Skulptura shqiptare, ekspozitë me vepra nga fondi i Galerisë së Arteve në Lezhë

24 Korrik, 2025 - 10:20 pm

Në ambientet e Galerisë së Arteve në Lezhë, pranë Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri”, është hapur një ekspozitë që sjell në vëmendje dymbëdhjetë skulptura nga autorë të ndryshëm shqiptarë.

Punimet janë përzgjedhur nga fondi i galerisë, duke u ofruar vizitorëve një pasqyrë të gjerë dhe përfaqësuese të artit tridimensional vendas.

Veprat e ekspozuara përfaqësojnë stile dhe teknika të ndryshme, që nga realizmi klasik e deri te tendencat më moderne të shprehjes artistike. Përgjegjësi i Galerisë së Arteve, Ymer Metaliaj, e konsideron këtë ekspozitë pjesë të një kalendari promovues të krijuar enkas për sezonin turistik. Ai thekson rëndësinë e veprave të ekspozuara dhe emrat e mëdhenj që qëndrojnë pas tyre, transmeton KultPlus.

“Vlerat e skulpturave janë shumë të mëdha dhe kemi emra të njohur të historisë së skulpturës. Ka interes të veçantë për pjesën më antike,” – u shpreh Metaliaj.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në fund të muajit korrik, ndërsa hyrja është e lirë për të gjithë vizitorët. Ajo paraqet një mundësi të mirë për të eksploruar nga afër zhvillimin e skulpturës shqiptare dhe për të reflektuar mbi trashëgiminë artistike që kjo fushë përfaqëson./KultPlus.com

Të ngjajshme