Vlerësohen krijimet artistike të nxënësve, frymëzuar nga Muzeu “Shtëpia me gjethe”

24 Maj, 2023 - 5:32 pm

Dje u përmbyll programi edukativ “Mbresa”, në kuadër të të cilit një numër i madh nxënësish sollën krijimet e tyre, në zhanre të ndryshme si piktura, instalacione, ese, poezi dhe dokumentarë të shkurtër.

Këto punime artistike u realizuan pas vizitës në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.  Nxënësit shprehën ndjenjat dhe mendimet e tyre në formën artistike që parapëlqejnë. Më pas u bë një votim i hapur në rrjetet sociale që përfundoi më datën 22 maj.

Projekti “Mbresa” është një konkurs artistik për nxënësit e shkollave të mesme i cili zhvillohet në këto gjini artistike: arte pamore (pikturë, skulpturë, instalacion) si dhe krijim letrar (ese, poezi etj).

Disa nga objektivat e këtij konkursi janë: përfshirja, angazhimi, nxitja e të rinjve për të marrë pjesë në aktivitete krijuese dhe edukuese, njohja e tyre me regjimin komunist shqiptar si dhe njohja me veprimtarinë represive të Sigurimit të Shtetit, reflektimi rreth kësaj të kaluare dhe promovimi i talenteve të reja.

Juria e kryesuar nga Vladimir Myrtezai ka bërë dhe vlerësimin e punimeve më të mira. Krijimet më të mira u vlerësuan me një çmim simbolik si dhe do të bëhen pjesë e një katalogu. Ndërsa krijimi i cili mori më shumë pëlqime në Facebook u vlerësua me çmim të veçantë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme