Sorrat dhe valigjet e Driton Hajredinit, homazh për të zhvendosurit (FOTO)

5 Mars, 2018 - 10:18 pm

Punimet e Driton Hajredinit kanë udhëtuar në shumë vende të botës, ashtu siç ka udhëtuar ai me valigjet e tij. Sot në Prishtinë, ai solli rreth dhjetë punime në ekspozitën e tij personale, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Galeria “Monet”, që është bërë një derë e ekspozimit të punëve të artistëve të ndryshëm, sonte kishte hapur dyert për mysafirët e kësaj ekspozite. E artisti Driton Hajredini kishte vendosur nga në një ose dy valigje në secilën pikturë, e në shumë prej tyre kishte vendosur nga një apo dy sorra. Drita pranë tyre ishte e zbehtë, e reflektonte kështu edhe hijen e çdo sorre në pikturë.

Valigjet në pikturat e Hajredinit flasin për të kaluarën por prekin dhe të tashmen. Dizajni i tyre është më antik, e madhësia e ngjyrat janë të ndryshme. Megjithatë, mesazhi që ato mbartin është universal, andaj ashtu si valigjet, ai është i depërtueshëm në secilin vend të botës.
Këtë cikël të valigjve, autori e kishte filluar shumë më parë e si i tillë kishte qenë pjesë edhe e disa ekspozitave të mëhershme. Përkundër ekspozitave të tjera të suksesshme, kjo ekspozitë është tejet e veçantë për artistin Hajredini, pasi që është ekspozita e parë që kur ka ardhur në jetë vajza e tij. Ai tha për KultPlus se këtë ekspozitë edhe ia dedikon vajzës së tij tashmë gjashtë muajshe.
Emri i kësaj ekspozitë “Should I say or should I go”, burim të inspirimit e ka këngën e grupit “Should I stay or should I go”, të grupit “The Clash”. Artisti Hajredini, ka një lidhje tjetër me këtë këngë, pasi që kjo këngë është shkruar në vitin 1981, në kohën e demonstratave që zhvilloheshin në Kosovë. Në titullin “Should I say or should I go”, ai thotë se qëndron një dilemë e madhe që secili mund ta ketë.
““Should I say or should I go” është ajo dilema e madhe e artistit, e intelektualëve apo e të gjithëve se a duhet t’i thonë ato çfarë i mendojmë apo që ta lënë krejt këtë punë dhe të ikin diku, sepse momentalisht jemi të pakënaqur me atë çfarë po ndodhë, si këtu apo edhe në tërë botën”, tregoi Driton Nuredini për KultPlus.

Siç duket valigjet janë mishëruar thellë në konceptin artistik të piktorit Hajredini dhe arsyeja e kësaj është se e gjithë jeta e tij ka qenë e lidhur me valigjet, pasi që, para rreth 25 viteve e kishte përjetuar jetën e azilantit.

“Jeta ime gjithnjë ka qenë me valigje, unë kam qenë azilant prej vitit 1992 dhe është si një lloj homazhi i të gjithë të zhvendosurve me dëshirë dhe pa dëshirë, por që shumica janë pa dëshirë”, u shpreh Driton Hajredini për KultPlus.

Valigjet e tij në jo pak raste qëndrojnë të hapura e në vend të rrobave mbajnë diçka tjetër. Sorrat janë simbolika më e shpeshtë e tij. Ato kishin qenë dëshmitare të Prishtinës së zbrazur në kohën e luftës, andaj dhe në disa vende, artisti i ka titulluar si “The Guardians” që i bie “Rojet” apo “The guard”, “Roje”.

Ai këtë cikël e cilëson si me seriozen, përkundër cikleve të tjera ku luan me botën e artit të etabluar. Megjithatë, karriera e tij artistike tashmë lidhet edhe në videoinstalacione, e instalacione të ndryshme. Edhe pse, ai ende qëndron pas pikëpamjes së tij se “piktura është mbretëresha e arteve”, sfidimi i tij edhe në video e ka zbehur paksa këtë mendim.

Muret e kësaj ekspozite, kohëve të fundit janë mbushur edhe me piktura të artistëve të tjerë. Por për piktoren dhe themeluesen e Galerisë “Monet”, Blerta Surroi kjo ekspozitë është një nder për këtë galeri. Ajo tregoi për KultPlus se e njeh që shumë herët punën e artistit Driton Hajredini.
“Ne si galeri ndihemi shumë të nderuar që sonte në galerinë tonë e kemi artistin Driton Hajredini. Driton Hajredini është një artist shumë i suksesshëm, jo vetëm në pikturë por edhe në video dhe në art konceptual. Suksesi i tij në shumë fusha ka bërë që ai të marrë edhe shumë çmime ndërkombëtare që janë rezultat i punës së tij”, u shpreh Blerta Surroi.

Ajo tutje shtoi se ciklin që ky artist e ekspozoi sonte është gjithnjë aktual dhe kurdo dhe kudo që ekspozohet ky cikël, përsëri ta zgjon një ndjenjë dhembshurie, sepse lidhet direkt me eksodin, migrimin ekonomik. Blerta Surroi tha edhe pse këto valigje mund ta kenë edhe konceptin pozitiv të pushimeve, por ajo që gjithnjë të vije në mendje është eksodi andaj dhe ngjallë këtë ndjenjë të dhembshurisë. Të gjithë ata që duan t’i shohin punimet e kësaj ekspozitë, tashmë mund të drejtohen në Galerinë “Monet”, deri më datën 18 mars./ KultPlus.com

Të ngjajshme