Stinët e qenies apo himni i jetës

4 Mars, 2021 - 2:53 pm

Oltsen Gripshi

“Nihil credendum nisi prius intellectum” – “Nuk duhet me besuar në asgjë, nëse më parë nuk e ke kuptuar”.

Të parit, të shijuarit, të kuptuarit, të perceptuarit, të krijuarit, të shkatërruarit, të përjetuarit, të gëzuarit, të hidhëruarit, të vetëkënaqurit, të demoralizuarit, të menduarit, të braktisurit, të vlerësuarit, të poshtëruarit, të pasuruarit, të varfëruarit, të qenët, të mosqenët, të ekzistuarit, të mosekzistuarit, të folurit, të heshturit…, – të gjitha këto të reflektuara përballë njëra-tjetrës si metafora të ngujuara, duke fluturuar çorodituri brenda mureve të qelqta të qenies time si një artist bashkëkohor, i cili, botën e vështron me shikimin e mbetur pezull në hapësirën pa hapësirë, boshe e të tejdukshme. I qëndron përballë, përkrah, mbi krye, nën këmbë, si e si për ta njohur, për të depërtuar në indet e anatomisë së saj, për të zbuluar misteret, zhveshur errësirën dhe rrëmbyer dritën, duke krijuar kësisoj një marrëdhënie alkimike të pashterueshme në zbërthimin e një realiteti të së tashmes, por dhe të një realiteti pas tij.

Materia njerëzore lëndë fiziologjike si pjesë e një realiteti të prekshëm, por materia njerëzore dhe si univers konceptual nga ku lind gjithçka […]. Materie e veçantë dhe e vetme mbi tokë, e cila ka aftësi të njësojë hapësirën që ekziston mes vetë asaj dhe galaktikës së pafundme të populluar nga yjet e zinj dhe ndriçuar nga hëna e përgjakur me ngjyrë të kuqe, pas një eklipsi apokaliptik. Aty ku mendja nis të kuptojë përpara se të besojë, se si dhe çfarë ndodh brenda dhe jashtë qenies njerëzore… një lojë konceptuale, konceptualizëm, konceptualizmi, koncepte të cilat, në vibrimin e shikimit të mbetur pezull të një artisti bashkëkohor nuk mbeten kurrsesi në periferitë e qasjes së tij surrealo-konceptuale… – dhe këtu, hapësira pa hapësirë, boshe dhe e tejdukshme nis të marrë formë dhe vëllim. Formën dhe vëllimin sipas dritëhijeve të conceptus mentis” mbi shtjellimin e çështjeve të universit, ku artisti bashkëkohor bëhet ndërmjetësi mes dy botëve, asaj reale fizike dhe asaj të panjohur metafizike.

Konceptualizmi si alfabeti im, i dialektikës sime, i universit tim eremit, i qenies time kozmike, e cila shtegton për t’i qëndruar përballë të vërtetës dhe për ta shpërfaqur atë nëpërmjet një procesi ndjesor, intim dhe vetjak. Një proces që nuk ndalet së kërkuari dhe shtruari pyetje mbi të qenët dhe ekzistuarit, duke prekur çaste të ndryshme të vetë jetës së njeriut, si krijues i fenomeneve dhe pësues i tyre. Fenomene-fenomenologji si tiparet formuese të vetëportretit ekzistencialist se çfarë është qenia njerëzore?! Heidegger, i cili për herë të parë arriti në përfundimin se qenia njerëzore është e jashtëzakonshme dhe ruan brenda vetes një ndryshim të pakalueshëm me çfarëdolloj identiteti, përfshirë këtu edhe identitetin suprem të identifikuar në formën e hyjnores, apo si një vlerë e abstraktes së paperceptueshme.

Hyjnorja dhe abstraktja, realja dhe surrealja, perceptimi dhe konceptualizmi, ujëra ku noton kërkimi im ontologjik i përbotshëm, në shpërfaqjen e fenomeneve të ndërthurura me antropologjinë si rrjedhojë e gjurmës njerëzore, e cila deshifrohet përmes fenomenologjisë dialektike të Hegel-it, asaj trashendentale të Husserl-it, ordo amoris të aftësisë së individit për t’u HUPUR me botën që e rrethon sipas Scheler-it dhe fenomenologjisë ekzistencialiste të Heidegger-it.

Një kërkim, i cili frymëzohet nga realiteti i realitetit për t’u thurur më pas në tezgjahun shqisor brenda hapësirave të kështjellës sime plot ngjyra dhe ndjeshmëri ndaj antropologjisë së Njeriut bashkëkohor. Gjithmonë në rrëmim e hulumtim, ku “Qenia, Vendi dhe Koha”, të gërshetuara me njëra-tjetrën përbëjnë thelbin epistemologjik të artit tim surrealo-konceptual. Aty ku veprimi mendor noesis dhe antropo-fenomenologjia së cilës ky veprim i drejtohet noema, më nxit në krijimet e mia për të depërtuar përtej ekzistencës fizike dhe gjërave tanimë të kryera, të përfunduara në kohë, duke i çmaterializuar dhe zhveshur nga kuptimi i tyre i vërtetë, për t’i ringjallur Post Mortem konceptualisht, nëpërmjet njoseologjisë së perceptimit të universit të artit tim…/KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme