5 Qershor, 2025 - 4:00 pm
Shkruan: Korab Kraja
Cfarë është arti, roli i tij dhe kultura në përgjithësi?
Stilet artistike kanë ndryshuar përgjatë periudhave të ndryshme historike, duke përfaqësuar kohën dhe momentumin kulturor, artistik dhe intelektual të kohës. Kjo më së miri mund të shihet në letërsi, por edhe në pikturë. Sot nuk i thuren lavde më fushave të gjera, lumenjve të kulluar, krojeve të fshatit, por poezitë dhe rrëfimet letrare janë pak sa më të thella, fshehin në vetvete mesazhe që nuk janë të zbulueshme lehtë. Prandaj, nuk janë shpesh të lexuara apo të para, por ngacmojnë ndjenjat krijuese, emocionale, rrënqethin mishin përmes mesazhit që bartin e fshehin. Kështu së paku vlen për letërsinë, sa kam lexuar, por kështu vlen edhe për arkitekturën. A vlen edhe për skulpturën e njëjta gjë, si gjini e veçantë e artit? Le të përgjigjet një kritik i artit, më mirë.
Qoftë e vërtetë apo jo, por edhe e kontestueshme historia, se kur Churchillit iu kërkua të shkurtonte fondet për artet në mënyrë që të mbështeste përpjekjet e luftës në Luftën e Dytë Botërore, ai u përgjigj: “Atëherë, për çfarë do të luftonim, (po të mos kishim artin, pra kulturën?”
Nuk mendoj që gjendja e krijuar deri tani do të shkojë deri në gjendjen që romani satirik “I ringjalluri i penduar” i Rexhep Qosjes, shfaq, pra absurditetin shqiptar që në kufirin shqiptar-shqiptar e detyrojnë Skënderbeun të çarmaroset, se përndryshe nuk e kalon kufirin!
Filozofi i njohur i fenomenologjisë dhe estetikës, Juha Varto, autor i librit “Arti dhe mjeshtëria e bukurisë”, shprehet rreth skulpturës, se “skulptura nuk është vetëm për t’u parë, por për t’u ndjerë përmes trupit – me lëvizje, pozicionim në hapësirë dhe ndjeshmëri trupore. Kuptimi i skulpturës nuk ndodh vetëm në kokë, por në tërë qenien tonë trupore. Skulptura shprehet përtej fjalëve – ajo nuk kërkon interpretim gjuhësor për të pasur ndikim. Ajo flet në mënyrë ‘të heshtur’, përmes formës, hapësirës dhe pranisë”
Deri tani nuk jam shfaqur me ndonjë deklaratë, sepse nuk e kam parë si të arsyeshme një gjë të tillë. Komisioni vlerësues, që ishte profesional, e ka dhënë verdiktin e vet. Ishte garë ndërkombëtare dhe si çdo garë tjetër, festival, lojë sportive, edicion muzike, vallëzimi a recitimi, shkrimi a arti, ka një fitues, ka vendet tjera dhe të tjerët mbesin si pjesëmarrës. Edhe unë kam pasur dëshirë që Eurovizionin ta fitojë “Shkodra elektronike”, por nuk e fitoj. Çfarë të bëjmë, t’i hidhemi në qafë fituesit e vlerësuesve e mos ta njohim vendimin? Cilado vepër që do të shpallej si fituese, do të më gëzonte, sepse më në fund Ulqini po bëhet me Skënderbeun e vet. E kam ripostuar si lajm të gëzueshëm për ne. Do ta ripostoja edhe po të zgjidhej ndonjë vepër tjetër. Ndoshta, nuk do ta ripostoja lajmin që shqiptarët në Ulqin u çuan kundër Skënderbeut!
Janë krijuar disa rryma dhe nënrryma, ata që e kundërshtojnë zgjidhjen artistike të skulptorit të njohur, Sabri Behramaj, për Skenderbeun; ata që e kundërshtojnë trumpetueshëm paraqitjen e Skënderbeut në mënyrë të tillë artistike, me pretekstin që minimizon vlerat dhe atributet e tij të fuqishme dhe heroike dhe se skulptura nuk paraqet qëndrimin e Skënderbeut as nuk i ngjan atij; ata që e përkrahin një zgjidhje të tillë artistike, si gjetje figurative që Skënderbeu shpreh si monument i vlerave të të bëmave të tij në kohën e tij dhe domethënia e rrugëtimit të skënderbegizmit deri tani e në të ardhmen. Megjithatë, do të përpiqem që zgjidhjen ideore të skulpturës fituese ta arsyetoj në nivelin artistik dhe të shpreh ngacmimin emocional që një vepër e tillë artistike përçon te njeriu, kalimtari pranë saj, më në fund, çfarë paraqet ajo vepër për shqiptarin.
Është vetë Skënderbeu që na e solli lirinë e të jetuarit, e të menduarit, e të pranuarit, e të vepruarit. Më në fund, lirinë edhe e gjeti në mesin tonë, atë lirinë e brendshme të të guxuarit, të frymëzuarit, të krijuarit. Frymëzimi për Skënderbeun është i njohur historikisht dhe ndërkombëtarisht që në periudha të ndryshme kohore. Ai u paraqit në shumë vepra arti: në letërsi, pikturë, skulpturë, ndërtesa, opera, balete, veshje, logo, simbole e monedha. U paraqit në flamuj të ndryshëm herë koka e tij, herë përkrenarja e tij, u paraqit herë me trup shqiponje, herë duke fluturuar me krahë shqiponje në qiell. Pse? Sepse vepra dhe jeta e tij është frymëzim. Skënderbeu është një personalitet gjithëfrymëzues, që të ngjall emocion, vrull e vullnet. Sido që të paraqitet, Skënderbeu mbetet Skënderbeu. Vetëm edhe përkrenarja e tij të vendoset diku, i tërë ambienti i saj mbështillet dhe mishërohet me aureolën e tërë jetës dhe veprimtarisë së Skënderbeut.
Është e vërtetë se çdo risi sjell reagime dhe se historikisht çdo prurje e re ka ngjallur reagime kundërshtuese, madje edhe të fuqishme. Galileo u gjykua nga Inkuzicioni për shkak të një risie që pruri në shkencën dhe në mendjen e kohës; kur u zbulua vetura në Amerikë, i thanë se si mund të tërhiqet qerrja pa kuaj!
E para.
Janë disa vetje dhe personalitete, që argumentueshëm shprehin shqetësimin e formimit dhe paraqitjes artistike të Skënderbeut. Sepse, sipas tyre, Skënderbeu si hero kombëtar i shqiptarëve dhe si frymëzues i shqiptarizmës, duhet të ketë një figurë dinjitoze, që shpreh vlerat e tij si hero. Pra, me një fjalë duhet të paraqitet me tipare më të theksuara anatomike, i denjë në shikim, qëndrim dhe të japë frymëzueshëm atmosferën luftarake të tij. Si dhe, personazhet e tillë, nuk do të duhej të paraqiten ndryshe. Sepse, loja estetike me figurat e mëdha kombëtare e zbeh rolin frymëzues që figurat e tilla kanë. Dinjiteti i tyre, përmes një arti të tillë, abstrakt apo eksperimental, por edhe ekspresionist, bën që figura më e madhe kombëtare të shfaqet disi e dyzuar, e papushtetshme, më në fund, nuk ndikon fuqishëm në rolin përbashkues që vet Skënderbeu kishte në kohën e tij, prandaj edhe në kohët në vijim kur ishte ai vet promotori lëvizës i shqiptarizmës mbarëkombëtare.
E dyta.
Janë disa vetje dhe personalitete, që Skënderbeun thonë “e duam në kalë”; “e duam me shpatën përpjetë”; “nuk i përngjet Skënderbeut” etj. Është e vështirë të përgjigjesh, sepse në fund të fundit kanë të drejtë në njëfarë mënyre, sepse bindja e tyre është e formuar në bazë të imagjinatës të skulptorëve më të mëparshëm, si të Odhise Paskalit, Janaq Paços, Andrea Manos, Kreshnik Xhikut etj. Mendimi i tyre, se Skënderbeu është Skënderbeu vetëm nëse duket i tillë, është i palëkundshëm. Ai duhet të duket i vrershëm në fytyrë, i mërrolur, muskuloz. Mirë, po nëse këta skulptorë do ta paraqitnin më ndryshe heroin tonë, e sot të kemi një fitues me një shpërfaqje ndryshe, nga debati i krijuar do të kishim përsëri kundërshtime. Sepse figura është e qartë që rrënjoset me një imazh të krijuar si figuracion i mitit mbi personalitetin e fuqishëm që shpreh Skënderbeu.
Në fund të fundit, deklaratës që “nuk i përngjet Skënderbeut”, është lehtë t’i kthehet përgjigje, sepse, na tregoni, pra si është dukur ai? Asnjëra nga skulpturat e tij nuk ngjajnë me njëra-tjetrën, përpos replikave (si psh. Krujë-Prishtinë). Madje ato nuk përngjajnë as me aktorin në filmin kushtuar heroit tonë kombëtar. Në Krujë e Prishtinë Skënderbeu e ka mjekrën më kaçurrele, në Tiranë më të drejtë (si sot që e “hekurosin” atë), në Lezhë më të valëvitur e gati deri në gjysë të gjoksit.
Nëse e duam “origjinal”, atëherë le ta propozojmë sipas pikturës së vitit 1466, që gjendet në Galerinë Ufizzi të Firencës. Kujdes, se aty Skënderbeu është pa përkrenare, por me kapuç të kuqrremtë, pa shpatë, pa kalë dhe pa shqiponjën dykrenare në gjoks!
Nëse e duam “origjinal”, atëherë le ta paraqesim ashtu siç e thotë Marin Barleti: burrë me mjekër e me përkrenaren tashmë të njohur. Dhe, ashtu deri më tani edhe është paraqitur, në të gjitha veprat e tij të deritanishme: burrë me mjekër dhe me përkrenaren me kokën e dhisë. Më së paku Marin Barleti, te vepra “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, princit të Epirotëve”, e përshkruan që Skënderbeu ka qëndruar në kalë. Mbi të ka qëndruar kur ka kalëruar: duke luftuar dhe duke udhëtuar, Por, ai ka luftuar dhe udhëtuar edhe pa kalin e tij, sepse luftëtari ndeshet me armikun edhe në këmbë, por edhe udhëton me anije, si në Venedik e në Romë. Po çka nëse, sipas logjikës kundërshtuese, Skënderbeu të paraqitet në kalë, e thuhet se kalin Skënderbeu e ka pasur të bardhë, në skulpturë ai do të del i bronztë, i kaftë apo i zi?!
Vepra e Barletit për Skënderbeun, më së shumti- guxoi të them- se është e njohur që kryeheroin tonë e paraqet si orator, pra gojëtar të mirë, strateg të aftë dhe i vetmi që diti dhe mundi t’i afrojë dhe t’i mbledh shqiptarët bashkë dhe princat e principatave shqiptare bashkë nën udhëheqjen e tij. Ishte diplomat i shquar, strateg i jashtëzakonshëm, korrespodencat e tij me liderët botëror janë të marramendshme, por edhe të jashtëmendshme për kohët e sotme. Ai ishte përafrues dhe bashkues i medjeve ndryshe, sepse karizmi i tij dhe vlera e veçantë që shprehte mendja e tij krijuese dhe vepruese, e bënin që t’i lejohej që të ndërhynte në punët e mëdha të historisë. Ishte me popullin, ishte i popullit, në fund të fundit, Skënderbeu ishte vet populli që donte lirinë dhe përfaqësonte paqen shpirtërore që populli arbëror e donte, e dashuronte, i rridhte përbrenda nga shpirti krijues i shqiptarit. A nuk mund të thuhet, se gjatë ligjërimeve të tij, populli mund të ketë ndjerë një adhurim të hatashëm për këtë figurë sublime e unifikuese? A nuk e shpreh këtë vlerë dhe a nuk e përçon këtë mesazh bashkimi, komunikimi, përafrimi, vepra “Skënderbeu me burrat e Ulqinit”? A nuk do të donim edhe ne sot, pas gjashtëqind vjetëve të bëhëmi një, të bëhëmi njënjëshëm me zërin dhe me forcën e tij, të bëhëmi një trup i vetëm, prandaj të rreshtohemi me burrat (e Ulqinit) përkrah Skënderbeut? Kujt po i pengon kjo gjë?
Argumentet dhe kundërargumentet.
Absurditeti i shkruesve të fejsbukut, nuk po citoj Umberto Ekon (!), është i tillë, saqë më i rëndësishëm është bërë kali se vet Skënderbeu. “Te kali”, “jam te kali”, “takohemi te kali”, janë vetëm disa sinonime që kanë shpërthyer në vetëdijen kolektive të Tiranës, kur i referohen vendit se ku gjendet shtatorja e Skënderbeut. Në këtë rast, figura e tij, deshe apo nuk deshe, jo që është minimizuar, por ka kaluar në një zhargon urban të të folmes së përditshme, ‘të shpejt’ dhe identifikuese për një shoqëri të shekullit të njëzet e njëtë. Për këtë çështje le të merren psikologët, sociologët, antropologët e ‘logët’ e tjerë. Mbase do ta parafrazojnë apo shpjegojnë shumë më mirë se unë, e se plot una të tjerë.
“Shpatën duhet ta ketë përpjetë”, tha dikush tjetër. Po mirë, në një analizë të vëmendshme të skulpturës, e titulluar “Skënderbeu me burrat e Ulqinit”, shihet që Skënderbeu është duke u folur atyre, është duke i komanduar ata, është duke mbajtur ligjëratën që vetëm gojëtaria e një prijësi dhe gjenerali të famshëm botëror mund ta bëjë. Dhe, çfarë: t’u vringëllojë shpatën përpjetë para turinjve? A nuk është më e natyrshme dhe më e zakonshme, që në rast se ke armë në dorë, në këtë rast shpatën dhe mban fjalim para bashkëluftëtarëve, ta ngulësh shpatën në tokë, e të thuash- ‘për këtë tokë, vend, besë e atdhe’,- e të drejtosh me dorë në një drejtim të caktuar- ‘do të luftojmë sa të ketë Shqipëri’? Janë metafora, gjetje dhe shprehje artistike që jo në të gjitha rastet emocionet mund të ngjallen të përnjëherta si në skulpturën në fjalë. Ajo melodizon harmonishëm “Hej ju male” të Çesk Zadesë, duke shpërfaqur malet e Shqipërisë si metafora qëndrese nën format natyrore të Skënderbeut të Behramajt, dhe trupin e bashkuar të popullit që mbartë në vete simbolikën dhe mesazhin përbashkues të “thuprave të bashkuara” që shqiptarët e Ulqinit, por më mirë të thuhet që shqiptarët në Malin e Zi duhet të qëndrojnë të bashkuar me njëri-tjetrin kundër trysnive të fshirjes, harresës identitare dhe të krijojnë një bosht, një shtizë dhe se flamuri i Skënderbeut të bëhet simbiozë përbashkuese dhe e përshpirtshme e identitetit kombëtar. Prandaj, jashtë klishesë së Skënderbeut në kalë, a mund të paraqitet në veprat artistike ai edhe ndryshe? Është parë i paraqitur në këmbë, në bust, vetëm koka. Për shembull, Skënderbeu artistikisht do të mund të paraqitej edhe me penë në dorë, duke i shkruar fjalimet, deklaratat, përgjigjet dhe kundërpërgjigjet, urdhrat, letrat, korrespondencat e tij të famshme, që duke treguar kështu, që Skënderbeu përpos luftës me shpatë, e ka bërë edhe luftën diplomatike me penë, sepse ai shpërndante edhe një forcë intelektuale të historisë politike, të cilat letra mund të gjenden të arkivuara nëpër arkivat shtetërore të Dubrovnikut, Venedikut, Vatikanit, Vjenës, Stambollit etj.
Ditën e parë, më saktë në mbrëmje, kur është shfaqur vendimi i komisionit vlerësues, ishin dy-tre vetë që shkruan negativisht. Inercia e tillë, mendoj, që ka frymëzuar dhe ka ngacmuar atë që Gustave le Bon shpreh në librin “Psikologjia e popujve dhe e turmave”, se “sjellja e individëve, sidomos kur ata bëhen pjesë e turmave- për mirë apo për keq- ndikon fuqishëm në sjelljen e individëve si bashkësi kolektive e të menduarit dhe e të vepruarit.” Si dhe, jemi mësuar që shkrimet që përmbajnë pak negativitet, e po të jenë edhe pak të gjata, do të konsiderohen më të qenësishme. Po të ishte reagimi i kundërt në fillim, edhe përshtypja e turmës do të ishte e kundërt. Pse mund të thuhet kështu? Një gjë e tillë mund të shihet në reagimet e vetjeve, personaliteteve dhe profesionistëve që i kanë bërë skulptorit, duke i uruar dhe duke e pëlqyer veprën. Thjesht, ishin të pandikuar me negativitetin e shfaqur nga dy-tre personat e fillimit. Komentuesi që fsheh identitetin e vet pas një identiteti të rrejshëm, thotë se “presonazhet nuk kanë të bëjnë asgjë me Ulqinit dhe as nuk kanë veshjen e tyre!” Çfarë fyerje e inteligjencës. Thua se Sabri Behramaj ka bërë një fotografi, e në atë fotografi janë shfaqur njerëzit me laramaninë e veshjeve, ngjyrat e veshjeve, hollësitë e veshjeve, stilizimet e tegeleve e yrneqeve të veshjeve dhe ja pra, aty nuk dallohet asnjë element i tekstilit të veshjes ulqinake! Si mund të thuhet një gjë e tillë, te një skulpturë që paraqet elementet identitare dhe përfaqësuese të veshjeve popullore shqiptare: plisi është qartë dhe lehtë i dallueshëm (madje edhe llojet e tij), mustaqet (burrat me mustakë të përdredhur që këndohen e lavdërohen në këngë) janë të dallueshme, xhamadani me sumbulla, shokat (brezat) më se mjftueshëm të stilizuar për një vepër të tillë.
Ditën e dytë, reagimet u bastardizuan. Komentet u bënë banale. Historiani i vetshpallur, i del kundër profesorit dhe doktorit të shkencave të historisë në Institutin e Historisë. Po ai, tani vetshpallet si artist e arkitekt dhe i tregon skulptorit, se “mirë e ke bërë, por vetëm të ishte i vendosur në një vend tjetër të Ulqinit”. U propozua para Qendrës për Kulturë, duke u munduar ta minimzojnë rolin e këtij institucioni, që në fakt do të duhej të ishte qendra e zhvillimit të kulturës në Ulqin, dhe duke e glorifikuar ndërtesën e komunës si një vend “të shenjtë”, që në fakt është një qendër e ndërmarrjeve politike të qeverisjes lokale, e asgjë më tepër. Për t’u habitur është fakti se si aq shumë njerëz e personalitete nga Ulqini e rrethina u bënë bashkë kundër Skënderbeut dhe se si, është e habitshme, i gjetën fjalët më ofenduese ndaj personalitetit dhe figurës së Skënderbeut. U harrua skulptura, u morën me Skënderbeun. Pse? Sepse vet skulptura paraqet aureolën që mbështjell të bëmat e Skënderbeut. E fyen, e njollosen, e përbalten, e zhveshën dhe thanë, që le të dalë Skënderbeu në “shorce” e të shesë akullore në plazhin e madh! Sikur të ishin kaq të bashkuar kundër rastit të Alabarit, ai tashmë do të ishte i harruar. Por, ja që pikërisht kur shqiptarët ishin në grindje kundër njëri-tjetrit, më në fund kur atyre iu pengon një vepër artistike e Skënderbeut, Alabari goditi më fuqishëm në Kuvendin e Malit të Zi. Poeti ulqinak, pra ai i cili shkruan poezi, e që poezia konsiderohet si mbretëreshë e letërsisë, në të cilën janë konsiderueshëm të përmbajtura arti, morali, estetika, etika, simbolizmi, metafora, mesazhi deklarohet për skulpturën, si (e ka bërë) “më zi se Salvador Dali”. Pra, Salvador Dalí ka qenë boll i keq, i mbrapshtë në art e i zi e i terrshëm në pikturat e skulpturat e tij, ky e ka bërë edhe më zi se ai. Çfarë injorance e papërshkrueshme! Çfarë niveli i fundbotshëm i artit! Disa nga mjekët, me disa deklarata të fryra e frymëzuara nga një urrejtje, që nuk kuptohet nga iu buron, komentojnë artin, stilin artistik, nivelin historik që arti përmes skulpturës paraqet. Më kujtohet koha e korona virusit, kur njerëzit- disa prej tyre- thonin, se nuk ekziston virusi, nuk ekziston vaksina, mos e merrni vaksinën se përmes saj instalojnë çipin nën lëkurë dhe se në një të ardhme do të të kontrollojnë mendjen e trupin, vaksina është bombë e kurdisur, mos dëgjoni mjekët se e kanë për biznes… Dikush tjetër ende i mëshon fuqishëm se monumenti i Skënderbeut do të duhej të vendosej në rrethrrotullim. E ka harruar ose nuk është informuar ai se ajo ide ka kohë që është hedhur poshtë për shkak të ligjeve të komunikacionit në shtetin tonë dhe se për shkak të pëngesës së qasjes te monumenti, qoftë edhe për t’u fotografuar me të, një gjë e tillë është e palogjikshme.
Dhe, pikërisht në ditën e dytë, do të dalin dalëngadalshëm në pah shkrimet që e përkrahin një stilizim dhe paraqitje të tillë artistike. Dhe, këta nuk do të jenë të frymëzuar negativisht, as të fshehur pas identiteteve të rrejshme të fejsbukut që lëshojnë komente vendepavend e nxisin përçarje, sepse është e lehtë të hedhësh gurin me dorë të fshehur, por do të pozicionohen në profesionalizëm: artist, piktor, skulptor, historian. Këta janë të vërtetë, e jo si një a dy gjithologët tanë. Ashtu si deti i trazuar që nxjerr në pah çdogjë brenda tij, rrymimi dhe trazira që kjo skulpturë ka nxitur te një masë e njerëzve, ka bërë që disa vetje madje edhe personalitete të nderuar, të shfryjnë urrejtshëm ndaj komisionit profesional, që emrat e tyre janë të ngritur kaherë mbi nivelin e piedestaleve intelektuale e profesionale. Dita e dytë dallon nga e para, sepse, derisa në ditën e parë u kundërshtua fuqishëm, në ditën e dytë u “pranua”, duke thënë se bën si vepër artistike, por në galeri të artit, por jo në vende e sheshe publike. Ajme!
E treta.
Çfarë përmbahet në shkrimet e tyre? Vlerësimet që bëjnë personalitetet e tilla profesionale, e çkokëliten veprën “Skënderbeu me burrat e Ulqinit”. I dhanë veprës zë, emocion përafrues dhe tejdimensional. Treguan se arti nuk është i ngurrtë, por shpreh emocione, përçon mesazhe, tejkalon kohën dhe është mbijetesë identitare përmes rrëfimit dhe narracionit që simbolika në art mbart në vete dhe mund të shpreh. Personalitete të kulturës e artit i dhanë zë edhe më të fuqishëm skulpturës. Jo se donin ta mbronin autorin e saj, jo se ndihmonin autorin e saj, jo se donin ta mbiçmonin një vepër skulpture, por se arti këtë e ka: për të shprehen të gjithë, sepse arti i mirë nxit reagime, nuk është i tejkalueshëm, por arti i mirë kërkon edhe kritikë të mirë të tij. Nuk ka rëndësi a lëvdohet apo çmohet ai, arti duhet të komentohet profesionalisht nga kritiku i artit. Çfarë bën gjithologu jonë: i kundërvihet edhe atyre, pra profesionistëve të artit, madje edhe me tekste të kopjuara. Kristo Frashëri, një ndër njohësit e mirë të jetës dhe veprës së Skënderbeut, e shkruan një libër që e titullon “Skënderbeu i shpërfytyruar”, në të cilën mbron biografinë e Skënderbeut nga, siç i quan ai “shtrembërimet, deformimet dhe pasaktësitë historike, biografike dhe bibliografike” që i bëhen Skënderbeut. Prandaj, kush duhet ta mbrojë Skënderbeun tani nga shpërfytyrimet e fejsbukistëve që hedhin vrerë të paparë kundër Skënderbeut të paraqitur në një vepër arti? I njëjtë ishte reagimi edhe i skulpturës së Gëzim Muriqit që i bëri Skënderbeut që u vendos tek arbëreshët, njëlloj kaloi debati nga ky Skënderbeu jonë te “krimbi i përdredhur në hyrje të Shkodrës, e deri te ura e shëmtuar e Kukësit”, që të dyja duhet të hiqen, të largohen nga aty, ose të rrënohen. Pra, të rrënohet një vepër e jashtëzakonshme inxhinierike që tejakolon përmasat dhe gjetjen e saj arkitektonike-strukturore-inxhinierike në Ballkan dhe në Evropë. Çfarë ironie kulturore e artistike!
Niveli artistik dhe arkitektonik
Skulptura e Kafkës në Pragë, e artistit David Černý, rrotullohet aq veçanshëm, saqë për një kohë shumë të shkurtër mund të shohim figurën e plotë, të saktë dhe identifikuese të shkrimtarit. Arti i tillë përshkruan gjendjen e Kafkës me trazirat e tij të brendshme dhe dyshimet në vetvetete, por mund të jap mesazhin edhe te “Metamorfozës” së tij të famshme, pra shndërrimit të gjendjes psikike dhe të reflektimit shndërrues dhe ndryshues urban dhe social të shoqërisë së sotme. Çfarë të thuhet për skulpturën e Kafkës të artistes Jaroslav Róna, që e paraqet shkrimtarin të ulur në një figurë dyvetëshe dhe dytrupëshe, ku njëri trup nuk ka as duar e as këmbë, madje as kokë. Një “karikaturizëm” i tillë, tregon frymëzimin e mesazhit të Kafkës në veprën “Përshkrimi i një lufte”. Përse nuk e cenojnë identitetin, integritetin figurat si “Imazhi i Njutonit” nga Salvador Dalí, “Kthesa e armës” nga Carl Frederik Reuterswärd, “Busti i Churchillit” të Jacob Epstein, “Monumenti i Ajnshtajnit” nga Robert Berks, “Mbreti” nga Seymour Lipton, “Ngritja e Krishtit” nga John Poole e të tjera si këto? Të gjithë këto personazhe janë shumëherë më të njohur botërisht sesa Skënderbeu, por nuk përbëjnë asnjë problem as kërxënim real apo fiktiv për paraqitjen artistike të tyre. Sepse arti është autentik dhe sepse misioni i tij është të përçojë mesazhin e thellë përmes ndjeshmërive dhe narracioneve metaforike që autori përcjell përmes artit.
Në një kontekst të tillë, ku është planifikuar që monumenti i Skënderbeut të vendoset në Ulqin, si do të duket vepra e shpallur në vendin e parë të skulptorit Sabri Behramaj? Situacioni hapësinor i vendndodhjes përbën vlera të trashëgimisë arkitektonike dhe urbane të realizmit socialist, që sipas stilit arkitekturor përbëjnë modernizmin në arkitekturë. Ai vjen i shprehur përmes gjeometrisë së rregullt, simetrisë herë-herë të përthyer, madje edhe duke kaluar në skulpturalizëm. Ndërtesat e tilla kanë përmbajtje të guximshme për kohën. Fundi i viteve ’60, modernizmit në arkitekturë iu shtua një nënstil, apo degë që përfaqësoi një frymë të re sociale dhe politike. Ish-Jugosllavia dhe vendet tjera socialiste, këtë frymë e përqafuan fuqishëm dhe e shfrytëzuan mjaft mirë. Bëhet fjalë për brutalizmin. Si stil arkitektonik i atyre viteve, brutalizmi karakterizohet nga format e thjeshta, me blloqe dhe ndërtime prej betoni të papërpunuar. Nga frëngjishtja “brut”, që don të thotë i papërpunuar, i patrajtuar që shpreh papërpunimin, patrajtimin e betonit, pra Béton brut është beton arkitektonik që lihet i papërfunduar. Tregon ashpërsi, natyrshmëri të vet gjendjes dhe materialit të betonit. Kritikët e aritekturës e konsiderojnë brutalizmin të ftohtë, të papërpunuar, mizor dhe të shëmtuar. Vija të drejta, të rregulla, të qarta, të definuara, të lexueshme, të parashikueshme… Ky është stili i brutalizmit të modernizmit në arkitekturë. Qendra e Ulqinit dominohet nga ky stil i arkitekturës. Rrethemërreth ka modernizëm-brutalizëm. Ndërtesa e Komunës së Ulqinit është përfaqësuese e këtij stili, dhe madje mund të jetë ndër më të veçantat ndërtesa ku skulpturaliteti modernist i arkitekturës së brutalizmit është e shprehur aq qartë në këtë ndërtesë.
Çfarë e then këtë heshtje dhe gjendjen e ngurrtë të modernizmit brutalist? A është gjetje e mirëfilltë vepra “Skënderbeu me burrat e Ulqinit” për këtë ambient urban-arkitekturor? Mbase, po. Vijat e lakuara sikur e thejnë monotoninë e fasadave të të gjitha ndërtesave përreth. Dinamizmi që kjo skulpturë shfaq, eleganca me të cilën është i trajtuar çdo element stilistik i veprës skulpturore, lëvizshmëria e përpjestimit në bazë të proporcioneve strukturore dhe elementeve që shfaqen në vepër, e bëjnë kontekstualizimin arkitekturë-skulpturë, art-ndërtim, urbanizëm-sociologji të ndërthurën, të integrohen, madje bën që edhe mendjet e ndara papajtueshmërisht që të bashkohen.
Cili është mesazhi i Skënderbeut? Cili është mesazhi i artit? Është një mënyrë e fuqishme për të përcjellë mesazhe, ide dhe emocione. Varto, shprehet, se “skulptura është një formë arti që sfidon perceptimin konvencional dhe e fton njeriun në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë, trupore dhe ndijore me veprën. Ajo nuk është thjesht një objekt për ta parë, por një përvojë për t’u jetuar.”
Skënderbeu mbetet i tillë, avandgard që është shumë përpara kohës së tij, avandgard i kohës sonë./ KultPlus.com