“Vullkani i Kosovës”, hapet në Tiranë ekspozita në kuadër të 40-vjetorit të demonstratave të Prishtinës

18 Maj, 2021 - 3:20 pm

 “Vullkani i Kosovës” titullohet ekspozita e çelur në Tiranë nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në kuadër të 40-vjetorit të demonstratës së pranverës të vitit 1981 në Prishtinë, të cilësuara si një moment kyç në historinë e Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, tha në hapjen e ekspozitës se “kjo është një ekspozitë shumë e rëndësishme e organizuar nga ASHAK-së e cila vendosi ta sjellë edhe në Tiranë si një mundësi që edhe shqiptarët të kenë një qasje ndaj dokumenteve, gazetave të kohës të një prej momenteve më të rëndësishme të historisë sonë bashkëkohore. Ato rindezën pas aspiratën kombëtare të saj që do të realizohej pas 3 dekadash, Pavarësia e Kosovës”.

I pranishëm në këtë ceremoni çeljeje të ekspozitës, historiani Paskal Milo ndan atë që ndodhte në Tiranën e vitit 1981 lidhur me këtë moment historik.

Prof. Paskal Milo, historian u shpreh se “kam qenë bashkëkohës në Tiranë, pedagog në universitet dhe si ligjërues i historisë së vendeve të Ballkanit, rrjedhimisht edhe historisë së Kosovës. Politikisht në atë kohë, Shqipëria u angazhuara e gjitha dhe kam parasysh si opinionin publik por edhe çdo gjë tjetër, shtypi i kohës por edhe takimeve, mbledhjeve për të shprehur solidaritetin me studentët e Kosovës. Është një ngjarje e madhe në historinë e Kosovës, një pikë kthese. Dhe jo vetëm për të por edhe për ish-Jugosllavinë”.

Prej 11 Marsit ekspozita që u çel në nisje në Prishtinë, nisi të rrugëtojë në disa qytete të Kosovës.

Bedri Zyberaj, Kryeshef i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës tha se “në nisje kjo ekspozitë që shënon këtë jubile u hap pikërisht në mensën e studentëve, aty ku nisi gjithçka më 11 mars të vitit 1981. Protesta e studentëve në nisje kishte karakter më tepër social por ajo brenda pak ditësh u rrit pasi më 26 Mars të po atij viti studentët nga qendra e tyre, dolën rrugëve të Prishtinës dhe ftuan e më pas ju bashkuan një pjesë e mirë e rinisë shkollore të asaj kohe”.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në 20 maj, në hyrjen kryesore të Pazarit të Ri./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme