Skulptura e Putinit ulur mbi një tank shfaqet në Nju Jork (FOTO)

8 Gusht, 2022 - 9:44 pm

Fëmijët që kishin shkuar për të lozur në “Central Park”, një nga vendet më ikonike të Nju-Jorkut, kanë hasur në një lodër të re befasuese.

Megjithëse fëmijët nuk e njihnin domosdoshmërisht figurën me të cilën po luanin, ishin të rriturit ata të cilët e identifikuan menjëherë presidentin rus Vladimir Putin të ulur në një tank të vogël.

Skulptura është vepër e artistit francez James Colomina, i cili dikur ka qenë teknik dentar përpara se të kthehej në artin e rrugës. Për të vepra e tij është një “art i lirë”.

“Është kur ti vendos çfarë të duash, ku të duash, pa kërkuar leje. Është një art që çliron veten nga kufizimet. Është art publik, art urban. Është një art që adreson të gjitha grupmoshat dhe të gjitha klasat shoqërore. “- tha ai për Euronews Culture, transmeton Klan Kosova.

Edhe pse ai nisi të vendos krijimet e tij në qytetin e tij të lindjes në Toulouse, artisti tani po shfaq punën e tij në të gjithë botën: Berlin, Barcelonë dhe tani, Nju-Jork, ku i pari i Kremlinit duket se portretizohet si një figurë duke luajtur lojëra lufte.

“Angazhimi politik është një pjesë thelbësore e punës sime. Përpiqem të mbroj kauzat sa më mirë që të mundem përmes artit tim. Për të denoncuar problemet sociale, unë reagoj ndaj padrejtësisë, intolerancës dhe konsumizmit,” shpjegoi Colomina./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme