Xhubleta – Entropia

20 Shtator, 2021 - 11:16 am

Nga: Milot Gusia, Kritik i Artit

Artisti bashkëkohor Shkodran, Fatmir Juka përmes një tërësie punimesh zbërthen në formë artistike dhe filozofike por edhe kozmologjike njërën nga veshjet më të vjetra tradicionale – Xhubletën.

Është e vërtetë se nga e gjithë trashëgimia kulturore vendore, ajo etnografike është më e drejtpërdrejtë dhe e ruajtur nga modifikimi i kohës. Duke tentuar ti zbërthejë në formë analitike elementet përbërëse simbolike të xhubletës, artisti tenton të sjellë në jetë filozofinë e të mësuarit nga Leonardo Da Vinçi, pra ai nuk mëson për të vizatuar, por vizaton për të mësuar. Duke shfrytëzuar pikturimin analitik, artisti tenton të mësojë më shumë për misterin e kësaj veshje të lashtë.

Juka si një specialist i kulturës në bashkinë e qytetit të Shkodrës, si dhe si specialist dhe më pas drejtues i muzeut historik dhe nga viti 2018 edhe drejtor i Galerisë së Arteve në Shkodër ka qenë gjithmonë i pasionuar ndaj traditës së veshjeve tradicionale e veçanërisht ndaj Xhubletës, të cilës artisti Juka ja dedikoi një cikël me mbi 50 tablo që nga viti 2010.

Xhubleta, një veshje karakteristike e Malësisë së Madhe dhe Dukagjinit, karakteristike e grave të Kelmendit, që u bart edhe në Rugovë, Mal të Zi dhe Shkodër, është njëri nga kostumet më të rëndësishme të Ballkanit. Rëndësia e saj përkon me vjetërsinë e saj të madhe, që ishte në fokus të artistëve dhe studiuesve tjerë të shumtë.

Xhubleta është punuar nga shajaku (zhguni) në katër liq, dhe e dekoruar me fije spiku të zi. Ajo ka formë kambane të valëzuar, me një prerje shumë të ndërlikuar. Ajo kërkonte mjeshtri të madhe për ta qepur që të marrë formën karakteristike.

Ka një gjatësi deri në gju, dhe ka pjesët tjera përbërëse si: një këmishë të shkurtër (si bluzë) pastaj një mitan me mëngë të gjata dhe mbi të xhokën (kraholin) e shkurtër prej shajaku të zi, me thake të gjatë që bien mbi supe. Përpara vendosej një përparëse e madhe (paraniku) në formë trapeze, më thake ngjyrë vjollce anash kurse nga mbrapa vendosej një tjetër e ngjashme (prapaniku) më e shkurtër. Duhet theksuar se si paraniku dhe prapaniku janë gjithnjë të qëndisura me motive tepër interesante.

Misteri më i madh i xhubletës mbeten simbolet e shumta që janë të jashtëzakonshme dhe që nuk gjinden në pothuaj asnjë veshje tjetër tradicionale. Xhubleta u punua dhe u përdor deri në vitet e 60-ta të shekullit njëzet, kur dhe u ndalua nga regjimi komunist si një veshje e prapambetur, dhe kështu në emër të modernizmit përdorimi i saj u ndalua. Përdorimi dhe punimi i xhubletës u ndërpre nga viti 1970, dhe që atëherë nuk prodhohet më.

“Anija” – Fatmir Juka

Artisti bën një paralele në mes të Xhubletës dhe Entropisë, apo numrit të formave si një sistem mund të ri aranzhohet dhe të arrijë rezultate të njëjta, që nënkupton si kaosi i organizimit të parregullt i elementeve (shenjave, totemeve, miteve dhe ritualeve) në xhubletë korrespondon me vetë rregullin e universit.

Artistin në hulumtimet e tij vizuale poashtu e preokupojnë si këto shenja të realizuara me fije shumëngjyrëshe funksionojnë qartë brenda një prapavije të errët të xhubletës. Kjo sipas tij ka një ngjashmëri me vet rrugën e qumështit brenda Universit të zi apo

me vet dritën që krijon jetë brenda kamerës së errët të fotografisë. Këtë analogji të dritës në prapavijë të zezë, artisti e trajton si një simbol të jetës që ringritët. Këtë analogji artisti e sjell edhe në nivelin e universit. Nëse pyesim veten përse është universi i errët? Qielli është përplot me yje të panumërta, të cilat janë pothuaj të gjitha të ndritshme po aq sa dhe dielli. Prandaj, pa marrë parasysh se në çfarë drejtimi do të shikonim në qiell natën, ne do të shihnim një yll apo një galaksi. Prandaj, i gjithë qielli natën do të duhej të dukej i ndritshëm si dielli. Por, a do të thotë se errësira e qiellit nënkupton se ekziston një distancë e caktuar kur galaksitë dhe yjet përfundojnë? Një kufi në mes të diçkajes dhe hiçit? Apo fundit të universit? Por kjo nuk është e saktë. Të gjitha hulumtimet shkencore tregojnë se gjithësia nuk ka kufi, por vetë universi po, jo si një kufi hapësinor por si një kufi temporal. Për sa dimë, universi ka një fillim prej rreth 13,7 miliardë vitesh, kur ishte tepër i vogël dhe i dendur, dhe kur nocioni i kohës dhe hapësirës nuk mund të aplikohej. Pasi që vetëm një pjesë e caktuar e kohës ka kaluar nga i ashtuquajturi fillim, kjo do të thotë se disa nga yjet e nevojshme për të mbushur dritësinë në çdo drejtim janë aq larg saqë drita nga ato akoma nuk ka pasur kohë që të arrijë tek ne. Pasi që dritës i duhet kohë për të udhëtuar përgjatë universit, kur ne shikojmë një dritë, në të vërtetë ne po shohim atë pjesë të universit ashtu si ishte në kohën kur drita ishte emetuar.

Por, arsyeja e vërtetë është se yjet janë duke u larguar derisa Gjithësia është duke u zgjeruar, prandaj në pjesët e jashtme të Gjithësisë shpejtësia e largimit të yjeve bëhet akoma më e madhe, derisa nuk i shohim më, së paku jo me anë të syrit tonë. Po të jetonim në një univers fiks, të pandryshueshëm, i gjithë qielli do të ishte i ndritshëm sa dhe dielli. Por universi na paraqitet i errët, sepse kishte një fillim prandaj nuk ka yje në çdo drejtim, dhe më e rëndësishmja, sepse drita nga yjet super të largët bëhet i kuq dhe largohet nga spektri vizual përmes përhapjes apo zgjerimit të Universit. Nga kjo analogji e dritës mbi sfondin e errët, artisti vjen në konkluzion se errësira nuk është faza përmbyllëse por përhapëse e jetës, dhe e zeza nuk është vula e misterit, por pragu i të vërtetës. Për artistin e zeza nuk është fundi por fillimi i diçkaje, ashtu si tek xhubleta, ku e zeza është vetëm baza mbi të cilën ndërthuren elementet kreative të artistit popullor.

“Space Shift”-Fatmir Juka
“Barra e druve” – Fatmir Juka
“Zogu i Jetës”-Fatmir Juka

Info Rreth Xhubletës

Xhubleta përbëhej prej rripash të ngushtë e copash shajaku, me një prerje shumë të ndërlikuar. Ajo kërkonte mjeshtri të madhe për ta qepur që të marrë formën karakteristike. Në pjesën e sipërme, për të mbuluar gjoksin, gruaja vinte grykën ose vishte një kemishë të shkurtër (si bluzë) pastaj një mitan me mëngë të gjata dhe mbi të xhokën (kraholin) e shkurtër prej shajaku të zi, me thake të gjatë që bien mbi supe. Një përparëse e madhe (paraniku) në formë trapeze, më thake ngjyrë vjollce anash kurse nga mbrapa vendosej një tjetër e ngjashme (prapaniku) më e shkurtër. Duhet theksuar se si paraniku dhe prapaniku janë gjithnjë të qëndisura me motive tepër interesante që të kujtojnë simbolikën e nenës tokë. Ne brez mbërthehej një rrip prej lëkure rreth 8 cm i gjerë, në të cilin varej pafta e varesë tre unazore prej bronzi, për të varur stolitë e brezit. Ne këmbë gruaja mbathte çorape leshi të gjata të zeza dhe këpuce (opinge) prej lëkure, ndërsa koka mbulohej me një shami ngjyrë të errët me thake që lëshohej mbi supe. (Muzeu Historik Shkodër) / KultPlus.com

Të ngjajshme