, si ambalazhe mallrash: kuti të ndryshme duhani, mbështjellëse çokollatash dhe produktesh tjera për konsum të përditshëm… Ai zgjedhte pjesët e dizajnuara të këtyre paketimeve, ndonjë detal interesant, ornament, shenja karakteristike, ngjyra të veçanta etj., i printe ato dhe i vendoste në kompozicionet abstrakte gjeometrike duke shfrytëzuar, gjatë kombinimit të tyre, sa atraktivitetin e vetë motiveve grafike të gjetura si “lëndë e pare”, por edhe imagjinatën dhe shijen mjaftë të hollë të tij prej krijuesi. Duke i bërë fillimisht nga hedhurinat që i gjente në shtëpi, më vonë ai gati çdo ditë shkonte në “gjah” jashtë shtëpisë, te dyqanet që hudhin ambalazhe, rreth kazanëve me plehra etj. Kjo për faktin se për përfundimin e shumë kolazheve nuk siguronte lehtë “lëndën e parë”. Disa ambalazhe produktesh vendore i kishte me bollëk në tregun kosovar (kuti cigaresh, mbështjellëse llokumash etj.), por shpesh “vuante” për t’i gjetur në sasi të mjaftueshme të atyre mallrave që tregu kosovar i sillte në seri të vogla. Këto “mungesa” specifike kushtëzonin që një pjesë e kolazheve mbetej e papërfunduar deri sa nuk sigurohej motivi i munguar. Dhe Boshnjaku nuk dorëzohej, me ngulmë i kërkonte ato, gjë që e detyronte të luante rolin e tuafit. Njerëzit çuditeshin me kërkesat e tija ngase nuk e kuptonin fare se përse ai kërkon, p.sh. kuti hurmash ose të rrushit të thatë të importuara nga Irani apo Turqia!

Janë këto disa kuriozitete që kolazhet e Boshnjakut i bëjnë me histori nga më të ndryshmet. Por, në esencë, Boshnjakut asnjë here nuk i mungonin përkushtimi dhe përpikëria rigoroze për “pastërtinë” dhe cilësinë e imazheve abstrakte, zakonisht me elemente të gjeometrisë lineare dhe ornamentikë të ritmizuar, që i ngjason qëndisjeve dhe tapiserive folklorike, por nuk e kanë aq të theksuar si element kryesor konstruktiv përsëritjen, që e karakterizon folklorin, sa kërkimin e varieteteve të ndryshme inventive dhe origjinale të imazheve me rend, harmoni dhe hijeshi abstrakte.

Një interpretim i parë tentativë i “tuafërisë” së kësaj vepre të Boshnjakut prej të cilës, në të vërtetë, nuk kam parë shumë (vetëm rreth tridhjetë e ca që ekspozohen), është se bërja e këtyre kolazheve nuk ka qenë e motivuar me ambicien e autorit që të afirmohet si artist. Po të ishte kështu Boshnjaku do të sfidohej shumë më herët që kolazhet t’i prezantojë opinionit artdashës. Ai është marrë me kritikë artistike, dhe nuk ka mundur ta ketë problem bërjen publike të një ambicie dhe karriere të dytë, pos asaj të neuropsikiatrit. Përndryshe, nuk është fenomen i pazakontë që njerëzit të merren me veprimtari të ndryshme, që në shikim të parë
duken inkompatibile.

Mirëpo, nga ana tjetër, sidomos për faktin se krijimin e kolazheve e ka mbajtur në fshehtësi të plotë, kam bindjen se kjo është drejtpërsëdrejti e lidhur me profesionin e parë të Boshnjakut, neuropsikiatrinë.

Mendoj se krijimi i kolazheve ka qenë një mjet për autoterapi, qëllimi i së cilës ka qenë mbajtja e baraspeshës ekzistenciale personale në një kornizë të konsoliduar kundrejt ballafaqimit të pandërprerë profesionale me çrregullimet dhe sëmundjet psikike, ku psikiatri, që përpiqet ta mbaj distancën, nuk mund të mos preket emocionalisht. Duke mjekuar ditën sëmundjet e ndryshme psikike: depresionet, neurozat, komplekset, fobitë etj. deri te format e ndryshme të çmendisë dhe skizofrenisë, Boshnjaku është dashur që netëve të zhytej në krijimin e kolazheve me çka e mbante atë drejtpeshimin mental prej psikiatri, sepse nuk është fjalë gojë (para)gjykimi i përhapur, ndonëse shpesh keqpërdoret, se psikiatrit, duke punuar me të krisurit, edhe vetë mund ta humbin fiqirin, arsyen.

Kolazhet e Boshnjakut, mënyra se si i ka punuar, mendoj se është një metaforë komplekse e kërkimit të arsyes dhe racionalitetit, e jo më pak edhe të harmonisë dhe të të bukures në raportet ekzistuese sociale ku disa kategori të individëve më sensitive, ose atyre të pafat dhe të damkosur nga vrazhdësia e kushteve të jetës, ndihen të përjashtuar nga shoqëria ose edhe çmenden.

Të kërkosh harmoni, racionalitet, bukuri abstrakte e ritmike etj. në hedhurina, “plehra”, por edhe ndër shpirtra të humbur të njerëzve të pafat, për Boshnjakun nuk është punë e pashpresë.

Sa i përket vlerësimit estetik të kolazheve të Boshnjakut, ato gjithsesi janë edhe art dhe kanë vlera të padyshimta, por për këtë rezervohem që t’i analizoj një herë tjetër, pasi që ti shoh më shumë punë nga ky thesar i çmuar i sapo zbuluar.

Ekspozita hapet më datë 4 korrik, ora 19:00 në MIQT PUB. / KultPlus.com

Të ngjajshme