‘Tafë kusuri’, rrëfimi mbi artistin Agim Qena

21 Korrik, 2018 - 9:10 am

2013 / Arbër Selmani

Gjatë gjithë jetës së tij, ai nuk do t’i donte mysafirët. Ishte nervoz dhe madje kjo ishte arsyeja që shumë prej njerëzve i kishte larguar nga vetja. Për asgjë në botë ai nuk do ta hapte telefonin apo t’i kushtonte vëmendje i pari cokatjeve në derë.

Kafenetë e rakisë i preferonte e madje nuk mund ta konceptonte një njeri normal e mbi këtë tokë që nuk pi alkool. Me pesë fëmijë, atij nuk do t’i pengonte të kthehej vonë në shtëpi.

Madje ishin po këto momente kur Agim Qena ishte më humani i njerëzve, duke treguar historitë, përlarjet e tij jashtë shtëpisë, gotat e rakisë dhe fytyrat e shëmtuara që kishte parë nëpër qytet. Momentet kur ai ishte i dehur, prodhonin edhe situata komike dhe të kujtuara në harmoninë familjare.

Krijuesi i stripit komik të famshëm“Tafë kusuri” kishte qindra arsye të nxirrte vrer mbi këtë personazh komik e karikaturist, dhe po këtij projekti madhor duket se ia kushtoi tërë jetën. Hana Qena, njëra nga pesë fëmijët e tij, në tetëvjetorin e vdekjes së babait tregon se ndihet e distancuar në raport me të. “Kemi pasur raport më të distancuar, më të përmbajtur. Ai gjithmonë është ankuar shumë, për gjithçka.

Shumë gjëra m’i ka mësuar qysh e re, ndryshe prej fëmijëve të tjerë, dhe mendoj se si personalitet i krijuar sot shumë gjëra më rrjedhin nga mësimet e tij”, tregon Qena.


Rron Qena pikturoi babain e tij, Agimin

Hana, regjisore, 17-vjeçare kur i vdiq babai, thotë se ishte ëndërr e babait të saj që ajo të merrej me “Metamorfozën” e Kafkës apo “Idiotin” e Dostojevskit. Qena gjithçka kishte nisur në moshën 18-vjeçare, ndërsa deri në mesin e të 50-ve kur edhe vdiq është mishëruar me lajme të tmerrshme që më pas i nxori në “Tafë kusuri”.

Karrierën e karikaturistit e filloi në Mitrovicë, atje ku kishte njohur gruan e tij. “Kjo ishte femra më e bukur në Mitrovicë, përshkruar sipas tij”, tregon Qena, vajza e Agimit. Karikaturisti nuk kishte si të lejonte gabimet drejtshkrimore, përplasjen e pirunëve edhe pa dashje në sofrën e bukës apo ngrënien e tepërt të bukës.

“Ai nuk e ka konsideruar asnjëherë veten si fytyrë publike, e ke parë edhe në kafenetë e zakonshme. Ka qenë i drejtpërdrejtë, shumë selektiv dhe kritikues e i sinqertë dhe ndoshta kjo edhe e ka larguar prej njerëzve. Edhe me fëmijët e tij ka pasur raport të fortë. Arti i asaj kohe në Kosovë nuk ka çuar peshë për sytë e tij, krejt për çka ai ka folur ka qenë “Tafë kusuri”. Kur gjyshja e kritikonte, ai thoshte “Unë mantia s’di me bo”. Ambientin ku ka punuar në shtëpi e ka dashur ashtu, të rrëmujshëm”, tregon Hana Qena.

“Por edhe për shumë gjëra nuk i ka interesuar. Më kujtohet, njëherë krejt banorët e banesës kemi dalë jashtë për shkak të një tërmeti, ka qenë i vetmi që nuk ka lëvizur”, tregon Qena.

Të shtunën, në tetëvjetorin e vdekjes së Agim Qenës, krejt çka kujtohet është çmimi “Boemi i Mitrovicës”, i vetmi në tetë vite mungesë të krijuesit të “Tafë kusurit”. E shtuna në Prishtinë duket më sportive se e diela, dhe si jo për të parin personazh asnjë koleg e institucion nuk ka vendosur ta kujtojë figurën e “Tafë kusurit”.

“Në momentin kur ka vdekur, kanë ardhur shumë njerëz të na shohin. Shumica na kanë treguar se çfarë babai kemi pasur e sa krenarë duhet të jemi me të, por një pjesë e mirë e tyre as nuk i kemi njohur. Ata s’e kanë njohur as talentin e Agimit, por besoj kjo ndodh tek ne tani dhe nuk është më e çuditshme”, tregon Qena.

Ajo dhe motra e tre vëllezërit e saj autorin e kanë thirrur në emër. “Agimi nuk është kujtuar nga të tjerët në momentet e këqija të jetës së tij, prandaj nuk po kujtohet as sot. Ka shumë kohë që ne si familje dëshirojmë t’ia botojmë një libër”, tregon Qena.


Fakete Rexha, Remzi Limani, Agim Qena, Faruk Begolli

“As Meli Qenës nuk i është ndarë çmim nga Ministria e Kulturës, në këtë rast as Agimit.Ne si familje ndoshta jemi të fundit që duhet t’ua përkujtojmë të tjerëve figurën e Agim Qenës”, vazhdon Qena.

Një pjesë e arkivit të Qenës gjendet në shtëpi, e të tjera i ka arkivi i qytetit, “Rilindja” e Radio Televizioni i Kosovës, ku Agim Qena kishte punuar pas përfundimit të luftës.

“Agimi nuk më ka rrahur kurrë, më duket se më ka konsideruar shumë të mençur. Ai ka pirë shumë duhan, katër pako cigare në ditë, kur i kanë mbetur edhe 20 cigare ai ka bërë panik. E ka dëgjuar aq shumë ‘Deutsche Wellen’ saqë edhe sot mendoj se diku në shtëpi dëgjoj zërin e radios”, tregon Qena.

Qena ka qenë fëmija i nëntë në familje, me kumbarë Josip Broz Titon. Asokohe, shtimi i familjes ishte i bereqetshëm. Agimi për pak ka mundur të quhet Ndërtim, ndërsa shoqëri të madhe ka pasur me Muharrem Qenën, në të njëjtën mëhallë.

Hana po ashtu është menduar të quhej Rukie, njësoj si nëna e Agimit. Ka qenë Agimi ai që nuk ka lejuar një gjë të tillë. Ameriko Vespuqi ishte vajza e vogël, Vesa, ndërsa Bizmarku ishte Hana, për Agimin.

“Rrallë e kemi dërguar në mbledhjet e prindërve. Është përlarë shumë me profesorët dhe ka gjetur gjithmonë gabime në libra, më pas është ankuar pse ne mësojmë prej këtyre librave. Ka qenë pak romantik megjithatë, nuk e kujtoj që i ka blerë nënës ndonjë unazë. Atij i është gjest i çuditshëm blerja e dhuratave”, vazhdon Qena.

Ajo kujton lojën “Kapti Qkllapti”, kur ai i kapte vajzat e nuk i lëshonte, i detyronte që ato të sforcoheshin për t’u ndarë nga gishti i tij. Ai në ndërkohë, vazhdonte me lajmet e cigaren, shoqëri kjo e pandarë për figurën që solli revolucionin komik.

“Në kohën kur doli interneti, atij i është dukur absurde se unë mund t’ia dërgoj “Tafë kusurin” me imell. Kur ia kam dërguar diku, ai ma ka dhënë edhe personalisht që ta dërgoj fizikisht, sepse kurrë nuk ka besuar në sigurinë e internetit”, thotë Qena.

Banesa e Qenajve, asokohe, ka qenë e mbushur plot “Tafë kusuri” në muret e saj. “Në ditët e fundit të jetës së tij, u sëmur shumë dhe nuk pranonte të shkonte në spital.

Madje kishte kërkuar as të mos përkujtohej në gazetë. E kujtoj ditën kur ka vdekur, është zgjuar në mëngjes dhe i ka thënë nënës “Shpëtova edhe këtë herë”. Njëfarë ndriçimi i ka përshkuar fytyrën dhe në dy minutat e ardhshme ai ka vdekur”, tregon Hana Qena, vajza e madhe e Agimit.

2013 / Arbër Selmani

Të ngjajshme