Tatjana Danneberg, të jesh ‘një hap pas teje’ në Prishtinë

13 Prill, 2018 - 8:38 pm

Alberina Haxhijaj

Tatjana Danneberg është rikthyer mbrëmë, për herë të dytë, në galerinë LambdaLambdaLambda në Prishtinë. Ajo për artdashësit solli ekspozitën e saj personale të titulluar “One step behind you”.

Punimet në këtë ekspozitë janë realizuar nga frymëzimi që artistja ka marrë nga shfaqja “Act without words” e Samuel Beckett. Madje edhe titulli i kësaj ekspozite lidhet pikërisht me konceptin që ka edhe shfaqja, të qenurit një hap pas ndaj ngjarjeve dhe vendimeve që marrim në jetë. Në intervistën e dhënë për KultPlus artistja Tatjana Danneberg ka sqaruar më shumë për punën e saj dhe për metaforën që bartin punimet.

“Në këtë ekspozitë kam përdorur punime të cilat fillimisht janë bërë në letër të formatit A4 ndërsa më vonë janë skanuar në format më të madh dhe janë printuar në folie e cila më vonë është transferuar në pëlhurë. Unë çdo herë e rrotulloj sipërfaqen, ajo që shihni është në fakt një imazh i kthyer mbrapsht, diçka e kundërt me pikturim ku mbetet çdo herë ana e sipërfaqes në të cilën vizaton”, tha ajo duke treguar se pikërisht pikturimi fillimisht në folje plastik e bënë stilin e saj të veçantë, ndërsa kjo është hera e saj e parë që e përdorë edhe vizatimin.
Zakonisht në piktura vizatimi vjen i pari mirëpo në këto punime vizatimi është pjesa e fundit ndërsa procesi i realizimit të punimeve është bërë më parë. Kështu përmes vizatimeve të pranishmit në ekspozitë patën mundësi që të shohin figura të ndryshme, ndër to edhe fytyrën e një vajze, e cila të krijon përshtypjen sikur ka harruar diçka e që është edhe e preferuara e artistes.

Në anën tjetër në mes në dysheme të galerisë ishin vendosur edhe dy skulpturat prej mermeri. Të frymëzuar pikërisht nga kjo shfaqje “thasët” tregonin më së miri përmbajtjen e tyre. Ata përfaqësonin dy karaktere të bllokuara, dy personazhe të pafuqishme për të vepruar duke u bërë kështu një metaforë e rutinës së përditshme. Një element i thjeshtë i rrëmbyer nga shfaqja e që më pas është sjellë në ekspozitë.

“Në shfaqje janë dy protagonistët të cilët janë ngujuar në një thes dhe që nxiten nga një forcë e jashtme për tu zgjuar dhe për të vazhduar rutinën e tyre të përditshme. E gjithë kjo ekspozitë është më shumë si diçka e pashpresë në ekzistencën e njeriut. Ndonjëherë mendon se ke gjetur një zgjedhje por kjo është një iluzion, këtë ka dashur edhe Samuel Beckett ta thotë. Ndonjëherë thjeshtë nuk ke zgjedhje edhe pse mendon se disa zgjedhje të janë ofruar. Ka të bëjë më shumë me ato që nuk shihen sesa me ato që shihen”, tha ajo për KultPlus duke shtuar se pret me padurim ftesën e radhës për tu rikthyer në Prishtinë.

Çdo gjë në ekspozitë lidhej me “Act without words” të Samuel Beckett madje edhe ngjyrat që artistja kishte përdorur në punimet e saj. Kështu ngjyra e rërës, apo e diellit vëreheshin në punime. / KultPlus.com

Të ngjajshme