Skulptori i Gazës ekspozon gjymtyrë pa trup, i frymëzuar nga humbja e personave të gjymtuar

10 Tetor, 2021 - 12:56 pm

Skulpturat e artistit palestinez Khaled Hussein të gjymtyrëve njerëzore janë pjesë e një ekspozite në Gaza që ai e quan “Më mungon shumë”. 46 vjeçari thotë të jetë frymëzuar nga humbja e ndjerë nga personat me aftësi të kufizuara, përfshirë viktimat e konfliktit me Izraelin.

“Ka një numër të madh të personave me aftësi të kufizuara kudo. Është bërë një fenomen, kështu që unë doja të punoja në këtë çështje dhe ta reflektoja atë artistikisht, “tha Hussein për Reuters, transmeton KultPlus.

Shtatë skulptura të gjymtyrëve të Huseinit u shfaqën këtë muaj në galerinë e artit në Gaza. Ato janë të bëra nga balta dhe më pas hidhen në materiale të tjera si bronzi ose betoni. Njëra tregon dy këmbë që qëndrojnë krah për krah, ku gishti i madh i njërës është përkulur butësisht mbi këmbën tjetër.

Puna e Huseinit synon pjesërisht të tërheqë vëmendjen ndaj vuajtjeve të të plagosurve në protestat e viteve 2018 dhe 2019 në kufirin e Gazës me Izraelin, i cili imponon kufizime të rrepta në territorin e drejtuar nga grupi militant islamik Hamas. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se të paktën 200 njerëz u vranë dhe mijëra u plagosën nga forcat izraelite në demonstrata, shkruan Reuters, transmeton tutje KultPlus.

Hetuesit e OKB -së patën deklaruar se më shumë se 120 persona u amputuan një gjymtyrë. Kurse Izraeli pati njoftuar se trupat e tij hapën zjarr për të mbrojtur kufirin nga sulmet e militantëve të armatosur. Njëra nga skulpturat e tij përshkruan këmbën e majtë që Ahmed Abu Daqen, 21 vjeç, që e humbi në një aksident me makinë kur ishte fëmijë.

“Nuk prisja që dikush të merrte atë që kisha humbur si frymëzim dhe ta kthente në një vepër arti që e dokumenton atë në botë. Unë i tregova komunitetit se kam ambicie dhe ëndrra dhe mund t’i realizoj ato.”tha Abu Daqen, i cili luan në ekipin e futbollit të të personat me aftësi të kufizuara.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq deklaroi se në vitin 2019 kishte të paktën 1,600 persona me aftësi të kufizuara në mesin e popullsisë së Gazës prej dy milion njerëz. Shoqëria Bamirëse Assalama, e cila kujdeset për njerëzit e plagosur dhe me aftësi të kufizuara, njoftoi se 532 banorë të Gazës kishin humbur gjymtyrët në konflikt. / KultPlus.com

Të ngjajshme