Tirana para e pas tranzicionit, në ekspozitën e Roland Tashos

21 Mars, 2024 - 12:15 pm

Mbrëmjen e djeshme, në Galerinë e Arteve Tiranë (GAT), u çel ekspozita e fotografit Roland Tasho.

“Lana, Tirana, Para-Pas Albania” sjell një përzgjedhje të punëve të artistit, që siç e tregon edhe titulli që Tasho ka përzgjedhur për ekspozitën e tij, i rrëfen publikut përmes fotografisë, transformimin e Shqipërisë në vitet e tranzicionit.

GAT shkruan se, Roland Tasho e ka përshkruar jetën e tij si një foto e bukur e shkrepur ndër vite, për ngjyrat e së cilës është punuar gjatë për t’i ndërtuar. Ai nuk është thjesht fotograf që prej 40 vitesh fikson disa çaste, por fotografia është vetë jeta e tij.

Viti 1982 do të shënonte nisjen e karrierës së tij si fotograf, në laboratorin e Ndërmarrjes Komunale ku punoi për një periudhë pesëvjeçare. Më tej, prej vitit 1987 deri më 1992, ka dhënë kontributin e tij si fotoreporter në një nga revistat më të rëndësishme të propagandës së kohës, revistës “Ylli”. Roland Tasho gjithashtu njihet gjerësisht për arkivin e tij të pasur me fotografi, sidomos gjatë protestave të dhjetorit të vitit ’90, bashkë me ndryshimet politiko-sociale të Shqipërisë në vazhdim.

Ekspozita e Roland Tashos në GAT. Fotot nga Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme