Të hënën, Burim Gashi vjen me ekspozitën “Heshtje e rëndë”

28 Shkurt, 2020 - 9:50 pm

Artisti Burim Gashi vjen të hënën me ekspozitë individuale “Heshtje e rëndë” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.com

Kuratore e kësaj ekspozite është Manya Gramsch e cila njëherit në deklaratën e saj të publikuar në njoftim ka vlerësuar lartë ekspozitën e Burim Gashit.

Heshtje e rëndë / Heavy silence, kuruar nga Manya Gramsch do të vjen më 2 Mars, në orën 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Të shikosh një peizazh të natyrës së qetë mund të jetë relaksues madje edhe i gëzueshëm. Por ndonjëherë ato pamje sjellin ndjenja të përziera. Në disa vende ka një heshtje të rëndë në ajër, një pasiguri që mund ta ndjeni edhe pse nuk mund të shihni asgjë. Kjo atmosferë mund të bëhet edhe më e fortë nëse dini për historinë e atij vendi ose nëse kërkoni përgjigje që nuk mund të gjenden”, ka shkruar mes të tjerash kuratorja Gramsch, e cila vlerëson se ekspozita `heshtja e rëndë`, tregon veprat e fundit të skulptorit kosovar Burim Gashi dhe tregon pasojat emocionale të ngjarjeve traumatike që ishin krijuar nga lufta, dhuna dhe paqartësia për njerëzit e zhdukur.

“Në këtë seri të re të veprave Burimi tregon shumë përvoja personale dhe traumatike që lufta dhe dekadat në vijim i kanë shkaktuar atij dhe njerëzve përreth tij. Duke shikuar veprat e tij vërehet se materiali i skulpturave
monumentale nga çeliku shkakton një kontrast të vrazhdë me format
organike, rrjedhëse të pamjes filigrane të skulpturave dhe
instalacioneve. Forma dhe materiali i veprave të artit reflektonte mbi
peshën subjektive që shtrihet mbi çdo person dhe gjithashtu shtrojnë pyetje se çfarë po ju bën kjo peshë njerëzëve nëse vazhdojnë ta mbajnë atë në heshtje. Në veprat e tij Burim Gashi jo vetëm që po i hap veten audiencës, por gjithashtu krijon një hapësirë ​​të ndjeshme për të reflektuar, menduar dhe folur për përvojat, emocionet dhe kujtimet individuale dhe kolektive”, thuhet në vlerësimin e kuratores./ KultPlus.com

Të ngjajshme