Tri ditë rrugë për fotosesionin 30 minutësh, Korenica sjell Emina Çunmulajn me pamje të re

18 Shtator, 2021 - 11:38 pm

Gjithsej katër foto të shkrepura nën manovrimin e duarve të fotografit Artan Korenica së fundmi kanë gjetur protagonisten e tyre. Modelja shqiptare, Emina Çunmulaj është shndërruar në muzën e momenteve të veçanta që vetëm një nënë mund ti përjetojë e që kësaj radhe këto momente janë shpalosur në një fotosesion të realizuar nga kjo dyshe, shkruan KultPlus.

Ndonëse këto foto vijnë në versionin bardh e zi, është ngjyra e bardhë ajo që kap vëmendjen e shikuesve duke lënë përshtypjen se ndjenjat të cilat përçohen përmes këtyre fotografive janë pikërisht ato të mirësisë, paqes e elegancës.

Modelja Emina Çunmulaj kësaj radhe erdhi në një frymë krejtësisht spontane, nëpërmjet së cilës dallohet dëshira që këto foto të duken sikur janë shkrepur në një kohë relativisht të shkurtër e që në realitet ashtu edhe janë realizuar.

Andaj, për të treguar më shumë rreth realizimit të këtij fotosesioni, për KultPlus foli fotografi Artan Korenica.

“Ideja e këtij fotosesioni ka ardhur gjatë verës ku kemi dashur të realizojmë këtë sesion pikërisht në vendlindjen e Emines por kjo gjë nuk ndodhi për disa arsye. Pastaj, Emina më ftoj në Los Angelos ku edhe e realizuam më në fund’, tregon Korenica.

Sipas tij, e veçanta e këtij sesioni është realizimi i të gjitha fotove për gjithsej 30 minuta në kuadër të një udhëtimi tre ditor.

Ky bashkëpunim i cili nuk vjen për herë të parë duket se ka marrë kaq pak kohë jo vetëm për arsye se dyshja kanë një miqësi të vërtetë por edhe se puna e tyre e veçantë dhe fakti se ata janë në kontakt vazhdimisht, gjithmonë përfundon në një rezultat të tillë të cilën edhe publiku ka mundësi ta shoh e ta admiroj.

Në anën tjetër, Korenica për KultPlus bëri të ditur se ai po planifikon disa projekte në të ardhmen por për momentin ai është fokusuar tek filmi i shkurtër artistik së bashku me ekspozitën, i titulluar ‘Pritja’ e që në fokus ka të pagjeturit e Kosovës.

Ndërkohë, më poshtë gjeni fotografitë në të cilat modelja duket se na dërgon drejt një rrugëtimi të panjohur përmes këtyre fotove të cilat dhurojnë iluzionin se janë porsi një film në lëvizje të vazhdueshme. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme