Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor publikon finalistët e çmimit ‘Artistët e së nesërmës’

9 Tetor, 2021 - 2:45 pm

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallur vendimin e jurisë për finalistët e çmimit e përbërë nga Anne Barlow, drejtore e TATE St Ives, Britani e Madhe, Qëndresë Deda, artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Minna Henriksson, artiste, Adam Kleinman, kurator i pavarur dhe shkrimtar, si dhe kurator rajonal për Amerikën Veriore në Fondacionin Kadist Art, dhe Nebojša Milikić, punëtor kulturor dhe menaxher, hulumtues dhe aktivist që punon në Beograd, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2021.

Juria ka lëshuar këtë deklaratë:

Ne, anëtarët e jurisë së çmimit “Artistët e së nesërmës” 2021 kishim kënaqësinë të shqyrtonim 12 aplikimet e marra nga artistët që aplikuan në thirrjen e hapur të këtij viti.

Fillimisht, juria dëshiron të falenderoj të gjithë artistët që aplikuan për këtë çmim për kujdesin dhe konsideratën e tyre në përgatitjen e prezentimeve të tyre. Pas diskutimeve të gjera, juria ka përzgjedhur tre finalistë bazuar në propozimet e tyre premtuese dhe punën ekzistuese.

Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se tre finalistët për çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021 janë Uresa Ahmeti, Endrit Jashanica dhe Enxhi Mehmeti.

Finalistja e parë është Uresa Ahmeti, puna multi-disiplinare e së cilës përfshin video, performancë dhe tekst. Juria ishte e interesuar në mënyrën në të cilën ajo merr në pyetje marrëdhënien midis artistit dhe audiencës, të vëzhguarit dhe vëzhguesit, në kontekste që përfshijnë arkitekturën dhe hapësirën publike të Prishtinës. Ahmeti përqafon mosbindjen dhe refuzimin si mënyra për të rimarrë veten, duke sfiduar normat dhe pritjet rreth shprehjeve dhe përceptimeve të identitetit gjinor.

Puna e finalistit të dytë, Endrit Jashanica, bashkon artin konceptual, performancën dhe digjitalen në mënyra komplekse dhe novatore. Duke përdorur mundësitë e teknologjive digjitale, duke përfshirë artin gjenerues dhe realitetin virtual dhe të shtuar, ai eksploron ide rreth të brendshmes dhe të jashtmes në aspektin e identitetit dhe formës, sjelljes dinamike dhe kaosit, dhe një të ardhme në të cilën jeta dhe teknologjia njerëzore bashkohen gjithnjë e më shumë.

Finalistja e tretë është Enxhi Mehmeti, puna e saj flet për përvojën e diasporës kosovare. Përmes pikturave të saja të fuqishme dhe vizatimeve intime, si dhe skulpturës, muzikës dhe poezisë, ajo reflekton mbi identitetin kulturor dhe personal përmes një thjerëze diasporike. Puna e saj trajton dallimet në gjuhën dhe kulturën vizuale, copëzimin, përfaqësimet e femrës dhe marrëdhëniet e paqëndrueshme midis artit popullor dhe kapitalizmit modern.

Si juri, ne jemi të ngazëllyer për të parë se çfarë do të krijojnë këta tre finalistë për ekspozitën në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe mezi presim të shohim punën e tyre në dhjetor kur juria do të takohet për të zgjedhur fituesin e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2021.

Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë në Residency Unlimited, gjatë periudhës prill/maj 2022, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2023.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falenderon të gjithë artistët që kanë aplikuar për çmimin “Artistët e së nesërmës” 2021, për punën e tyre të vazhdueshme dhe bashkëpunimin. / KultPlus.com

Të ngjajshme