Struktura të papajtueshme në Galerinë ODA

9 Shtator, 2025 - 11:08 am

Në Shkodër, ku muret e vjetra dhe fryma e re e qytetit takohen përditë, Galeri ODA u bë sërish një strehë arti dhe reflektimi. Artistja e mirënjohur Majlinda Kelmendi çeli ekspozitën e saj më të fundit me titull “Struktura të Papajtueshme”, një projekt artistik që sfidon estetikën e përditshme përmes përplasjes së formave dhe materialeve.

Koncepti i ekspozitës është i guximshëm: të shfaqë bukurinë e mos-përshtatjes. Struktura që nuk lidhen, që nuk pajtohen mes tyre, krijojnë një tension të qëllimshëm vizual, një gjuhë tjetër komunikimi që i nxit vizitorët të rishikojnë idenë e harmonisë. Në këtë dialog të fortë mes hapësirës dhe materialit, Kelmendi ngre pyetje mbi mënyrën se si shohim, kuptojmë dhe pranojmë përplasjet në art dhe në jetë.

Majlinda Kelmendi është artiste vizuale multimediale dhe profesoreshe në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Prej vitesh ajo ka ekspozuar në galeri e muze brenda dhe jashtë vendit, duke fituar disa çmime ndërkombëtare. Si themeluese e platformës “Expoart.40” dhe drejtuese e projektit multimedial ndërkobëtar “Net-Rrjet”, Kelmendi ka ndikuar fuqishëm në skenën e artit bashkëkohor në rajon dhe më gjërë.

Hapja e ekspozitës në ODA u shoqërua me një prani të gjerë publiku. Nuk munguan personalitete si Tonin Gjuraj, rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Fatmir Juka, drejtori i Galerisë së Shkodrës, Jetmir Shpuza, drejtori i Radio Shkodrës, si dhe artistë, shkrimtarë e kolegë të Kelmendit. Të pranishmit e përjetuan ekspozitën si një hapësirë të gjallë dialogu, ku arti nuk shfaqet vetëm, por bisedon me qytetin.

Galeria ODA, themeluar dhe drejtuar nga Rozafa Shpuza, është shndërruar në një oaz ku takohen artistë nga e gjithë bota. Për më shumë se pesë vjet, aty janë pritur qindra krijues, duke e kthyer këtë shtëpi 150-vjeçare në një arenë të vlerave, diskutimeve dhe ekspozimeve që pasurojnë jetën kulturore të Shkodrës.

Ekspozita “Struktura të Papajtueshme” është dëshmi e misionit të ODË-s: të sjellë në qytet një art që sfidon, që e provokon mendimin dhe e fton publikun të shohë përtej sipërfaqes. Në fund, përplasjet nuk janë gjithmonë shkatërrim; ndonjëherë ato janë burim i një bukurie të re. Dhe pikërisht këtë na kujton arti i Majlinda Kelmendit, i strehuar në Shkodrën e vjetër, në një galeri që vazhdon të jetë urë mes botës dhe qytetit./ KultPlus.com

Të ngjajshme