Zbulohen letra drithëruese të fëmijëve në kampet naziste të përqendrimit drejtuar nënave

27 Shtator, 2021 - 7:58 pm

Letrat e dërguara nga fëmijët e burgosur në kampin nazist të përqendrimit, të cilët vinin nga getoja e Litzmannstadt, u zbuluan nga studiuesit e Muzeut Polak të Fëmijëve – Viktima të Totalitarizmit.

Letrat japin një pasqyrë tronditëse mbi vuajtjet që pësuan fëmijët në geto, e cila ndodhej në qytetin e atëhershëm të pushtuar nga Gjermania, Lodz.

“Disa ditë më parë, ndërsa po shqyrtonim koleksionet private, zbuluam tetë letra origjinale të dërguara në kampin nazist të Litzmannstadt”, theksoi Ireneusz Maj, drejtor i Muzeut të Fëmijëve Polakë – Viktima të Totalitarizmit, transmeton KultPlus.

”Ato u shkruan nga fëmijët polakë në 1944 dhe iu drejtoheshin të dashurve të tyre”, thanë studiuesit e muzeut.

“Është një zbulim unik, sepse ka vetëm një duzinë letrash të tilla nga ky kamp”, vuri në dukje ai, duke shtuar se ato ishin shkruar nga të burgosurit më të rinj të Rajhut të Tretë. Për momentin dokumentet janë duke u shqyrtuar dhe po ruhen dhe restaurohen.

Në fragmentet e letrave pjesërisht të dëmtuara të fëmijëve të burgosur drejtuar prindërve të tyre, të cilët gjithashtu ishin shpesh në kampet e përqendrimit gjerman, gjejmë fjali të tilla si “unë dua sapun dhe një lugë sepse nuk kam asgjë për të ngrënë” apo ”nënë, më bëj 20 petulla”.

“Këto letra janë për ne një formë e veçantë dhe intime e kontaktit me përvojat e këtyre fëmijëve, përvoja vërtet tragjike”, vuri në dukje historiani Andrzej Janicki.

Ekspozita e letrave dhe dokumenteve të tjera nga kampi do të dalin në dritë në dhjetor të këtij viti, në Qendrën Kulturore Lodz.

Kampi, i themeluar në mesin e vitit 1942, ishte vendi ku pushtuesit nazistë gjermanë arrestuan hebrenjtë para se të transportoheshin në kampet e shfarosjes. Në kampin e fëmijëve, të burgosurit ishin të moshës nga disa muaj deri në 16 vjeç.

Disa prej tyre u dërguan në kamp për krime të tilla si vjedhje të vogla dhe lypje.

Fëmijët u mbajtën në kushte primitive, u përdorën si skllevër dhe gjithashtu u rrahën, u torturuan dhe vdiqën nga uria.

Të dhëna të ndryshme tregojnë se rreth 3 000-4 000 fëmijë u burgosën atje dhe disa qindra vdiqën.

Kur përfundoi pushtimi nazist gjerman i Lodzit, kishte mbi 800 të burgosur të mitur në kamp. / KultPlus.com

Të ngjajshme