Zbulohet emri i vërtetë i artistit Banksy?

21 Nëntor, 2023 - 11:15 pm

Artisti i famshëm i grafiteve me bazë në Bristol, Banksy, me sa duket zbuloi emrin e tij të vërtetë në një intervistë të sapo zbuluar nga viti 2003.

Intervista – e cila nuk u publikua kurrë deri më tani – po shpërndahet për herë të parë si pjesë e një episodi special që transmetohet për The Banksy Story të BBC Radio 4, transmeton Klan Kosova.

Artisti i famshëm – i cili për dekada ka mbetur anonim – foli me ish-korrespondentin e Arteve të BBC-së, Nigel Wrench, për të shënuar hapjen e shfaqjes së Banksy-t në vitin 2003 në Turf War në lindje të Londrës.

Wrench pyeti nëse ai mund të përdorte emrin e vërtetë të Banksy në intervistë, duke cituar se gazeta The Independent e kishte përdorur tashmë atë në të kaluarën, duke i kërkuar artistit të konfirmonte nëse emri i tij ishte Robert Banks.

“Është Robbie”, sqaroi Banksy.

Një nga artistët më të famshëm të shekullit tonë u bë i njohur përmes një sërë grafitesh që u shfaqën në ndërtesa anembanë Anglisë, të shënuara nga temat e tyre satirike.

Ai gjithmonë ka zgjedhur ta mbajë të panjohur identitetin e tij, një mënyrë për ta lejuar atë të vazhdojë artin e tij pa kufizimet e famës. Është një anonimitet që shërben edhe si mjet mbrojtjeje nga ndjekja e policisë.

Ka pasur shumë spekulime gjatë viteve se kush mund të jetë artisti i rrugës. Teoritë janë të shumta, por disa prej tyre duken më të besueshme se të tjerat./klankosova/KultPlus.com

Të ngjajshme