Dua Lipa e mahnitshme në reklamën e Champions League (VIDEO)

Dua Lipa dhe “New Rules” është kolona zanore e një reklame ku këngëtarja nga Kosova prezanton Champions League.

Ajo do të performojë në ceremoninë e mbylljes së Champions League, në bashkëpunim si gjithmonë me PEPSI.

https://www.youtube.com/watch?v=csEAAUNRYgE

Rrezikohet mbajtja e Eurovizionit 2019 në Izrael

Maariv raporton se Unioni i Transmetuesve Evropianë (EBU) ka deklaruar se janë të shqetësuar se disa vende mund të tërhiqen nga gara e ardhshme e Eurovizionit nëse Jeruzalemi përzgjidhet si qyteti mikpritës i festivalit të madh.

Duke cituar një takim midis Transmetuesit Publik të Izraelit dhe Transmetuesit të Bashkimit Evropian, Maariv raporton se EBU ka deklaruar se janë të shqetësuar për pasojat që mund të ketë nëse Festivali i Këngës Eurovizion 2019 mbahet në Jeruzalem. Gjithmonë, festivali mbahet në vendin i cili e fiton atë një vit më parë.

EBU kërkon që garat e ardhshme të mbahen në një mënyrë që do të minimizonte rrezikun që vendet të tërhiqeshin nga konkurrenca dhe muzika.

Ky raportim ka ardhur pas raportimit nga Haaretz dje, se EBU i cili mbikëqyrë festivalin është deklaruar se janë të shqetësuar ndaj çdo politizimi që mund ti bëhet garës në vitin 2019, shkruan KultPlus.

Sipas Haaretz Ministri Ayoub Kara ka deklaruar dje se do të ftojë shtetet arabe për të marrë pjesë në garën e ardhshme. Mirëpo kombet të cilat ai i ka përmendur nuk kanë të drejtën që të marrin pjesë në festivalin garues.

EBU përmes platformës zyrtare të internetit dhe mediave sociale ka këshilluar publikun që të mos bëjnë rezervime të biletave apo çdo akomodim tjetër derisa të konfirmohen data dhe vendi i saktë i mbajtjes së Eurovizionit vitin tjetër.

Ti je e mirë, dashuri

MARINA IVANOVNA CVETAJEVA / Përktheu: Qazim Shemaj

Dhe e putha djaloshin në kokë,
S’ia gjeta dot buzën, s’e di!
E prapë siç dihet me kohë,
Ti je e mirë, dashuri.

Një çikëz verë të gëzuar
Dhe tej e hedh qyrkun, e flak,
Oh, siç është thënë e shkruar,
I çmendur do ndizesh ti, gjak.

Veç , jo-për kohën që patëm
Dashuria s’u bë dot grua!
Vetë Venera, si mori sëpatën,
Shkrepën ashkla kudo në katua.

Me ferrin me akull e murtajë,
Me dimrin vuri kurorë.
Dashuria dy krahët e saj
I do me çizme të forta për borë.

Pa shih ç ’krijim i adhuruar,
Ti thurma litarin, se ç ’fat,
Dhe ulu sipas përvojës së shkruar
Siç shtrihet vajza në krevat.

Dhe mirupafshim vonë a herët,
Në prapë do shihemi tok,
Kur ne të mësojmë që djemtë
T’i puthim më mir’ se në kokë.

Dy filma shqiptarë, pjesë e SEE Film Festival në Berlin dhe Paris

SEE Film Festival këtë vit do të mbahet në Berlin nga 24 deri më 27 maj dhe në Paris nga 30 maj deri më 2 qershor.

Pjesë e festivalit “South East European Film Festival” janë edhe filmat shqiptarë “T’padashtun” dhe “Jeta mes ujërave”, shkruan KultPlus.

“The rest is silence” nga Romania, “T’padashtun” nga Kosova, “The last day before June” nga Moldavia, “Soma & Li” nga Qipro, Hawaii nga Rumania, “Nothing but the wind” nga Bosnja dhe Hercegovina, “Lines” nga Greqia janë disa prej filmave tjerë pjesëmarrës në festivalin që nisi mbrëmë

‘T`padashtun’ me regji nga Edon Rizvanolli do të shfaqet sonte mbrëma në këtë festival.

https://www.youtube.com/watch?v=Q62eZa3TO0o

Filmat nga 16-të vendet e Ballkanit të cilët janë pjesë e festivalit janë po ashtu edhe në garë për çmimet që ndanë festivali duke përshirë filmin më të mirë, skenarin më të mirë, çmimin për regjisorin më të mirë, aktorin dhe aktoren më të mirë, filmi më i mirë dokumentar, filmi më i mirë i shkurtër, filmi më i mirë i animuar si dhe çmimi special i jurisë. / KultPlus.com

Zbathun

Poezi nga Dritë Ademi

Kur e mbathi këpucën e djathtë,
e besoj Zotin.
Kur e zbathi këpucën e majtë,
e harroj Zotin.
Mandej më mungon diçka
Mandej më mungon shumçka.
Zbathi këpucët e hyj në zemrën tande.
Atje e gjej Zotin, dashuninë.
Dreqi le t’i marrë këpucët !
Se rri zbathun n’poezi…

Era Istrefi: Jam adhuruese e futbollit dhe mezi pres që të fillojë Kampionati Botëror

Këngëtarja kosovare, Era Istrefi do të jetë zëri i këngës së Botërorit 2018 bashkë me dy këngëtarët më të suksesshëm të botës, Will Smith dhe Nicky Jam.

Të tre këngëtarët janë shprehur të emocionuar dhe të lumtur që janë përzgjedhur të jenë pjesë e një organizimi kaq madhështor në botën e futbollit, Rusia 2018.

Për këngën ‘Live It Up’ dhe bashkëpunimin që kanë pasur me njëri-tjetrin këto ditë, të tre këngëtarët janë shprehur të lumtur në prononcimet që dhanë për faqen zyrtare të FIFA 2018.

“Të jesh pjesë e këngës zyrtare të Kupës së Botës, FIFA 2018 ka qenë njëra ndër përvojat më të pabesueshme dhe emocionale që kam pasur deri tani. Ishte e mahnitshme të punosh me Diplo, Will Smith dhe Nicky Jam, për të cilët unë kam admirim të madh. Jam adhuruese e futbollit dhe mezi pres që të filloj Kampinati Botëror”, është shprehur këngëtarja shqiptare.

https://www.youtube.com/watch?v=gX6pNNHX4ns&feature=youtu.be&a=

Po ashtu edhe bashkëpunëtorët e saj, Diplo Nicky Jam dhe Will Smith kanë thënë se për ta kjo është një arritje jetësore.

Ndërkaq ky i fundit e ka përmendur edhe këngëtaren kosovare.

”Është nder kur të kërkohet të performosh për Kupën e Botës në FIFA 2018. Kjo ngjarje globale sjell njerëz nga e gjithë bota për t’u gëzuar, qeshur, festuar dhe provuar magjinë. Bashkëpunimi me Nicky, Diplo dhe Erën në këtë rrugë përfaqëson harmoni. Në fund të ditës thjesht duam ta shohim botën duke vallëzuar”, ka thënë ndër të tjera Smith, njëri ndër pop-reperët më të suksesshëm të viteve të 80-90-ta.

Kampinati botëror nis më 14 Qershor dhe ndeshja e parë zhvillohet mes Rusisë dhe Arabisë Saudite. / KultPlus.com

Kënga e Era Istrefit, Will Smith dhe Nicky Jam për Botëror

‘Kush janë Hashim Thaçi e Bujar Bukoshi që të flasin për Presidentin historik Rugova?’

Driton Selmanaj / Facebook

Hipokrizia nuk paska fund!

Sot isha për një vizitë në Muzeun e Kosovës, ku për nder të ditës së Presidentit, ky institucion kishte hapur ekspoziten me titull “ Kontributi i Presidentit Historik Dr.ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”. Duhet vlerësuar se ekspozita ishte tejet e pasur ku përmes shumë eksponateve dhe fotografive pasqyrohej angazhimi politik, institucional e kombëtarë i Presidentit Rugova.
Ajo që ishte neveritëse deri ne mosdurim ishte fakti se folës kryesor në këtë ngjarje ishin: Hashim Thaqi dhe Bujar Bukoshi.

Kush janë këta njerëz që të flasin për Presidentin historik Rugova?! Kush janë këta njerëz që për së gjalli të tij e luftuan me çdo mjet dhe mundësi, kurse sot i thurrin elozhe figures së tij?!

A janë këta njerëz që here e akuzonin për tradhti kombëtare e herë lëshoheshin në banalitete duke mos ja paguar rrymën e telefonin?!!
Qfare pafytyrësie?!!!!
A nuk është ky Hashim që gjatë luftës e kërcënonte Rugovën se do të dënohej rëndë për veprimet e tij antikombëtare?!

A nuk është ky njeri që në librin e tij autobiografik, presidentin historik Ibrahim Rugova e quan pijanec, i nënshtruar, defetist, frikacak, njeri që pinte vazhimisht konjak, politikan pasiv, i lodhur, si kritik letrar që merrej me letersinë e shekullit 16 dhe i papërshtatshëm për udhëheqjen e negociatave në Rambuje, që nuk mund ta menaxhonte as kollën e tij, etj etj.
Njerëzit e tillë, jo që nuk do duhej lejuar të flisnin për Presidentin Rugova në ngjarjet e tilla, por ata as në cilësin e vizitorëve nuk e kanë vendin aty.
TURP!!!

PriFest do të mbahet nga 17-22 korrik

PriFest publikon datat e festivalit dhe shpalos imazhin për këtë vit.

Prishtina International Film Festival këtë vit do të ketë edicionin e 10-të të festivalit, i cili do të mbahet në muajin korrik në datat 17-22.

Ekipi kreative i PriFest i përbërë nga project.graphics dhe B2 si çdo vit edhe këtë vit kanë punuar që të krijojnë një identitet vizual të festivalit që do të prezentojë festivalin për këtë vit jubilar.

“PriFest i kushton shumë rëndësi identitetit vizual të vet, aq më shumë kur për çdo vit jemi vlerësuar në konkurse ndërkombëtare dhe dizajnet e posterëve dhe katalogjeve tona kanë fituar në gara të ndryshme. Andaj mburremi që kemi një ekip shumë kreativ që e prezenton festivalin në pamjen e vet më të mirë” – u shpreh Vjosa Berisha, udhëheqëse e PriFest.

Në edicionin e 10-të të festivalit, PriFest do të sjell një javë plot aktivitete, filma, mysafirë e ekspertë të fushave të ndryshme, workshope dhe debate, si dhe risi të tjera në fushën e industrisë së filmit.

Çdo vit, PriFest përkujdeset që të sjellë një program të pasur dhe inovativ, si dhe një frymë festive në kryeqytet, duke sjell shumë premiera filmash në programet e veta filmike garuese dhe jo-garuese që kënaqin publikun e të gjitha moshave.

Gjatë javëve në vijim e deri në javën e hapjes së PriFest do të shpalosen të gjitha programet e festivalit, promot e filmave dhe informatat e nevojshme rreth festivalit. Për të qenë të informuar dhe nëse dëshironi ta ndiqni këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, vizitoni rrjetet tona sociale dhe uebfaqen tonë rregullisht që të merrni lajmet e fundit. / KultPlus.com

Dua Lipa gjatë verës sjellë bashkëpunimin e ri

Dua Lipa do të jetë pjesë e projektit “Silk City” kanë bërë të ditur Diplo dhe Mark Ronson për Billboard, përcjellë KultPlus.

Diplo dhe Mark Ronson tashmë kanë publikuar këngën e tyre të re “Only Get Better” si pjesë e projektit “Silk City”.

Ata kanë shpalosur më shumë detaje për projektin e tyre i cili ka ardhur si homazh ndaj qyteteve më të mëdha të muzikës duke përfshirë Çikagon, Londrën, Parisin e vende tjera.

Në mesin e zbulimeve ka qenë edhe bashkëpunimi i tyre së bashku me këngëtaren shqiptare Dua Lipa, bashkëpunim i cili pritet që të publikohet këtë verë, shkruan Billboard.

Silk City do të performojë në disa festivale duke përfshirë edhe Governors Ball, Treasure Island dhe UK’s Bestival. Ndërsa ata kanë bërë një paraqitje befasuese edhe në Las Vegas, Electric Daisy Carnival. / KultPlus.com

‘Netët e Letërsisë Austriake’ vazhdojnë sonte e nesër

Në kuadër të vitit kulturor Austri Shqipëri, IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake sjellin për publikun “mik” të librit, “Netët e Letërsisë Austriake”, tre nete leximesh nga autorë të njohur austriak.

Në datat 23-25 Maj, 2018, në sallën Gëte, tek Teatri Eksperimental, nga ora 18:00 deri në 20:00, do të zhvillohen biseda dhe lexime me autorët e njohur austriake Andrea Grill, Klemens Renoldner dhe Christina Maria Landerl. Në të tre netët, autorët do të diskutojnë rreth qyteteve, kulturave nga vijnë, dilemave ekzistenciale dhe tematikave të ndryshme të përditshmërisë, që janë aktuale edhe sot në shoqërinë tonë.

Ky aktivitet synon shkëmbimin e kulturave mes dy vendeve Austri-Shqipëri. E veçanta e tij, ndër të tjera lidhet me faktin që autorët pjesëmarrës kanë përzgjedhur materiale të cilat do ti ndajnëme publikun në gjuhën e tyre origjinale. Vlen të theksohet këtu që Andrea Grill, një prej autorëve pjesmarrëse në këtë aktivitet, kupton, dhe flet mirë gjuhën tonë shqipe.

Krah tyre nuk do të mungojnë as autorët e njohur shqiptarë si Agron Tufa, Jonila Godole, Lazër Stani, Agim Baçi.

Gjatë tre netëve, nën “magjinë” e librave, autorët do të lexojnë fragmente nga veprat e tyre, por dhe vepra të përzgjedhura të autorëve të njohur austriake, përmendim këtu autorin “mit” , Stefan Zweig. Pjesë nga veprat e tij do të ndahen me publikun pjesmarrës nga Klemens Renoldner, që është njëkohësisht edhe drejtor i Qendrës Stefan Zweig, në Universitetin e Salzburgut.

Në këtë aktivitet publiku nuk do të jetë thjesht prezent, pasi risia këtë vit është “Klubi i Leximit”, ku pjesëmarrësit sëbashku me autorët do të mund të diskutojnë rreth veprave të njohur të letërsisë klasike dhe bashkëkohore, të cilat prekin tematike aktuale të ditëve të sotme. Moderimi do të bëhet nga emra jo pak të njohur në fushën e letërsisë dhe publicistikës shqiptare, si Marsela Likaj, Lili Sula, dhe Alda Bardhyli.

Theksojme se Netët e Letërsisë Austriake 2018“ organizohen nga IDMC-Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë në kuadër të nismës disa vjeçare #TiranaLexon, në mbështetje të Raiffeisen Bank dhe Ambasadës Austriake.

Dua Lipa po bëhet gati për performancën në Ligën e Kampionëve (FOTO)

Dua Lipa do ta bëjë hapjen e ceremonisë finale të Ligës së Kampionëve dhe tani ka filluar edhe përgatitjet, shkruan KultPlus.

Kujtojmë se Era Istrefi, Rita Ora dhe Dua Lipa, janë këngëtaret tashmë me famë botërore të cilat kanë ngjitur majat e suksesit përmes zërave të tyre. Kësisoj, sivjet që të trija do të këndojnë në ndeshje futbollistike të cilat përcillen nga e gjithë bota. / KultPlus.com

Netta: Mendova se fitorja do ti takonte shqiptares Eleni Foureira

Fituesja e Eurovizionit i dhuroi shtetit të saj fitoren pas 20 viteve, mirëpo në intervistën e saj të parë pas kthimit në vendlindje, Netta Barzilai është shprehur se nuk e kishte pritur fitoren.

Ajo këtë çmim kishte besuar që do e fitonte Eleni Foureira, përfaqësuese e Qipros.

Sipas saj zgjedhja e këngëtares shqiptare Eleni Foureira, nuk do e kishte befasuar duke aluduar se ajo do zgjidhej për shkak të pamjes së saj të jashtme.

“Fitorja nuk ka qenë asnjëherë në xhepin tim, nuk kam besuar që do të fitoj. Madje edhe në spektaklin “Ylli i ardhshëm”(festivali selektues i Izraelit për Eurovizion), dhe në çdo festival tjetër më është dashur çdo herë të luftoj me veten time, jo për çfarë mendojnë të tjerët për mua por se çfarë mendoj unë për veten time”, është shprehur ajo ndërsa tutje ka treguar se favorite ishte këngëtarja Eleni Foureira.

“Unë isha përgatitur për fitoren e Elenit, dhe kjo nuk do më shkatërronte sepse e gjithë jeta ime ka qenë e tillë…Unë nuk kam ditur diçka tjetër…Gjithë jetën time jam mposhtur për shkak të normave standarde. Kur vjen koha e përzgjedhjes çdo herë zgjedhen ato që të kënaqin sytë”, është shprehur ajo.

Së fundi mediat kanë vënë në pyetje edhe peshën e këngëtares e cila pastaj ishte shprehur se nëse do të mbante dietë, këtë do e bënte vetëm për veten e saj dhe për asgjë tjetër. / KultPlus.com

Arta Dobroshi kërcen për paqe dhe fotografitë e Pragës në luftë, dy ekspozita sjellin gëzimin dhe tmerrin

Alberina Haxhijaj

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës janë hapur dy ekspozitat ndërvepruese me njëra tjetrën. Në këtë ekspozitë të fotografive të ndarë në “Prague 68” dhe “Aktorja Arta Dobroshi duke kërcyer me hare për paqen botërore”, u paraqit e kaluara dhe e ardhmja.


(Facebook: Dimitrios Machairidis)

“Prague 68” është një seri e fotografive të fotografit çek Oldřich Škácha. Fotografitë e ekspozuara sjellin dëshminë e tij pamore të dokumentuar me fotoaparatin e tij, në ditën e parë të intervenimit ushtarak sovjetik në Pragë, në vendet e ngjarjeve ku çekosllovakët paqësorë të shtangur vdisnin në Sheshin Wenceslav, në Sheshin e Qytetit të Vjetër dhe në selinë e Radio Çekosllovakisë.

Në anën tjetër “Aktorja Arta Dobroshi duke kërcyer me hare për paqen botërore” është një seri e fotografive të bëra nga fotografët e ndryshëm duke e dokumentuar nismën e aktores së ‘Lorna`s Silence’ për të frymëzuar njerëzit që të jetojnë në paqe dhe të respektojnë të tjerët. Në fotografitë e saj ajo kërcen me gëzim me fëmijë, me personalitete të njohura, me refugjatë, me diplomatë, me artistë e njerëz të tjerë. Askush nuk është superior në këto fotografi, të gjithë janë një për misionin drejt paqes në botë. Arta është kryefjala, një personazh gjithmonë i buzëqeshur, për të gjetur kënaqësi e paqe në planet.

Ambasadori i Republikës së Çekisë, Ivo Silhavy, që është kurator i kësaj foto-ekspozite dhe vetë një fotograf i pasionuar shpalosi momentin sesi ishte ndjerë vet kur kishte kërcyer së bashku me Artën. Pjesë e universit, i lirë dhe i lumtur, gjersa egon e tij e kishte lënë në tokë në momentin e fotografimit me aktoren që para disa vitesh u bë e para aktore nga Kosova në tepihun e kuq të Festivalit të Kanës.
Sipas tij të gjithë ne duhet të kemi fuqinë për të kërcyer mjaftueshëm lart për të kapur fatin në duart tona. Duhet besuar në të vërtetën dhe në dashurinë.

Ai theksoi se fotografitë bardhë e zi paraqesin të kaluarën, ndërsa ato me ngjyra të ardhmen, gjersa shpalosi më shumë detaje për to.

“Në fotografitë bardhë e zi nga ditët e okupimit ne i shohim njerëzit në rrugë të frikësuar, të shtangur, të pafuqishëm, mirëpo me një përcaktim në sytë e tyre. Në fotografitë me ngjyra të Artës dhe të miqve të saj përmes kërcimit ndajnë gëzimin dhe kënaqësinë e jetës me një dritë në sytë e tyre”, tha Silhavy.
Aktorja Arta Dobroshi,falënderoi të gjithë ata të cilët janë bërë pjesë e kërcimit të saj për paqe si dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar për realizimin e kësaj ekspozite.


(Facebook: Dimitrios Machairidis)

Sipas Artës, populli i Kosovës është shembull për botën se si të arrihet paqja, liria në një vend, pasi sipas saj me vite të tëra gjithë gjeneratat deri në vitin 1999 në Kosovë kanë protestuar për paqe dhe liri.
“Paqen dhe lirinë e kemi përjetuar aq shumë me zemër e me shpirt, sa e kemi reflektuar në gjithë vendin tonë dhe në të gjithë botën. Dhe sot, ne jetojmë në liri e në paqe. Fotografitë ku kërcej me hare për paqe në botë, janë reflektim i shpirtit tim dhe dëshirës time për paqe në krejt botën”, tha ajo.

Ajo për të treguar rëndësinë që ka paqja solli për të pranishmit një krahasim se si do të shkonte kjo ekspozitë nëse do të hapej 20 vite më parë, se sa të frikësuar do të ndjeheshin të gjithë të pranishmit.

“Nëse do kisha dashur që ta bëj këtë ekspozitë 20-të vite më parë nuk do të kisha mundësi, apo sikur ta bëja, do të ishim ndjerë të frikësuar. Të frikësuar se forcat policore do na gjenin e do të na dërgonin në burg pa arsye. Ndoshta edhe vetëm për shkak të gjuhës që flasim. Ne po ashtu do të siguroheshim që të arrinim të gjithë në shtëpi rreth orës 19:30 pasi të gjithë e dimë se ora policore fillon në 20:00. Mirëpo kjo është e kaluara dhe sot qëndrojmë në paqe”, tha Dobroshi në hapje të ekspozitës.

Sipas saj, 100 vite më vonë ndarjet dhe barrierat kufitare në mes të shteteve dhe njerëzve do të jenë absurde. Ajo ftoi që të mos presim 100 vite por të veprojmë sot që bota të jetë vend i paqes, ku të gjithë janë të barabartë.
“Ne mund të zgjedhim sot se çfarë do të tregojnë pasardhësit për ne”, theksoi ajo gjersa ftoi të pranishmit ti bashkoheshin udhëtimit të saj duke bërë gjithë të pranishmit që të kërcejnë për paqen.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për dy javë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com

Papa ka marrë një dhuratë të pazakontë nga Haradinaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës dyditore në Vatikan, është pritur në Audiencën e Mbyllur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Haradinaj i ka përcjellur Atit të Shenjtë, një dhuratë nga populli i Kosovës, një letër – kërkesë, për pranimin, njohjen dhe për kujdesin ndaj Kosovës.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e njoftoi Atin e Shenjtë për zhvillimet politike në Kosovë, rrugën evropiane dhe euroatlantike, duke theksuar faktin se Kosova është shembull për bashkëjetesën mes popujve dhe tolerancën fetare.

“Kosova është shembull i tolerancës fetare dhe i promovimit të paqes. Rruga jonë euro-atlantike fuqizohet me partneritetin strategjik me Vatikanin. Shenjtërisë së tij, Papa Françeskut i shpreha përkushtimin e qytetarëve tanë, që vlerat shpirtërore dhe demokratike t’i ruajmë e kultivojmë, në frymën e për të mirën përbashkët”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, vlerësoi pritjen që iu bë nga Papa Françeku, duke thënë se Kosova dhe populli i saj do të jenë përjetë mirënjohës Vatikanit për mbështetjen e dhënë gjatë dekadave të fundit, e po ashtu shprehu përkushtimin e shtetit të Kosovës për një partneritet strategjik me Vatikanin.

“Vizita ime në Vatikan dhe takimi me Papa Françeskun është nder i madh për mua dhe popullin e Kosovës. E shfrytëzova këtë nder për të përcjellë përshëndetjet dhe dëshirat më të mira të popullit të Kosovës për Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, për Selinë e Shenjtë, pra për Vatikanin dhe dëshirën për të vendosur marrëdhënie të përhershme dhe strategjike me Vatikanin”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj i ka përcjellur Atit të Shenjtë, një dhuratë nga populli i Kosovës, një letër – kërkesë, për pranimin, njohjen dhe për kujdesin ndaj Kosovës.

“Më bëri përshtypje se Ati i Shenjtë, Papa Françesku ishte vërtetë njerëzor, me ngrohtësi të jashtëzakonshme, tha se “E kam në zemër popullin e Kosovës””, theksoi kryeministri Haradinaj.

Duke vlerësuar lartë pritjen që i është në Vatikan, kryeministri Haradinaj theksoi se trajtimi dhe pritja me aq respekt, është dëshmi për thellimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Ai e dha bekimin, për Kosovën, një bekim që ishte prekës jo vetëm për mua, por për të gjithë ne, një ndjenjë e veçantë. U ndjeva i nderuar dhe vërtetë jam ndjerë i respektuar sot”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj u shpreh i lumtur dhe mirënjohës që Kosova ka ndërtuar marrëdhënie miqësore me Selinë e Shenjtë.

“Ne e kemi me shumë rëndësi këtë marrëdhënie. Vatikani, po ashtu Selia e Shenjtë është anëtare në plotë organizata ndërkombëtare, sikurse e Interpolit dhe organizatat tjera. Jam thellë i bindur që në rrugëtimin tonë si Kosovë, do të na ndjenë. Jam i bindur që Selia e Shenjtë do ta ndjenë Kosovën”, ta kryeministri Haradinaj.

Takimi me Papa Francesku u bë në rezidencën e Atit të Shenjtë, në Vatikan në audiencë të mbyllur, në kuadër të vizitës zyrtare të Kryeministrit Haradinaj në Vatikan, e cila ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit strategjik dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë.

Burrat

Maya Angelou, përkthyer në shqip nga Orjela Apolloni

Kur isha e re, e kisha zakon
me shiku’ përtej perdeve
se si burrat ecnin lart e poshtë në rrugë. Burra të dehur, burra të vjetër
burra të ri e të mprehtë
I shikoja ata. Burrat gjithmonë
shkojnë dikund.
Ata e dinin që isha aty. Pesëmbëdhjetë
vjeç dhe e uritur për ta.
Poshtë dritares sime, ata pushonin,
shpatullat e tyre të larta
si gjinjtë e një vajze të re,
e cepat e xhaketave përplaseshin mbi
pjesën e pasme,
Burrat.

Një ditë ata do të të mbajnë
në pëllëmbë të dorës, butë, sikur
ti të ishe veza e fundit e freskët në botë. Pastaj
shtrëngojnë. Vetëm pak. Shtrydhja
e parë është e këndshme. Një përqafim i shpejtë.
Butë në pafuqinë tënde. Pak
më shumë. Dhimbja fillon. Nxjerr një
buzëqeshje që rrëshqet rreth frikës. Kur
ajri zhduket,
mendja jote kërcet, duke shpërthyer ashpër, shkurt
bash siç merr flakë një shkrepëse në kuzhinë. E shkatërruar.
Është lëngu yt
që rrëshqet në këmbët e tyre. Duke njollosur këpucët e tyre.
Kur bota kthehet prapë mbarë,
dhe shija tenton të kthehet në gjuhë,
trupi yt është mbyllur me kërcitje. Përgjithmonë.
Asnjë çelës nuk ekziston.

Pastaj dritarja shfaqet e plotë në
mendjen tënde. Atje, bash prapa
perdes që lëkundet, burrat ecin.
Duke ditur diçka.
Duke shkuar dikund.
Por këtë herë, unë thjesht
do të rri dhe do t’i shoh.
Ndoshta.

Izraelit nuk i pëlqen videoja satirike me këngën e fitueses së Eurovizionit

Ambasada e Izraelit është ankuar të martën për një parodi që i është bërë këngës fituese në Eurovizion 2018.

Aktorja Sanne Wallis de Vries ka sjellë versionin e saj të këngës fituese ‘Toy’, në një transmetim televiziv mirëpo kjo nuk i ka pëlqyer Izraelit, shtetit fitues.

E veshur në mënyrë të njëjtë si këngëtarja Netta, aktorja Sanne Wallis de Vries ka performuar këngën fituese duke i ndryshuar fjalët. Performuesja modifikoi fjalët e këngës “Toy” kushtuar në origjinal lëvizjes #METoo, për të adresuar më pas mesazh politik duke përfshirë edhe shpërndarjen e videove të protestuesve palestinezë dhe mureve të ngritura në kufirin e izraelit.

“Më shikoni mua, unë jam një vend simpatik i vogël, udhëheqësit e botës hanë me guxim në dorën time dhe me një puthje i shuaj të gjitha zjarret…Shikoni sa bukur është kur i lëshoj bomba, përsëri, oh po, Izraeli fiton. Për 70 vjet, kjo festë vazhdon”, ka kënduar ajo.

https://www.youtube.com/watch?v=h6LJfB6Ftiw

Ndërsa të papranueshme dhe të turpshme e ka konsideruar këtë gjest Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit.
Në letrën dërguar televizionit holandez BNNVARA mes të tjera është shkruar se “Duke treguar video të trishtuara dhe dëshpëruese si një sfond në Konkursin e Këngës në Eurovizion nuk ishte thjesht shije e keqe, ajo ishte gjithashtu e papranueshme dhe e turpshme”.

Izraeli do të jetë vitin tjetër nikoqir i Eurovizionit, për të katërtën herë. Pak ditë pasi Netta fitoi Eurovizionin me këngën ‘Toy’ rreth 50 palestinezë humbën jetën në luftim me trupat izraelite në kufirin mes dy vendeve. / KultPlus.com

‘Ekrani i Artit’ këtë vit me program të pasur artistik

Edicioni i dytë i “Ekrani i Artit” vjen si një bashkëpunim i Art House me festivalin ndërkombëtar të filmit “Lo schermo dell’arte” në Firenze.

Lo schermo dell’arte është një festival ndërkombëtar i filmit i cili organizohet që nga 2007 në qytetin e Firences në bashkëpunim me institucione kulturore, qendra për artin, akademi e universitete italiane e ndërkombëtare.

I lindur si një projekt që kërkon të promovojë lidhjet mes artit bashkëkohor dhe kinemasë, në të prezantohen çdo vit filma, dokumentarë mbi artin bashkëkohor të shoqëruar me instalacione, video, takime me artistë e kuratorë, rezidenca për artistë ndërkombëtare, produksione dhe shpërndarje të filmave.

Këtë vit, programi i përzgjedhur sjell filma, dokumentarë e video që janë shfaqur vitin e fundit në festivalin e filmit, i cili shënoi edhe dhjetë vjetorin e themelit të tij.

Të ftuar të veçantë të Ekrani i Artit do të jenë Silvia Lucchesi, drejtoreshë e “Lo schermo dell’arte”, Leonardo Bigazzi, kurator i VISIO European Programme on Artists’ Moving Images, Rä di Martino, regjisore e “Controfigura”, njërit prej filmave që do shfaqen, Driant Zeneli, artist pjesëmarrës në programin VISIO 2017 me videon “It would not be possible to leave planet Earth unless gravity existed” si dhe muzikantët Admir Shkurtaj e Giorgio Distante.

Ditët e Ekranit të Artit, krahas projeksioneve, do të shoqërohen edhe nga momente muzikore, biseda e prezantim libri.

Programi
E premte 25 maj

Kinema Millennium

17:00 Hapja dhe fjalët përshëndetëse
17:30 “Equivalent Units”- Danilo Correale, Itali/SHBA, 2017, 19′
18:00 “Koudelka: Shooting Holy Land”- Gilad Baram, Izrael, 2015, 72’

E shtunë 26 maj

Art House
10:30 Bisedë me regjizoren Rä di Martino
Teatri Migjeni
12:30 Performancë muzikore nga Admir Shkurtaj
Kinema Millennium

17:30 “Deep Sleep”-Basma Alsharif, Kuvajt/SHBA, 2014, 12’45”
18:00 “Thomas Hirschhorn: Gramsci Monument”, Angelo A.Lüdin , Zvicër, 2015,94’
20:00 “In Art We Trust”- Benoît Rossel, Zvicër/Francë, 2017, 85’

E diel 27 maj

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi

12:00 Promovimi i librit “Dhoma e Dritshme” i Roland Barthes, përkthyer në shqip nga
Zef Paci
Kinema Millennium
17:00 “It would be impossible to leave the earth unless gravity existed”- Driant Zeneli,
Shqipëri, 2017, 13′ 41”
17:30 “Séance”-Yuri Ancarani, Itali, 2014, 30’
19:30 “Controfigura”- Rä di Martino, Itali/Zvicër/Francë/Marok, 2017, 75’
Qendra Rinore Arka

21: 30 Koncert me Admir Shkurtaj e Giorgio Distante

Çmimi ‘Ardhje 2018’ do të ndahet me datë 1 qershor

Me datë 1 qershor do të hapet ekspozita e finalistëve të Çmimit Ardhje 2018, kuruar nga Alban Hajdinaj.

Ngjarja do të fillojë në orën 19:00, në Galerinë Zeta – Tiranë, shkruan KultPlus.

Fituesi i Çmimit Ardhje 2018 do të shpallet gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës, përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga Barnabas Bencsik, Anthony Elms dhe Alketa Ramaj.

Finalistët e Çmimit Ardhje 2018 janë: Blerina Muça, Fatlum Doçi, Remijon Pronja dhe Sokol Peçi.

BLERINA MUÇA u lind në vitin 1985, në Fier. Ajo studioi dhe u diplomua në vitin 2008, në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku edhe aktualisht jeton e punon. Ndër ekspozitat më të rëndësishme që ka marrë pjesë përmendim: “Çmimi Idromeno”, Galeria e Arteve, Shkodër (2017); “…në një ditë si gjithë të tjerat”, Zeta Galeri, Tiranë (2015); Onufri XVIII. “Piktura e Jetës Moderne”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2011).

FATLUM DOÇI u lind në vitin 1991, në Shkodër, ku aktualisht jeton dhe punon. Studioi dhe u diplomua në Atelienë e Multimedias, Universiteti i Arteve në Tiranë, në vitin 2015. Ndër ekspozitat ku ka marrë pjesë përmendim: Bienalen e Humorit dhe Satirës, Gabrovo, Bullgari (2017); Mediterranea 18 – Bienalja e Artistëve të Rinj, Tiranë (2017); “Ngjan si”, Zeta Galeri, Tiranë (2017); “Inside Out”, Tirana Art Lab (2016); Çmimi Idromeno, Galeria e Arteve, Shkodër (2015); arTVision – A Live Art Channel, Qendra M’ARS për Artin Bashkëkohor, Moskë (2015).

REMIJON PRONJA u lind në vitin 1984 në Tiranë, ku aktualisht jeton dhe punon. Studioi në Itali dhe mori MA shkencor në pikturë, në Universitetin e Breras, Milano dhe MA shkencor në departamentin e kërkimeve për artin bashkëkohorë në Universitetin e Breras, Milano (2011). Ka realizuar tre ekspozita individuale: “Inno alla Gioia”, Galleria Opere Scelte, Torino (2018); “Untitled in Allegro Moderato”, Zeta Gallery, Tirana (2017), dhe “rex anonymous”, Ku(rz)nthalle Bregenz, Austri (2014). Ka marrë pjesë në një numër ekspozitash në grup: “Exgratia” Collezione Giuseppe Iannaccone, Milano (2018); “Çmimi Idromeno”, Galeria e Arteve, Shkodër (2017); Mediterranea 18 – Bienalja e Artistëve të Rinj, Tiranë (2017); “Balena e cila ishte nëndetëse”, Ludëig Museum, Budapest (2015); “Post Young Albanian Artists”, Museo Pino Pascali, Bari (2013); Onufri XIX. “Ndoshta të ëndërrosh”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2012).

SOKOL PEÇI u lind në vitin 1984 në Tiranë, ku aktualisht jeton dhe punon. Ai studioi për art pamor në Itali, ku u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Venezia (2008) dhe mori MA, në Akademinë e Arteve të Bukura në Bologna (2013). Ndër ekspozitat më të rëndësishme përmendim: “Double Feature #9”, Tirana Art Lab (2017); “T.I.C.A. Rezidenca #7”, Zeta Galeri, Tiranë (2011); “Ëhat is Ëaiting Out There”, Bienalja e 6-të e Berlinit (2010); “Efiçenca simbolike e kornizës”, Bienalja e Tiranës – Projekti satelitor (2009); Onufri XVI. “Dëshira dhe dëshmi”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2009); Ekspozita e 87 Kolektive, Fondacioni Bevilacqua la Masa, Venecia (2003). / KultPlus.com

Era në xhirime të klipit për këngën e Botërorit

Era Istrefi ka publikuar dy fotografi në Instagramin e saj që janë shkrepur gjatë xhirimeve të videoklipit të këngës zyrtare të Kampionatit Botëror që fillon në Rusi.

Kënga do të publikohet të premten dhe është në bashkëpunim me Will Smithin, aktorin që i kthehet këndimit dhe Nicky Jam.

Kënga besohet të jetë e titulluar “Live it up”.

Shpallen pesë finalistët e Çmimit Kadare, me vlerë 10 mijë euro

Çmimi Kadare, një nga eventet më të rëndësishme letrare të vitit, tashmë ka hyrë në fazën finale ku dhe ethet e garës janë shtuar.

Të martën juria ka bërë takimin e radhës, për të përzgjedhur 5 veprat që do të mund të garojnë për çmimin e madh prej 10.000 eurosh, që do të ndahet këtë fundjavë në Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj).

“Nuk ka qenë një zgjedhje e lehtë nga e jurisë, duke qenë se këtë vit prurjet ishin të një niveli të lartë, çka tregon se vazhdimësia e traditës në prozën shqipe do të jetë e mirë, por nga ana tjetër veprat e përzgjedhura kanë ardhur pas një diskutimi të gjatë nga ana e pjesëtarëve të jurisë, si dorëshkrimet që mbartin gjithë elementët e duhur të një teksti të mirëfilltë letrar”, thotë Alda Bardhyli, koordinatore e këtij çmimi.

Mes finalistëve janë emra të njohur në letrat bashkëkohore shqipe por dhe dy autorë të rinj përsa i përket njohjes së tyre me lexuesin.

Juria e çmimit Kadare këtë vit kryesohet nga Kim Mehmeti një emër i njohur i letrave shqipe dhe në përbërje janë emra të njohur të letrave si Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili.

Finalistët:

Vera Bekteshi- Një rrugë e gjatë pa krye-roman

Virgjil Muçi-Piramida e shpirtrave-roman

Gazmend Krasniqi-Triologjia e Shkodrës-roman

Rudina Çupi-Shenjat e pikësimit-roman

Thanas Dino-Prishja ose Ndërrimi dhe ndalimi-roman

‘Unë jom Era edhe koha jeme o tu ardhë’

Era Istrefi nuk e gëzon famën e Shakirës, por nëse Shakira e ka kënduar para disa vitesh këngën e Kampionatit Botëror, Era është ajo që do të jetë këtë vit zëri kryesor për muaj të tërë në botë.

Era do të jetë këngëtarja e këngës kolonë zanore të Kampionatit Botëror Russia 2018.

Si nisi gjithçka me Erën? Disa këngë të regjistruara në Youtube si versione të saja, derisa doli me këngët e saja personale. Në fillim e njohën si motra e Nora Istrefit, ndërsa sot ajo e ka tejkaluar këtë epitet për tu bërë vetëm Era.

-Unë jom Era. – thotë vetë ajo në njërën prej këngëve të saj.

Era të premten do ta lansojë bashkëpunimin e saj për Kampionat Botëror, kësisoj duke marrë një pozitë muzikore të lakmuar prej shumë këngëtareve botërore.

E nisi në vitin 2013 me “Mani për money” ndërsa do të vazhdonte shumë shpejtë të ngjitej me hapa drejt skenës muzikore shqiptare, ndërsa me “Bon bon” tejkaloi parashikimet dhe u shndërrua në një hit evropian, për të mos thënë botëror.

Era sot nuk është emër i njohur ndoshta për të gjitha ta që do ta ndjekin Kampionatin Botëror të Futbollit, por situate nuk do të jetë e njëjtë pasi të përfundojë ky Kampionat.

“E dehun”, “13” janë dy këngë tjera të Era Istrefit. Provokimi – u quajt i tillë një videoklip që ajo e realizoi brenda një objekti fetar. Pak rëndësi ka kjo kur kujtojmë se Era edhe aty shkëlqeu, shkruan KultPlus.

Era nuk ka shumë këngë për të qenë e suksesshme sa është sot, por me pak projektet e saj muzikore ka ditur ku të godasë, cilat kontakte ti ketë rreth vetes dhe cilët njerëz ti ketë bashkëpunëtorët e saj.

“Origami”, “No I Love Yous”, “Redrum”, “Njo si ti” e “Shumë pis” janë disa prej këngëve tjera të Erës. Asnjëra nuk ka mbetur në hije, secila është hit i kohës kur u lansua.

Era nuk bën shumë zhurmë, por bombardon kur pritet më së paku.

Nicky Jam dhe Will Smith do ti bashkohen Erës në këngën e cila bën krenarë të gjithë shqiptarët. Sepse është sukses i madh që një shqiptare të jetë zëri kryesor i Kampionatit Botëror. / KultPlus.com

Revolucionarët e ri

Jurij Hudolin, përkthyer në shqip nga Fadil Bajraj

Ku jeni revolucionarë?
Masa e shpirtit tuaj nga mërzia është
anarki e kondensuar, besim pa sëmundje
empirike, ideal i samtë.

Ku jeni kamikazë, emblema errësire,
ku jeni mullixhinj të lumit të përgjakur, në
barkun e cilave gra shtatzëna janë çizmet e juaja?
Nuk ju pëlqen poezia e pastër dhe gjumi i rehatshëm?
A do t’i sakrifikoni pasardhësit tuaj ashtu siç
kanë vepruar poetët e mallkuar për shkak
të egoizmit të pakushtëzuar ndaj vargjeve të veta?

Ju jeni, revolucionarët e mijëvjeçarit të tretë,
si vdekja nën dhëmbët e lepurit,
trima me majica të shqyera nga zhgërryerjet
gjatë natë në pisllëk.
Ata që do të vijnë, të lindur pas jush, do të thonë
për eshtrat e juaj bosh:
aty nuk ka pasur njeri.