Tri gra arkitekte bashkohen për ekspozitën e fotografisë, “Poetika e hapësirës”

2 Prill, 2019 - 1:58 pm

Tri arkitekte gra kanë bashkuar forcat për të sjellë një ekspozitë ndryshe këtë javë në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Eliza Hoxha, Zana L. Sokoli dhe Arta Bytyqi do të sjellin ekspozitën fotografike të  titulluar “Poetic of space” apo “Poetika e hapësirës”.

Çfarë përvoja na krijojnë mjediset e ndërtuara arkitektonike? Sa e ndikojnë ato perceptimin dhe formësimin tonë estetik dhe shoqëror? Cilat janë përgjigjet personale dhe emocionale të ndërtesave dhe si vijnë ato në prozë, poezi, këngë apo fotografi?, janë këto pyetjet të cilat do të shpalosin përgjigjet përmes artit të këtyre tri arkitekteve në një natë të përbashkët.

Duke e ditur se hapësirat arkitektonike nuk janë diskurse dhe ato mund të lexohen e përjetohen komplet ndryshe ngase janë shkruar apo ideuar nga 3 arkitekte gra të cilat sjellin imazhe e copëza arkitekture në fotografi nga kontekste të ndryshme të cilat ndonjëherë nuk lexohen çartë se nga vijnë dhe kujt i shërbejnë, porse mund të lexohen nga të tjerët në mënyrë individuale dhe mund të nxisin imagjinatën për mjedise të personalizuara dhe associative.

Kjo ekspozitë  e kuruar nga Eliza Hoxha, zhvillohet në kuadër të European Union Kosovo dhe do të mbahet më datë 5 prill në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, në ora 18:00. / KultPlus.com

Të ngjajshme