28 Korrik, 2025 - 6:10 pm
Në një stol në mes të shëtitores Paseo del Arenal, në qytetin Bilbao të Spanjës, është vendosur një figurë e cila nuk lë askënd indiferent. Skulptura e quajtur “Skulptura e Vetmisë” tregon një grua të moshuar, e ulur e vetme, me shikimin drejt largësisë sikur pret dikë që nuk do të vijë kurrë. Një vepër që nuk flet me fjalë, por me heshtjen tronditëse të një realiteti që shpesh anashkalohet, vetmia e të moshuarve në pleqëri.
E krijuar nga artisti meksikan Rubén Orozco, kjo vepër është më shumë se një skulpturë, është një mesazh i drejtpërdrejtë që fton shikuesit të ndalen, të mendojnë dhe të reflektojnë. Orozco njihet për stilin e tij realist dhe për kurajën me të cilën trajton tema të ndjeshme shoqërore. Në këtë rast, ai ka zgjedhur të përballë publikun me një ndjenjë që shpesh fshihet në hije, braktisja dhe harresa që përjetojnë shumë të moshuar, përcjellë KultPlus.
Ajo që e bën këtë vepër kaq prekëse nuk është vetëm realizmi i saj, por edhe vendndodhja e zgjedhur – në një hapësirë publike, mes kalimtarëve që e shikojnë, e ndoshta kalojnë pa u ndalur. E njëjta mënyrë siç shoqëria shpesh kalon pranë të moshuarve pa i parë vërtet.
“Skulptura e Vetmisë” nuk është vetëm një instalacion artistik, por një thirrje për ndërgjegjësim. Një mesazh i qartë që na kujton se njerëzit në moshë të thyer kanë nevojë për më shumë sesa kujdes, kanë nevojë për lidhje, për vëmendje, për respekt dhe dashuri. Dhe mbi të gjitha, për të mos u ndjerë të padukshëm./KultPlus.com