займ на карту онлайн потребительский кредит

‘Vajza shqiptare’ e holandezit Jan Frederik Pieter Portielje

18 Dhjetor, 2020 - 2:29 pm

Nuk mund të idealizohej bukuria e femrës shqiptare më përsosmërisht se kaq. Asnjë adhurim hijeshije dhe blatim artistik, nuk mund ta tejkalonte këtë dlirësi hyji të sharmit dhe finesës femërore.

Çdo ëndje rrëmbimi dalldisës e këtij çasti, do të ishte e denjë për këtë kumt shprehës, siç do të ishte e përligjur çdo poetikë këndimi e kësaj përkorjeje.

Tabloja e titulluar, “Vajza shqiptare” (77.5 x 63.5 cm) e piktorit të shquar holandez, Jan Frederik Pieter Portielje, realizuar në vitin 1870, ndoshta është nga më interesantet dhe më përfaqësueset e galerisë së punëve të mjeshtrit të penelit.

Pesha meditative e modeles deshifrohet qartë, në prarimin e tendosur të gjendjes që shkreh në një ansambël komponentësh kumtues artistik. Një droje që nuk e lejon atë të shoh piktorin, ndërsa ai rreket ta nxjerrë nga imagjinata, e bën më mikluese femrën tek ajo, dhe më të përkorë fisniken që mëton kjo shprehshmëri e kulluar estetike.

Impresionuese mbeten gjithashtu ngjyrat e ndezura, karakteristike për punët e piktorit, në të njëjtën kohë evidentim i elementeve të veshjes së gruas shqiptare, gruas së stolisur, gruas që dëshmon saora pragun e një solemniteti, sepse e tillë është gjithçka që tipizon kuadrin.

Tiparet e portretit dhe ato fizike, bashkëshoqërojnë këtë harmoni të përsosur me veshjen, krejt atë sublime që shpreh në vetvete tabloja.

E vendosur në një sfond të errët, çdo element i ngjyrave të ndezura dhe dritës, plazmon duke mos lënë asgjë të hirit të kësaj bukurie të dlirë të shterrojë.“Vajza shqiptare” e holandezit, Jan Frederik Pieter Portielje, është dhe do të mbetet një emblemë e asaj bukurie që e shenjtëron piktura, e përjetëson arti. /albertvataj/ KultPlus.com

Të ngjajshme