Ekspozita ‘Austria dhe Shqipëria’, shpërfaq dashurinë e madhe të piktores austriake për Shqipërinë

29 Maj, 2023 - 7:00 pm

Vjollca Duraku

31 piktura të vendeve të ndryshme të piktores austriake Hermi Kürner, janë ekspozuar mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Vlora, Kruja, Ura e Mesit në Shkodër, Tirana, Shën Gjini dhe disa qytete të tjera austriake janë vetëm disa prej 31 pikturave akuariel, të paraqitura nga piktorja Kürner në ekspozitën ‘Austria dhe Shqipëria’ , e të cilat shpërfaqin dashurinë e madhe që piktorja ka për Shqipërinë.

Hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila fillimisht falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, ku pastaj edhe i tha disa fjalë për figurën e piktores Hermi Kürner.

‘’Është një person me shumë pasione. Përpos pikturës e ka pasion të madh edhe ngasjen e makinave të vjetra. Ajo prej Austrisë ka ardhur me një makinë të vjetër e cila është e mbushur me flamuj, ku ka dashur të tregojë vendet e Evropës të cilat i ka vizituar piktorja”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Pajaziti më tutje tregoi edhe për mënyrën se si ishin takuar për herë të parë, takim i cili kishte qenë i rastësishëm në njërin prej plazheve të Shqipërisë rreth dy vite më parë.

“Njohja me të ka qenë shumë e rastësishme. Kemi qenë në pushim me familje në Shëngjin, ku edhe e kemi parë duke pikturuar. Ky takim ka qenë para dy vitesh. Në ketë takim kemi folur për këtë ekspozitë e cila paraqet pamje nga Shqipëria dhe Austria, e të cilën ka dashur ta sjellë në Kosovë, për të parë për së afërmi dashurinë e zonjës Kürner për artin dhe kulturën, duke e gërshetuar kulturat e Shqipërisë dhe Austrisë”, ka thënë Pajaziti.

Ekspozita e piktores Kürner, rastësisht këtë kohë ka përkuar edhe me themelimin e Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri, e cila u themelua rreth dy javë më parë. Pjesëmarrja e kryetarit të kësaj shoqate, Arsim Vranovci, sipas Ardianë Pajazitit ka bërë edhe një ndërlidhje të kësaj mbrëmje të këndshme dhe të rëndësishme mes Kosovës-Shqipërisë dhe Austrisë.

Drejtori i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri, Arsim Vranovci, i lumtur për pjesëmarrjen në këtë ekspozitë tha se do të përpiqen që në të ardhmen të ketë më shumë bashkëpunime të tilla kulturore, dhe se si shoqatë do të përpiqen që edhe kulturën kosovare ta dërgojnë në Austri.

“Kjo është hera e parë që po marrim pjesë në KultPlus. Por, herëve të tjera, do të bëjmë edhe ngjarje të tjera me Ardianën. Do t’i mbështesim edhe financiarisht dhe do të punojmë që të kemi sa më shumë kulturë dhe sa më pak politikë. Prandaj kultura austriake e ardhur në Kosovë është e mirëseardhur dhe njëkohësisht do të tentojmë që ta dërgojmë edhe kulturën kosovare në Austri”, ka thënë Vranovci.

Ndërsa piktorja Kürner me një buzëqeshje në fytyrë, e cila rrezatonte pozitivitet tha se ndihej shumë e lumtur për hapjen e ekspozitës së saj në Kosovë, e cila erdhi si rezultat i dy pasioneve të mëdha të saj që janë udhëtimi dhe piktura.

“Jam e kënaqur që jam këtu. Pasion e kam pikturimin që nga fëmijëria. Ngasjen e makinave e kam kombinuar me pasionin tim për pikturën. Kam organizuar udhëtime për turizëm që nga 2016. Tash mundem të udhëtoj vet dhe më në fund kam arritur ta njoh këtë vend të shkëlqyeshëm nga afër”, ka thënë Kürner.

Piktorja është pasiononte edhe e udhëtimeve dhe në Shqipëri udhëton që nga viti 1980. Ajo përveç Shqipërisë i cili është pothuajse vendi i saj i preferuar, gjë të cilën e tregojnë edhe paraqitja e shumë qyteteve në pikturat fantastike të saj, ajo po ashtu  ka shëtitur në vende të ndryshme të Evropës si në Moskë, Palermo, Stamboll etj.

Kurse në Kosovë kjo ishte hera e parë që ajo udhëtoi me mercedesin e saj old timer nga viti 1974. Me makinat e saj ka përshkuar pothuajse shumicën e bregdeteve Slloveni, Kroaci, Mal të Zi e Shqipëri, pa përfshirë udhëtimet e saj në Evropë.

Ajo më tutje tregoi që shokët e saj e kishin quajtur të çmendur pasi u kishte treguar se do të vinte në Kosovë për të hapur ekspozitë, dhe duke dashur të tregoj që po ndihej shumë e lumtur që ishte në Kosovë. Ajo tha se më vjen mirë që jam në Prishtinë në këtë vend të çmendur, pasi e tillë kam qenë edhe unë gjithmonë.

“Më kanë thënë shokët që jam e çmendur që po shkon në Kosovë për të hapur ekspozitë. Unë kam qenë gjithmonë pak e çmendur’’, përfundoi piktorja Kürner.

Përveç dy mjekëve nga Austria, të cilët kishin ardhur me piktoren Kürner, pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin anëtarë e shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri, si dhe artistë të shumtë kosovarë.

Të pranishmit në fund të ekspozitës patën rastin ta njohin piktoren Kürner,  edhe nga afër, pasi në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u organizua edhe një koktej, ku ndër të tjera pati edhe ushqime tradicionale.

Ekspozita e cila u hap mbrëmë, do të qëndroj e hapur për tre javë, ku adhuruesit e artit do të kenë mundësi për të parë, shijuar dhe blerë pikturat në mesin e të cilave janë edhe shumë qytete shqiptare./KultPlus.com

Të ngjajshme