Tre libra për lexim gjatë muajit shkurt

Muaji shkurt është i librave.

28 ditët e këtij muaji mund të shërbejnë edhe për të lexuar, për tu kthyer në romane që i kemi lexuar dikur ose për të nisur një lexim të ri.

Secili mund të lexojë diçka nga dëshirat personale, por ne po i sjellim këtu tre libra të cilët mund të lexohen gjatë këtij muaji. Sepse leximi duhet të jetë i vazhdueshëm.

MICHEL HOUELLEBECQ – PLATFORMA

Michel, një nëpunës i administratës shtetërore franceze, vendos të marrë një udhëtim të zakonshëm pushimesh në Tailandë. Në këtë rastësi të tij, ai do të gjendet, herë si spektator, e herë si aktor, në rrjetin e turizmit seksual botëror. Një roman satirik mbi seks-turizmin dhe etjen e papërmbajtshme për dominimit që paraja i bën kësaj bote. Houellebecq është një prej shkrimtarëve më në zë në Francë. Është fat që librat e tij i kemi të përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Le të ndodhë njoftimi i parë me të këtë muaj, me librin “Platforma”.

PAULO COELHO – BUZË LUMIT PIEDRA U ULA DHE QAVA
Kjo është një histori për dashurinë. Pilar, një grua e re dhe e pavarur, me ambicie për të ardhmen, takon ish-të dashurin, që tani është një udhërrëfyes shpirtëror. Takimi me të trondit gjithë qenien e Pilarit. Rrallëherë ndodh që dashuria në adoleshencë të arrijë potencialin e plotë, po çfarë ndodh kur dy të dashuruar ribashkohen pas njëmbëdhjetë vitesh? Tani janë edhe një herë bashkë, të nisur në një udhëtim të mbushur me vështirësi, teksa demonët e varrosur prej kohësh dhe pakënaqësitë ridalin në sipërfaqe, pas më shumë se një dekade. Por në një fshat të vogël në Pirenejtë francezë, në brigjet e Lumit Piedra, një marrëdhënie shumë speciale do të riekzaminohet në dritën e pikëpyetjeve më të mëdha të jetës. Paulo Coelho, lindi në Rio-de-Zhanejro më 1947. Ai është vlerësuar si një prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë botërore.


TAHAR BEN JELLOUN – RACIZMI SHPJEGUAR VAJZËS SIME

Racizmi – i gjallë edhe në modernitetin e sotëm. Shkruar në vitin 1998, libri e sjellë shkrimtarin nga Maroku duke folur për racizmin dhe sidomos ndikimin e tij tek fëmijët. Fëmijët janë ata që e kuptojnë më mirë se racist nuk lind, por bëhesh, ndërsa të rriturit shpesh nuk i ndërrojnë idetë e tyre kur duan ta urrejnë një person, një ide, një kulturë. Një protestë në Paris, një vajzë e vogël bën pyetje për racizmin, dhe autori duhet të gjejë përgjigje për interesimin e vajzës së vogël, në formë dialogu. Janë 160 fletë që flasin shumë për mendjet e prishura dhe ato që janë të ndritura. / KultPlus.com

Një libër në pergamenë

Poezi nga MARTIN CAMAJ.

Mendimet ranë shkokrrueshëm
prej pergamenës mes gishtave
për tokë e u banë copë-copë.

Gjithkund ish natë e dola
sy-hapë n’dritare
a mos u trand nga krizma dheu.

Qyteti milionësh shtrihej në gjumë
i mbështjellun në mjegull.
Në mjedis shndriste tempulli
i librit n’pergamenë – biblioteka –
me fekse idesh madhështore
në ballin e gjanë të shekullit.

Buzë lumit Piedra u ula dhe qava

fragment nga Paulo Coelho – Buzë lumit Piedra u ula dhe qava
përkthimi në shqip nga D. Taçe

Nganjëherë jemi preja e një ndjesie trishtimi që nuk mbërrijmë ta kontrollojmë. Kuptojmë që çasti magjik i ditës ka kaluar dhe ne nuk kemi bërë asgjë. Jeta e fsheh magjinë dhe artin e vet. Duhet ta bëjmë të flasë fëmijën e dikurshëm që ende ekziston brenda nesh.
Ky vogëlush është në gjendje t’i kuptojë momentet magjike. Ne dimë si ta mbysim të qarën e tij, por nuk dimë të bëjmë të heshtë zërin. Fëmija i dikurshëm është gjithmonë brenda nesh. Lum fëmijët sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Nëse nuk rilindim, nëse nuk arrijmë ta shohim jetën me pafajësinë dhe entuziazmin fëminor, jeta nuk ka kuptim. Ka shumë mënyra për t’u vetëvrarë. Ata që provojnë të asgjësojnë trupin e tyre, shkelin ligjin e Zotit. Por edhe ata që përpiqen të vrasin shpirtin, thyejnë ligjin hyjnor, edhe pse krimi i tyre është më pak i dukshëm për sytë e njeriut. Le të tregohemi të vëmendshëm ndaj asaj që thotë fëmija i ndryrë në zemrën tonë. Të mos kemi turp. Të mos e lëmë të ketë frikë, sepse ai vogëlush ndihet i vetmuar se ne nuk e dëgjojmë thuajse kurrë. Le t’ia lëmë atij për pak frerët e ekzistencës sonë. Ky fëmijë, e di mirë se çdo ditë është e ndryshme. Le të përpiqemi që ai ta ndiejë se e duam prapë. Le t’i japim gëzim duke u sjellë në mënyrë të pazakontë për ne, apo të dukemi të marrë në sytë e të tjerëve. Është mirë të kujtojmë që mençuria e njerëzve është marrëzi përpara Zotit. Nëse dëgjojmë fëmijën që kemi në shpirt, sytë tanë do të rigjejnë shkëlqimin. Dhe nëse nuk e humbim komunikimin me këtë fëmijë, ne nuk e humbim as lidhjen tonë me jetën.

Do të shitet për bamirësi baneri me Atifete Jahjagën

Një baner me Atifete Jahjagën do të shitet.

MIQT PUB nga kryeqyteti po e shesin banerin ku paraqitet ish presidentja Jahjaga me armë në dorë.

“Po e shesim në ankand, për 10 vjet shtet. Të hollat nga shitja e banerit po dojmë me i dhuru për ndonjë kauzë për bamirësi. Ju lutem propozoni” kanë shkruar nga MIQT PUB.

Baneri është dizajnuar nga Visar Arifaj, ndërsa është mjaft i famshëm në ndodhjen e tij të tanishme, në MIQT PUB. / KultPlus.com

Nji lutje për reperat tanë…

Nji lutje per reperat tane te cilet tekstet i shkruajne kryesisht vet. Ju ndoshta edhe nuk jeni te vetedijshem per ndikimin qe e keni ne formesimin e te rinjeve t’ketij vendi qe rriten tu ju ndegju juve se sa per mu asnje s’kishit mbet gjalle. Tue e zbukuru e reklamu rabin e droga te ngjashme neper kange po perconi qendrime pozitive ndaj ketij fenomeni vdekjeprues. Jeni tu na marr m’qaf pak a shume si dillerat qe po shesin ne oborr te shkollave. Tash jeni rrit pak e keni me u ba prind edhe vet e hiq nuk e besoj qe kishit pas qef femijet tuej me i ndegju kanget e juve. Aman ndaluni, edhe kijeni parasysh qe mundeni me qene repera e hiphopista te mire edhe pa i k’nu droges!

VLORA KONUSHEVCI / FACEBOOK

Një vit pa Dritëroin, flet bashkëshortja e tij: Çdo ditë e kaloj me dorëshkrimet e tij

Dritëro Agolli prej një viti nuk është më fizikisht mes nesh. Por është me poezinë e prozën e tij. Jeton në kujtimet dhe ndjesitë e familjarëve dhe të miqve, të cilët e kujtojnë këtë fundjavë. Nëpërmjet historive, tregimeve apo recitimeve.

Në këtë vit të parë të mungesës, bashkëshortja e tij, redaktorja e veprës së Dritëroit, Sadije Agolli e ka të vështirë të gjejë fjalët.

Top Channel: Si kanë qenë për ju këto ditë pa Dritëroin?

Sadije Agolli: Më ka ndjekur gjithmonë hija e tij. kam qenë gjithmonë e të. megjithatë i thërrisja mendjes se duhet të mblidhesha që ti bëja të gjitha nderet ashtu siç i meritonte. Dhe kam pasur fëmijët në krah. Elonën dhe Artanin, por edhe gjithë miqtë që kanë marrë në telefon, duke më dhënë zemër dhe kurajo. Pastaj duke parë gjithë dorëshkrimet e tij, gjithë këto kohë e mbushja ditën me to.

Top Channel: Çfarë do të bëhet me dorëshkrimet e shumta që ai ka lënë? Keni ndonjë plan për t’i botuar ato?

Sadije Agolli: U botua Libri i Aforizmave. Tani do të dalë edhe libri “Dashuri në moshën e Krishtit”. Kështu që duket sikur jeton. Unë kam qenë edhe bashkëshorte, edhe redaktoja e tij. Kështu që i kam lexuar dhe i kam kaluar të gjitha nëpër duart e mia.

Unioni i Gazetarëve i dha asaj certifikatën pena e gazetarit. Për të cilën ajo ka një falënderim të veçantë kur kujton vitet e veta si gazetare.

“Dritëroi kishte gjetur tregimet e mia dhe i kishte mbledhur në një dosje. Disa reportazhe që kisha shkruar për artistët e kinemasë dhe teatrit i kishte mbledhur dhe thoshte që do të vijë koha dhe do ti botosh. Dhe Elona i gjeti ato. kështu që mendoj që nuk kam qenë gazetare e keqe. Bër edhe unë një emër, sidomos në shkrimet kritik për problemet e arsimit dhe të shkollave”, tregon Sadija.

Top Channel: Si ishte të bashkëjetonte një shkodrane me një devolli?

Sadije Agolli: Në fillim çdo çift e ka të vështirë të bashkëjetojë me njëri tjetrin. Derisa të mësohen me njëri tjetrin. Sigurisht është dashuria ajo, më madhja që nuk i ve re veset e njëri tjetrit. Por më vonë ka vështirësira, se secili kishte trashëguar nga krahina e vet. Por gjithmonë jemi munduar ti zbusim gjërat. Unë bile edhe kam shkruar këtë.

Top Channel: Si e keni pritur idenë e shndërrimit të shtëpisë suaj në muze në të ardhmen?

Sadije Agolli: Do të vazhdoj të qëndroj deri në fund. Unë e kam të prerë. Nuk ka diskutim ky vendim i imi. Kur të vdes unë atëherë le të bëjnë fëmijët çfarë të duan. Por tani për tani unë ja kam kushtuar jetën atij dhe aty do ta mbyll jetën time.

Top Channel: Çfarë keni për t’i thënë Dritëroit në këtë ditë. Është pak furtunë. Fryn era përtej xhamave dhe mbase ai është duke na dëgjuar.

Sadije Agolli: Të gjitha mendoj që i ka dëgjuar. Se unë nuk mendoj që ka vdekur. Akoma nuk e besoj. Ndofta më vonë mund të them. Por tani për tani. mendoj që ai më ka dëgjuar dhe ai më jep forcën dhe kurajon sot që jam ulur bashkë me ju.

Ulrike Lunacek boton librin për Kosovën në 10 vjetorin e Pavarësisë

Më 14 shkurt, ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, do të promovojë librin e saj në Vjenë.

Ky libër, siç ka thënë vetë Lunacek, vjen me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Më 14 shkurt, 2018, promovoj librin e botuar nga Wieser Verlag me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Lunacek.

Libri, me titull ‘“Të ndërtosh paqen do të thotë të ndërtosh një rrugë të largët” – nga Brukseli në Fushën e Mëllenjave dhe mbrapsht: Rruga e Kosovës drejt BE-së dhe kontributi im në të’, flet për angazhimet e saj në përafrimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ndonëse kjo rrugë është ende e gjatë.

Në këtë promovim, pjesë e diskutimeve do të jenë Wolfgang Petritsch, ish – emisar i BE-së për Kosovën (1998-1999), si dhe Verdran Dzihic, hulumtues në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin e Vjenës dhe ekspert për Ballkanin.

Kujtojmë se Ulrike Lunacek, ish-kryetare e Partisë së Gjelbër, ka qenë për 8 vjet raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian si dhe nënkryetare e këtij institucioni për një kohë të gjatë, por ka qenë edhe një përkrahëse e madhe e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe e demokratizimit dhe integrimit evropian të vendit tonë.

Ajo dha dorëheqje vitin e kaluar për shkaqe parimore pasi i humbi zgjedhjet parlamentare në Austri ndaj kundër-kandidatit Sebastian Kurz. / KultPlus.com

Mbillen 20 selvi në kujtim të shkrimtarit Dritëro Agolli (VIDEO)

Nga sot, në Parkun e Liqenit të Tiranës mund të gjeni edhe një kopësht me selvi, kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta pikërisht një vit më parë, në 3 shkurt 2017.

Në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën “Devolli” dhe të afërm të poetit e shkrimtarit, mbollën 20 selvi, duke shënjuar nisjen e punimeve për kopshtin e letrarit të shquar të kulturës kombëtare shqiptare, një moment kujtese dhe nderimi për kolosin e letrave shqipe.

Në mbjelljen e pemëve të llojit selvi ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi figurën e Dritëroit, si njeriu që arriti të bëjë bashkë dashamirës nga çdo cep i Shqipërisë. “Sot e fillojmë me një gjest simbolik, mbjelljen e 20 selvive në një pjesë të parkut të liqenit që ia kemi kushtuar Dritëroit. Duam që të jetë një vend meditimi, pushimi, një vend paqeje, një vend ku njerëzit të lexojnë libra dhe të kujtojnë veprën e Dritëroit. Ndaj kemi përgatitur që në këtë pjesë memoriale të parkut, ku janë disa prej figurave të shquara, të kemi një vend të posaçëm për të kujtuar Dritëroin. Fuqia e tij duket edhe në faktin që arrin të na mbledhë nga çdo cep i Shqipërisë”, deklaroi Veliaj.

Tajar Agolli, vëllai i shkrimtarit Dritëro Agolli, falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe miqtë, të cilët iu bashkuan kësaj dite të veçantë. “Ju falenderoj të gjithëve për këtë pjesëmarrje në këtë ceremoni. Jemi shumë të kënaqur për të gjithë ata aktivistë që marrin pjesë, miq të Dritëroit. Sigurisht, miqtë e Dritëroit janë në zemrën tonë. Na ka folur direkt për miqtë që ka dhe ka shumë miq”, u shpreh vëllai i shkrimtarit të dashur për të gjithë shqiptarët.

Oh, fjalët e Dritëro Agollit për gruan!

“Me gruan janë bërë aq krahasime sa do të ishte guxim prej kokëkrisuri të kërkoje krahasime të reja. Në krahasime gruaja është hyjnizuar dhe ironizuar, është idealizuar dhe martirizuar, është filozofuar dhe vulgarizuar

. Megjithatë, krahasimet më të mira, që i shkojnë fisnikërisë së saj janë hyjnizueset. Për mua gruaja është një krijesë me rrobe të endura prej bari, uji dhe ere. Me rrobet e barit ajo na deh, me rrobet e ujit ajo na nxit drejt pastërtisë dhe me rroben e erës na rrëmben e na shpie në gjithësinë e ëndrrave, duke na shkëputur për një çast nga bota e mjeruar e sendeve.

Kjo krijesë përherë na afron e përherë na largon; përherë shkojmë drejt saj edhe duke qenë fizikisht me të. Nuk është punë bashkimi trupash. Trupi është gjëja më e lehtë që mund të të japë gruaja. Është diçka tejet misterioze, që nuk ta jep aq lehtë ose nuk ta fal fare!… Tek kjo fshehtësi qëndron edhe e mahnitëshmja e pakuptuar.”

DRITËRO AGOLLI

Rita Ora, imazhi i kompanisë Rimmel London

Këngëtarja shqiptare Rita Ora po korr suksese çdo ditë e më shumë.

Bukuroshja ka nënshkruar kontratë me kompaninë e njohur kozmetike “Rimmel”.

Këtë sukses të radhës ajo e ka bërë të ditur në rrjetin social Instagram, ku fton fansat e saj që të blejnë produkte të kësaj kompanie.

Ndryshe këngëtarja do të performojë në Prishtinë me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Kujtojmë se ajo ditë më parë ka publikuar këngën “For You” në bashkëpunim me Liam Payne, projekt ky që ka marrë mbi 19 milionë klikime. / KultPlus.com

Kjo është juria profesionale e konkursit të poezisë ‘KultStrofa’

Kjo do të jetë përbërja e jurisë së edicionit të dytë të konkursit të poezisë ‘KultStrofa’.

Kryetare e jurisë është Erenestina Gjergji Halili, shkrimtare dhe pedagoge e letërsisë shqipe. Poetesha Erenestina Gjergji Halili ka kryer studimet e larta universitare në Universitetin e Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë, si dhe kursin akademik të Gazetarisë. Ajo është shquar si gazetare e televizionit dhe e medieve të shkruara, kryeredaktore e TVSH, udhëheqëse e producente e politikës. Sot mban gradën Doktor i Shkencave Filologjike.

Pjesë e jurisë është edhe Halil Matoshi. Matoshi është publicist dhe gazetar, së fundmi i angazhuar edhe në politikë. Matoshi ka shkruar tek gazeta e studentëve “Bota e re” (1984-1986) dhe tek “Zëri i rinisë” ndërsa më pas ka qenë gazetar e redaktor në disa të përditshme kosovare. Vitin e kaluar ai ishte një ndër tre finalistët e konkursit “KultStrofa” ndërsa këtë vit kthehet në konkurs në cilësinë e anëtarit të jurisë.

Anëtari i tretë dhe i fundit i jurisë së konkursit “KultStrofa” është shkrimtari Adil Olluri. Olluri, shkrimtar dhe studiues, së fundmi ka marrë pjesë në një festival letrar në Beograd dhe në Kikindë, ndërsa “Kthimi i babait” është përkthyer në gjuhën serbe. Olluri është i angazhuar në revistën “Jeta e Re” ndërsa është përkthyer në gjuhën italiane. . Tregimi “Letra e një ushtari të huaj” i Adil Ollurit është botuar vitin e kaluar në “Kroniko de Balkanio”.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank, ndërsa sponsorë të tjerë janë Hamam Jazz Bar, Rockuzinë dhe Hotel Nartel.

Nata kryesore e konkursit të poezisë, organizimi letrar “KultStrofa”, do të mbahet me 7 SHKURT, e mërkurë, në ora 18:00 në Hamam Bar në Prishtinë.

Konkursin e organizon KULTPLUS – e para gazetë shqiptare online e dedikuar vetëm për art dhe kulturë. / KultPlus.com

Kosova në MoMA me modelin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

‘Towards Concrete Utopia​ / Arkitektura në Yugosllavi mes viteve 1948–1980’ është ekspozita më e madhe e arkitekturës jugosllave, që këtë verë hapet në Muzeun e Artit Modern – MoMA në New York.

Arkitekti kosovar Bekim Ramku, konsulent kuratorial i kësaj ekspozite, ka konfirmuar që në këtë ngjarje të madhe të arkitekturës, mes tjerash përfshihet edhe modeli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me arkitektin kroat Andrija Mutnjakovic.

Kjo ekspozitë eksploron temat e urbanizimit, teknologjisë në jetën e përditshme, konsumizmit, monumenteve dhe memorializimit përfshin më shumë se 400 vizatime, modele, fotografi dhe filma nga një koleksion arkivash komunalë, koleksionesh familjare dhe të muzeve në të gjithë rajonin. Në të tregohen edhe punët e arkitektëve të rëndësishëm të kohës, si Bogdan Bogdanoviq, Juraj Neidhardt, Svetlana Kana Radević, Edvard Ravnikar, Vjenceslav Richter dhe
Milica Šterić.

Vëmendje e posaqme i është dhënë Xhamisë së Bardhë në Bosnjën rurale, projektit të rindërtimi i qytetit të Shkupit, në bazë të dizajnit metabolist të arkitektit japonez Kenzo Tange si dhe shtesës së qytetit Beogradi i Ri.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës në Prishtinë, është monument i trashëgimisë kulturore. E ndërtuar në vitin 1973-81, kjo biblotekë është dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic. Si tërësi arkitekturore paraqet një kombinim të kubeve dhe kupolave që i takojnë tipit të arkitekturës “regjionalizmi i ri”.

Ndërtesa është katërkatëshe me sipërfaqe prej 16.500 m², prej të cilave 13.500 m² sipërfaqe të shfrytëzueshme. Në pikëpamjen kompozicionale biblioteka veçohet si tërësi kubesh të mbështjella me membranë skeletore çeliku, e cila në kombinim me ndriçimin zenitor të realizuar përmes kupolave, krijon një sistem ndriçimi që siguron ndriçim të bollshëm dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar.

Në vitin 2016 Fondacioni Kosovar i Arkitekturës u shpërblye me grantin “Keeping it Modern” nga Getty Foundation për ta përpiluar Planin e Konzervimit dhe Menaxhimit të ndërtesës. Sipas Bekim Ramkut, qe poashtu drejton kete fondacion, fakti që Biblioteka Kombëtare do të paraqitet në këtë ekspozitë në MoMA, do kontriboj edhe më shumë në promovimin e arkitekturës moderne Kosovare jasht vendit e në vecanti objektit të Bibliotekës Kombëtare që fatkeqësisht është në gjendje jo të mirë dhe e neglizhuar. / KultPlus.com

Incident në Teatrin Kombëtar, gjakoset aktori i njohur shqiptar

Një incident ka ndodhur sot gjatë provave të aktorëve në teatrin kombëtar të Tiranës.

Teksa po mbaheshin provat për tragjedinë “MEDEA”, aktori Alfred Trebicka është përplasur për muri.

Këtë gjë e ka bërë të ditur opinionisti Olti Curri, i cili përmes llogarisë së tij zyrtare në Facebook, tregoi edhe gjendjen e aktorit tani.

“Në datë 3 dhe 4 shkurt, MEDEA do të ketë premierën në skenën e Teatrit kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me aktorët: Luiza Xhuvani, Alfred Trebicka, Viktor Zhusti, Roza Anagnosti, etj. Por sot, në para-premierën për të ftuar e gazetarë, një incident ka ndodhur me aktorin e mirënjohur Alfred Trebicka. Teksa dritat u ulën, ai goditi ballin në murin skenik, çka zbehu disi suksesin e kësaj mbrëmjeje emocionuese. Megjithatë, aktori Trebicka është mirë me shëndet e ndonëse i gjakosur nga ky incident, doli përpara publikut dhe rrëmbeu duartrokitjet e rastit.”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Rita nga Mitrovica befason jurinë e ‘The Voice Kids Albania’ (VIDEO)

Rita Daklani nga Mitrovica mbrëmë ka kthyer jurinë e “The Voice Kids Albania” kah vetja e saj.

Butonat e katër anëtarëve të jurisë janë kthyer kur Rita ka dalë të performojë një version më ndryshe të “Oops I dit it again” nga Britney Spears.

Rita vjen nga Mitrovica dhe është nxënëse e Shkollës së Muzikës “Eqrem Qabej” në këtë qytet.

Rita ishte pjesë e audicioneve të fshehta në “The Voice Kids Albania” ndërsa arriti që të katër anëtarët e jurisë ti bënte të ktheheshin për ta pasur në skuadër.

Problemet me vokalin vërehen pak në fillim të këngës por Rita e pushtoi këngën në pjesën e dytë dhe madje në disa komente në rrjete sociale ajo konsiderohet si një favorite për të fituar në përgjithësi spektaklin e shikuar nga miliona shqiptarë. / KultPlus.com

Një sonet i Dritëro Agollit për motrën Nazime

Kur ndërroi jetë Nazimja, motra e Dritëro Agollit, shkrimtari u dergj në vaj me vargjet e tij.

Agolli, të cilin sot po e kujtojmë në përvjetorin e parë të largimit nga jeta, shkroi këto vargje pasi vdiq Nazimja.

Motrës, Nazimes, që mbylli sytë dje, në udhëtimit e saj të fundit, shkruan Agolli në shtatorin e vitit 2016-të.

Kjo rreze drite
– sonet –

Kjo rreze drite njëlloj si ajo që pat rënë
Në mur të shtëpisë në perëndim,
Kur vija me barrën e druve pa ngrënë
I lodhur, i mbajtur për bishtin e kalit tim.

Si turtull rrihte krahët dielli pas kodrës,
I shtyja këmbët e mpita si gur
Gjersa i dërrmuar rashë në krahët e motrës,
Tek rrezja e diellit binte në mur.

Kjo rreze drite në mendje më solli
Atë të dikurshmen rreze mbi mur në shtëpi.
Dhe sot në dritare e pashë motrën kur doli
Rrugicës pas murit nga një farmaci
Me pallto të vjetër diçka së largu më foli,
Po fjalën e saj s’e dëgjoi asnjeri.

(e pabotuar…)

Gati për edicionin e dytë të ‘KultStrofa’, këta janë dhjetë finalistët

Janë zbuluar kësisoj dhjetë finalistët e konkursit të poezisë ‘KultStrofa’.

Edicioni i dytë i konkursit na sjellë autorë e autore të cilat kanë sjellë krijimet e tyre poetike, dhe të cilat janë dalluar në mesin e konkurrentëve të tjerë.

Gjatë javës në KultPlus janë zbuluar finalistët e këtij edicioni.

Emin Emini, Manjola Brahaj, Sibel Halimi, Erlind Sulko, Arjola Zadrima, Adem Gashi, Arlinda Guma, Liridon Mulaj, Brikenë Ceraja-Beka dhe Shkumbin Haxha janë dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Nata kryesore e konkursit të poezisë, organizimi letrar “KultStrofa”, do të mbahet me 7 SHKURT, e mërkurë, në ora 18:00 në Hamam Bar në Prishtinë.

Finalistët do të lexojnë poezitë e tyre, ndërsa do të jetë një mundësi tjetër e njohjes mes adhuruesve të poezisë dhe letërsisë. Të dhjetë finalistët por edhe të dashuruarit pas poezisë dhe të tjerët konkurrentë të këtij edicioni janë të ftuar të bashkohen në këtë natë leximi poezish në kryeqytet.
Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank, ndërsa sponsorë të tjerë janë Hamam Jazz Bar, Rockuzinë dhe Hotel Nartel.

Konkursin e organizon KULTPLUS – e para gazetë shqiptare online e dedikuar vetëm për art dhe kulturë. / KultPlus.com

Poeti plak

Poezi e shkruar nga Dritëro AGOLLI

Dhe shkruaj i heshtur vjersha pak e nga pak
Fshehur prej gruas dhe tinëz të tjerëve,
Se fshehur flasin: “Iku nga mentë ky plak!”

I ulur diku në një qoshe fletorkën e mbaj
Mes gjunjëve kockë e lëkurë e tinëz të tjerëve,
Tek pi si Firdusi të hidhurin çaj.

Dhe kur më zhurmon së largu një çap,
Atje ku tulitem tinëz të tjerëve,
E fsheh fletorkën dhe veshët i hap.

Ç’ti bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg
Larguar prej gruas e tinëz të tjerëve,
Kur të lajthiturit çirren: “Mbyll gojën, ti plak!”

Ah, dua t’i them ato që s’i thashë dikur,
Ndaj kohën e shtyj mes vargjeve tinëz të tjerëve
Diku në një qoshe veçuar si gur.

Rri shkruaj veçuar jo se i trembem njeriu,
Po s’dua t’u hapet goja për mua të tjerëve
Dhe s’dua të grijnë: “Lajthiti i ziu!”

E di se jetoj me të çmendur, në gaz e në vaj,
Ndaj shkruaj fshehur prej gruas e tinëz të tjerëve
Dhe pi si Firdusi të hidhurin çaj…

Janar, 1995

(Nga “Vjen njeriu i çuditshëm”, 1996)

Sibora, e mahnitshme duke kënduar këngën e Arilena Arës (VIDEO)

Spektakli ‘The Voice Kids’ po vazhdon rrugëtimin e tij në Shqipëri.

Të premteve fëmijë të ndryshëm parakalojnë para anëtarëve të jurisë, për të parë nëse një ditë mund të jenë këngëtarë të njohur dhe kësisoj për ta realizuar ëndrrën e tyre.

Mbrëmë, në emisionin e njohur shqiptar ku në juri janë Eneida Tarifa, Miriam Cani, Aleksandër dhe Renis Gjoka, ra në sy bukuroshja e vogël Sibora.

Sibora këndoi versionin anglisht të këngës “Nëntori” nga Arilena Ara, ndërsa të gjithë anëtarët e jurisë prekën butonin për tu kthyer kah ajo.

Të tjerë fëmijë po tregojnë historitë e tyre jetësore në këtë emision ku pos muzikës ka edhe rrëfime e emocione tjera njerëzore. / KultPlus.com

Promovohet libri ‘Kadare dhe regjimi komunist’

Genta Sula sjell materialet e mbledhura nga arkivi i ish-Sigurimit ku përmendet emri i Kadaresë.

U promovua sot në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës libri “Kadare dhe regjimi komunist” , një libër me 101 dosje nga aparati diktatorial shtetëror të periudhës nga 1959-a deri më 1991 –shin. Genta Sula, drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve solli në këtë ceremoni një dosje me materiale të mbledhura nga arkivi i ish-Sigurimit ku përmendet emri i Kadaresë. Sula shtoi se çështja e dosjeve duhet parë thellë e duhet lexuar me kontestin e kohës, dëshmitarët okularë dhe dëshmitë U promovua sot në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës libri “Kadare dhe regjimi komunist” , një libër me 101 dosje nga aparati diktatorial shtetëror të periudhës nga 1959-a deri më 1991 –shin. Ky libër i përgatitur nga autori Dashnor Kaloçi vjen si bashkëpunim i Qendrës së Studimeve të Letrave Shqipe “Kadare” dhe shtëpisë botuese “UET Press” si një nismë mbi kritikën shqipe. Ky libër synon të hedhë dritë mbi raportin e regjimit me artin e kulturën, duke u ndalur posaçërisht te shkrimtari Ismail Kadare. Spartak Ngjela, i cili ka shkruar edhe parathënien e këtij libri tha se ky libër eliminon mediokritetin e atyre që kanë folur kundër shkrimtarit dhe veprës së tij.

“E rëndësishme të thuhet është se çdo shkrimtar i madh ka pasur një konflikt të brendshëm, është lufta e përjetshme e mediokrit me talentin e madh. Është lufta e talentit me ambicien e të dështuarve. Ka një qëllim për të errësuar vlerat kombëtare shqiptare që është një tendencë e vjetër e kundërshtarëve tanë”- tha Ngjela, duke theksuar se ende në Shqipëri nuk kemi një studim të mirëfilltë shqiptar për veprën e Kadaresë.

“Ka vetëm kritika perëndimore, e sidomos ajo franceze. Kritika jonë është nivel i dobët. Nuk është faji i kritikës, por e gjithë vendit, e qytetërimit tonë.Ky libër as e ngre as e ul veprën, por i krijon një personalitet tjetër. Në sensin moral ky libër i jep të vërtetën. Përsa i përket kritikës për veprën e Kadaresë, është e kotë të merresh”- tha ai, duke theksuar se në romanin Dimri i Vetmisë së Madhe është një përplasje mes sovranit të letrave dhe të shtetit, duke rrëzuar pretendimet e atyre që thonë se përmes këtij romani shkrimtari ka ngritur figurën e Enver Hoxhës. Gazetarja Monika Stafa e cilësoi librin e Kaloçi si një mision.

“Ky libër ia ka dalë të paraqesë shkrimtarin në raport me diktaturën dhe si është ai i vendosur aty. Janë të ndarë në grupe ata që duan shkrimtarin dhe ata që hedhin baltë ndaj tij. Me këtë libër Kaloçi sjell ngjarjen e plotë, që në shtyp ka 27 vjet që publikohet e paplotë. Është një libër me peshë historike”- tha Stafa. Ndërsa, Gentiana Sula, Drejtoresha e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-sigurimit të shtetit foli mbi përpjekjet e shoqërisë për ta parë thellë çështjen e hapjes së dosjeve. “Kadare ka qenë i pari që ka ngritur zërin për një shkëputje morale me të shkuarën nëpërmjet hapjes së dosjeve në vitin 2006, kur Këshilli i Europës nxori një rezolutë të fortë për kohën dhe ai është nga ato figura që diti ta lexojë, përkthejë dhe la disa porosi si duheshin bërë hapjet e dosjeve. U deshën më shumë se 12 vjet përpjekje të shoqërisë që nuk reshtën, e as qytetarët nuk reshtën së dëshiruar dhe porositë e tij u vunë në vend”- tha Sula, duke shtuar se në ligjin e dosjeve kuraja qytetare e Kadaresë është e përkthyer në aktet dhe nenet. “Kuraja e tij qytetare nuk reshti edhe kur qe ndër të parët njerëz që bëri aplikimin në institucionin tonë për t’u njohur me dosjet e tij dhe autorizoi qendrën e studimeve Kadare që të ishte agjent i kërkimit shkencor për të punuar me dosjet e tij”- tha Sula, ndërsa tregoi materialin e mbledhur nga arkivi i ish-Sigurimit, ku përmendet emri i shkrimtarit Ismail Kadare. “Unë e kam këtu dosjen, po të ishte këtu shkrimtari do ia dorëzoja, por ende nuk do ia jap qendrës, do pres shkrimtarin, pro doja ta ndaja me ju që po e kryejmë këtë proces.

Dua t’i them qendrës dhe autorit që puna nuk ka mbaruar, besoj se të tjera materiale do të dalin”. Duke përgëzuar nismën e Qendrës së studimeve letrare “Kadare”, Sula përmendi edhe dy nisma të tjera të këtij lloji si Instituti për studime ‘Musine Kokalari’ dhe instituti ‘Marash dhe Martin Ivanaj’. “Ka një ndërhyrje qytetarë për të parë thellë çështjen dhe jo për të ndjekur një faksimile të paautorizuar apo të paverifikuar aty-këtu, por për të hyrë thellë e për të punuar jo vetëm me arkivin por me një arkiv të përpunuar në mënyrë shkencore për të bashkëpunuar në rrjete kërkuesish për të lidhur arkivin bashkë me dëshmitë gojore të këtyre qytetarëve që patën fatin e keq të jenë në teleskopin e ish-sigurimit, por që ndërkohë i kemi gjallë dhe mund ta plotësojnë historinë në dosje me ekzistencën e tyre”- përfundoi Sula duke thënë se leximi i dosjeve sot kërkon qytetari, patriotizëm, dëshirë për të ecur përpara, pajtim dhe për ta plotësuar atë që gjendet në dosjet e kohës.

The Spice Girls po ribashkohen për projekte të reja

Pasi fotografitë nga ribashkimi i tyre në Londër kanë dalë nëpër internet, Spice Girls kanë treguar se 2018-ta është viti i muzikës për to.

Victoria Beckham, Emma Bunton, Geri Halliwell, Mel B dhe Melanie C po bashkohen për mundësi të reja, për të sjellë figurën e femrës edhe më të fuqishme, në këtë kohë moderne.

Sipas burimeve, po planifikohet një album me këngët më të mira të Spice Girls por edhe një emision televiziv. Beckham nuk dëshiron më të jetë vokaliste, ndërsa vajzat tjera kanë postuar fotografi së bashku duke falënderuar njëra-tjetrën për një udhëtim fantastik muzikor.

Spice Girls u formuan në vitin 2004, ndërsa kënga e tyre “Wannabe” ishte e para në 37 shtete të botës.
Në vitin 2012-të, vajzat u bashkuan për të performuar në Lojërat Olimpike të Londrës, dhe kjo ishte e fundit herë që ato kënduan të gjitha së bashku në skenë.

“Stop”, “Spice your life”, “Headlines”, “Mama” janë disa prej këngëve të këtij grupi anglez. / KultPlus.com

1 vit nga vdekja e Dritëro Agollit, poetit të tokës dhe dashurisë

Si sot 1 vit më parë ndërroi jetë shkrimtari shqiptar Dritëro Agolli.

3 shkurti i vitit 2017-të do të ishe ditë e kobshme për letërsinë shqiptare, me ikjen e Agollit nga kjo botë.

Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Rrethit të Devollit afër Korçës.

Poezia shqipe nuk do të mund të ishte ajo që është sot pa Agollin, njeriun e penës dhe studimit.

Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare.

Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë.

Në prozë bëri emër sidomos romani Komisari Memo (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani Njeriu me top (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme. Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973).

Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës. / KultPlus.com

Dua Lipa do të performojë në The Ellen DeGeneres Show

Dua Lipa do të performojë në një prej emisioneve më të shikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me 13 shkurt ajo do të jetë pjesë e Ellen Degeneres Show.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Dua në Instagramin e saj.

Ellen Degeneres Show mbetet një prej emisioneve më të mira në Amerikë, moderuar nga Ellen Degeneres, një grua me ndikim dhe një moderatore shumë e zonja.

Në këtë emision kanë parakaluar emra të ndryshëm të muzikës botërore, përfshirë edhe Rita Orën. Ellen është edhe një bamirëse e njohur për veprat e saj për njerëzit në nevojë. / KultPlus.com

“Zonja Kandić nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme…”

UK LUSHI

I lexova disa statuse të disa shqiptarëve dhe shqiptareve, dëng me ngazëllim dhe mahnitje, mbi nominimin e aktivistes nga Serbia, Nataša Kandić, për Nobelin e Paqes.

More të uruar, nuk ju kam parë shpesh (e besa kurrë) të bëni statuse tumirësie të miradisë dhe kënaqësisë kandićiane p.sh. për Adem Demaçin, i burgosur 28 vjet nga shteti i Kandićit, për Ukshin Hotin, i vrarë nga shteti i Kandićit, për Adem Jasharin, i vrarë me gati krejt familjen nga shteti i Kandićit, për Ibrahim Rugovën, i marrë peng me familje nga shteti i Kandićit, për aktivisten shqiptare për të drejta humanitare Flora Brovina, e mbajtur me vite kazamateve të shtetit të Kandićit vetëm pse u kishte ofruar ushqime dhe përkujdesje mjekësore fëmijëve. A kanë bërë këta më shumë për lirinë dhe a meriton ndonjëri nga këta Çmimin apo Kandići?!

Si është e mundur gjithë kjo dalldi gëzimi për një “beancounter” të krimeve serbe dhe për një zë reagues krejt normal si Nataša Kandić?! Zonja Kandić nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme, çdo gjë që ka bërë deri më tash është diçka totalisht e zakonshme. Prej kur u meritueka Çmimi Nobel për Paqe për gjëra krejt të zakonshme?!

O tempora o mores!

Rita këndon ‘Anywhere’ në Late Night with Seth Meyers (VIDEO)

Rita Ora ka sjellë mbrëmë në emisionin Late Night with Seth Meyers këngën e saj “Anywhere”.

Ajo ka qenë e ftuar në emisionin e njohur amerikan ku ka performuar këngën e saj të njohur.

Rita do të jetë në Kosovë për 17 shkurt. Ajo sapo ka realizuar këngën për “Fifty Shades Freed”. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=SY6di8v4LO8