‘Tenda e takimit e një oborri’, ekspozohen në Prishtinë perlat e Pjetër Marubbit

24 Shkurt, 2023 - 5:49 pm

Flonja Haxhaj

Fotografi të jetës shqiptare, të realizuara gjatë viteve 1860-1865 nga Pjetër Marubbi zënë vend në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë nëpërmjet ekspozitës ‘Tenda e takimit e një oborri’ të kuruar nga Luçjan Bedeni, përcjell KultPlus.

Ekspozita vjen si bashkëpunim mes Muzeut Kombëtar të Fotografisë ‘Marubbi’ dhe Galerisë së Ministrisë së Kulturës, paraqitet si një pasqyrë e realitetit të të gjitha shtresave që kanë jetuar në atë kohë në Shqipëri e të shkrepura me mjeshtëri nga Pjetër Marubi.

Këto imazhe janë të parat fotografi që shpërfaqin një Shqipëri e cila deri në vitet 70-ta të shekullit XIX ishte krejt e panjohur për të huajt. Këto fotografi të Marubbi-t do të përhapeshin në masë nga litografët vjenezë, të cilët i shtypën duke i kthyer ato në karta postale ose sikurse njihen ‘në kartolina kujtimi’ me mbishkrimin Souvenir de Scutari d’ Albanie

I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite e cila kishte tërhequr pas vetes shumë të interesuar për të parë perlat e Marubbit ishte edhe vetë Luçjan Bedeni, i cili këto imazhe i ka studiuar për rreth dhjetë vite e më pas i solli si pjesë të tezës së tij të doktoratës me titull “Pietro Marubbi dhe themelimi i të parës studio fotografike në Shqipëri”.

Bedeni tha për KultPlus se kjo ekspozitë përmban fotografi të përzgjedhura nga koleksioni i Pjetër Marubbit, pjesë e muzeut kombëtar ‘Marubbi’ në Shkodër.

“Arsyeja që janë përzgjedhur këto fotografi vjen si shkak i një hulumtimi që e kam realizuar për pothuajse dhjetë vitesh. Imazhit i përkasin viteve 1860-1865 e arsyeja që janë përzgjedhur këto imazhe vjen si rezultat i një pike të përbashkët e që është oborri. Pra, Marubi të gjitha këto fotografi që ne i shohim i shkrep ato në një oborr”, u shpreh Bedeni i cili mes tjerash tha se këto imazhe janë përzgjedhur edhe për faktin se fillimet e para të studios së fotografisë prej vetë Marubit janë në oborrin e shtëpisë së tij e të cilin ai më vonë e shndërroi në një studio të hapur.

Për bashkëpunimin mes këtyre dy institucioneve të rëndësishme të artit foli edhe drejtoresha ekzekutive e Galerisë së Minstrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, e cila tha se ky bashkëpunim nisi që në vitin e kaluar.

“Ne kemi filluar të bashkëpunojmë me muzeun ‘Marubbi’ që nga viti i kaluar, kur ne si galeri e kemi ftuar ‘Marubin’ dhe drejtorin e saj, Luçjan Bedenin, që të vijë me një ide për të prezantuar diçka në galerinë e ministrisë së Kulturës, e kjo vjen si pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, u shpreh Ramosaj për KultPlus.

Ndërkaq, për të gjithë ata që janë të interesuar të shohin Shqipërinë e asaj kohe, sjellë nga aparati i Pjetër Marubbi, ekspozita ‘Tenda e takimit e një oborri’ do të qëndrojë e hapur deri më 1 prill 2023.

Fotografitë: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

Të ngjajshme