24 Korrik, 2025 - 6:24 pm
Prej më shumë se 40 vitesh, artisti Jani Barxo realizon punime në qëndisjen e aplikuar duke sjellë copëza të natyrës dhe peizazheve të qytetit të Gjirokastrës.
Tashmë në moshën 73-vjeçare, ndërsa kujton fillesat artistike shprehet se me këtë lloj arti ka lidhur jetën e tij.
“Një portret i Princ Vidit që e kishim në muzeun e Kulturës Popullore, e cila qe qëndisur në mënyrë të përkryer dhe ajo më bëri që ti hyj këtij zanati por si qëndisje ka humbur pothuajse”, tha Jani Barxo, artist.
Punimet artistike të Janit i gjen ngado në muzeumet e qytetit, galerinë e arteve ndërsa në vite ka çelur disa ekspozita.
“Ka të veçantë sepse ështe pak e vështirë sepse tonet nuk i gjen dot, e punoj një herë në tempera pastaj aplikacioni e bëj në qëndisje në beze, dhe tonet janë pak të vështira për tu gjetur, atë ton që do ti, një gri vetëm kur ta vendosësh në beze atëherë e shikon se çfarë toni është, e thjeshtë është, metodën e kemi nga e kaluara, nga gratë sesi qëndisej quhet qëndisje me mbushje jo me gjilpërë”, shtoi artisti.
Teksa është rikthyer në Gjirokastër, në këto ditë vere, punimet i prezanton për turistët duke marrë vlerësimet e tyre
“Tani unë dal vetëm pak ditë këtu që vij të pushoj në Gjirokastër, dhe marr mundimin të nxjerr dhe këto, fjalën “beatiful” e dëgjoj pothuajse shpesh nga të gjithë edhe shqiptarë që thonë: të lumshin duart, shumë të bukura por edhe nga të huajt, këtë “beatiful” e kam dëgjuar shumë herë”, thekson Jani Barxo.
Gjirokastra në vite ka krijuar një traditë të veçantë përsa i përket arteve të amplikuar me emra artistësh që spikasin brenda dhe jashtë vendit./euronews/ KultPlus.com