“Vizatimet n’ekspozitë”

4 Gusht, 2022 - 9:00 am

Uranik Emini

Një prej gjërave më private që njerëzit zotërojnë janë ditarët. Duke qenë se ato supozohen të shihen vetëm me sytë e autorit, ato përfshijnë të gjithë komponentët që hyjnë në përvojën njerëzore pa përjashtuar asnjë prej tyre. Çdo person ka një metodë të veçantë për mbajtjen e një ditari, regjistrimin e ngjarjeve të tyre të përditshme dhe monitorimin e evolucionit të proceseve të veta të veçanta. Ndonjëherë ditari është në fakt një vepër arti në vetvete. E madje, ndonjëherë tjetër, një ditar mund të vijë edhe në formën e ekspozitës, shkruan KultPlus.

Duke shprehur “përsëritjet” e saj të vazhdueshme, artistja Nurhan Qehaja, së fundmi ka hapur edhe një ekspozitë në “Galerinë e Ministrisë së Kulturës”, me titullin “Vizatimet n’letër”, shkruan KultPlus.

Një mbajtëse e flaktë ditarësh, Nurhan Qehaja është gjithmonë në praninë dhe shoqërinë e një fletoreje dhe stilolapsi. Ditarët e saj pamorë janë përplot me vizatime të shpërndara, por shumë sistematike, të rreshtave dhe frazave. Shenja sporadike dhe impulsive karakterizojnë këtë kanal modest estetik. Me një natyrë intime, ditarët e saj janë produkt i nevojës së saj obsesive për të shënuar kohën, bisedat dhe mendimet. Këta ditarë janë themeli i vizatimeve në letër.

Galeria e Ministrisë së Kulturës hapi dyert që të mirëpres ekspozitën e tyre të radhës, ekspozitë që në thelb të saj përmbante “përsëritjen” dhe vizatimet në letër.

Në një intervistë për KultPlus, Nurhan Qehaja, thotë se përsëritja e gjërave ndodhë në jetën tonë natyrshëm dhe shpesh herë ne nuk e dimë që ajo po ndodhë.

“Përsëritja është gjithçka që ne e bëjmë tërë kohën, ne vazhdimisht i përsërisim gjërat dhe kur këto bëhen bashkë atëherë del gjithmonë diçka. Ndodhë edhe në jetën e përditshme që t’i bësh vit pas viti gjërat e njëjta dhe realisht edhe të mos i vëresh. Përsëritja si imazh në fund del diçka, por edhe si proces më përmbush”.

Vizatimet n’ekspozitë (jo vetëm në letër)

“Kjo është ekspozita ime e parë me vizatime, nuk i kam shfaqur asnjëherë. Kam pasur fotografi, performancë e gjëra të tjera, por jo edhe vizatime. Kjo ka qenë hera e parë që po prezantohem me vizatime. Këto kanë filluar si journals dhe janë bërë më të mëdha. Që kur kam qenë në shkollë të artit kam filluar punën me ditare dhe më pas kam menduar që të bëj diçka më të madhe. Ka qenë një pjesë e imja ku jam ndjerë rahat”.

Hapi i “madh”, një ndër sfidat kryesore

“Më së shumti e vështirë është hapi për me vendosë me e hapë një ekspozitë. Me e marr atë guximin edhe me e shfaq punën tënde përpara publikut”.

Puna mes një kuratore dhe artisteje

“Majlinda, si kuratore, ka vendosur që ta bëjë unë këtë ekspozitë. Nuk mund t’i them kurrë asaj jo pasi jem shumë të afërta. Asaj i besoj artistikisht në çdo aspekt dhe menjëherë si ka thënë ajo e kemi vendosur që ta hapim”.

Në anën tjetër, kuratorja Majlinda Hoxha kishte insistuar që nga momenti kur i kishte parë për herë të parë vizatimet n’letër, që ato të ekspozoheshin një ditë.

“Kam qenë shumë insistuese me i tregu punët e Nurhanit. Ajo ka një çasje shumë intime me këto vizatime, është hera e parë që me këto vizatime tregon produktin final të punës së saj. Vizatimet i ka mbajtur të mbyllura në ditaret e saja, vetëm unë që e njoh për një kohë të gjatë kam mundur t’i shoh dhe në fund kam vendosur që ato t’i shoh edhe publiku. Për mua ka qenë rëndësi që ato të plasohen te publiku ashtu si i shoh unë, e kanë edhe një kontekst shumë të veçantë”.

Puna si një kurator/e

Është pak sfiduese por sipas mendimit tim që nëse je me dikë shumë afër dhe e di praktikën e tij, atëherë nuk është e vështirë me e bo këtë gjë. Në këtë rast ka qenë shumë e lehtë, pasi e njoh atë me vite të tëra dhe e di krijmtarinë e saj thelbësisht. Nuk ka qenë shumë e vështirë me vendosë se qysh çka, por më e vështirë ndoshta ka qenë me e bindë atë me thënë po”.

Hapësira e veçantë

“Galeria e Ministrisë së Kulturës më është dukur si hapësirë e duhur dhe me ka pëlqyer Dhurata dhe mënyra se si po funksionon Galeria, e cila ka kaluar në një formë riformimi. Kur kam filluar që ta mendoj ekspozitën, për menjëherë më ka në mend Galeria”.

Drejtoresha ekzekutive e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, tregon se ideja e Majlindës dhe artistes është pëlqyer nga fillimi.

“Majlinda ka aplikuar me projekt dhe është përzgjedhur vitin e kaluar. Ideja bashkë me autoren janë pëlqyer dhe kemi planifikuar kohën e “Manifestës” që të jetë si hapje dhe munden që të jenë më afër vizitorëve, me kontaktu me ta dhe me pas tjetër dimension”.

Vite të suksesshme

“Ky projekt e ka zbukuar Galerinë. Ky është projekti i tretë në Galerinë, por deri në fund të vitit janë të menduara 5 ekspozita. Mendoj që vitet e fundit janë më të suksesshmet, për shkak të buxhetit e gjërave të tjera. Ne e shohim që është rritur edhe numri i vizitorëve.

Ditaret prej arti shpresh herë quhen edhe si “lojëra shëruese” Diçka jo e përsosur, por e bukur evoluon përmes shumë fotografive që paraqiten sipas dëshirës, me shumë kujdes dhe ndjeshmëri, derisa për të parë një të tillë nga afër, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 20 shtator. /KultPlus.com

Të ngjajshme