Zbulohet një copëz nga pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias

5 Prill, 2022 - 1:04 pm

Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit.

Në një atmosferë miqësore, mes artistësh e gazetarësh, kuratorja Adela Demetja ndau konceptin e saj kuratorial për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë Bienale.

Nga ana e saj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u ndal te rëndësia e këtij aktiviteti artistik të zhvilluar mbrëmë, ku u zbulua një copëz nga pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias, përfaqësuar nga artistja Lumturi Blloshmi, nën titullin “Nga e para”.

“Në një atmosferë miqësore, mes artistësh e gazetarësh, kuratorja Adela Demetja ndau konceptin e saj kuratorial për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë arenë ndërkombëtare të artit pamor: arkivën digjitale të artistes dhe një sekuencë nga filmi dokumentar eksperimental, që hedh dritë mbi botën e Lumes, që pak e njohën”, tha Margariti.

Piktorja e njohur Lumturi Blloshmi u nda nga jeta nga jeta si pasojë e COVID-19, në 27 nëntor 2020.

Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Turqi).

Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hagë, New York etj. Gjithashtu, Blloshmi ka fituar konkursin ndërkombëtar  “Onufri ’94”. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës dhe Korçë./atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme