Xhaketa e Walker, kapela e Albright dhe motoçikleta e Adem Jasharit, pjesë e ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës

14 Shkurt, 2018 - 2:00 pm

Muzeu Kombëtar i Kosovës, për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës do të sjellë një ekspozitë më ndryshe se ekspozitat që vijnë e zënë vend për një periudhe të shkurtër brenda muzeut. Kjo ekspozitë e cila ishte planifikuar të mbahet pikërisht në ditën e Pavarësisë së Kosovës, do të hapet për publikun në një datë tjetër, më 23 Shkurt, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Ekspozita, e cila hap dyert javën tjetër për vizitorët, përmes eksponateve historike e artefakteve arkeologjike do të prek pika të rëndësishme të vendit. Përtej ekspozitës së përhershme, kjo është jo vetëm ftesë për t’u njohur me to, por është një platformë që fton të gjithë për të kontribuar drejt pasurimit të ekspozitës. Tashmë vitrinat e drunjta vetëm kanë nisur të zënë vend në të dy katet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ndërsa mediumet e reja do të jenë vetëm një format tjetër për të prezantuar historinë e rrëfimet e historisë së vendit. E veçanta e kësaj ekspozite është se një kënd i posaçëm do t’u dedikohet fëmijëve, të cilët përveç se do të njoftohen me ekspozitën e Muzeut, po ashtu përmes ekraneve të vendosura do të mund të udhëtojnë virtualisht nëpër lokalitete të rëndësishme të Kosovës.

“Medaljoni i Probit”, është një monedhë e çmueshme që do të prezantohet në Muze, e për të cilën thuhet se janë vetëm dy ekzemplarë të tillë në botë. Ndërsa në këtë ekspozitë do të prezantohet edhe një eksponat që nuk është parë më herët, që është një promenadë që quhet “Vrapuesja e Prizrenit”, origjinali i së cilës ndodhet në Muzeun e Londrës, por që një kopje e tillë në Muze ka ardhur nga ministri Memli Krasniqi. Përveç kësaj, në pjesën e eksponateve do të prezantohen edhe veshjet e personaliteteve të ndryshme që kanë lenë gjurmë në historinë e vendit. Një xhaketë e ambasadorit William Walker, e një kapelë e ish-sekretares amerikane Madeleine Albright, motoçikleta e komandantit legjendar, Adem Jasharit vijnë më afër se kurrë për publikun në këtë ekspozitë.

Këtë ekspozitë të përhershme, drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj e quan ekspozitë bazë, pasi që e ka një strukturë por që do të plotësohet dhe do të zhvillohet edhe më tutje. Ai tha se Muzeu i Kosovës aktualisht nuk posedon materiale, fotografi të cilat mund ta përfaqësojnë plotësisht historinë e vendit. Ai thotë se kanë krijuar platforma dhe hapësira ku këto prurje, dokumente, eksponate, rrëfime të njerëzve, të qytetarëve dhe komunitetit shkencor, akademisë apo donatorëve të ndryshëm mund të prezantohen në Muzeun e Kosovës. Kjo veçmas do të jetë në pavijonin e historisë ku një hapësirë u dedikohet prezantimit të imazheve të fotografive kryesisht të periudhës së eksodit dhe jo vetëm, një pjesë e tyre do të mbeten në koleksionin e muzeut dhe këto arazhmane krijohen me emrat e autorëve.

“Pavijoni i historisë do të jetë një laborator i historisë për prurjet e njerëzve, institucioneve, dhe dokumenteve që vijnë. Qasja jonë është pak më e re se sa që jemi mësuar ta shohim në muze, nuk do të ketë rrëfim statik që do të përshkruaj periudha të ndryshme historike por do të jetë një platformë ku eksponatet e muzeut dhe prurjet e qytetarëve dhe donatorëve do të gjejnë vendin e vet”, tha Boshtrakaj për KultPlus.

Boshtrakaj tha se për Muzeun e Kosovës është shumë e rëndësishme që dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës ta festojmë me një aktivitet që vitin 2018 e shënon me një konsolidim të institucioneve dhe rrëfimeve, bëhet fjalë jo vetëm që simbolikisht të festohet 17 shkurti por për të shënuar edhe vitin 2018 dhe që kujtesën tonë të fragmentuar ta përmbledhim dhe ta bëjmë pjesë të muzeut. Sipas tij këto rrëfime do të ndahen me publikun dhe gjeneratën e re dhe të përfitojmë interpretime dhe perspektiva të reja.

Për ta sjellë të tërë këtë ekspozitë kanë kontribuar një numër i madh bashkëpunëtoresh si nga jashtë dhe brenda muzeut, ndërsa për të hartuar konceptin e kësaj ekspozitë, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka themeluar një grup punues të udhëhequr nga Edi Shukriu, i përbërë nga arkitektë, arkeolog, etnolog dhe artistë që kanë dhënë kontribut në bazë të fushës së tyre.
“Dua ta falënderoj komisionin e hartuar prej Ministrisë pasi që e kanë shtyrë këtë proces përpara sepse kanë qenë ndihmesë e madhe që ky projekt i ri të hyj në agjendën e prioriteteve të Ministrisë”, u shpreh drejtori Boshtrakaj për KultPlus. Për t’u njoftuar me gjithë këtë punë që po vazhdon të bëhet në Muzeun Kombëtar të Kosovës, dyert e këtij institucioni do të hapen për të gjithë vizitorët me 23 Shkurt./KultPlus.com

Të ngjajshme