‘Të dua sa Kosovën’ nga Minatori (VIDEO)

Sonte më shumë se kurrë duhet ta kujtojmë këngën ‘Të dua sa Kosovën’.

Grupi Minatori vite më parë e ka krijuar një hit që sonte bëhet më aktual kur Kosova e Shqipëria bashkohen edhe në lojë futbolli.

https://www.youtube.com/watch?v=e_wQN5SAME4

Këngën më pas e kanë sjellë edhe në versione tjera, por asnjëherë si Minatori.

Sentimenti shqiptar gjithmonë forcohet kur dëgjohet kjo këngën e grupit të njohur, e ne sonte po e sjellim me shkas fitoren e Kosovës në ndeshjen vëllazërore me Shqipërinë, në futboll. / KultPlus.com

Kopjim, kopjim, kopjim…shumë maturantë kopjues në rajonin e Prishtinës

4369 maturantë të rajonit të Prishtinës i janë nënshtruar testit të maturës këtë të martë, raporton KTV.

M këtë rast, 3 prej tyre janë përjashtuar, pasi janë zënë duke kopjuar. Këto janë raportimet e para për përjashtime, pasi që shifrat e sakta, sipas Fatos Osmanit, zyrtar i lartë për arsim në Komunën e Prishtinës, do të dihen të mërkurën.

Nxënësit e përjashtuar janë zënë duke kopjuar me telefon celular. Disa prej testeve edhe janë publikuar nëpër rrjete sociale. Megjithëkëtë, Ministria e Arsimit insiston se testet që po qarkullojnë, nuk janë të njëjta me ato të ditës së testimit.

MASHT-i ka bërë apel te të gjithë nxënësit, që të mos bien pre e “keqpërdoruesve, të cilët pretendojnë se e kanë publikuar testin për ditën e dytë në rrjete sociale”.

Sivjet, testi i maturës është i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e dytë pyetjet do të jenë varësisht nga profili i shkollimit të nxënësve.

Qyteti i lënë varur, Beogradi i Ri

Beogradi i Ri – pjesa tjetër e qytetit serb, ende quhet si qyteti i lënë pezull. Një qytet ku shumëçka është lënë pezull, nisur prej ndërtesave, identitetit, ndërtimeve tjera, lokacioneve, pjesës industriale.

Hapja e Muzeut të Artit Bashkëkohor ka mbetur në gjysmë, njëjtë sikur edhe Hotel Jugosllavia. Calvert Journal – një gazetë e njohur online, shkruan për Beogradin e Ri – këtë pjesë të qytetit në anën tjetër të Danubit, si një vend të bukur por edhe me arkitekturë brutaliste e disi ‘të lënë varur’.

Tensioni në mes të privates dhe publikes është elementi kryesor që e definon kualitetin e hapësirës urbane të Beogradit të Ri, një tenstion ky mes rretheve horizontale dhe drejtkëndëshave vertical.
Rreth 212 mijë banorë janë pjesë e Beogradit të Ri.

Janë gjithsej 72 blloka ndërtesash që quhen ‘blokovi’. Përgjatë viteve secili është zhvilluar në një lagje të vecantë, me mentalitet të vecantë dhe me ndjenjë të ndryshme të përkatësisë. Secili ‘blok’ është ndërtuar në formë të veçantë.


Calvert Journal shkruan edhe për një tjetër element të lënë varur, të suspenduar, të kësaj pjese – Komunitetin ROM.
Vite më parë ata erdhën të jetonin poshtë urës Gizela, në qendër të Beogradit të Ri. Rigjenerimi urban me kohë ata i ka larguar drejt lokacioneve më pak të dalluara, drejt periferisë.

Në këtë pjesë të Beogradit jetojnë kryesisht serbët dhe romët, dhe rreth 200 shqiptarë, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011-të. Sllovenët, bullgarët, sllovakët e hungarezët poashtu kanë gjetur jetesë në këtë pjesë, në shifra të ndryshme. / KultPlus.com

Dua Lipa merr një tjetër nominim të rëndësishëm

Dua Lipa është nominuar për një tjetër çmim të rëndësishëm në karrierën e saj.

Bëhet fjalë për një nominim në The South Bank Sky Arts Awards.

Dua vetë e ka treguar këtë nominim në Twitter ku ka treguar se është e lumtur për këtë fakt, shkruan KultPlus.

Ceremonia prestigjioze nderon personazhe në rreth 16 kategori, përfshirë muzikën, librin, dramën, teatrin e artet vizuale.

Në kategorinë e filmave, shembull, janë nominuar “Dunkirk”, “Lady Macbeth” dhe “Paddington 2”.

Çmimet do të ndahen në Londër me datë 1 korrik. / KultPlus.com

Në Beograd do të ekspozohet dhimbja nga lufta në Kosovë

Willem Poelstra ka ekspozuar në Prishtinë hulumtimin e tij mbi luftën.

Një ekspozitë në Beograd do të dërgojë historitë e dhimbshme shqiptare drejt Serbisë. Poelstra nuk ia ka frikën sensitivitetit të fotografive.

Poelstra është një fotograf dokumentar nga Holanda. Fotografitë e tij nga data 25 qershor do të ekspozohen në Parobrod në Beograd, ndërsa tregojnë dhimbjen e shqiptarëve në luftën e fundit ku Serbia masakroi e vrau mijëra kosovarë, shkruan KultPlus.

Vitin e kaluar ai hapi ekspozitën dhe një botim të titulluar ‘For Hanna, Future Stories from the Past’. Pikërisht para Parlamentit të Kosovës këto fotografi zunë vendin dhe emocionin e tyre.

Ai ka fotografuar shtëpi të shkatërruara, të shpëtuar nga lufta, monumente, objekte.

“Gjeneratat e vjetra nuk pres që do të vijnë e ta shohin ekspozitën. Dua që të rinjtë ta shohin historinë dhe ekspozitën në Beograd” thotë fotografi Willem Poelstra që historinë e Kosovës e ka shumë për zemër.
Disa ditë para ekspozitës, një punëtori me disa fotografë nga Kosova e Serbia do të mbahet në Parobrod – galerinë ku do të hapet më pas ekspozita në fjalë. / KultPlus.com

Gardërobë

Wislawa Szymborska, përkthyer nga Elida Buçpapaj

Zhvesh, zhveshim, zhvishni
kapotat, xhaketat, zhiletë, këmishat
e leshta, të pambukta, terital,
fundet, çorapet, mestet, nënveshjet,

duke pozuar, duke i varur, duke i hedhur
mbi mbështetëset e karrikeve, cepat e kanateve;
tash për tash, thotë mjeku, asgjë serioze,
rivishesh, pushon, bën një udhëtim,
sipas rastit, pas drekës, në mbrëmje,

kthehesh pas tre muajsh, gjashtë, një viti,
e shikon, e ti mendoje, e ne druheshim,
e ju hamendësonit, e ai dyshonte;
është tani ora të lidhësh me duar të dridhura
toja, kopsa, mbërthecka, katrama,
rripa, butone, kravata, jakë
dhe nga kuleta, çanta, xhepat të nxjerrësh
– zhubravitur, palosur, me vija, me lule, me katrore – shallin
e ripërdorshëm në afat të zgjatur.

Alban Muja, pjesë e ekspozitës ‘Stranger Than Paradise’ në Pragë

‘Stranger than Paradise’ – apo më e çuditshme se parajsa.

Ky është emri i ekspozitës ku do të marrë pjesë mes artistëve tjerë edhe Alban Muja, artisti i njohur kosovar.

Sado që ekspozita sjellë artistë nga Ballkani, ajo tenton të mos quhet si e tillë – si ekspozitë nga Ballkani, pasi plot të tilla ka pasur që nga fundi i viteve 90-të.

Ekspozita do të hapet me 9 qershor në Pragë.

Tevž Logar dhe Eva Riebová si kuratorë të ekspozitës kanë zgjedhur artistë të ndryshëm për këtë ekspozitë. Jasmina Cibic – artiste e njohur nga Sllovenia, Alban Muja – një prej artistëve më të mirë që ka Kosova, Pavel Brăila, Lana Čmajčanin, Tomislav Gotovac, Vlado Martek, Tanja Ostojić dhe Mark Požlep do të paraqesin projektet e tyre artistike në këtë ekspozitë, shkruan KultPlus.

Muja do të prezantohet në ekspozitë me punën ‘Tonys’ të vitit 2010. Nëntë fëmijë shqiptarë janë emëruar dikur me emrin Tony Blair, duke nderuar personin që ndihmoi shqiptarët e Kosovës të dalin nga lufta e vitit 1999. Të gjithë TonyBlair janë lindur në vitin 1999, pasi Kosova u çlirua.

Mosha të ndryshme brenda ekspozitës, e përbashkëta e punëve është vendimi i artistëve për të ekspozuar deklaratat e tyre shumë intime e personale si pjesë e kushteve të ndryshme specifike sociale, politike e ekonomike. Këto janë vendime radikale por të sinqerta që nuk tolerojnë kompromis.

Ekspozita ‘Stranger than Paradise’ do të qëndrojë e hapur në MeetFactory deri në muajin shtator. / KultPlus.com

Ansambli i Egjiptit, sjell folklorin plot ngjyra në kalldrëmin e Gjirokastrës (FOTO)

Një atmosferë festive u krijua fundjavën që lamë pas përmes shfaqjes kulturore, që mblodhi qindra vizitorë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Pjesë e kësaj shfaqje ishin rreth 30 artistë të Ansamblit Kombëtar të Egjiptit dhe Ansamblit “Lunxhëria”, të Gjirokastrës, të cilët sollën një atmosferë të ngrohtë dhe festive në “Qafën e Pazarit”.

I cilësuar si takimi i dy kulturave, kjo shfaqje çeli siparin e një sërë aktiviteteve kulturore, që “TID”, një organizatë lokale në Gjirokastër do të sjellë përgjatë të gjithë sezonit turistik në qytetin e gurtë.

Këngë dhe valle egjiptiane, si dhe polifonia dhe vallet popullore të Jugut të interpretuara nga artistët, si dhe veshjet tradicionale egjiptiane me një larmi ngjyrash mahnitën turistët dhe vizitorët që ndodheshin në Gjirokastër, duke iu bashkuar festës.

Gjirokastra, qyteti i gurtë, është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005. Gjirokastra zgjon gjithnjë e më shumë interesin e turistëve të huaj për ta vizituar pasi ka vlera historike, arkitektonike dhe kulturore./ata

Sot mbahet ceremonia finale e çmimeve të Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana 2018”

Sot më 28 maj do të mbahet ceremonia finale e çmimeve të Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana 2018”, në Parkun Rinia në qendër të Tiranës, shkruan KultPlus.

Në këtë ceremoni do të ndahen çmimet për nxënësit më të talentuar në gjininë e letërsisë të Gjimnazeve të Tiranës.

Ky event është i organizuar nga Instituti i Librit dhe i promocionit dhe Bashkia Tiranë. Ceremonia do të filloj sot nga ora 18:00 në Parkun Rinia në Tiranë./ KultPlus.com

Hapet “ReMusica”, Petrit Çeku e Marc Bouchkov me komunikim e përjetim të veçantë muzikor

Gili Hoxhaj

Festivali Ndërkombëtar “ReMusica” mbrëmë shënoi hapjen e edicionit të 17-të, duke lënë pas vetes një sërë edicionesh të gërshetimit muzikor mes epokash. Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare ishte bërë adresa e hapjes së këtij edicioni. S’u desh edhe shumë kohë që ulëset në çdo pjesë të sallës të mbusheshin, madje organizatorët nuk e filluan hapjen pa i bërë vendin secilit në sallë.

Llogoja e Festivalit e vendosur në skenë krijonte një skenografi më ndryshe e më të zgjedhur. Nga prapaskena vijnë dy instrumentistë virtuoz, që përmes tingujve të tyre kanë lënë jehonë ndjesish në skena të vendeve të ndryshme. Kitaristi i mirënjohur nga Kosova, Petrit Çeku e violinisti belg Marc Bouchkov që nga dalja në skenë priten me plot duartrokitje. Çeku zë vend në ulësen në skenë e mbështet duart në kitarë, Bochkov pranë tij e në këmbë bën gati harkun e violinën.

“Cantabile” e Niccolo Paganinit ishte vepra e parë që e hapi mbrëmjen. Një vepër që vjen përmes melodisë së lehtë e lojës tejet seksuale. Kjo duo solli veprën e një nga kompozitorët, violinistët e kitaristët më virtuoz të kohës. Çeku gjatë ditës së djeshme citoi këtë kompozitor lidhur me raportin e tij me këto dy instrumente. “Ai zakonisht ka thënë që ai është “Zot” i violinës, por që kitara është “Zot” i tij”, ka thënë Çeku.

Me vallet romune vazhdoi rrugëtimi muzikor përmes dy harkorëve. Mes trajtash të ndryshme melodish që ngërthen kjo vepër, ata mbajtën publikun gati se pa frymë e të fokusuar në mjeshtërinë e tyre artistike. Vepra e Bela Bartok bazohet në shtatë meloditë rumune nga Transilvania. Emri origjinal i kësaj vepre fillimisht u titullua “Vallet Folklorike Rumune nga Hungaria” (Magyarországi román népi táncok) por u ndryshua më vonë nga Bartók, kur Rumania aneksoi Transilvaninë në vitet 1918-1920.

Çeku u kthye përsëri në skenë, e kësaj here Bochkov qëndronte i ulur dhe duke e përcjellë pa violinë lojën e tij. “Kënga labe” e kompozitorit nga Kosova, Rafet Rudit filloi ciklin e veprave shqiptare që erdhën të interpretuara mbrëmë. “Ta dish” dhe “Njëzet e pesë gërsheta”, janë këto vepra të rëndësishme shqiptare që janë aranzhuar nga Rudi. Këto vepra ishin shkruar gjatë viteve të 90’ta për kitaristin Ehat Muso, e Çeku ishte shumë i emocionuar që t’i sillte për herë të parë para publikut mbrëmë.

Vepra e kompozitorit francez, Jules Messenet që i përket kohës së Romantizmit zuri vend në repertorin e mbrëmshëm. “Meditation” nga opera “Thais”, u shfaq fillimisht në Opéra Garnier në Paris më 16 mars 1894. Kjo vepër ndër vite është luajtur nga instrumentistë të klasit botëror, të cilën e kanë interpretuar atë si solistë me orchestra të mëdha në gjithë botën. Me vepra të njohura e historike të Astor Pizzolla që tregojnë historinë e tangos ndër vite dhe vendodhjen e saj që nga kafenetë e deri në sallat e mëdha të festivaleve.

Emri i kitaristit Petrit Çeku përbën një nga emrat që përmes veçantisë së tij artistike ka lenë gjurmë në skenat e ndryshme të botës. Paraqitja e tij përfshin recitale solistike në mbarë Evropën dhe Amerikën Veriore dhe koncerte nënë përcjelljen e orkestrave simfonike të ndryshme.
Një përjetim personal, ai e sillte në çdo tingull. Herë me sytë e ulur poshtë kitarës e herë drejt publikut, ai solli një lojë delikate që jo shpesh dëgjohet. Përmes tij, e violinistit erdhi një lojë e kompletuar mes dy instrumentesh. Tingujt plotësonin njëri-tjetrin në çdo prekje e lëvizje të duarve të tyre. Muzika dukej sikur prehej në një frymëmarrje paqeje, nën këtë frymëmarrje tingujt ndonjëherë dukej sikur depërtonin më thellë.

Çeku dje u shpreh se është një ndjenjë krejtësisht tjetër kur luan në vendin ku është rritur, pranë njerëzve të cilët i njeh dhe e njohin për së afërmi.
“Në raport me publikun në përgjithësi është një moment i njoftimit dhe mandej i rinjoftimit kur njihemi dhe flasim. Këtë e përmendi shpesh, shumica e koncerteve janë në një vend ku nuk kam qenë më herët, dmth jam aty për herë të parë, pra nuk e njoh as publikun dhe mendimi i parë kur dal në skenë është “Unë jam Petriti dhe kështu luaj në skenë”, kjo nuk është e nevojshme për Prishtinën, kjo pasi që shumica e publikut më njeh”, tregoi Çeku i cili tha se është i kënaqur që bëri hapjen e “ReMusica”, të cilën e quajti si “Vitaminë C” për skenën kulturore.

Mjeshtëria e violinistit belg Marc Bouchkovit nxitet nga të shprehurit. Ai beson fort se muzika në violinë përveç se lidhet me njohurinë e thellë të pjesës që luan, përmbajtjen historike dhe interpretimin e mirëfilltë po edhe me besimin e tij se perforamnca është një mënyrë e komunikimit të drejtpërdrejtë me dëgjuesit. Ata që e kanë dëgjuar violinistin Bouchkovit, do ta mbajnë mend si një nga violinistet që sjellë zbërthim emocionesh, e lojë elegante në skenë. Edhe kur duart i largonte nga violina, ajo rrinte e mbështetur në krahun e tij të majtë. Komunikimi i veçantë mes kitaristit Çeku, e violinistit Bouchkovit tashmë ishte dëshmuar edhe në skena të tjera, por për Bouchkovit kjo ishte hera e parë e interpretimit në Prishtinë.

“Ka shumë pyetje por të gjitha pyetjet të dërgojnë tek një përgjigje: e natyrshme dhe e mrekullueshme. Me Petritin ka qenë gjithnjë kështu, që nga fillimi kur e kam dëgjuar Petritin dhe qëndroja përkrah tij, kam thënë “Zoti im, kush është ky muzikant dhe çfarë bën”. Është një komunikim për shkak se jam munduar t’i përgjigjem mënyrës se si ai luan dhe ndihem shumë rehat”, u shpreh Bouchkovit.

Bouchkovit tregoi edhe për emocionet e tij të para, para se të vij në Prishtinë. Ai tha se ka ndjerë një komunikim të rrallë edhe me publikun që e përcillte me emocion dhe me përkushtim.
“Unë ndihem sikur Petritin e kam pjesë të familjes në muzikë dhe kur ai më ftoi që të vij këtu e shikova agjendën dhe i thash “po” menjëherë. E kam ndjerë këtë energji edhe disa ditë para se të vija në skenë. Jam ndjerë që shumë rehat këtu, njerëzit dukeshin të interesuar dhe shumë të bukur, fytyrat e publikut ishin të mbushura me emocion dhe kjo më përmbushte”, u shpreh tutje Bouchkovit.
Sonte do të vazhdoj nata e dytë e Festivalit “ReMusica”, e cila para publikut të Prishtinës do të sjellë ansamblin “proModern” të cilët vijnë nga Polonia dhe vijnë me një projekt të quajtur “Shakespired”, me të cilin kanë fituar mjaft çmime në Poloni. Koncerti fillon nga ora 20:00, në Amftiatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Dua Lipa hap ceremoninë e finales së Champions League (VIDEO)

Reshitaj nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Akademinë Kulturore Evropiane

Pjesëmarrjen e saj në edicionin e 16-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës së Bienalës në Venecia, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, e konkretizoi me nënshkrimin e një memorandum bashkëpunimi me Akademinë Kulturore Evropiane në Venecia – Itali.

Ky memorandum parasheh bashkëpunim në shkëmbimin e informacioneve mbi projektet dhe iniciativat lokale dhe ndërkombëtare që lidhen me fushat e artit, dizajnit, arkitekturës, edukimit dhe promovimit të talenteve të rinj në industritë krijuese.

Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi Reshitaj e vlerësoi si shumë të rëndësishëm pjesëmarrjen e Kosovës në Bienale dhe nënshkrimin e këtij memorandumi duke thënë se ky memorandum do të mundësojë mbajtjen e kurseve dhe marrjen e njohurive të studentëve kosovarë në këtë akademi elite në Evropë.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka mbështetur financiarisht ekipin e Kosovës, studentët kosovarë në pjesëmarrjen dhe prezantimin e veprave të tyre në ekspozitën e Bienales së Venecias, ekspozitë kjo me kontribute të përbashkëta të studentëve të arkitekturës, fëmijëve me probleme autizmi, nën logon e bashkëjetesës në mjediset urbane.

Dua Lipa me familje, provat e saj të fundit para performancës sonte (VIDEO)

Dua Lipa po realizon provat e fundit disa orë para se të performojë në hapjen e finales së Champions League.

Ajo është fotografuar me vëllain dhe babain e saj në Kiev të Ukrainës, ndërsa po qarkullojnë video nga provat gjenerale të saj në stadiumin olimpik të Kievit.

Në Gjakovë po synohet numër më i madh i turistëve, vjet e vizituan 10 mijë vetë

Kulla e Abdullah Pashë Drenit, Xhamia e Hadum Agës, Teqeja e Bektashinjve, Hani i Haraqisë, Muzeu Etnografik, Çarshia e Madhe janë vetëm disa nga monumentet kulturore e historike që i shtojnë bukurinë qytetit të Gjakovës.

Gjakova si një qytet me një histori të lashtë shumë shekullore prej të cilës kanë mbetur edhe shumë objekte e artefakte që tregojnë për jetën që u zhvillua në këtë qytet, vetëm në vitin 2017, është vizituar nga mbi 10 mijë turistë nga vende të ndryshme.

Kështu ka bërë të ditur për Kosovapress udhëheqësi i Zyrës së Informacionit Turistik në Gjakovë, Kujtim Rrahmani sipas të cilit kjo komunë krahas turizmit kulturor e ka të zhvilluar edhe turizmin natyror.

“Sipas disa statistikave jo zyrtare që i kemi është 8 mijë deri në 10 mijë veta këtu përfshihen turistët në përgjithësi që e vizitojnë Gjakovën dhe rrethinën e Gjakovës. Këto statistika i kemi marr prej kufirit dhe disa elementeve tjera… Më së shumti Gjakova është tek turizmi kulturor, aty e ka bazamentin kryesor sepse duke e llogaritur trashëgiminë që e ka vetë brenda qytetit, turizmi kulturor është turizmi bazik që zhvillohet në Gjakovë, mirëpo nuk mund të them që edhe turizmi natyror nuk është i zhvilluar sepse i kemi disa pika interesante turistike të turizmit natyror ku mund ta përmendi Radoniqin, edhe pse është një vend që është ujëmbledhës për furnizim të qytetarëve, por edhe ajo pjesë shfrytëzohet për një lloj turizmi… Pjesa tjetër është tek Ura e Drinit që janë edhe garat kryesore që mbahen që janë gara të veçanta, por edhe Shkukëza është pjesë e parkut rekreativ ku e shfrytëzojnë qytetarët dhe turistët e huaj”, u shpreh Rrahmani.

Rrahmani duke i përmendur disa nga monumentet që turistët mund t’i vizitojnë në qytetin e Gjakovës, tha se turizmi në këtë komunë është duke lulëzuar dita ditës.

E me qëllim që ky qytet i lashtë të jetë më atraktiv për vizitorët, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se janë duke punuar në projekte kulturore që do kenë impakt në turizmin e kësaj komune.

“Do t’i kemi edhe dy ose tri teatro çoftë të hapura apo të mbyllura, po punojmë edhe me shoqërinë civile që edhe ata të involvohen qoftë në promovimin e çarshisë së vjetër me ngjarjet që ndodhin atje, kemi edhe disa plane edhe deri në fund të vitit. Do të thotë tani jemi në ramazan pastaj bajrami do të kemi ngjarje dhe atëherë, do ketë ngjarje edhe para fundit të vitit për vitin e ri për kërshëndella, po promovojmë me i lidh në mes vete që në Gjakovë me ndodh një lëvizje permanente sa i përket ngjarjeve kulturore që ndërlidhen me turizmin… Sot në mëngjes kemi bisedua për një projekt në lumin Erenik e cila është një ide më e vjetër nuk është ide e imja, por është e mirë dhe unë nuk kam nevojë me ndryshua diçka në shije”, ka thënë Gjini.

Se qyteti i Gjakovës do të ketë risi kulturore e tha edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në këtë komunë, Saranda Hyseni, e cila u shpreh se hendikep më të madh ka buxhetin e vogël që dedikohet për këtë sektor.

Ndryshe, në bazë të defterit të vitit 1571, Gjakova ishte ende fshat, i cili në gjysmën e dytë të shek. XVII, u zhvillua në qytet, ku lulëzonte zejtaria, tregtia, ekonomia.

Berati pret të ketë më shumë se 100 mijë turistë këtë vit

Projeksioni është që këtë vit në Berat të kalohen shifrat e 100 mijë turistëve, dhe kjo do të thotë më shumë punësim dhe zhvillim ekonomik.

Në një takim në Berat, ku u prezantuan projektet e reja për qarkun, Rama theksoi se, “potenciali i jashtëzakonshëm ekonomik që ka kjo zonë për shkak të trashëgimisë kulturore dhe bukurive natyrore u çlirua me programin e Rilindjes Urbane”.

“Një shtëpi që kushtonte mesatarisht 8-10 mijë euro në zonën historike, sot kushton 65-75 mijë euro, një rritje e jashtëzakonshme e vlerës së pasurive të patundshme si rezultat i rritjes së kërkesës për ta vënë në shfrytëzim këtë potencial”, tha Rama.

Rama tha se ka një transformim të rëndësishëm në gjithë zonën që po sjell rritje eksponenciale të numrit të turistëve.

“Nga 13 mijë turistë që numëroheshin në vitin 2013, vitin e shkuar kishim 74 mijë turistë, ndërsa këtë vit projeksioni është që të kalojë shifrat e 100 mijë turistëve. Kjo do të thotë më shumë ekonomi, biznes dhe mundësi punësimi dhe më shumë investime, jo vetëm nga ana e sektorit privat, por edhe nga ana e qeverisë dhe bashkive”, tha Rama.

Dëshmi e rritjes së numrit të turistëve në Berat, sipas Ramës, është edhe numri i biletave të shitura në muzeun Onufri, ku ka 7-fishim të shitjes së biletave.

“Po kështu po të shikojmë numrin e bujtinave dhe hoteleve kemi dyfishim. Kishim 34 dhe sot kemi rreth 60 bujtina dhe hotele. Jemi në kushtet, kur po përjetojmë një proces transformimi të rëndësishëm, që do të sjellë një fuqizim të rëndësishëm ekonomik dhe rritje të punësimit përmes sipërmarrjes individuale në qytet apo në fshat”, tha Rama. / KultPlus.com

Ndahen çmimet e Bienales së Arkitekturës në Venecia

Janë ndarë kësisoj çmimet e Bienales së Venecias.

Frank Barkow, Sofia Von Ellrichshausen, Kate Goodwin, Patricia Patkau dhe Pier Paolo Tamburelli si pjesë e jurisë kanë zgjedhur fitues Zvicrën si Pavijonin më të mirë në Bienalen e Arkitekturës.

Britania e Madhe ka marrë një mirënjohje speciale. Pjesëmarrësi më i mirë në ekspozitën ndërkombëtare u shpall Eduardo de Moura.

Bienalja e Arkitekturës në Venecia të Italisë u hap ditë më parë ndërsa Pavijonet shtetërore janë hapur përgjatë kësaj jave, me inspirime dhe me fokuse të ndryshme artistike.
Pavijoni i Zvicrës ka ndërtuar banesa me qera në Venecia, kësisoj duke u fokusuar në dizajnin interior të pronësive me qera.

Pajisje të ndryshme minimale janë pjesë e hapësirës së bardhë nëpër rrugëtimin e këtij Pavijoni.

Kujtojmë se Kosova këtë vit merr pjesë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia ndërsa KultPlus ka raportuar këtyre ditëve mbi zhvillimet shqiptare atje. / KultPlus.com

Ekspozitë me veprat e Kolec Topallit

Ekspozita përkujtimore “Kolec Topalli (1938–2018)” vjen si një homazh kushtuar akademikut, gjuhëtarit dhe studiuesit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Kjo ekspozitë me veprat e studimet e tij vjen për publikun e gjerë dhe lexuesit e Bibliotekës Kombëtare si një vëmendje e veçantë kushtuar kontributit dhe personalitetit të tij të jashtëzakonshëm shkencor të akademik.

Duke lënë pas një trashëgimi të vyer në kulturën shqiptare akademik Kolec Topalli është autor i shumë vepra të rëndësishme studimore mbi gjuhën shqipe, monografi, përmbledhje studimesh dhe vepra kolektive si “Theksi në gjuhën shqipe” (1995); “Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe” (1996); “Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes”(1998); “Shndërrime historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe” (2000); “Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2007); “Sonantet e gjuhës shqipe” (2001); “Mbylltoret e gjuhës shqipe” (2002); “Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe” (2003); “Dukuritë fonetike të sistemin bashtingëllor të gjuhës shqipe” (2004); “Bazat e fonetikës historike të gjuhës shqipe” (2005); “Ricerche sulla storia dell’accento in Albanese” (2007); “Evolucioni historik i përemrave të shqipes” (2008); “Sistemi rasor i emrave të shqipes” (2009); “Nyjat e shqipes” (2009); “Sistemi foljor i gjuhës shqipe” (2010); “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (2011); “Bazat e gramatikës historike të gjuhës shqipe” (2011) si dhe botimi i tij më i fundit “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” botuar në vitin 2017).

Ai gjithashtu ka qenë edhe redaktor dhe recensues i një sërë veprash të rëndësishme studimore si “Fjalor fjalësh të rralla të gjuhës shqipe” i Benedikt Demës; “Vepra të zgjedhura” të Selman Rizës; “Shqipja në etapën e sotme : politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit : aktet e konferencës shkencore, Durrës, 15-17 dhjetor 2010”; “Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe” i studiueses Anila Omari; “Fonetikë akustike : analizë e sistemit fonologjik” i Aljula Jubanit; “Komisia letrare shqipe në Shkodër (1916-1918) dhe Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip (1879), Shoqëria “Bashkimi” (1899), Shoqëria “Agimi” (1901)” dhe “Shekulli i Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër : (1916-1918) : 100 vjet të rrugëtimit të saj” të autorit Tomor Osmani; etj..

‘Statuja’ e Edi Ramës në Sheshin Skënderbej, drogë e para

Në protestën që opozita do të mbajë këtë të shtunë kanë nisur të vendosen edhe pankartat e para.

Pasi nëpër makina ishin vendosur “po vijmë Pasha” në Sheshin Skënderbej është shfaqur statuja e Drejtësisë me portretin e Edi Ramës, që simbolizon kapjen politike të drejtësisë për t’i shërbyer krimit dhe korrupsionit, shkruan opinion.al

Statujën e Drejtësisë 3 metra të lartë e mbajnë 10 të rinj të maskuar si Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Saimir Tahiri, Agron Xhafaj, Moisiu Habilaj për të treguar se Drejtësia është vënë në shërbim të trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe qeverisë së lidhur me të.

Në anën tjetër disa të rinj kanë prezantuar tek Ministria e Brendshme një hartë kanabisi të familjeve politiko-mafioze.

Harta e familjeve politiko mafioze është një instalacion për të simboliziar qeverinë e Edi Ramës në 5 vitet e fundit. Për herë të parë, gjatë qeverisë së Ramës Shqipëria mori kudo në Perëndim imazhin e një vendi që, me mbeshtetjen e qeverisë, prodhon dhe trafikon vetëm kanabis dhe krim, duke u cilësuar gjerësisht në botë si Kanabistan.

FIFA pret që himni me Era Istrefin t’i bashkojë tifozët

Kosova e Shqipëria nuk do të jenë pjesë e botërorit të futbollit “Rusia 2018”, por prani shqiptare gjithsesi do të ketë gjatë ngjarjes së madhe sportive që mbahet prej 14 qershor deri më 15 korrik.

Pos futbollistëve shqiptarë që luajnë në përfaqësuese të tjera, Kosova e Shqipëria do të jenë pjesë e pandashme e botërorit edhe falë këngës zyrtare të botërorit, përkatësisht himnit të tij. Ai këndohet nga Nicky Jam në bashkëpunim me Will Smith dhe këngëtaren e njohur kosovare, Era Istrefi, shkruan sot Koha Ditore.

FIFA të premten ka bërë publik versionin “audio” të këngës. “Live It Up” quhet kënga, që sipas FIFA-s do të ndihmojë që të definohet botërori i futbollit “Rusia 2018”. Himni zyrtar është prodhuar nga DJ dhe autori i këngëve, Diplo, dhe pason “Waka Waka” të Shakiras, që ishte kënga zyrtare e botërorit të vitit 2010 dhe atë “We Are One (Ole Ola)” e Pitbull, që ishte kënga zyrtare e botërorit të kaluar.

“Kënga premton të mbushë stadiumet përreth Rusisë me atmosferë të gjallë dhe të bëjë tifozët e bashkuar”, ka shkruar FIFA në njoftimin për publikimin e këngës.

Kënga zyrtare e botërorit do të interpretohet para finales së 15 korrikut në stadiumin “Luzhniki” për të ngrohur 80 mijë tifozët në këtë stadium në Moskë dhe rreth një miliard njerëzit që do ta përcjellin finalen përmes televizorëve. Videospoti i këngës zyrtare do të bëhet publik më 7 qershor, ka njoftuar FIFA.

Tradita e këngës zyrtare të botërorit ka nisur prej vitit 1966. Prej atëherë kënga zyrtare është bërë gjithnjë e më e rëndësishme. Zakonisht ajo shndërrohet në një hit.

“Të jem pjesë e këngës zyrtare të Botërorit të FIFA-s është një përvojë e pabesueshme dhe shumë emocionuese. Të punoj përkrah artistëve të talentuar si Diplo, Will Smith dhe Nicky Jam, për të cilët kam admirim të madh, ishte e shkëlqyeshme dhe shumë argëtuese. Unë jam fanse e madhe e futbollit po ashtu dhe mezi po pres që Kupa Botërore të nisë”, ka thënë Era Istrefi për sajtin e FIFA-s.

Dashuri për Elsën

Louis Aragon

Jam xheloz për çdo pikë shi
që me puthje më shëmbëllen
më bëjnë të ndjej xhelozi
sytë e gjithçkaje që shkëlqen

Kur e zë jam xheloz për bletën
për pasqyrën ku ajo shihet
për harrimin për kujtesën
dhe për gjumin ku kridhet

Për trotuarin që ajo zgjedh
për erën që e fshik me duar
në ëndërr gjumin ma vjedh
xhelozia ime që rri zgjuar

Jam xheloz për një këngë një ofsh
për një hukamë e një rënkim
për zymbylat jam xheloz
për një parfum për një kujtim

Jam xheloz për statujat në shesh
tunduese me ata sy zgavra
jam xheloz kur ajo hesht
për fletën e bardhë që ka përpara

Për një qeshje a një lëvdatë
dimrit për një drithmë të lehtë
për një fustan që vesh në shtat
pranverës për drurët e blertë

Jam xheloz kur i pëlqen zjarri
për një degë që e ndjek prapa
për krehërin në flokët ngjyrë ari
në ag më bën xheloz mesnata

për gjithçka që ka për zemër
për zumrudët që stolisin
ah, nata e ligë nata shemër
më hijet e saj ma mer shpirtin

Çdo stinë ndjej xhelozi
më ngulen njëmijë gozhdë
jam xheloz gjer në marrëzi
jam xheloz si një qen xheloz

Kur vonohet një grimë herë
jam xheloz për botën mbarë
gjestet e saj janë mister
jam xheloz për çdo kitarë.

Shqiptaret e famshme bëhen bashkë, të lumtura që përfaqësojnë Kosovën

Kosovare Asllani është takuar sot me këngëtaren Rita Ora në kuadër të një kampanje të UEFA-së.

Përmes një postimi në Facebook, futbollistja e njohur ka thënë se janë të lumtura që përfaqësojnë Kosovën përmes profesionit të tyre.

Asllani ka shfrytëzuar këtë takim për t’ia dhuruar Ritës fanellën me emrin e saj.

Rama e kujton Topallin si një burrë të ditur e të heshtur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kujtuar Kolec Topallin, i cili ndërroi jetë dje.

Prof. Dr. Kolec Topalli është ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë. Një muaj më parë profesori u nderua me çmimin “Çabej” nga Akademia e Shkencave për “Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe”.

“Kolec Topalli, një burrë i mençur, i ditur dhe i heshtur, që u nda nga jeta duke lënë pas një hije të bardhë respekti për figurën e tij prej spektatori misterioz të vendit ku jetoi..”, ka shkruar Rama në Facebook.

Nobeli për Letërsi mund të anulohet edhe vitin tjetër

Çmimi Nobel për Letërsi, i cili këtë vit nuk u nda fare për asnjë shkrimtar, ka mundësi që do të shtyhet edhe për vitin tjetër.

Si duket skandali me ngacmime seksuale brenda Akademisë Suedeze po ndikon edhe në ndarjen e çmimeve prestigjioze.

Është hera e parë pas 70 vitesh që Akademika Suedeze nuk e ndan një çmim, ndërsa ka mundësi që letërsia për dy vite me radhë, këtë vit dhe vitin tjetër, të mos ketë një Nobelist.

Bëhet fjalë për skandalin seksual ku 18 gra u ankuan se janë ngacmuar seksualisht nga njëri prej anëtarëve të Akademisë, ndërsa gazetari suedez Dagens Nyheter e shpalosi dokumentacionin e tij gazetaresk duke tronditur botën e letrave dhe intelektit.

Nobeli për Letërsi ndahet qysh prej vitit 1901, ndërsa vitin e kaluar u fitua nga Kazuo Ishiguro, i lindur në Japoni por me shtetësi angleze. / KultPlus.com

Familjarja e Bekim Fehmiut mbaron studimet në Harvard

Andra Fehmiu u bë dje shtetasja e parë nga Kosova që mbaron studimet 4 vjeçare në Universitetin e Harvard.

Andra, në këtë rrugëtim ia ka dalë falë punës së vet, me bursë të plotë nga Universiteti prestigjioz në Boston.

Andra është familjare e aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu.

Ambasadorja Vlora Çitaku e ka dhënë lajmin kësisoj dhe ka postuar një fotografi me familjen e Andra Fehmiut e cila është një studente e shkëlqyer e cila ka mbaruar studimet në një prej universiteteve më të mira në rruzull.

Andra për pak kohë ka mbajtur praktikë edhe në Kosovë. / KultPlus.com