Basri Shkodra, me biznes të suksesshëm në një konkurrencë të fortë në Zvicër

26 Prill, 2020 - 3:11 pm

Ndërmarrësi i suksesshëm në fushën e telekomunikimit, Basri Shkodra flet për rrugën e tij të deritashme në këtë biznes të vështirë e me konkurrencë të fortë në Zvicër. Ai ka themeluar dhe drejtuar ose ka qenë pjesë e drejtimit të një numri të madh të kompanive të kësaj fushe. Duke bërë fjalë për filozofinë që e udhëheq atë në punën e biznesit, Shkodra thotë: “Për të qenë afarist i suksesshëm, dhe për të pasur një biznes të shëndoshë, ju duhet shumë punë, përkushtim, asnjëherë dorëzim dhe mbi të gjitha, ndërtimi i besimit të kompanisë”.

Albinfo.ch: Kush është Basri Shkodra?

Basri Shkodra: Jam i lindur në vitin 1979 dhe vij nga Gjilani. Jetoj për më shumë se 30 vite në Zvicër. Babai im kishte migruar herët në Zvicër, mund të them se ishte  ndër gjeneratat e para që kishte ardhur këtu, diku nga viti 1968-69. Kam të kryer shkollimin fillor dhe të mesëm këtu në Zvicër, pastaj kam ndjekur studimet në shkollë të biznesit ne Aarau për ndërmarrësi dhe ekonomik.
Jam i martuar me Fatmiren dhe kam dy fëmijë, vajzën Bledionën dhe djalin Eldionin.

Albinfo.ch: Keni filluar me një shitore të vogël tani furnizoni shitoret tjera me smartphone, kufje dhe aksesorë tjerë të brendeve botërore nëpër tërë Zvicrën?

Basri Shkodra: Mund të them se nuk ishte shitore e vogël, por unë kam hyrë në këtë biznes si një ndërmarrës që nga fillimi, kisha punuar në shumë ndërmarrje të mëdha teknologjikë këtu në Zvicër. Si fillim, në Lebara Mobile që ishte një operator mobil nënkontraktor (MVNO) nën frekuencat e Sunrise, pastaj një kohë të gjatë kam qëndruar në operatorin mobil ORANGE dhe kam qenë Branch Manager për shumë vite.

Isha i angazhuar gjithashtu në Western Union përmes Union of Finacial Services në zhvillim të rrjetit, biznese te reja dhe menaxhim te pikave.

TCL Communication (Alcatel Mobile Brand & Black Berry) me angazhimin dhe besueshmërinë kam rikthyer pas disa vite Brand-in Alcatel përsëri në treg, bashkëpunim me 3G KidsWatch ne 2018 me Swisscom-in lansimin, pastaj kemi pasur një fushatë me Sunrise për migrimin e 2G strategjisë ne 3G Featerphone dhe të gjitha Retailer në Zvicër etj.

Ndërsa së fundi jam pronar & Managing Director në Kompaninë time këtu në Zvicër që nga viti 2015, “smartycom GmbH”.

Po ashtu kam krijuar edhe në Kosovë kompaninë si degë. Kështu, brendet që i kemi në asortiment këtu, janë të pranishme edhe atje, nën logon “smartycom Sh.p.k”, duke u llogaritur si investitorë të jashtëm në Republikën e Kosovës. Kam hapur në Zvicër degën e kompanisë globale angleze dhe lider në tregun botëror “Travel Blue” e specializuar në Travel Accessoires, ku jam Managing Director & Partner. Pra në “Travel Blue Switzerland AG”, po ashtu edhe pjesë e Management Global e cila operon në 13 shtete në gjithë botën. Po kështu kam startuar si përfaqësues nga “Travel Blue” në zgjerimin e tregjeve të reja në Ballkan, ku kemi iniciuar aktivitete edhe në Kosovë, përmes partnerëve lokalë si Travint, e Syri-mobile.

Kompania ime “smartycom GmbH” i përket tregut të teknologjisë mobile, dhe këtu në Zvicër ka të punësuar 5 veta, ndërsa në Kosovë, 6 veta. “Travel Blue Switzerland AG” pritet të rritet me staf gjatë këtij viti, kemi disa projekte para lansimit në tregun e Zvicrës dhe të Ballkanit.

Si erdhi ideja të merreni me këtë biznes ?

Unë siç e thashë më lart, ka një kohë që operoj suksesshëm në tregun e telefonisë mobile, dhe teknologjisë në përgjithësi. Ideja erdhi pasi që kisha besim se do të mund të pavarësohem. Dhe në tregun e ngarkuar dhe të rreptë siç është Zvicra besoja që do t`ia dilja mbanë. Kisha krijuar lidhjet, në përgjithësi shkollimi dhe përvoja nëpër punë të ndryshme që kisha kaluar, më kishin bërë një lider shumë të mirë dhe njëkohësisht shumë të njohur në këtë treg.

Me cilat kompani bashkëpunoni ?

Partnerët dhe brendet e kompanisë smartcyom janë të shumta. Po i veçoj disa me të cilat operojmë vetëm në formën e furnizimit me shumicë. Kemi bashkëpunim edhe me firma globale dhe nacionale ne B2B procurement me disa kategori të ndryshme.

Partneret tanë janë: UPC/Liberty Global, Sunrise, Alltron, Brack, Coop, Interdiscount, Microspot, Digitec, M-electronic, Electronic Partner, Officeworld dhe Lipo. Kemi edhe bashkëpunime me partnerë në Gjermani dhe në disa shtete tjera në Evropën perëndimore.

Brendet me të cilat bashkëpunojmë janë: KSIX nga Spanja, Holdit nga Suedia, KMP creative lifestyle nga Gjermania, defunc nga Suedia, Travel Blue nga Anglia, smartline nga Suedia, Contact nga Spanja, Vonmählen nga Gjermania. Së fundmi kemi qenë sponsorë të filmit shqiptar të shfaqur në Cyrih, “I love Tropoja”.

Çka e bën një biznes të suksesshëm në Zvicër?

Për të qenë afarist i suksesshëm, dhe për të pasur një biznes të shëndoshë, ju duhet shumë punë, përkushtim, asnjëherë dorëzim dhe mbi të gjitha, ndërtimi i besimit të kompanisë. Pastaj kontaktet janë me rëndësi, lidhjet afariste dhe miqtë, sidomos zviceranë, ata do të të ndihmojnë shumë të qëndrosh në këmbët tua.

Ne jemi në konsulencë me kompani zvicerane për të rishikuar rrugën tonë.

Si ndërmarrës ke sfida të ndryshme. Ne nuk jemi shitës klasik, ne ofrojmë zgjidhje, ofrojmë vizion dhe konsulenca, ne ofrojmë besueshmëri, ne po ashtu ofrojmë suport maksimum. Kualitet që garanton zhvillimin e bashkëpunimit dhe partneritetit. Ne jemi partner për sourcing Produkt në kategori të ndryshme, si Mobile/IT dhe CE.

Duket të jeni një ndërmarrës që gjithmonë kërkoni ndryshimin, i përgjigjeni atij ndryshimi dhe a e keni përdorur atë si mundësi?

Po, kompania jonë smartycom që nga fillimi vazhdimisht qëndron në kërkim të projekteve të reja inovative. Dhe ne në smartycom asnjëherë nuk ndalemi për tu futur në sistem ngjarjet e reja nga sfera e teknologjisë informative dhe mobile, produktet e reja etj. Përkundrazi nganjëherë jemi edhe më të shpejtë se konkurrenca. Ne kemi treguar veten si partner serioz për të pajisur me Mobile Accessoires nga kampanja e 5G me Xiaomi Mix 3 5G telekomin Sunrise me një produkt që ne e kishim të parët dhe të vetmit në tregun zviceran apo edhe më gjerë.

Stafi ynë po ashtu ndjek trajnimet e kompanive që janë në bashkëpunim me ne, kudo nëpër Evropë.
Ne po ashtu përcjellim në vazhdimësi panaire të teknologjisë mobile dhe informative.
Vlen të përmend se në disa raste kemi qëndruar në stendat e partnerëve apo edhe tonat siç është panairi më i madh botëror që mbahet në Barcelonë MWC, pastaj IFA në Gjermani, TFWA Travel Retail & Duty Free Cannes e kështu me radhë.

Smartphonët e rinj por edhe pajisjet përcjellëse, dalin shumë shpesh, a keni arritur të ndiqni trendin e tyre?

Po, sot teknologjia mobile dhe informative nuk lidhet vetëm me smartphone. Kjo sferë është shumë e përqendruar në zhvillimin dhe lehtësimin e jetës së njeriut, duke bërë që bota sot të mos shihet më me një sy të paarritshëm por të duket si një familje, si një qytet i vogël ku secili di për secilin.
Smartphone sot ka partnerët e vet në shumë lëmenj, BT, wifi, 4G e së fundit 5G, aksesorët përcjellës që lidhet më ketë teknologji e kështu me radhë.
Kompanitë tona prodhuese dhe partnerët që bashkëpunojnë me smartycom, janë shumë në trend, dhe janë vazhdimisht në hap me çdo risi që paraqitet në treg sa i përket smartphonëve. Projekti i fundit që ne jemi duke e zhvilluar ka të bëjë me teknologjinë e fundit 5G Equipement për operatoret Telekom në Evropën Lindore.

Keni vendosur të gjeni një lidhje mes ndërmarrësisë dhe profesionit tuaj, që t’i ndihmoni edhe në Kosovë, si e keni kanalizuar këtë bashkëpunim ?

Po kjo është e vërtetë. Unë me vëllezërit e mi operojmë në tregun e Kosovës që nga 2004-ta në lëmin e teknologjisë informative. Atëherë kemi punuar me internet caffe, pajisje kompjuterike, e pastaj kemi zgjeruar biznesin edhe në telefoninë mobile. Mbështetja për investimet e huaja në Republikën e Kosovës, bëri që pastaj unë të hap kompaninë time smartycom sh.p.k edhe në Kosovë. Atje kemi krijuar partneritet me NEPTUN Shqipëri. Projektet tashmë janë në fillimet e tyre, dhe ne shpresojmë që, me forcimin e institucioneve atje të rrisim investimet duke rritur edhe fuqinë punëtore, për të zotëruar pjesën tonë të tregut. Natyrisht jemi duke shikuar mundësi bashkëpunimi edhe me partnerë të tjerë në Kosovë dhe Maqedoni. Me brendin Travel Blue për ditët në vazhdim kemi targetuar një pjesë të shteteve të Evropës lindore për të zhvilluar Partneritetin me ndërmarrje vendase, pasi ne shohim potencial në atë rajon edhe përtej kufijve të Kosovës. Vizioni ynë me ndërmarrjet tona do të vazhdojë ta ketë si target tregun e Kosovës, ku do të japim kontributin në maksimum për vendlindjen, që për ne është privilegj./ albinfo.ch

Të ngjajshme