Fifi sjellë në Top Show këngën fituese të Eurovizionit (VIDEO)

Këngëtarja kosovare Filloreta Raçi – FIFI , ka kënduar në Top Show në Shqipëri versionin e saj të këngës fituese të Eurovizionit për këtë vit.

Kënga “Toy” po merr vëmendjen e duhur edhe nga shqiptarët dhe FIFI e solli në një mënyrë të veçantë në emisionin e njohur shqiptar, këngën e kënduar nga izraelitja Netta Barzilai.

“Toy” është shndërruar tanimë në një hit dhe pritet që vera e këtij viti të jetë e Nettës dhe krijimit me të cilin ajo fitoi zemrat e evropianëve dhe fitoi Eurovizionin duke përfaqësuar shtetin e saj.

Ky është interpretimi i Fifit me këngën ‘Toy’ nga Netta. / KultPlus.com

Muzeu i Kosovës shënon Ditën Ndërkombëtare të Muzeve duke përcjellë mesazhin për paqe

Alberina Haxhijaj

Dita Ndërkombëtare e Muzeve e cila shënohet sot në gjithë botën, në më shumë se 35 mijë muze dhe në 157 vende të botës është shënuar edhe në Muzeun e Kosovës.

Për të shënuar këtë ditë të parët që vizituan muzeun ishin fëmijët të cilët mësuan më shumë për teknikat e kaligrafisë, ikonografisë dhe manuskripteve, diçka që është e veçantë për Kosovën pasi fëmijët jo çdo herë kanë mundësinë që të shohin sesi punohet me fleta të arit.

Alisa Gojani-Berisha nga Muzeu i Kosovës tha se ideja e promovimit të muzeve ka të bëjë me faktin që gjeneratat e reja të inspirohen me vlerat e trashëgimisë kulturore dhe ta përcjellin këtë edhe në gjeneratat tjera.

“Sivjet tema e festimit ka qenë “Muzetë e ndërlidhur, qasje të reja, publik i ri” dhe ne kemi shfrytëzuar rastin që pasi po dëshirojmë që të ndërrojmë konceptin e prezantimit në Muzeun e Kosovës, të sjellim aktivitete të ndryshme. Pra jo vetëm përmes ekspozitave por edhe përmes aktiviteteve në mënyrë që grupmoshat e ndryshme të mësojnë më shumë për trashëgiminë e Kosovës”, tha ajo për KultPlus.

Tutje Alisa tregon se aktivitetet të cilat po ndodhin sot janë të lidhura edhe me projektin “Qytetet e Paqes” e që udhëhiqet nga Elllen Frenk. Ajo është duke realizuar një pikturë e cila përmban hartën e Prishtinës mbi të cilën janë duke u bërë punime të cilat janë bazuar në punimet nga filigrani. Kështu sipas saj bazuar në faktin që projekti “Qytetet e Paqes” po zhvillohet në Muze, Muzeu ka vendosur që në këtë ditë të promovojë edukimin përmes paqes.

Ellen Frank tregoi për KultPlus se është shumë e lumtur që i është dhënë mundësia që të gjithë fëmijët dhe të rriturit që do të jenë sot pjesë e aktiviteteve të lënë gjurmët e tyre në punimin e saj.

“Sot jam shumë e lumtur pasintë gjithë që po marrin pjesë në aktivitetet e muzeut po ashtu po lënë gjurmët e tyre edhe në pikturën time. Ajo që më bëri sot më shumë të lumtur është fakti se pati shumë fëmijë dhe të gjithë ngjitën disa copëza ngjyrë argjendi e copëza ngjyrë ari në punimin tim”, u shpreh ajo për KultPlus.

Artistja Ellen Frank është duke bërë një punim të veçantë i cili shpalosë kulturën e Kosovës, punim i cili më pas do të prezantohet edhe në Amerikë në kuadër të projektit “Qytetet e Paqes”.

Sot gjatë gjithë ditës për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve në këtë muze në Prishtinë do të ketë aktivitete të ndryshme. / KultPlus.com

Era Istrefi, zëri i himnit të Kampionatit Botëror 2018-të

Ajo është një super vajzë, e cila sapo ka dhënë një super lajm për karrierën e saj.

U rrit në rrugët e Prishtinës, por talenti, zëri i saj e muzika, nuk u shijuan vetëm prej kosovarëve. Era Istrefi, është e vetmja këngëtare shqiptare, e rritur në Kosovë që pati “boom” ndërkombëtar me këngën Bon Bon të punuar nga producenti kosovar Big Bang, së shpejti ajo do të ketë edhe një tjetër hov në karrierë.

Por kjo s’është as fillimi i asaj që pritet të bëjë Era në ditët në vazhdim. Prive zbulon ekskluzivisht, se këngëtarja do të jetë pjesë e këngës që do dëgjohet ngado në botë përgjatë një muaji të tërë.

“Era Istrefi do ta bëjë këngën e Kampionatit Botëror te futbollit. Aktori e këngëtari i famshëm Will Smith do të këndojë me Erën në këtë projekt në të cilin producent është i famshmi DJ Deeplo, e xhirimet e spotit fillojnë nesër”, kanë thënë burime të afërta të këngëtares për Prive.

Era Istrefi, definitivisht po shkruan histori në botë.

Kampionati Botëror i Futbollit, që mbahet çdo katër vjet këtë vit do zhvillohet nga datat 14 qershor deri me 15-të korrik në Rusi, ndërsa kjo është njëra ndër ngjarjet më të ndjekura në botë, që mbledh me miliarda shikues, qofshin ose jo adhurues të futbollit.

Kosovarja Era Istrefi, vetëm 23 vjeçare, do të jetë zëri i këtij kampionati botëror, duke bashkëpunuar me një artist ndërkombëtarisht të njohur si Will Smith, e duke u renditur në mesin e artistëve si Shakira, Jennifer Lopez, Anastacia e Jason Derulo.

Përderisa bota do jetë duke parë futboll e duke bërë tifo për shtetet e tyre, Kosova edhe pse jo në garë, do jetë prezente me zërin e Era Istrefit në HIMNIN E KAMPIONATIT BOTËROR 2018-të. / KultPlus.com

Shqipëria e Kosova këtë vit do të marrin pjesë në Turkvision Song Contest

Në tetor të këtij viti do të mbahet Turkvision.

Për herë të katërt në Turqi vjen festivali muzikor i inspiruar nga Eurovizioni.

Këtë vit në festival do të marrin pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova por dy vendet ende nuk kanë nxjerrë përfaqësuesit e tyre në garë.

Këngët janë pjesërisht në turqisht ndërsa gjithmonë përkujdeset që gjuha turke të promovohet gjatë festivalit pasi ky është edhe qëllimi kryesor i tij.

Në tri vitet e kaluara në festival kanë fituar Azerbajxhani, Kirgistani dhe Kazakistani. / KultPlus.com

‘Nënë ku i kam vëllezërit, nënë këndoma një këngë…’

Kujtim Paçaku /
KËNGË E ZEZË

Nënë ku i kam vëllezërit
I kanë vrarë …
Po babai ku është nënë
Nuk u kthye …
As qeni i shtëpisë nuk dëgjohet
E helmuan …

Nënë këndoma një këngë
Zëri më është shtjerrë o bir …
Më jep pak bukë nënë
S’kemi asnjë dromcë …
E cdo të hamë sonte moj nënë
Do të kafshojmë dhimbjen tonë
E do të dehemi me lotë …

Maylinda Kosumoviq, pjesë e projektit teatror në Matera të Italisë

Foto: Boubkar BENZABAT

Silvia Graubaldi ka angazhuar disa aktorë për një shfaqje të radhës.

Aktorja Maylinda Kosumoviq është pjesë e këtij projekti. Ajo ka treguar se në Lecce të Italisë po mbahet punëtoria e parë ndërsa më vonë do të pasojnë punëtoritë tjera.

“Tema e shfaqjes ka të bëjë me Qytetin e Materës, i cili ka qenë dikur ‘turpi i Italisë’ ndërsa sot konsiderohet si vendi më kulturor brenda shtetit” tregon Kosumoviq.

Punëtoria e parë për projektin teatral ‘The poetics of shame’ po mbahet me regjisorin Italian Massimiliano Civica ndërsa në nëntor do të vazhdohet me punëtori në Matera me regjisorin Maja Kleczewska. Në Shkup do të pasojnë punëtoria e radhës dhe më pas edhe një tjetër workshop do të mbahet me Jeton Nezirajn.

“Më pas nga janari deri në mars do të jemi prapë në Matera ku do të kemi prova 45 ditë me koreografen dhe regjisoren Gribaudi, dhe këtu do të jetë edhe premiera e shfaqjes” tregon Maylinda Kosumoviq.
Gribaudi ka lindur në Torina ndërsa ajo fokusohet sidomos në hulumtimin e trupit dhe raportit të tij me audiencën.

Në vitin 2009 ajo fitoi në garën Giovane Danza d’Autore ndërsa puna ‘A corpo libero’ u prezantua më pas edhe në Festivalin e Vallëzimit në Dublin dhe në Bienalen e Venecias. Që nga viti 2011-të rreth 60 pjesëmarrës kanë qenë pjesë e punëtorive të saj, shkruan KultPlus.

Kosumoviq në anën tjetër është ndër aktoret më aktive momentalisht në vend. Ajo ka qenë pjesë e shfaqjes Bordel Ballkan ndërsa është pjesë edhe e leximit të radio-dramës ‘On Kosovo Field’ – fituese e çmimeve për radio-dramë në BBC, mes projekteve tjera ku merr pjesë. / KultPlus.com

‘Viktimë’ mentaliteti

Poezi nga Agon Rexhepi

Mos tento
me fol për mu
e, as për jetën tem
se
ti nuk e din
me çka unë jom përball
Ti nuk e din
sa forcën e kom shpenzu
T’u u munu me i rënu muret
që i kan’ kriju njerëzit si ti
e që po i qujn’ tabu
Mos gabo me m’bërtit
se boll m’u kan’ shurdhu vesht’
prej fjalve t’tjerve
që dashta s’dashta
m’kan’ gju shumë posht’
qaq posht’ sa ti s’je kan’ kurr’
se me pas kan’, s’kishe ba qështu
se e kishe dit’
qysh nihesh.
Mos gabo me kesh me mu
Ndjej pak mshir’
për ftyrën tem
e cila asht’ e etun për lumtuni
lumtunin’ që ti e gjen
Me dobsit’ e tjerve
A me mnyrën qysh ata jetojn’
e vet,ti harron me jetu

Mos guxo edhe niher’
me m’hi n’jetë
e me m’kallxu kon me dasht’
e,edhe dashnis tem
armës t’vetme që m’ka mbet
me i qit kufi
a me ma imponu
Mos m’kallxo çka me kqyr
se kta sy kan’ pa shumë sene
që s’u dasht’ me i pa
E , mos m’shti me bërtit
se e di qe britma jem
ka me mrri n’vesh t’shurdht
po edhe jom lodh t’u fol
qoft’ me veten
qoft’ për veten
qoft’ me tjerët
qoft’ për tjerët
Mos m’kallxo
me çka me mbulu kit’ trup
a me çka me vesh shpirtin tem
se ti nuk e din me sa
shuplakën
grushtin
e shkelmin u përballu
trupi jem
prej njerëzve
a fal’ njerëzve si ti
që s’t’lajn’ me kan’
vetvetja.

A pak po t’doket që m’ke marr’
prej jetës tem
veq po t’pengon edhe ekzistenca jem
e qat’ pak hapsin’
që pe nxa’
veq po munohesh
me ia shkatrru jetën
edhe ma t’dashunve t’mi
t’cilt’ jan’ ba shurdh,memeca
e t’verbën
veq prej tutës
se çka kan’ me than’
njerëzit
si ti
e, e harrojn’ lumtunin tem
ndjenjat e mia
hjekat’ e mia
e, sfidat e mia.
Lem’!
Lem’ t’jam vetvetja e t’i boj senet që du
e që kam nevoj’
Mso’ me dasht’ veten
e qajo dashni që ty t’mungon
lej’ njerëzit ta ken’
Ti ki frik’ me jetu
a unë, me ton’ kto plagë
hala marr’ frym’
larg e pa dashnin’ e njerëzve qe m’msun me dasht’
Unë kam mbijetu e
jetoj
veç n’emën t’dashnis’.

‘Hitleri dhe Enver Hoxha iu dalin hak’, hapet ekspozita me gjuhën e urrejtjes ndaj komunitetit LGBT

Një ekspozitë ku u tregua gjuha e urrejtjes karshi komunitetit LGBT në Kosovë sot u shfaq në kryeqytet.

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë, në Sheshin ‘Nënë Tereza’ u shfaqën mesazhet e tmerrshme që njerëzit i shkruajnë në rrjete sociale kur sulmojnë pjesëtarët e komunitetit gej, lezbik, trasngjisor e biseksual, shkruan KultPlus.

16 fotografi sot ishin pjesë e ekspozitës.

“Vetëm Hitleri dhe Enver Hoxha ktyne ja u kish dhan hakun…” ishte njëri prej komenteve që u pasqyrua në këtë ekspozitë.

Vitin e kaluar Kosova për herë të parë e pa Paradën e Krenarisë e cila ndodhi në muajin tetor, një ngjarje kjo historike për komunitetin LGBT.

Në një studim të vitit 2017-të, rreth 95 përqind e qytetarëve në Kosovë janë homofobë dhe nuk do të donin një fëmijë që është homoseksual. / KultPlus.com

‘Era Istrefi dhe Genta Ismajli, përfaqësimet e mundshme të Kosovës në Eurovizion’

Po diskutohet sonte në emisionin NIN në televizionin Klan Kosova mbi Eurovizionin.

Festivali më i madh evropian i muzikës ka mbaruar javën e kaluar edicionin e radhë dhe diskutimet po vazhdojnë ende.

Producenti muzikor dhe këngëtari MIXEY – Shpend Hajredini, ka thënë se Era Istrefi do të ishte e mirë për përfaqësim në Eurovizion nëse do t’i ruhej origjinaliteti që e karakterizon.

Ai thotë se producentët që dërgojnë këngë në Eurovizion duhet të kenë diçka origjinale dhe diçka që bën diferencën

Një tjetër prej mysafirëve në emision, pjesë e Eurovision Kosovo, ka thënë se i pëlqen karakteri i Genta Ismajlit, prandaj ajo do të ishte një tjetër propozim i mirë për Kosovën në Eurovizion.

Kosova ende nuk mund të marrë pjesë në Eurovizion pasi nuk është pjesë e EBU – Unionit të Transmetuesve Evropianë. Megjithatë, ka shansa që shumë shpejtë Kosova të debutojë si shtet në garën ku marrin pjesë disa shtete evropiane.

Këngëtaret Linda Halimi dhe Rona Nishliu nga Kosova kanë përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, kjo e dyta me një rezultat fantastik në finalen e Eurovizionit të vitit 2012-të. / KultPlus.com

140 punë artistike nga Kosova, pjesë e ekspozitës ‘Join the Dots’ në Trieste

Punët e ndryshme artistike të disa artistëve kosovarë do të jenë pjesë e një ekspozite në Trieste.

Organizuar nga Imago Mundi – një projekt i artit bashkëkohor me koleksionistin Luciano Benetton dhe familjen e tij nga Benetton Group, do të hapë ekspozitën ku mes shteteve pjesëmarrëse është edhe Kosova me disa artistë të saj.

Punë nga Përparim Rama, Jeton Muja, Alije Vokshi, Zymer Mulliqi, Genc Kadriu, Jakup Ferri, Mehmet Behluli, Nita Qahili, Arbërore Sylaj, Blerim Rracaj, Rron Qena, Alban Nuhiu, Dardan Zhegrova, Gani Llalloshi, Jeta Kalaveshi, Rexhep Ferri e artistë tjerë do të jenë pjesë e kësaj ekspozite.

Nga data 29 maj deri me 2 shtator koleksioni “Small is Beautiful. Contemporary Artists from Kosovo” do të shfaqet në Trieste në ekspozitën “Join the Dots”.

Projektit i janë bashkuar rreth 25 mijë artistë nga 150 shtete të botës, mes tyre edhe Shqipëria, Kosova, Ukraina, Libani, Serbia, Rumania, Qipro, Algjeria e shtete tjera.

140 punë nga artistët kosovarë do të jenë pjesë e ekspozitës, e cila bashkon artin në qytetin e bukur italian.

Secili shtet përfaqësohet me artistë që janë përzgjedhur nga kuratorë vendorë.

Nga nëntori i këtij viti e deri në vitin 2020 një përzgjedhje prej këtij koleksioni do të udhëtojë për në Kinë, për të festuar 70 vjetorin e Republikës, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të hapet zyrtarisht në Salone degli Incanti (ex Pescheria). / KultPlus.com

Fuqia e këngës ‘Ante i tokës sime’ (VIDEO)

Një këngë e njohur në trojet shqiptare, “Ante i tokës sime” ka një gjak shqiptar.

Kënga e njohur nga Rovena Dilo e sjellë para disa vitesh në skenën e Festivalit të Këngës në TVSH erdhi e fuqishme para një publiku që e priti mirë.

Një këngë për shqiptarët dhe për trojet shqiptare që me vite u ndanë nga njerëzit e ndryshëm të historisë, e solli Rovenën ndoshta në kulmin e karrierës së saj deri në atë kohë.

https://www.youtube.com/watch?v=Od2UX7dkxmI

Tekstin e këngës e ka shkruar Rovena ndërsa muzikën e kanë realizuar Ardit Gjebrea dhe Alfred Kaçinari.
Edhepse kënga ka 18-të vite qëkur u realizua gjithmonë ndjehet si këngë e re dhe e realizuar së voni. Nostalgjia është e madhe me këtë këngë. / KultPlus.com

Gëzimet e agjërimit

Poezi nga RUMI / Përktheu: Rozafa Kelmendi

Ka ëmbëlsi të fshehur në zbrazëtinë e barkut.
Ne jemi lahuta, as më shumë, as më pak.
Nëse kutia e zërit është e mbushur plot me asgjë, muzikë nuk ka.
Nëse truri dhe barku digjen pastër
me agjërim, çdo çast një këngë e re del nga zjarri.
Mjegulla pastrohet, dhe një energji e re,
të bën të nxitosh hapat që para ke.

Kur agjëron, zakonet e mira mbledhen si miq që duan të ndihmojnë.
Agjërimi është unaza e Sylejmanit. Mos ia fal atë
ndonjë iluzioni dhe të humbasësh fuqinë .
Por edhe nëse ke humbur gjithë dëshirën dhe kontrollin,
kthehen sërish, kur të agjërosh,
si ushtarë që shfaqen nga toka,
me flamujt që u fluturojnë sipër.

Fituesja e Eurovizionit performon ‘Toy’ në sheshin kryesor në Tel-Aviv (VIDEO)

Rreth 30 mijë qytetarë kanë dalë në Sheshin kryesor në Tel-Aviv për ta përcjellë koncertin e fitueses së Eurovizionit këtë vit, Netta Barzilai.

Mbrëmë ajo në Sheshin kryesor ka performuar këngën fituese, me të cilën ia solli Izraelit fitoren e katërt në Eurovizion, të dytën pas 20-të vitesh.

Netta u shndërrua kësisoj në një këngëtare të njohur brenda pak kohësh, pasi të shtunën e 12 majit e fitoi finalen e Eurovizionit këtë vit.

Kënga “Toy” është ritmike dhe tregon fuqinë e femrës, edhe pse ka debate të ndryshme rreth këngës dhe mesazhit të saj feminist.

Shtetet që e kanë fituar më së shumti Eurovizionin janë Irlanda – gjithsej shtatë herë, Suedia gjashtë herë, Anglia dhe Franca e Luksemburgu me nga pesë herë dhe Izraeli e Holanda me nga katër herë secila. / KultPlus.com

Imami që përcillte meshat e Fan Nolit

Bajram Mjeku / Facebook

Se ç’është toleranca fetare e dinjiteti njerëzor dhe si shkohet gjithë jeta në shërbim të atdheut, këtë e dëshmon më së miri ky burrë në foto, i cili si luftëtar i Rezistencës antikomuniste u largua nga Shqipëria në tetor të vitit 1948 dhe për të të gjallë, nuk e pa më asnjëherë Shqipërinë. Është Hamit Perolli, i cili u lind në Perollaj të Hasit të Shqipërisë në vitin 1913.
Hamit Perolli para se të largohej nga Shqipëria, ishte imam i xhamisë në vendlindjen e tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, grupi i tij dhe ai i Mehmet Ali Bajraktarit nga Hasi luftuan kundër fashistëve italianë. Grupi ushtarak i Hamit Perollit më vonë iu bashkua Lëvizjes Fronti i Përbashkët, që udhëhiqej nga Gani Bej Kryeziu. Në këtë Front, Abaz Kupi përfaqësonte krahun e djathtë politik, Mustafa Gjinishi të majtin, ndërsa këshilltar politik ishte, Lazar Fundo.
Në vitin 1943, Gani Bej Kryeziu themeloi partinë Lidhja Katundare, e cila për mision kishte bashkimin e trojeve shqiptare. Në shtator të vitit 1944, komunistët rrethuan Grupin nacionalist dhe arrestuan Gani Kryeziun e Lazar Fundon. Duke dashur që t’i ikte luftës civile, Gani Kryeziu shpërndau grupin dhe u kthye në Gjakovë.
Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, jeta e familjes Perolli ishte e trishtë dhe dramatike. Kjo familje kaloi me vite të tëra në kampe përqëndrimi. Në fillim jetuan në Gjakovë, pastaj në Podujevë, Vushtrri, Kamenicë, më vonë në Vojvodinë dhe në Sisovec të Shumadisë. Në këtë të fundit, si pasojë e kushteve të rënda vdiq Skënderi, djali dy vjeç i Hamitit.

Familja e imam Hamit Perollit jetoi në ish-Jugosllavi deri në vitin 1954. Këtë vit migruan në Itali dhe qëndruan deri në vitin 1956. Më 6 nëntor të këtij viti, familja Perolli bashkë me atë të kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhafer Deva nga Aeroporti i Romës fluturuan drejtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ateruan në Aeroportin John F. Kenedy, i cili atëbotë quhej Adlewild Airport. Bashkë me familjet Perolli e Deva udhëtonte edhe Said Kryeziu, vëllai i vogël i Gani Kryeziut më vonë sekretar i Komitetit Shqipnia e Lirë, pastaj Gaço Goga nga Korça, ndër më të shquarit e Lëvizjes së Legalitetit, si dhe familjet e Miftar Spahisë, Ramazan Qosjes, Mark Shalës nga Malësia e Shkodrës, i cili ipërkiste Bllokut Independent, si dhe disa familje tjera të shquara. Kishte edhe personalitete tjera të shquara, të cilët më vonë themeluan Komitetin Shqipnija e Lirë, si dhe funksionarë të katër partive kryesore politike si Balli Kombëtar, Legaliteti, Partia Katundare dhe Blloku. Tri partitë e para ishin anëtare të Komitetit Shqipnija e Lirë, ndërsa Blloku nuk bënte pjesë si parti. Udhëheqësit e Bllokut, Ismail Vërlaci e Ndue Gjomarkaj në Komitetin Kombëtar ishin pranuar si individ.
Familja e Hamit Perollit dhe ajo e ministrit Xhafer Deva në fillim u vendosën në Boston. Gani Perolli, djali i imam Hamit Perollit, i cili edhe sot jeton në moshë të shtyer në Nju Xhersi, kujton se baba i tij Hamit Perolli, të dielave vishej bukur dhe bashkë me të shkonin për t’i përcjellë meshat e ish-kryeministrit shqiptar dhe eruditit të shquar, peshkop Fan S. Noli. Ganiu kujton se kur e pyesja babën pse shkonim në meshë, pasi i takonin fesë muslimane, baba i tij Hamiti thoshte:
– E kishim gjashtë muaj Kryeministër të Shqipërisë dhe meriton respekt…
Gani Perolli kujton se gjatë një bisede me Fan Nolin në vitin 1956, kur ky i fundit e pyeti pse u larguan nga Shqipëria mbas çlirimit?, – baba u përgjigj:
– Unë Hirësi, si edhe ti jemi njerëz të fesë, por kur atdheu ynë u pushtua nga Italia fashiste, vura Kur’anin në raft dhe mora pushkën në dorë për të çliruar atdheun.
Hamit Perolli vazhdoi bisedën me Fan Nolin dhe i tha:
– Kur komunistët morën Qeverinë me forcë, nisën të na persekutojnë neve që luftuam kundër okupatorit nazifashist. Kur komunistët shqiptarë u lidhën me komunistët jugosllavë, ne kundërshtuam këtë bashkëpunim, pasi udhëheqja komuniste shqiptare braktisi Kosovën dhe e la nën mëshirën e komunistëve jugosllavë.
Ish-kryeministri shqiptar dhe kryepeshkopi i Kishës Autoqefale shqiptare, Fan Noli për disa qaste qëndroi mendueshëm e tha:
– Ne nuk i disponojmë këto informata!
Hamit Perolli ndërroi jetë në moshën 74 vjeçare nga një sulm në zemër më 3 janar të vitit 1987 në Shtetet e Bashkuara. Në komunitetin shqiptaro-amerikan, mbahet mend si burrë me dinjitet, i cili gëzonte respekt të madh dhe asnjëherë nuk pushoi së kërkuari të drejtat për Kosovën. Edhe sot mbahet mend si luftëtar i paepur e unikat. Përveç që ishte patriot dhe besimtar i devotshëm, ai e dinte përmendësh edhe Lahutën e Malcisë së Gjergj Fishtës.

Foto: Imam Hamit Perolli në Itali në vitin 1955

Vuçiq: Do të doja ta dija gjuhën shqipe (VIDEO)

Është President i Serbisë, por do të donte ta njihte gjuhën shqipe.

Kështu të paktën thotë Aleksandër Vuçiq, në një intervistë për Klanin.

“Ndjehem fajtor që nuk di asnjë fjalë në gjuhën shqipe. Do të doja ta dija gjuhën tuaj dhe të jem më i edukuar, shpresoj se do të kem kohë të arrijë një gjë të tillë”, deklaron Vuçiq, njofton Klan Kosova.

Një intervistë ekskluzive ku po flitet për realitetin në raportet Serbi-Kosovë dhe mbi proceset tjera mes dy shteteve, Vuqiq ka thënë se do të donte të ishte më i edukuar në aspektin gjuhësor dhe se shpreson që do të ketë kohë t`ia arrijë synimit për të ditur më shumë për gjuhën shqipe.

‘Të bojkotohet mbajtja e Eurovizionit në një shtet vrasës’

Një qytetar nga Islanda kërkon që të bojkotohet Eurovizioni dhe transmetimi i tij në këtë shtet.

Peticioni në internet i cili ka mbledhur rreth 8 mijë nënshkrime thotë se televizionit kombëtar islandez RUV nuk duhet ta transmetojë vitin tjetër Eurovizionin, i cili do të mbahet në Izrael.

Izraeli e fitoi pas disa vitesh prapë Eurovizionin por këto ditë lajmet më të rënda vijnë pikërisht nga kufiri mes Izraelit e Palestinës ku dje u vranë rreth 50 qytetarë.

Po synohet që të arrihen rreth 30 mijë nënshkrime që Izraeli të mos jetë as nikoqir i Eurovizionit vitin tjetër.
Duket se edhe vetë fitorja e ‘pulës’ Netta nuk po komentohet shumë këto ditë marrë për bazë një ditë të përgjakshme dje. Netta megjithatë fitoren ia ka dedikuar Izraelit ndërsa ka tentuar të tingëllojë sa më pak politike në fjalimin e saj me tu kthyer në Izrael pas fitores në Eurovizion.

Izraeli e ka fituar Eurovizionin edhe në të kaluarën. Në vitin 1998 Dana International fitoi me këngën “Diva” ndërsa festivalin izraelitët e kanë fituar edhe në vitin 1978 dhe në vitin 1979. / KultPlus.com

Shqipëria dhe Serbia me ofertë të përbashkët turistike

Falë një marrëveshjeje të nënshkruar sot në Beograd nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, do të mundësohet bashkëpunimi mes dy vendeve kryesisht në fushën e turizmit.

Promovimi i përbashkët mes Shqipërisë e Serbisë do të bëhet me anë të paketave të përbashkëta turistike, programeve arsimore, aftësimit profesional të personelit, si dhe studime dhe projekte kërkimore në fushën e turizmit.

Marrëveshja dypalëshe u nënshkrua nga ministri Klosi me homologun e tij serb të Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajić.

“Së bashku me ministrin Lajic ne do të punojmë që ofertat të mos jenë vetëm shqiptare dhe serbe, por të jenë një bashkëpunim midis gjashtë institucioneve të turizmit të rajonit tonë, së bashku me Malin e Zi, Bosnje–Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë”, – tha ministri Klosi për median.

Nga ana e tij, ministri serb u shpreh se me produktin e përbashkët turistik shtohet mundësia që të tërheqin turistët, para se gjithash të tregjeve të treta. “Nuk ka rrugë më të mirë sesa turizmi dhe eksperiencat personale që mund të kenë njerëzit për të tejkaluar çdo pengesë”, – u shpreh Lajic. Pas takimit të dy ministrave u zhvillua edhe një takim midis tur operatorëve shqiptarë dhe serbë.

Gjatë qëndrimit në Beograd, ministri Klosi mori pjesë edhe në takimin e dytë të nivelit të lartë të samitit të pyjeve midis Kinës dhe vendeve të Europës Lindore. / KultPlus.com

Vështrim mbi Jerusalem

Jehuda Amihai / Përktheu Edon Qesari

Majë një tarracë të Qytetit të Vjetër
plaçka të nderura nën rrezet e vona të pasdites,
mbulesa e bardhë e një gruaje që e kam armike,
peceta e një burri që e kam armik,
me të ai fshin djersët e ballit.
Në qiellin e Qytetit të Vjetër
një balonë.
Nga ana tjetër e perit,
një fëmijë
që s’mund ta shoh
për shkak të murit.
Kemi ngritur shumë flamuj,
kanë ngritur shumë flamuj.
Që të mendojmë se janë të lumtur.
Që të mendojnë se jemi të lumtur.

***

Jerusalem
i vetmi qytet në botë
ku dhe të vdekurit kanë të drejtën e votës.

Blerta Sejdija, vajza e ‘Beat Sexism’ që shtrihet në 19 vende të botës

Gili Hoxhaj

Blerta Sejdija është studentja nga Kosova e cila është rritur dhe studion në Republikën Çeke. Vetëm 18 vjeçare, ajo ka krijuar një projekt të sukseshëm, të cilin e ka titulluar ‘Beat Sexism’.

Suksesi i projektit ‘Beat Sexism’ përveç se u ka ndihmuar shumë vajzave e grave të cilat janë përballur me pabarazinë, ka shënuar edhe një sukses tjetër që lidhet me zgjerimin e platformës edhe në vende të tjera të botës. Klubet ‘Beat Sexism’ tashmë ekzistojnë në 19 shtete të botës, në Evropë, Azi, Amerikë e Australi.

Blerta Sejdija tregon për KultPlus se vizionin për ta krijuar një projekt në dobi të shoqërisë e kishte pasur qysh herët, por që nuk kishte pasur guxim e as ide të qartë.

Projekti i saj “Beat Sexism”, tashmë numëron dy vite që nga hapat e parë të implementimit dhe është një platformë për t‘i treguar ngjarjet rreth pabarazisë që gratë dhe vajzat i përjetojnë çdo ditë.

“Seksizmi ka qenë gjithmonë një çështje e rëndësishme për gratë”, shprehet Blerta Sejdija për KultPlus.

Ajo thotë se edhe pse vajzat dhe gratë kanë bërë hapa të mëdhenj që nga shekulli 20, ato ende nuk kanë fituar barazi të plotë gjinore. Ajo thotë se mungesa e pabarazisë është e dukshme edhe sot tek shqiptarët, andaj problemet e tyre janë ato që i trajton Sejdija në projektin e saj, e cila shprehet se disavantazhet me të cilat përballen gratë dhe vajzat janë një burim kryesor i pabarazisë.

“E quajta ‘Beat Sexism’. Pse këte emër? Në përkthim dmth – “Lufto kundër seksizmit“. Besoj që vetëm nga emri i projektit njerëzit do ta kuptojnë qëllimin e tij. Një ditë të janarit fillova të punoj në këtë projekt duke shkruar se çfarë dua të arrij me të, dhe si do të marr përkrahje nga tjerët. U befasova se sa shpejtë morra reagime pozitive. Ky reagim pozitiv më motivoi mua të mos ndalem kurrë. Shumë shpesh gratë dhe vajzat janë të diskriminuara në arsim, përfaqësim politik, në familje, treg pune etj”, tregoi Blerta Sejdija për KultPlus.

Projekti i iniciuar nga Blerta Sejdija, dëshiron që ti afrojë gratë dhe vajzat më afër ligjit, pra ti njoftojë ato me të drejtat e tyre ligjore.

“Nëpërmjet këshillave tona ligjore dhe konfidenciale, ne mundohemi t’ju ndihmojmë vajzave dhe grave përmes ligjit. Vendosa me këtë projekt të jap këshilla falas ligjore vajzave dhe grave që kanë nevojë për të. Këshilltarët tanë ligjorë janë të kualifikuar në fushën e ligjit. Ata sigurojnë një hapësirë të sigurt për gratë që të flasin për situatën e tyre dhe të marrin këshilla profesionale eksperte për t’u mundësuar atyre që të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e tyre”, tregoi Sejdija.

“Edhe pse unë nuk jetoj në Kosovë, kam pasion për vendin tim dhe historinë e tij”, thotë Blerta.

Blerta Sejdija e cila jeton në Republikën Çeke është studente e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Ajo tregoi për KultPlus se synimi i saj është që ta promovojë Kosovën dhe shqiptaret në përgjithësi sa më shumë me anë të projekteve të ndryshme. / KultPlus.com

Eugenti tregon takimet me Eleni Foureirën dhe reagimet rreth shqiponjës

Eugent Bushpepa ishte i ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në një intervistë përball gazetarit Blendi Fevziu.

Ai foli për eksperiencën në Eurosong 2018 dhe shprehu falenderimet për mbështetjen e shqiptarëve e po ashtu lumturinë për rezultatin e arritur.

Veç të tjerash Eugenti rrëfeu edhe për takimin me Eleni Fourierën dhe Ermal Metën. Eugenti u shpreh se raportet mes tyre ishin shumë të mira. Ai tregoi për herë të parë në “Opinion” se pati një incident pasi publikoi foton me këngëtaren teksa bënin simboli e shqiponjës.
Qipro kishte kërkuar heqjen e fotografisë sepse sipas tyre dëmtohej performanca dhe përfaqësimi i tyre. Por Eleni Fouriera e kishte ndaluar diçka të tillë duke u ndjerë e lumtur dhe krenare për prejardhjen e saj.

“Në patëm një ftesë të takonim Elenin, unë nuk e kisha takuar asnjëherë më parë. Ajo ka shkuar që e vogël dhe është rritur në Greqi. Eleni ishte shumë e lumtur për prejardhjen e saj saqë në një fotografi që realizuam bashkë bëmë simbolin e shqiponjës”.

“Ajo fotografi i hapi avaze. Ajo nuk u shqetësua aspak. Në fakt unë i kërkova falje që e publikova dhe ajo tha madje shumë mirë ke bërë që e kë lënë, sepse ata të Qipros tentuan që të hiqnin fillimisht fotografinë. Ata donin ta hiqnin sepse nuk donin që performanaca të merrte një konotacion negativ. Por ajo kërkoi që të mos hiqet fotografia sepse tha që jam e lumtur për prejardhjen time”, u shpreh Bushpepa. / KultPlus.com

Kënga fituese “Toy” në kohë dhe në vend të duhur

SIBEL HALIMI

Në kohën e sotme, vajzat rriten me idenë që qenia e tyre reduktohet në trup. “Trupi ideal” i shpërfaqur në kukulla dhe i promovuar nga media ka arritur të krijoj mitin e së bukurës. Në saje të modelit të tillë, shumë vajza në botë bien në anoreksi dhe sëmundje të ndryshme mendore, sidomos në kohën e adoleshencës, pikërisht për faktin se ky ‘tip ideal’ duhet të ndiqet dhe të realizohet nga shumë vajza, përndryshe ato nuk mund të gëzojnë feminitetin e tyre e rrjedhimisht statusin e privilegjuar.
Duke e analizuar këtë gjendje në të cilën janë shumë vajza në botën moderne, të instrumentalizuar nga sisteme të ndryshme ekonomike, sociale dhe politike, trupi i tyre shfrytëzohet për çështje marketingu, mode për qëllime përfitimi dhe bëjnë thirrje të vazhdueshme për rikthim në rolin e tyre tipik për ato. Prandaj, Naomi Wolf shkruan se “Definimet “e bukur” dhe “seksuale” ndryshojnë vazhdimisht për t’i shërbyer rendit shoqëror dhe lidhja mes tyre është një shpikje e fundit”.

Derisa, Norbert Elias në veprën së tij “The Civilizing Process”, vendos theksin në proceset shoqërore dhe politike që shpalosen nëpërmjet trupit. Duke analizuar gjenezën e formave moderne të rregullimit të pozitave sociale, sjelljeve, qëndrimeve e emocioneve.
Prandaj, kënga “Toy” nga Netta Barzilai, fituese e Evrovizionit 2018 duhet analizuar nga kjo perspektivë. Performanca dhe teksti i këngës është ironizim dhe tallje duke dhënë mesazhin për një lloj tjetër të së bukurës. Mesazh ky i dedikuar publikut që vajzat nuk janë lodra, madje e paraqitur vet në një figurë jo tipike si figurat e katër prezantueset e kësaj ngjarje. Ndërsa, në anën tjetër, ajo qartë thekson që nuk i interesojnë predikuesit e kohës duke ironizuar edhe me simbolikën e barbit si dhe telefonave smart, të cilat janë edhe metaforat e shoqërisë moderne. Madje, thirrja e saj për t`u shpërngulur nga idea e te qenurit kukull është mesazhi më i fuqishëm i këngës, pavarësisht që komentet nuk arritën ta shohim këtë performancë të saj përtej “pulës” dhe religjionit në këtë rast!

I’m not your toy
You stupid boy
I’ll take you down
I’ll make you watch me
Dancing with my dolls
On the MadaBaka Beat
Not your toy!

Ermal Meta dhe Fabrizio, vendi i 5-të në Eurovizion 2018

Votimi i natës së sotme finale të Eurovizionit 2018 e ka nxjerrë Ermal Metën dhe Fabrizio Moron me 308 pikë, duke u pozicionuar kështu në vendin e pestë në listën finale.

Votimi i 43 shteteve ka shkuar mrekullueshëm edhe për shqiptarin Ermal Meta.

Ermali dhe Fabrizio kanë mbyllur sonte natën finale të Eurovizionit, duke kënduar me numrin 26.

Gjatë votimit ata kanë marrë 12 pikët maksimale nga Shqipëria, derisa Ermali ka bërë shqiponjën me duar si falënderim për jurinë shqiptare. / KultPlus.com

Eugent Bushpepa, i 11-ti në finalen e Eurovizionit

Eugent Bushpepa ka dalë me pikë të mira nga kjo finale e Eurovizionit.

Pas përfundimit të votimit nga të gjitha shtetet, Shqipëria ka dalë kësisoj me 184 pikë dhe u radhit në vendin e 11.

Eugenti ka marrë pikë nga Bjellorusia, Gjeorgjia, Maqedonia, Belgjika, Austria, Sllovenia, Islanda, Anglia, Çekia, Irlanda dhe disa shtete tjera, në pjesën e parë të votimit nga juritë e këtyre vendeve.

Shqipëria morri 58 pikë nga votat e publikut. / KultPlus.com