Florim Beqiri me një ilustrim përmes dy fotografive u bën thirrje kandidatëve për kryetar komune të përfshijnë librin në program qeverisës.
Shitësi i librave në qytet, Florim Beqiri, u ka bërë thirrje kandidatëve për kryetar komune në Prishtinë që të përfshijnë në programin e tyre diçka të re për librat, shkruan KultPlus
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Beqiri, ka ilustruar përmes dy fotografive se si në ditët me reshje shiu krijohet kaos përbrenda shtëpizës së librit.
“Shoqëria jonë ka nevojë për libra e art. Si mundësi edukimi”, ka thënë ai.
Raundi i dytë i zgjedhjeve komunale për të votuar të parin e Prishtinës do të mbahen më 14 nëntor./KultPlus.com
Mexosopranoja shqiptare Flaka Goranci do të sjell një projekt shumë të veçantë në mbrëmjen e sotme, e cila për adhuruesit e saj do të sjell videoprojektin “O Vendi im”, shkruan KultPlus.
Goranci ka njoftuar për KultPlus për emocionet që i ka sjell ky projekt, i cili edhe ka ngërthyer shumë profesionistë për realizimin e këtij videoprojekti, që ka për dedikim 28 Nëntorin.
“Me tekst dhe muzikë të Rashid Krasniqit, e kënduar nga figura emblematike e Kosoves si Muharrem Qena, kënga “Mallëngjimi” apo siç e njohim të gjithë si “O vendi im” vjen e orkestruar nga kompozitori dhe dirigjenti jonë me qëndrim në Gjermani, Kushtrim Gashi, e interpretuar nga instrumentistë nga Filharmonia e Vjenes si Adela Frasineanu në violinë, Edison Pashko në Cello dhe pianisti i mrekullueshëm me qëndrim dhe veprim në Vjenë, Mennan Berveniku. Videoklipi me pamjet nga qyteti i Gjakovës i cili për qellim ka pikërisht afirmimin e vendit tonë nëpërmjet pamjeve të realizuara, vjen me regji nga Artan Korenica dhe i punuar nga produksioni Onima”, ka thënë Goranci për KultPlus.
Kënga “Mallëngjimi” është pjesë e “Albanian Floëers” CD e cila u realizua nga “Gramola” kompani në Vjenë, duke korrur suksese të mëdha internacionale. Ky projekt është përkrahur nga Komuna e Gjakovës. Ky videoprojekt do të lansohet në ora 17:00, në YouTube./ KultPlus.com
Për herë të parë në historinë e tij, filma nga regjisore femra fituan dy çmimet kryesore të festivalit japonez që po mbahet në Tokio.
Filmi që paraqet një dramë gjysmë-autobiografike të regjisores kosovare, Kaltrina Krasniqi, fitoi çmimin kryesor në ceremoninë e filmit në Tokio, në një ceremoni virtuale, të transmetuar drejtpërdrejt nga kryeqyteti i Japonisë, kurse drama “La Civil” e regjisores rumune Teodora Ana Mihai, gjithashtu e bazuar në një histori të vërtetë, mori vendin e dytë në Tokio. Çmimet kryesore në këtë ceremoni në Japoni u zgjodhën nga një juri e udhëhequr nga ikona e ekranit francez, Isabelle Huppert.
“Pasi që mora lajmin sot në mëngjes se filmi është shpërblyer me çmimin kryesor, po bërtisja, qeshja dhe qaja nga gëzimi”, tha Krasniqi, duke theksuar se “Vera Dreams of the Sea” ishte filmi i parë i Kosovës që konkurroi ndonjëherë në Tokio. Faleminderit shumë për këtë nderim që më bëtë”, shtoi ajo, vlerësim që ka edhe shpërblimin prej 30 mijë eurove.
“Vera andrron detin” është me skenar të Doruntina Bashës dhe me regji të Kaltrina Krasniqit, film që po vlerësohet shumë nëpër festivale të ndryshme. Premierën botërore e kishte në Festivalin e Venecias.
Filmi ka për personazh kryesor një 64-vjeçare përkthyese e gjuhës së shenjave, që jeton në Kosovë. Ajo e sfidon burrin e saj patriarkal me qëllim që të mbrojë vajzën e saj të cilën ai e ka mohuar.
Filmi “Vera Andrron Detin” me producent Shkumbin Istrefin, është bashkëprodhim i Puntoria Kreative Isstra (Kosovë), Dream Factory (Maqedoni e Veriut) dhe Papadhimitri Production (Shqipëri), dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike Kosovës, Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore dhe Qendra Kombëtare e Kinemaografisë në Shqipëri./ KultPlus.com
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me rastin e shënimit të 8 nëntorit “Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve” ka hapur ekspozitën e foto-konkursit “Fshati im”, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë është bërë edhe ndarja e çmimeve fituese, ku fotografi Arben Llapashtica ka marrë vendin e parë.
Në një fotografi ku shihet një djalosh i buzëqeshur duke luajtur me ujë, Llapashtica është nderuar me çmimin e vendit të parë.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, fotografi ka deklaruar se i vjen mirë që kjo foto ka marrë këtë çmim.
“Eee sa po me vjen mire per kete foto edhe per vendin e dashtun Janjevën”, ka shkruar ai.
Ky event është mbajtur në ndërtesën e ish-Rilindjes dhe ka marrë pjesë edhe ministri Liburn Aliu. /KultPlus.com
Skulptori Eroll Murati ka hapur ditë më parë ekspozitën me titull “Më gjeni”, me fokusin kryesor të të zhdukurve në luftën e fundit të Kosovës, shkruan KultPlus
Me moton “Dikush është ende duke i pritur te dera qe 20 vite”, shfaqen dy skulpturat në sheshin “Skënderbu” në Prishtinë, në të cilën Murati dëshironte të përcillte te publiku dhembshurinë që ai ndjenë në zemrën e tij.
“Frymëzimi erdhi nga zemra që ndjenë dhimbje të madhe për familjarët e të zhdukurve”, ka thënë Murati në një prononcim për KultPlus.
Tutje, ai ka pohuar se do të marrë hapa të mëtutjeshme për të përcjellë siç duhet mesazhin e tij.
“Unë po mendoj që të realizojë edhe ekspozita të tjera, megjithatë fokus kam që të paraqes një ekspozitë në Beograd. E di se një gjë e tillë është e vështirë, por do mundohem vitin e ardhshëm ta bëjë një gjë të tillë nëpërmjet formave më të “ashpërsuara”, tha në vazhdim.
I pyetur në qoftë se dikush nga familjarët e të zhdukurve ka kontaktuar me të, Muarti ka thënë se ende nuk është takuar me ndonjë familjar, por, sipas tij, ai e kupton edhe këtë distancë të tyre, duke pas parasysh se sa të thellë e kanë plagën këto familje.
Ekspozita e skulpturave është e hapur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë e që i dedikohet të zhdukurve nga lufta e Kosovës, e që numërohen 1638 persona./ KultPlus.com
Nezir Kraki, profesor në Universitetin e Parisit ka bërë një thirrje për një fushatë me rrjedhje normale, pa inskenime të gërditshme e pa pazare t’ulta.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Krakit.
Mos hiqni dorë nga çdo parim e çdo moral për një grusht vota apo një copë pushtet!
Jeta është më e gjatë se mandatet politike dhe jetesa pa parime është e zorshme. S’ka më zor se mos me guxu me i pa njerezit n’sy. Kosova ka boll tipa të tillë që i grryejnë muret, siç thonë francezët, mos me u perballe me tjetrin.
Lejone fushaten me rrjedhë normalisht dhe sidomos lejoni njerezit me zgjedhë lirshem, pa inskenime te gerditshme e pa pazare t’ulta me hallet e asaj Kosove te shkretë./ KultPlus.com
Fuqia e gruas dhe përkujdesi i jashtëzakonshëm ndaj fëmijëve, libri “Rrënjë” nga Ulpiana Maloku promovohet sot në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë.
Autorja Ulpiana Maloku do ta promovojë librin më të ri “Rrënjë” së bashku me Kushtrim Mehmetin, shkruan KultPlus.
Promovimi i kësaj vepre letrare do të bëhet përmes leximit skenik me regji të Kushtrim Mehmetit, bashkëpunim të cilin e kemi parë edhe më herët ndërmjet këtyre dyve.
Koncepti kryesor i librit flet për dy qenie X dhe Y të cilët janë binjakë në barkun e së ëmës. Dyluftimi ekzistencial që ata përjetojnë ka të bëjë pikërisht me atë që mamaja e tyre u transmeton.
Element tjetër shumë i rëndësishëm është edhe fuqia e gruas, ku mamaja e binjakëve pavarësisht sfidave që përjeton, kujdeset gjithmonë për binjakët e saj.
Libri do të promovohet në ora 18:00./ KultPlus.com
Pianistja kosovare Lule Elezi do të ngjitet në skenën e “Palais Hanse” në Vjenë të Austrisë, e cila më 15 nëntor, para audiencës vjeneze do të luaj veprat e Chopin, Rauf Dhomit dhe Ludwig van Beethoven, shkruan KultPlus.
Organizatorët e këtij koncerti, që mbahet nën patronazhin e Shoqatës Ndërkombëtare të Chopin në Vjenë, kanë njoftuar se në kuadër të këtij koncerti, do të bëhet edhe promovimi i albumit të pianistes Lule Elezi.
Albumi është incizuar nga “ Austrian Gramophone” në “ Mozarthaus” në Vjenë, kurse në këtë album janë incizuar vepra të njohura nga opusi i dy gjenive, Ludwig van Beethoven dhe Frédéric Chopin”.
Organizatorët e këtij koncerti kanë ndarë një përvojë të pianistes Lule Elezi, e cila pas luftës kishte performuar për herë të parë në një piano plotësisht funksionale në Vjenë, përvojë që i kishte munguar në Universitetin e Prishtinës, pasi që, pianistja Elezi kishte kujtuar se në atë kohë, në Universitetin e Prishtinës nuk kishte një piano të vetme që funksiononte plotësisht.
Lule Elezi e cila është profesoreshë e pianos në Universitetin e Prishtinës ka shumë koncerte solistike nëpër botë, duke përfshirë edhe ato në SHBA, Japoni, Kinë, Saint Petersburg, Austri, Gjermani, Suedi, Francë, Luksembourg, Bullgari etj.
Ky koncert është edhe në mbështetje të Ambasadës së Kosovës në Austri./ KultPlus.com
Në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës do të bëhet hapja e ekspozitës Ekologjitë e së ardhmes / Smogu i madh i vitit 2021, kuruar nga Engjëll Berisha, shkruan KultPlus.
Nw kwtw ekspozitw do tw prezantohen shtatw artistw, si: Alban Muja, Blerta Hashani, Ben Rivers, Charlotte Prodger, Louis Henderson, Nimon Lokaj dhe Uriel Orlow. Kjo ekspzoitw do tw hapet mw 8 nwntor nw ora 19:00.
Ekspozita Smogu i madh i vitit 2021, një projekt multimedial nga kuratori Engjëll Berisha, një bashkëpunim nga Galeria Kombëtare e Kosovës, në partneritet me British Council dhe LUX. Smogu i madh i vitit 2021 do të hapet më 8 nëntor 2021 në ora 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe do të jetë e hapur për publikun deri më 8 dhjetor 2021. Ekspozita është pjesë e Ne Jemi Këtu: Ekologjitë e së Ardhmes dhe është Prezantimi i gjashtë i programit Ekologjitë e së Ardhmes në Ballkanin Perëndimor. “Smogu i madh i vitit 2021” eksploron mundësinë e një të ardhmeje ku ndryshimet klimatike të cilat për shkak të mosveprimit të shoqërisë sot e ka shëndruar botën tonë e cila dikur njihej si botë e gjelbër në një planet të hirtë distopiane të ndërtuar nga betoni dhe nga teknologjitë që ne shpesh i shohim në videolojëra dhe në filma të së ardhmes. Për të kuptuar të kaluarën brenda këtij realiteti distopian peizazhet janë të rëndësishme. Një botë e panjohur nga mënyra se çfarë ndjenja kishim dikur ndaj natyrës. Si e portretizoi një romanticist bukurinë e peizazheve duke reaguar ndaj jetës “të korruptuar” të qytetit, apo si një lule e thjeshtë mund të bëhet një mjet politik. Në Ballkanin Perëndimor Programi Ne Jemi Këtu: Ekologjitë e së Ardhmes ka filluar në fillim të vitit 2020, kur u zgjodhën gjashtë kuratorë për të paraqitur koncepte të ekspozitave për projekte në vendet e tyre përkatëse. Kuratorët e përzgjedhur ishin Ana Frangovska nga Maqedonia e Veriut, Elian Stefa nga Shqipëria, Armina Pilav nga Bosnja dhe Hercegovina, Engjëll Berisha nga Kosova, Natalija Vujosheviq nga Mali i Zi dhe Natalija Paunić nga Sërbia. Ndotja, zhvillimi urban, privatizimi dhe shfrytëzimi i hapësirave publike janë të gjitha realitete shqetësuese në Ballkanin Perëndimor. Dhe kështu u zgjodh tema e ekologjisë pasi që u shfaq natyrshëm si një temë që unifikon rajonin. Programi Ekologjitë e së Ardhmes përfshin një përmbledhje nga katër vepra të imazheve lëvizëse nga koleksioni LUX: Uriel Orlow’s Muthi, 2016; Louis Henderson’s Krejtë çka është e ngurtë, 2014; Charlotte Prodger’s LHB, 2017 dhe Urth, 2016 nga Ben Rivers. Smogu i madh i vitit 2021 prezanton edhe tri piktura të artistëve kosovarë: Ulësja në dritare e Alban Mujës, Pa titull e Blerta Hashanit dhe Pishat e Deçanit e Nimon Lokajt. Ekspozita do të shoqërohet me një program publik që përmban ngjarje të ndryshme të cilat do të eksplorojnë artin si një mjet për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet mjedisore. /KultPlus.com
Së fundmi këngëtarja Lady Gaga ka folur për rolin e saj në filmin ‘House of Gucci’.
Në një intervistë për ‘Vogue’, Gaga zbuloi se nuk ka folur kurrë me Patrizian pasi ajo mund ta bënte rolin e drejtë vetëm nëse lexonte midis rreshtave.
”Ndjeva se mund ta bëja të drejtë këtë histori vetëm nëse e qasja me syrin e një gruaje kurioze që ishte e interesuar të zotëronte një shpirt gazetaresk, në mënyrë që të mund të lexoja mes rreshtave se çfarë po ndodhte në skenat e filmit. Do të thotë se askush nuk do të më tregonte se kush ishte Patrizia Gucci, madje as Patrizia Gucci”, u shpreh këngëtarja. Patrizia u shpall fajtore dhe u dënua me 29 vjet për punësimin e vrasësit, i cili vrau ish-burrin e saj, Maurizio Gucci./KultPlus.com
Ministrja Margariti, bëri me dije ditën e sotme për konkursin e realizimit të logos, simbolikën përfaqësuese në kremtimin e Javës së Flamurit, për vitin 2021.
Të gjithë krijuesit janë të mirëpritur t’i bashkohen këtij konkursi, me qëllim realizimin e asaj më të bukurës, të flamurit tonë.
“Jemi në prag të festave të mëdha të nëntorit, që do t’i presim në një atmosferë të gëzueshme së bashku. Do të festojmë Javën e Flamurit!”, u shpreh Margariti.
“Ftojmë çdo krijues të bëhet pjesë, duke konkurruar për realizimin e logos së kësaj jave aktivitetesh”, – tha ajo.
“Synimi i realizimit të kësaj “Logo”, në kremtim e “Javës së Flamurit”, duhet të jetë pasqyrimi i një konfiguracioni simbolik, si një krijim origjinal në përmbajtje dhe në formë. Logoja, do të shoqërojë evenimentet zyrtare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, si pjesë identifikuese e festimeve në këtë kuadër”, thuhet në thirrjen e shpallur nga Ministria e Kulturës.
“Sa i përket kohës së zhvillimit konkursi mbahet prej 3 deri më 15 nëntor. Shpallja e fituesit do të bëhet jo më vonë, se data 16 nëntor”, – bën të ditur MK.
Ministria e Kulturës thekson se, “në konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë studentë, artistë, krijues në fushën e arteve pamore. Artisti pjesëmarrës në konkurs duhet të aplikojë online në adresat zyrtare të Ministrisë së Kulturës: [email protected]”.
“Punimet duhet të jenë origjinale, të pa publikuara dhe autori mban përgjegjësi ligjore për autencitetin e tyre para ligjit. Në konkurs pranohen punime individuale dhe punime të realizuara në grup”, – bëjnë të ditur autoritetet.
“Punimi i Logos, duhet të jetë shprehje artistike figurative ose grafike. Secili formateve duhet të paraqitet i punuar me ngjyra i printuar nga kompjuteri dhe në formë elektronike. Logo duhet të paraqitet në sfond të bardhë, të zi dhe me ngjyrë, si dhe të dorëzohet në formatet: Eps, Pdf, Jpg, Png”, vijon thirrja e shpallur nga MK./ KultPlus.com
Kolegji Universum lider i mundësive reale ndërkombëtare për studentë dhe staff për shkëmbim semestral, këtë po e dëshmon fakti se deri tani këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë i janë aprovuar 116 marrëveshje me universitetet më të mira të Evropës. Së fundmi, gamës së bashkëpunimeve i është shtuar edhe projekti tjetër për BURSA ndërkombëtare në Itali.
Studentët e Kolegjit Universum të Programit Fizioterapi do kenë mundësinë të studiojnë për një semestër në një ndër universitetet më të vjetra në Itali “University of Catania” .
Të gjithë studentët përfitojnë shkollim falas, kompenzim mujor 850 euro dhe 275 euro kompenzim për shpenzime të transportit.
Së shpejti do të shpallet thirrja për aplikim për shkëmbim semestral në këtë universitet me bursë të plotë.Përveq shkëmbimit semestral me bursa të plota në 26 shtete të BE-së, Kolegji Universum u siguron studentëve një sërë burimesh dhe shërbimesh për të mbështetur mësimin dhe kërkimin e tyre. Puna praktikë për studentët e Fizioterapisë fillon që nga viti i parë në laboratorët inovativ të Kolegjit Universum të paisur me pajisje mjekësore ndërsa vitin e dytë praktika vazhdohet në Qendra të Mjekesise Fizikale me të cilat Kolegji Universum ka bashkëpunim.
Kolegji Universum është institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian. Deri tani Kolegji Universum ka arritur marrëveshje me 116 universitete në 26 shtete të Evropës dhe Turqi.
Që nga fillimi i shfaqjes së filmit vendor “Zgjoi” interesimi ka qenë jashtëzakonisht i lartë. Kjo është arsyeja pse kinemaja më e madhe në vend, Cineplexx, tashmë ka vendosur që ti jap më shumë orare shfaqjeje këtij filmi, duke i rritur numrin në 9 termine ditore.
Filmi ka qenë duke u shfaqur në 6 orare çdo ditë, në të dy kinematë, ndërsa nga dita e sotme, 5 nëntor, filmi do të shfaqet në 9 orare në Prishtinë dhe në 7 orare në kinemanë në Prizren.
Filmi “Zgjoi”, një nga filmat më të sukseshëm vendor të shfaqur në Cineplexx deri tani, që dalëngadalë po i afrohet thyerjes së rekordit për filma vendor, ka arritur që të mbushë sallat plot në çdo shfaqje të saj që nga premiera e më 28 tetor.
Filmi pëcjellë Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.
Oraret për ta shikuar filmin “Zgjoi” mund ti gjeni duke klikuar këtu.
Të pa zbuluara, të jashtëzakonshme apo të reja në treg: Degustimi i verërave të papritura
Tregu i verërave në Shtetet e Bashkuara është një nga më tërheqësit në botë. Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare e Hardhisë dhe Verës (OIV), që nga viti 2020, vendi vjen në vendin e katërt për nga vëllimi i prodhimit të verës dhe i gjashti me sipërfaqe nën hardhi – dhe megjithatë i pari në konsum.
Është gjithashtu një nga tregjet më të forta të importit në botë, me verë nga Italia, Australia dhe Franca që rreshtojnë raftet e tregtarëve të verës në SHBA përpara të gjitha vendeve të tjera… Këtu janë disa nga sugjerimet tona për verërat e paparashikuara për të eksploruar këtë vjeshtë dhe sezonin e dimrit, Jill Barth, për revistën prestigjioze FORBES
Po, kjo është një përzierje e varieteteve që të gjithë i njohim dhe i duam, por Cabernet Sauvignon dhe Merlot nga Lugina e Rahovecit në Kosovë nuk janë vera të përditshme për shumicën e konsumatorëve të verës në SHBA.
Ky rajon (Rahoveci) ka një histori 2,000 vjeçare të prodhimit të verës, dhe rrushi i kultivuar për verë, vjen nga një vresht i vetëm i këtij lloji “Izbishte”, dhe është i vjelur me dorë dhe kultivohet me përpikëri. Kombinojeni me darka të pasura me mish ose pjata me kërpudha.
Rita publikoi në InstaStory disa pamje nga klipi i xhiruar në Kosovë, duke shkruar: “Gëzuar ditëlindjen ‘Shine Ya Light’”, shkruan KultPlus.
Rita Ora këtë këngë e kishte xhiruar para nëntë viteve në Kosovë, duke shkëptur kështu imazhe të Kosovës në tërë botën.
Këngëtarja shqiptare ka kujtuar lansimin e kësaj kënge, që e kishte realizuar në vitin 2012, dhe edhe në këtë përvjetor, ajo nëpërmjet rrjeteve sociale iu kujtoi ndjekësve të saj për prejardhjen e saj nga Kosova. /KultPlus.com
Eric Adams, kryetar i zgjedhur i qytetit të Nju Jorkut, tha se dëshiron që tre çeqet e para të pagesës t’i marrë në bitcoin.
Ish-kapiteni i policisë u zgjodh këtë javë dhe do të marrë detyrën në fund të mandatit të kryebashkiakut Bill de Blasio, në muajin janar.
Adams tha në mediat sociale se dëshiron ta bëjë Nju Jorkun “qendër të industrisë së kriptomonedhave”.
“Në Nju Jork, ne gjithmonë bëjmë hapa të mëdhenj, kështu që unë do t’i marr tre çeqet e para të pagës në bitcoin, kur të bëhem kryetar”, shkroi Adams në një postim në Twitter.
“Qyteti i Nju Jorkut do të jetë qendër e industrisë së kriptomonedhave dhe industrive të tjera inovative”, tha ai.
Vlera e bitcoin-it, kriptomonedhës më të madhe në botë, ka qenë shumë e paqëndrueshme prejse është krijuar në vitin 2009.
Adams, demokrat, u zgjodh të martën dhe do të bëhet kryetari i dytë me ngjyrë i qytetit./KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë në kuadrin e vizitës në Beograd flet për DW mbi „Open Balkan“. Ai thekson ndër të tjera, se është e rëndësishme që Serbia ka pranuar që në mes Shqipërisë dhe Kosovës të mos ketë kufij.
Zoti Kryeministër kanë kaluar tre vjet qëkurse është hedhur ideja për Mini-Shengenin Ballkanik, tani “Open Balkan”. Si mendoni, a është ky një projekt që do mbijetojë, pasi është folur shumë për këtë?
Edi Rama: Unë jam i bindur që pikërisht pse paqja duhet të mbijetojë dhe duhet të bëhet e pakthyeshme përgjithmonë, ky projekt, kjo nismë detyrimisht do të mbijetojë.
Zakonisht kur flitet për Open Balkan, keni shumë kritika, sidomos nga Kosova, por edhe nga vetë Shqipëria. Duket sikur po tradhëtoni Kosovën duke marrë pjesë në një proces me Serbinë. Është një debat ende i nxehtë. Ju si e shihni këtë?
Unë nuk dua të komentoj mbi këtë. Por, dua të them që nëse është tradhëti të mendosh për të ardhmen, të mendosh për paqen, të mendosh për rritjen e bashkëpunimit dhe të ekonomisë, të mendosh për mirëqenien shoqërore dhe të mendosh edhe për zgjidhjen përfundimtare të ҫështjes së Kosovës, po atëherë unë jam tradhëtar, nuk diskutohet dhe tradhëtar do të ngelem.
Si mund të zgjidhet ҫështja përfundimtare bashkë me këtë proces? Serbia kohët e fundit bëri ca kërcënime me luftë, kemin problemin në veri. Edhe në Serbi Ju jeni kritikuar për qëndrimet atëherë, duke qenë në një atmosferë të tillë a duket e mundur zgjidhja? Dhe, p.sh. sot në Beograd po të ishte Kosova e ftuar a do të kishte një flamur të Kosovës në qeverinë e Serbisë?
Së pari të mos harrojmë asnjëherë që ҫështja e mosdakordësisë mes Serbisë dhe Kosovës – unë nuk e harroj asnjëherë këtë pasi është një ҫështje themelore dhe shumë e rëndësishme, që do të thotë se procesi në vetëvete është një proces i vështirë dhe nuk mund të jetë kurrësesi një proces i qetë vijimsisht – do ketë edhe tensionet e veta. Por, nga ana tjetër po të bëjmë një krahasim me të shkuarën sot vertetë rriten tensionet, por edhe zgjidhja e atyre nyjeve që krijojnë tension është shumë më e shpejtë, nëse e vini re. Pikërisht se është kjo ҫështje në mes, unë mendoj se Ballkani i hapur është edhe më i rëndësishëm, sepse është kontributor i drejtpërdrejt për të krijuar energji pozitive dhe për ta lehtësuar procesin e konfrontimit në ҫështjen themelore duke i dhënë mundësi palëve të komunikojnë në një atmosferë më pozitive. Dhe, prandaj edhe solla përsëri shembullin e Gjermanisë dhe Francës: Paqja përfundimtare së bashku me faljen publike të Gjermanisë erdhi në vitin 1969 nga kancelari Willy Brandt. Ndërkohë që, menjëherë pas luftës Gjermania dhe Franca filluan të komunikojnë, filluan të ndërveprojnë, filluan të ngrenë mekanizma bashkëpunimi. Dhe, këto mekanizma u ngritën në radhë të parë aty ku është më lehtë, tek interesi ekonomik. U ngritën në radhë të parë aty ku përveҫ se është më e lehtë dhe më jetike për jetën e përditshme të njerëzve, tek buka, tek rritja e mundësive për t‘u mbijetuar plagëve të tmerrshme të luftës dhe për t’u dhënë njerëzve një perspektivë në familjet e tyre. Nuk ka asnjë kontraditë në këtë mes, por përkundrazi: Nëse Kosova do të ishte e pranishme do të kishte mundësi që në radhë të parë, duke u përfshirë në këtë nismë, të rriste kapacitetet e veta ekonomike, të fuqizonte imazhin e vet si një hapësirë ku mund të investohet për investitorët e huaj, të krijonte garanci për të gjithë ata që investojnë dhe që do të investonin në Kosovë, qofshin shqiptar, qofshin të huaj dhe kështu të merrte disa benifite të drejtpërdrejta të natyrës ekonomike, ndërkohë që në procesin e dialogut të vazhdonte të mbante qëndrimet e veta që nuk diskutohen dhe të arrinte synimin e vet. Por, që nuk ekziston në histori, siҫ e njoh unë, që një zgjidhje konflikti të ketë pasur sukses duke mos përdorur të gjitha mjetet e nevojshme dhe duke mos përfshirë këtu domosdoshmërinë e vendosjes së interesit të qytetarëve si njerëz, si familjarë, si prindër, prodhues, tregtar, si konsumator, kjo është e sigurt.
Por, nuk mund të mohojmë që në Ballkan ka probleme – përveҫ Kosovës që vazhdon të ketë probleme, siҫ ishte rasti me boksierët nga Kosova që nuk mundën të marrin pjesë në garë për shkak se ajo organizohet në Serbi – ka shqetësime në Bosnje, sidomos javëve të fundit me tensione pak më të ngritura dhe të theksuara se në të shkuarën. Po ashtu as Mali i Zi nuk është pjesë e Ballkanit të hapur. A ju duket pak idilike kjo nismë, apo është vetëm një fillim për të rregulluar problemet?
Mendoj që edhe ҫështjet e konfliktit, domethënë ҫështjet që shfaqin simptomat e atij konflikti që është në themelin e marrëdhënies në mes të Serbisë dhe Kosovës, janë çështje që me Ballkanin e hapur, me komunikimin e vazhdueshëm, me adresimin e këtyre aspekteve të tjera do të mund të adresoheshin në mënyrë më pozitive nga palët: sepse sa më shumë palët të afrohen, sa më shumë palët të shihen në sy, sa më shumë palët të gjejnë interesa të përbashkëta, jo në teori por në praktikë, sa më shumë palët të krijojnë afinitet si njerëz përtej të gjitha atyre që i përcaktojnë ata si identitete etnike, si identitete fetare apo ҫfarëdo qoftë tjetër, në teori po flas, aq më shumë krijohen premisa për të adresuar konfliktin thelbësor në mënyrë pozitive. Unë nuk them që kjo është e lehtë, por them që e kundërta është e pamundur, unë nuk them që kjo është një zgjidhje magjike, por unë them që moszgjidhja dhe opsionet ekstreme janë apsolutisht të destinuara të mos çojnë asgjëkundi. E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjën. Bosnja do të përfitonte nga Ballkani i hapur patjetër, si të gjithë që kanë mundësi të përfitojnë, por do të ishte edhe më e relaksuar në rast se nuk do të kishte kufirin që i pengon lëvizjen njerëzve, që i kujton se janë të ndarë, që i kujton që janë në një situatë të vështirë ekonomike dhe sociale etj. etj. E njëjta gjë për Malin e Zi. Tani unë mendoj,
se të gjithë do të vijnë në Ballkanin e hapur se nuk ka rrugë tjetër, është gjëja më e natyrshme dhe të gjitha pengesat që krijohen dhe të gjitha kundërshtimet janë të panatyrshme. Janë pengesa të natyrës politike që krijohen nga interesa politike të momentit, jo nga ndonjë interes strategjik dhe që cënojnë interesin strategjik të vet këtyre vendeve, në këndvështrimin tim. Dhe, për Kosovën e them me bindje se kërcënohet interesi strategjik i Kosovës duke u vetëpërjashtuar Kosova në Ballkanin e hapur.
A mund të ketë marrëdhënie të mira rajonale, pa marrëdhënie të mira bilaterale? Në këtë rast shumica kanë frikë nga Serbia për arsye se ka pasur edhe konflikte politike dhe luftë me shumicën prej tyre edhe tani vazhdon ta ketë një marrëdhënie jo shumë të qetë…
Frika nuk është këshilltar i mirë. Por, unë mendoj që kundërshtia politike e Ballkanit të hapur nuk vjen nga frika, vjen nga nevoja për ta ushqyer frikën në funksion të poltikës. Është diҫka krejt tjetër.
Mund të thuhet që keni diskutuar për këto ҫështje me Vuҫiq apo ҫfarë diskutuat në takime?
Ne diskutojmë gjithҫka dhe diskutojmë shumë hapur dhe kemi rënë dakord, që të mos biem dakord për ҫështjen e Kosovës, për të cilën e kam shprehur edhe këtu në Beograd mendimin tim. Por nga ana tjetër, unë besoj shumë që kemi arritur shumë ne shqiptarët duke e bërë Serbinë ta pranojë Ballkanin e hapur për gjashtë vende. Ju folët për flamurin. Ҫështja e flamurit është një ҫështje që zgjidhet lehtë, nuk është një ҫështje që kërkon vështirësi të madhe, pasi nuk mund të na pengojnë flamurët që të ҫojmë përpara një proces kaq të rëndësishëm. Gjithҫka zgjidhet kur ka një vullnet për t’u zgjidhur. Ajo që është e rëndësishme është që Serbia ka pranuar që në mes Shqipërisë dhe Kosovës të mos ketë kufij. Gjë që ka qenë premtim i vazhdueshëm i të gjithëve dhe nuk është realizuar dot kurrë, sepse pikërisht sapo i shkonim afër asaj, na ngrihej e gjithë bota dhe thoshin Shqipëria e madhe dhe ka disa që nuk duan ta kuptojnë dhe thonë pse Serbisë do t’i marrim leje ne? Këtu nuk është ҫështja për të marrë leje. Këtu është ҫështja që ta bëjmë një gjë për të kuptuar që kjo gjë nuk bëhet dot, nëse Serbia vë alarmin që këta po bëjnë Shqipërinë e madhe. Ndërkohë Serbia jo vetëm që ka hequr dorë nga kjo, në sensin që nuk është pengesë për këtë, por përkundrazi është e gatshme që të pranojë në tryezë si të barabartë edhe Kosovën për të folur për për ҫështjen e Ballkanit të hapur. Tani unë nuk e kuptoj dot se pse duhet refuzuar kjo mundësi dhe pse duhet të vuajnë njerëzit që e kanë të nevojshme në radhë të parë për arsye të punës së tyre, për arsye të biznesit të tyre, për arsye të lëvizjes së tyre Ballkanin e hapur, nuk e kuptoj dot.
Ҫfarë përfitimi ka Shqipëria dhe vendet e tjera nga Ballkani i hapur? Në konferencë ju përmendet turistët, shkëmbimin ekonomik. Është vërtetë i dukshëm progresi në këto marrëdhënie?
Nuk është ende aq i dukshëm për shkak se ende, siҫ e dëgjuat, nuk janë zbatuar deri në fund ato ndryshime që janë të domosdoshme për ta realizuar Ballkanin e hapur. Ende ka pritje në kufi, ende ka probleme me njësimin e dokumentacionit, ende ka pengesa. Ky është një proces që do të kërkojë kohën e vet, nuk është një proces i lehtë edhe nga kjo pikëpamje edhe mes nesh që jemi dakord që ta bëjmë përsëri ka probleme. Por, kështu është mënyra se si ndërtohet një hapësirë evropiane, kështu është mënyra se si vet Bashkimi Evropian është ndërtuar. Dhe, ne për t‘u bërë pjesë e Bashkimit Evropian po bëjmë dhe këtë shkollë të njësimit të të gjitha procedurave, dokumentave që kërkon kohën e vet.
Njerëzit në Ballkan janë mësuar që u ofrohet një gjë dhe ndodh një gjë tjetër. Në këtë rast u ofrohet Bashkimi Evropian dhe mbeten me Open Balkan. Kjo është frika që kanë njerëzit? A besoni Ju ende në një integrim më fuqishëm të Shqipërisë dhe rajonit?
Unë nuk e diskutoj që Shqipëria dhe rajoni e kanë vendin në Bashkimin Evropian dhe do të jenë në Bashkimin Evropian. Kjo është çështje kohe dhe Bashkimi Evropian është në një fazë të vështirë të vetën, që duhet ta mirëkuptojmë dhe nuk duhet aspak të humbasim busullën nga kjo, por ne duhet të vazhdojmë me punën tonë. Nuk është puna se mbetemi në Ballkanin e hapur, por Ballkani i hapur është gjëja që na duhet, nuk është hajde t‘i gjejmë punë vetes. Por, na është dashur dhe na duhet për ekonominë, për shoqërinë, për paqen.
I gjithë bashkëpunimi rajonal kishte filluar më fuqishëm me Procesin e Berlinit. Kancelarja Merkel është në largim. Si e shihni rolin e Gjermanisë në integrim në Bashkimin Evropian, por edhe bashkëpunimin rajonal?
Politika e jashtme e Gjermanisë nuk është politikë personale, por politikë e një shteti shumë serioz që nuk ndryshon, sepse po ndryshon një kancelar me një tjetër. Unë nuk shoh që do të ketë ndonjë ndryshim, përkundrazi, mendoj që kancelari i ri do të vazhdojë në të njëjtën linjë./DW
Papa Françesku më 4 nëntor emëroi motrën françeskane të Eukaristisë Raffaella Petrini si sekretare të re të përgjithshme të Guvernatorit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, duke e bërë atë gruan e parë që mban ndonjëherë këtë post dhe tani gruaja më e lartë në Vatikan.
Petrini, 52 vjeç, ka shërbyer si zyrtare në Kongregacionin e Vatikanit për Ungjillizimin e Popujve që nga viti 2005. Ajo tani do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen e operacioneve administrative të shtetit më të vogël në botë, i cili përfshin muzetë e Vatikanit, zyrën postare dhe policinë.
Emërimi i saj – në një rol të mbajtur tradicionalisht nga një peshkop – vjen në një kohë kur motrat fetare po emërohen ngadalë në pozita më të mëdha autoriteti në departamentet e Vatikanit të drejtuar historikisht vetëm meshkuj./KultPlus.com
Sinklair Lewis më 5 nëntor të vitit 1930, fiton Çmimin Nobel në Letërsi, duke u bërë shkrimtari i parë nga Shtetet e Bashkuara që nderohet me këtë çmim.
Në fjalimin para Akademisë suedeze, Lewis vlerësoi Theodore Dreiser, Ernest Hemingway dhe shkrimtarë të tjerë bashkëkohës.
Ai gjithashtu u ankua se në Amerikë shumica e lexuesve dhe shkrimtarë, vazhdojnë të frikësohen ndaj çdo letërsie që nuk lavdëron çdo gjë amerikane, qofshin gabime apo virtyte. Sinklair
Lewis kritikoi ashpër edhe letërsinë e institucionalizuar, “profesorët tanë nuk pranojnë letërsi ndryshe, por e duan atë të qartë, të ftohtë, të purifikuar, të vdekur.” Thjesht, nuk duan që njeri tjetër të shkruajë më mirë, ose thyerjen e standardeve
Dr Jusuf Osmani, i doktoruar në fushën e arkivistikës në Lubjanë, hulumtues, ligjërues, ish drejtor i Arkivit të Prishtinës dhe të Kosovës, është autor i shumë librave mongrafikë, shkencorë, publicistikë dhe dokumenutues.
Kwto ditw, dr. Osmani, botoi projektin e tij jetësor. Shtatë vëllimet krijojnë identitetin shkencor, në një libër, që mund të përmblidhet në titullin: Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit: Muhaxhirët të shpërndarë, nisur nga Kosova e deri në Siri. Studiuesi Osmani ka strukturuar tematikat në shtatë libra: 1. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët 2. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit, Vendbanimet në Kazatë: Kurshumli dhe Prokuple 3. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit, Vendbanimet në Kazatë: Vranjë, Nish, Pirot dhe Tërn 4. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Vendbanimet në Kazanë e Leskovcit 5. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët, Shpërngulja dhe vendosja në Kosovë 6. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët, Shpërngulja në Turqi dhe në vende arabe dhe 7. Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit, Shpërngulja dhe vendosja në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Shqipëri. Studiuesi Osmani ka shfrytëzuar burime primare dhe sekondare arkivistike dhe bibliografike. Punë në terren. Është hulumtim mbi 50 vjet i autorit që ka vjelur burime nga fondet e koleksioneve në 12 arkiva të njohura vendore dhe ndërkombëtare, që nga Londra, Ankaraja, Podgorica, Shkupi e deri te ai i Tiranës.
Noel Malalcolm, recensent: Përgjatë shumë dekadave, Jusuf Osmani ka mbledhur informacione në lidhje me popullatën shqiptare e cila dikur jetonte në Sanxhakun e Nishit – tani një zonë e gjerë e Serbisë së Jugut. Dëbimi i këtyre njerëzve në fund të shekullit të 19-të, që shkaktoi vdekjen e shumë njerëzve dhe zhvendosjen e të mbijetuarve, është një episod tragjik në historinë moderne të Ballkanit dhe fakti që është lënë pas dore nga vetë studimet historike është një padrejtësi historiografike. Informacionet e shumta të mbledhura këtu do të ndihmojnë për të korrigjuar atë padrejtësi. Gjithashtu, do të zgjerojë njohuritë tona për disa nga episodet më të errëta në historinë e marrëdhënieve serbo-shqiptare.
Ibrahim Berisha, redaktor i këtyre botimeve, vlerëson se Librat janë ndërtuar duke ndërlidhur dokumente, dëshmi, rrëfime dhe referenca të verifikueshme dhe kompetente literature të shumëdorshme, duke dhënë të vërteta voluminoze gjeografike, urbane e rurale, demografike, humane-sociale, pronësore-ekonomike, diplomatike, statistikore, kulturore, etnografike, etnologjike, memorizuese etj. Prandaj, botimi i këtyre librave është një sagë e pakrijuar deri tani për një kohë dhe një histori që prodhoi vuajtje e dhimbje të mëdha individuale, kolektive e kombëtare, të cilat edhe sot e kësaj dite janë të pranishme.
Të gjithë librat bëjnë një libër të plotë, madje, është e veçantë se të gjithë librat e botuar deri tani bashkë të Dr. Jusuf Osmanit, e bëjnë një libër të plotë, pasi ata i shquajnë rezultate referuese dokumentare e shkencore, të cilët, pavarësisht nga koha, nuk humbin dhe do të lexohen edhe të pjesshëm, duke mos humbur peshën e kompetencës dhe të vlerës intelektuale e shkencore.
Ndërsa studiuesi Ilaz Rexha, shkruan në vlerësimin e tij se librat në fjalë e plotësojnë një zbrazëti të madhe të këtyre ngjarjeve të rëndësishme në historiografinë shqiptare, që ende kanë mbetur të errëta dhe të pazbardhura plotësisht, meqë dokumentet sekrete të operacioneve ushtarake serbe gjatë viteve 1876-1878, për çështjen e spastrimit etnik të popullsisë shqiptare nga Sanxhaku i Nishit, nuk u lejohet të huajve t’i shfrytëzojnë. Botimi i tyre ka për qëllim t’u shërbejë studiuesve të rinj, i cili mund të jetë edhe si pikë referimi për thellimin e hulumtimeve dhe të studimeve të mëtejshme e më gjithëpërfshirëse që do të merren me trajtimin e problematikës dhe çështjes së dëbimit të popullsisë shqiptare nga Sanxhaku i Nishit dhe më gjerë. /KultPlus.com
Zinxhiri i Paqes, i cili ishte paraparë si një njohje vjetore e Misionit Ndërkombëtar për Shkencë dhe Paqe, ishte themeluar me nxitjen e humanistit kroat Vladimir Paleçek në vitin 1988 në Gjenevë të Zvicrës.
Zinxhiri përbëhet nga dhjetë portrete të laureatëve të Nobelit, dhe medaljet u realizuan nga skulptorët e Zagrebit. E para në të djathë është Nënë Tereza. Aty mund të shihen edhe Maria Curie, Albert Einstein, Martin Luther King, Alexandar Fleming, etj.!/ KultPlus.com
Së fundmi janë zbuluar detaje të reja nga vrasja aksidentale e kkineastes Halyna Hutchins.
Një avokat i vajzës që mbikëqyrte armët e përdorura në setin e filmit “Rust” ka sugjeruar që dikush ka vendosur qëllimisht një fishek të drejtpërdrejtë në armën e përdorur nga aktori Alec Baldwin.
Jason Bowles tha se klientja e tij, Hannah Gutierrez, kishte nxjerrë municion nga një kuti që ajo besonte se përmbante vetëm plumba të paaftë që nuk mund të gjuanin.Për këtë arsye ai mendon se është e mudur që dikush të ketë vendosur me me qëllim plumba të vërtetë, të cilët duken të ngjashëm në kuti.
Pas deklaratës së avokatit, kompania Rust Movie Productions ka deklaruar se është duke hetuar incidentin dhe nuk ka marrë asnjë ankesë zyrtare për sigurinë në set në Santa Fe, New Mexico.
Aktorja e njohur Dakota Johnson ka shprehur së fundmi pakënaqësitë e saj ndaj paparacëve.
Në një intervistë për ‘Hollywood Reporter’ , Dakota i krahasoi fotografët me mikrobet e padukshme dhe Covid-19.“Ata janë shndërruar në parazitë të poshtër, dëmtues që mund t’i shihni. Ata janë mikrobe të padukshme. Ata janë si COVID, të tmerrshëm dhe vdekjeprurës. Ata fshihen në makina. Nëse doni ta keni atë punë, të paktën ta bëni me pak integritet. Dilni nga makina juaj dhe bëni një foto”, deklaroi aktorja. Johnson është përfolur së fundmi se është fejuar me partnerin e saj Chris Martin dhe po planifikojnë të martohen në fillim të vitit të ardhshëm./ KultPlus.com