2 Maj, 2025 - 10:28 pm
Video, fotografi dhe piktura që sjellin në vëmendje Ali Osekun në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të artistit u prezantuan në ekspozitën multimediale “Substance/In memoriam” të çelur në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.
“Substance” e artit të Ali Osekut mblodhi miq të artistit dhe familjarët për testamentin e tij artistik një vit pa piktorin.
Vizatime, portrete, autoportrete janë pjesë e kësaj ekspozite ku nuk mungoi dhe prania e vetë artistit përmes një videoje realizuar me inteligjencë artificiale.
Mjediset e universitetit janë skena ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës, duke mësuar breza artistësh e duke mos e humbur asnjëherë dimensionin e lirisë që e kishte të shenjtë.
Ekspozita “Substance” është homazh për mikun, artistin si një akt kujtese.
Një njeri dhe artist i madh, Oseku nuk mund të përmblidhet në një ekspozitë retrospektivë, por sjell për dashamirët jetën dhe veprën e tij të ndarë në dy kohë.
Në qendër të kësaj ekspozite ndodhet një vepër e hershme, puna e diplomës, gjetur rastësisht në oborrin e shkollës e vendosur në tokë si një objekt që përçon peshën e kujtesës, tejkalon subjektin e pikturuar dhe tregon të gjithë historinë e ëndrrës së artistit të thyer e përthyer në kohë të errët. Në muret përreth saj qëndrojnë disa vepra të kohës se re, ku drita dhe hapësira mbizotërojnë, ku ngjyra bëhet gjuhë, dhe heshtja-mesazh.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 maj në galerinë FAB.
‘Essence’, ekspozita 1 vit nga vdekja e Ali Osekut, foto: Agim Dobi./atsh/KultPlus.com