“Variacion ngjyrash mbi arkitekturën”, Alketa Tragaj Myshketa hap ekspozitën në Leçe

23 Janar, 2023 - 9:30 pm

Alketa Tragaj Myshketa është artiste e akuarelit, e cila së fundmi ka çelur një ekspozitë në “MUST OFF Gallery”, galeria e Muzeut Historik të Leçes (MUST).

Ekspozita, e cila përmban 30 punime akuareli është titulluar “Variacion ngjyrash mbi arkitekturën”.

Alketa Tragaj Myshketa, është një artiste e gjeneratës së re, nga qyteti i Durrësit, por që ka lidhje shpirtërore me qytetin italian të Leçes, ku edhe ka pikturuar veprat e ekspozuara në këtë ekspozitë.

Ajo tregon se, ka pikturuar dhjetëra ndërtesa, kisha, rrugica, mure e porta, sepse sa herë viziton këtë qytet, merr me vete akuarelet.

Kritika e ka mirëpritur këtë ekspozitë. Ajo çfarë ka goditur më tepër është mënyra se si artistja ka vënë në dukje lojën e dritave dhe hijeve, mbi sipërfaqet e ndërtesave dhe se si ka nxjerrë në plan të parë elementet dekorative të fasadave të mrekullueshme të stilit barok.

Alketa Tragaj Myshketa u diplomua në Universitetin e Arteve, në Tiranë, në vitin 2014. Specializimi i saj në skenografi e ka tërhequr drejt ndërtesave historike të qytetit të pazëvendësueshëm të vendlindjes, Durrësit, si dhe së fundmi drejt Leçes, ku jetojnë familjarë të saj.

Gjendjen e saj emocionale të shkaktuar nga vëzhgimi pasionant mbi arkitekturën, që ka nisur të ndërtohet këtu e rreth 5-së shekuj më parë, e transmeton përmes iluzionit romantik, vizatimit dhe teknikës së akuarelit.

Alketa Tragaj Myshketa, në dukje ka marrë pozicionin e një faktuese të ethshme, për të dëshmuar, jo thjeshtë mbijetesën tredimensionale të ndërtesës, por për të nxjerrë në pah dhjetëra elemente të tjerë, që e lidhin drejtpërdrejtë me artin.

Nga njëra anë, si artiste e penelit, tenton të aplikojë mbi një sipërfaqe dydimensionale ndjesitë e saj të skicimit, për të pasqyruar në mënyrë realiste aftësitë krijuese dhe imazhe të objekteve të arkitekturës. Ndërsa, përmes ngjyrave delikate të akuarelit të japë atmosferën e individualitetit të saj.

Nga ana tjetër, pikturat e arkitekturës si artefakte, në mënyrë të vetëdijshme e ndihmojnë artisten të tërhiqet drejt kulturës dhe traditës së ndërtimit të qytetit. Gjithashtu, ato ndihmojnë, në ditët e sotme në edukimin me njohjen mbi trashëgiminë dhe funksionin e ndërtesave të tilla.

Artistja, në vendin e saj, kthehet në një zë koloristik të gjinisë së pikturës arkitekturore ose të pikturës së arkitekturës.

Në këto arsye piktura e Alketa Tragaj Myshketa, në dukje një ilustrim piktorik mbi ndërtesën historike, kthehet në një qëndrim estetik vetjak, i cili referon pikturimin me ngjyrat e ujit të ndërtesave arkitektonike dhe mjediseve të tjera. Ngjyrat e ujit ose akuarelet janë të dashura e të mahnitshme për delikatësën, transparencën dhe pozitivitetin e tyre.

Artistja ka arritur t’i bëjë për vete, dhe me artin e saj realist dhe stilin figurativ ka hyrë në marrëdhënie me objektet arkitektonike dhe mjediset urbane në natyrën e qytetit italian dhe shqiptar. Ata të vendosur në atmosferën natyrore, i kanë shkaktuar ndjesi emocionale romantike.

Artisja, me 30- të akuarelet e saj të zhanrit të pikturës arkitektonike, ka arritur t`i transmetojë më parë vetes dhe më pas publikut historitë ndërtimore në të shkuarën dhe ekzistencën e natyrës së tyre në të sotmen. Ajo, përmes artit të akuarelit na fal kënaqësi dhe tërheqje të vemendjes ndaj një të shkuare ekspresive e dinjitoze, që jeton me ne. /atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme